Islami i vërtetë dhe ai rajonal

29.04.2014

Islami i vërtetë dhe ai rajonal


Islami i vërtetë dhe ai rajonal

Kur themi që ndokush është mysliman, përkatësisht jomysliman, rëndom anashkalojmë gjendjen e vërtetë. Ata që, parë gjeografikisht, jetojnë në një rajon të caktuar dhe të cilët Islamin e tyre e kanë trashëguar nga prindërit e vet – i quajmë myslimanë, kurse të tjerët, të cilët jetojnë në kushte dhe rrethana tjera - gjithashtu duke ndjekur prindërit e vet, të cilët i takojnë ndonjë feje tjetër ose tërësisht janë jo-fetarë – të këtillët i quajmë jomyslimanë.

Një konstatim i këtillë nuk ka shumë vlerë dhe nisur nga kjo nuk mund të vlersojmë se ndokush është mysliman apo jomysliman. Shumica nga ne i përkasim këtij grupimi vetëm gjeografikisht, gjegjësisht jemi myslimanë meqë prindërit i kemi mysliman, kemi lindur si mysliman dhe jemi edukuar në frymën e rajonit dhe shoqërisë ku jetojnë myslimanë. Ajo që vërtetë ka vlerë padyshim është Islami i vërtetë, d.m.th. që njeriu me gjithë zemër t’i qaset të vërtetës, që portën e shpirtit ta hap përpara asaj që është e vërtetë dhe të punojë duke u bazuar mbi parimet e kësaj të vërtete, si dhe Islami të cilin e ka përqafuar nga njëra anë të jetë i bazuar në racionalitet dhe hulumtim – kurse nga ana tjetër të flakë tej fanatizmin dhe kokëfortësinë. Nëse ndokush posedon veti që me plot dëshirë do të aderonte dhe do ti dorëzohej të vërtetës, por për aksh shkaqe e vërteta mbi Islamin i ka mbetur e panjohur, dhe ky person nuk është fajtor për këtë gjë, pra për mos-njohjen e Islamit dhe parimeve të tij, njeriun e këtillë Allahu kurrë nuk ka për ta dënuar dhe ai me siguri do të shpëton nga zjarri i Xhehenemit. Allahu i Madhërishëm thotë: “Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar.” (El-Isra, 15)

E pamundur është që I Madhërishmi dhe I Urti të dënon ndokënd të cilit nuk ia ka sqaruar plotësisht argumentin e Tij. Dijetarët e metodologjisë së jurisprudencës domethënien e përmbajtjes së këtij ajeti, i cili ngre gjykimin racional, e kanë definuar me terminologjinë vijuese “qubhu-l-’iqāb bila bejân – shëmtia e dënimit pa shpjegim.” Përderisa Allahu i Madhërishëm të mos ia qartësoj të Vërtetën ndokujt prej robërve të Vet – është e pahijshme që të njëjtin ta dënojë.

Për ta shpjeguar faktin që ekzistojnë njerëz të cilët posedojnë shpirtin e përkushtimit, madje formalisht edhe duke mos qenë myslimanë, mund ta ilustrojmë shembullin e filozofit francez  René Descartes dhe atë në bazë të deklarimit të tij. Ç’është e vërteta, në biografinë e tij shënohet se ai filozofinë e tij e filloi nga dyshimi në çdo lëmë të dijeve të tij, pra gjithçka e filloi nga zeroja. Duke u bazuar në perceptimet dhe mendimet vetjake, ai u shpreh “Cogito ergo sum” (“Mendoj, pra ