Emri i Allahut En-nur

24.12.2013

Emri i Allahut En-nur


Emri i Allahut En-nur

Emrat e bukur të Allahut, në kohën që jetojmë janë shndërruar jo më shumë se ilahi që këndohen nga të rinjtë dhe të rejat tona.

Në fakt, emrat dhe cilësitë e Zotit, janë dera që na çon drejt njohjes sa më të plotë të Zotit. Për t'u prezantuar sa më mirë me Zotin dhe Krijuesin tonë, kemi tre metoda:

1 – Libri i Zotit i lexueshëm (Kurani).

2 – Libri i Zotit i shikueshëm (Universi).

3 – Emrat dhe cilësitë e bukura të Zotit. Në Kuran, përmenden nëntëdhjetë e nëntë emra dhe kjo me qëllim që ta njohim Zotin sa më mirë nëpërmjet këtyre cilësive.

Nuk ishin të rralla rastet kur Profeti a.s i përsëriste emrat e Zotit dhe cilësitë e Tij në prezencën e myslimanëve.

Tregon Abdullah ibnu Umer:"E pashë të dërguarin e Zotit një ditë mbi podium (minber) duke thënë me zë të lartë:"Zoti i madhëruar e lavdëron veten e Tij dhe thotë:"Unë jam poseduesi, Unë jam i plotfuqishëm. Unë jam rregullatori, Unë jam i pari, Unë jam i fundit… Vazhdoi profeti a.s t'i përsërisë cilësitë dhe emrat e Zotit, saqë pashë që minberi filloi të dridhet së bashku me të dërguarin e Zotit."

Edhe minderi që është i ndërtuar prej dërrase u ndikua nga emrat dhe cilësitë e Allahut të madhëruar. Thotë Zoti në Kuran:"Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Shembuj të tillë Ne ua japim njerëzve, që ata të meditojnë." (Hashr, 21)

Një ndër emrat e bukur të Zotit është edhe En-nur (drita). Me të dëgjuar këtë emër, na shkon menjëherë në mendje surja e Kuranit që ka marrë të njëjtin emër En-nur.

Gjëja e parë që hapa për të përgatitur këtë temë, është pikërisht ajeti në të cilin përmendet ky emër i Allahut. Thotë Zoti në Kuran në suren En-nur:"Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë." (Nur, 35)

"Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës." do të thotë që burimi i dritës në qiej dhe tokë është nga Allahu i madhëruar.

Thotë Ibnu Mesudi:"Zoti juaj nuk ka as ditë dhe as natë. Drita e qiejve dhe e tokës buron nga drita e fytyrës së Tij."

"Thuaju (o Muhamed): “Pa mendoni, nëse Allahu jua bën natën të përhershme deri në Ditën e Kiametit, cili zot, përveç Tij, do t’jua sillte dritën? Vallë, a nuk dëgjoni?” (Kasas, 71)

Me anë të dritës dhe nurit të Zotit filloi krijimi i qiejve dhe i tokës. Për shkak të dritës dhe nurit të Tij, melekët i janë nënshtruar dhe e adhurojnë çdo orë e çast. Është drita dhe nuri i Tij ajo që na bën të shkojnë në xhami dhe ta adhurojmë Zotin me përkushtim. Është drita dhe nuri i Tij ajo që na ka bashkuar në vëllazërinë islame. Është drita dhe nuri i Tij ajo që dërgoi profetë dhe të dërguar. Është drita dhe nuri i Tij ajo që shpalli libra hyjnorë për udhëzimin e njerëzimit. Është drita dhe nuri i Tij ajo që na ka udhëzuar në rrugën e drejtë, rrugën e Zotit.

Thotë Zoti në Kuran:"A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukuraveprat që bëjnë." (En'am, 122)

Umer ibnul Hattabi ishte njëlloj si kurejshët e tjerë përsa i përket zakoneve negative.

Një herë në udhëtim, Umeri nuk e kishte marrë idhullin e tij. Ngaqë nuk kishte gjë tjetër, hurmave, që kishte marrë me vete, u dha formën e një idhulli dhe filloi t’i adhurojë si zot. Më pas, e morri uria dhe ngaqë nuk kishte ç’të hajë, filloi të hajë zotin prej hurme. Një zot që hahet, e tret stomaku dhe në fund e nxjerr si jashtëqitje! Kur u bë Halife i myslimanëve, i vajti një i ri dhe e pyeti:”O prijës i besimtarëve, a nuk e kishit mendje që e bënit diçka të tillë?!"

Umeri iu përgjigj: “Po! Kishim mendje, por nuk ishim të udhëzuar.”

Është drita dhe nuri i Zotit ajo që e udhëzoi Umer ibnul Hattabin. Është drita dhe nuri i Tij ajo që na ka bërë neve sot myslimanë. Është drita dhe nuri i Tij ajo që na çon në xhami.

 

Si është drita e Zotit?

Në vazhdimin e ajetit ku përmendet emri i Zotit En-nur, Zoti bën një përngjasim të dritës dhe nurit të tij, me qëllim që ne njerëzit ta kemi më të kollajtë ta përfytyrojmë dhe konceptojmë.

"Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës."

Kamareje është një vend në mur, ku zakonisht mbahej llamba për ndriçim. Kjo llambë është e vendosur brenda një mbulese xhami të kristaltë që ndriçon si një yll i shndritshëm. Kjo llambë ndizet nga druri i një peme e bekuar që është ulliri. Vaji i ullirit është një ndër vajrat më të pastër dhe të dobishëm. 

"as lindor, as perëndimor" do të thotë se kjo pemë – ulliri – nuk mbillet as pranë lindjes ku e kap dielli vetëm në mëngjes dhe as pranë perëndimit ku nuk e sheh dielli veçse pasdite vonë. Ajo mbillet dhe kultivohet në një zonë ku e sheh dielli shumicën e kohës, gjë e cila ia shton vlerat vajit dhe frytit të saj.

"vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri." Për shkak të pastërtisë dhe shkëlqimit të vajit, duket sikur ndriçon edhe nëse nuk i është vënë flaka. 

"Dritë sipër dritës." Pra, bashkohen dy drita: Drita dhe shkëlqimi i vajit dhe drita kur ky vaj ndizet dhe ndriçon.

 

Thelbi dhe domethënia e brendshme e ajetit

"Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit."

I gjithë shembulli që përmendëm në ajetin e mësipërm, përveç kuptimit sipërfaqësor, llamba e kristaltë, vaji i ullirit etj..., ka dhe një kuptim të brendshëm dhe simbolik. Allahu i madhëruar, me shembullin e mësipërm simbolizon zemrën e besimtarit. E gjithë drita e Zotit në gjithësi, pasqyrohet tek zemra e besimtarëve.

Me qëllim që Zoti ta ruajë zemrën e ka vendosur në një zgavër dhe mbulesë që quhet kraharor (si kamareje e llambës). Brenda kraharorit, ai e ka mbështjellë dritën dhe nurin e besimit me një organ që quhet zemra. Zoti e krahason zemrën me xhamin e kristaltë, i cili ka tre cilësi:

E para është i pastër dhe i tejdukshëm. E dyta është i ndjeshëm dhe e treta është i ngurtë. Këto tre cilësi i gjen tek zemra e besimtarit. Ajo është e pastër dhe e pranon udhëzimin hyjnor menjëherë. Ajo është e ndjeshme, pasi preket shpejt nga këshillat, madje edhe i rrjedhin lot nga dashuria për Zotin dhe fenë e Tij. Ai është i dhembshur me familjen e tij dhe me njerëzit përreth. Po kështu, është i ngurtë dhe i ashpër me armiqtë e Zotit. Këto tre cilësi i gjen tek xhami ashtu siç i gjejmë tek zemra e besimtarit.

"kurse kristali është si një yll i shndritshëm" Për shkak se zemra është e mbuluar nga nuri i Zotit, ajo shkëlqen sikur të ishte një yll i shndritshëm.

Thotë një dijetar:"Zemrat janë enët që Zoti ka vendosur në tokë. Zemra më e dashur tek Zoti, është ajo që është më e ndjeshmja, më e pastra dhe më e forta. Ajo është më e ndjeshmja karshi vëllezërve besimtarë, është më e pastra në sinqeritetin që ka për fenë e Zotit dhe më e forta kundër armiqve të Zotit."

"Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit" Vaji që furnizon me energji zemrën e besimtarit është vetë libri i Zotit, Kurani famëlartë. Nëse dëshiron që zemra jote të mbushet plot dritë e nur, lexo dhe dëgjo sa më shumë Kuran.

"as lindor, as perëndimor" Besimi islam nuk i përket as lindjes dhe as perëndimit. Ai nuk ka nevojë as për lindjen dhe as për perëndimin, pasi buron nga burimi më i pasur, ai hyjnor.

"ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri." Besimtari është në origjinë i pastër, plot dritë dhe nur. Edhe nëse nuk do kishte zbulesa hyjnore, njeriu është i prirur të besojë tek Zoti.

"Dritë sipër dritës." Kurani kur bashkohet me natyrën e pastër, janë si drita mbi dritë.

Në shumë interpretime të Kuranit, dijetarët kur komentojnë këtë ajet thonë:"Zoti ka si qëllim me këtë ajet, zemrën e besimtarit."

Zemra më e dashur tek Allahu, është ajo zemër e cila është ndriçuar me dritën dhe nurin e besimit. Kështu, drita dhe nuri i besimit, janë më të vlefshme dhe më të dashura tek Zoti se drita e diellit. Në çastin që ti o vëlla dhe oj motër e lejoni dritën e Kuranit dhe të besimit të depërtojë zemrën tuaj, dijeni se në ato çaste zemra juaj është ndër zemrat më të pastra dhe plot dritë.

"Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit."

Përpiqu që të afrohesh sa më shumë me dritën dhe nurin e Allahut. Prezantohu qoftë dhe një herë me këtë dritë dhe do shohësh që e ke të vështirë të ndahesh prej saj.

 

Nëse e refuzon dritën dhe nurin e Zotit:

"Sa për ata që nuk besojnë, veprat e tyre janë si mirazhi në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë. Aty do të hasë në dënimin e Allahut, i Cili ia paguan llogarinë e tij të plotë, se Allahu është i shpejtë në llogari. Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa kur e nxjerr dorën e vet, njeriu pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë." (Nur, 39-40)

Profeti a.s, duke dashur që të lidhemi sa më shumë me Dritën dhe Nurin e qiejve dhe të tokës, na mëson një lutje të bukur, teksa nisemi për në xhami. Ai na porosit që gjatë rrugës për në xhami të lutemi:"O Zot! Më udhëzo para me një dritë, nga pas me një dritë, nga e djathta ime me një dritë, nga e majta me një dritë dhe nga lart dritë. O Zot vendose në zemrën time një dritë, në sytë e mi, në veshët e mi dhe në mendjen time! O Zot më bëj vetë mua dritë!"

Këtë lutje jemi urdhëruar ta bëjmë pesë herë në ditë, teksa jemi duke vajtur në xhami. Kjo sepse nëse në zemrën tonë hyn drita dhe nuri i Allahut, do të shndërrohet në burimin e dritës më të madhe në tokë.

Në një lutje, Profeti a.s thoshte:"Kërkoj mbrojtje tek nuri i plotë i fytyrës tënde, nur që ka ndriçuar errësirat dhe që rregullon çështjen e dynjasë dhe të ahiretit, që mos bjerë mbi mua zemërimi yt o Zot dhe mos më përfshijë pakënaqësia Jote!"

Me nurin e Allahut rregullohen çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër. Me dritën dhe nurin e Allahut na lehtësohet jeta në këtë botë. Me dritën dhe nurin e Allahut do të hyjmë në xhenetin e amshuar.

Thotë Profeti a.s:"Xheneti nuk do të ndriçohet as me diell dhe as me hënë, por do të ndriçohet nga nuri i Allahut."

Imagjinoje veten në xhenet, ku tashmë ka ardhur koha që të bien perdet dhe të shohësh për herë të parë nurin e Allahut të madhëruar.

Pasi Profeti a.s u kthye nga udhëtimi i Miraxhit, u pyet:"A e pe Allahun o i dërguar i Zotit?!"

Profeti a.s u përgjigj:"Pashë vetëm dritë."

Vetëm në xhenet do e kesh të mundur të shohësh nurin dhe dritën e Allahut, me të cilën është rregulluar dynjaja dhe ahireti. Nuk ka gëzim dhe kënaqësi më të madhe se çastet kur të shohësh nurin e Allahut. Ne mbetemi gojëhapur kur shohim perëndimin e diellit, sidomos mbi sipërfaqen e detit. Nëse kjo na ndodh me dielli, çfarë mund të themi mbi ato çaste kur të shohim burimin e çdo drite dhe nuri, kur të shohim vetë Allahun e madhëruar, kur të shohim Krijuesin e çdo bukurie!

"Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës."

Zoti ka caktuar një natë në tokë, ku pasqyrohet nuri dhe drita e Tij dhe kjo natë është nata e Kadrit. Në këtë natë, nuk pasqyrohet nuri ndriçues i Zotit, por pasqyrohet nuri udhëzues i Tij.

E lusim Zotin që të na ndihmojë të kapemi sa më fort pas Nurit të Tij në këtë botë! E lusim Zotin që të na ndihmojë të kapemi sa më shumë pas Kuranit në këtë botë dhe të na bëjë nga ata që do e shohin nurin e Tij në botën tjetër! Amin!

 /KBI-Bujanoc.com/

1006 Shikime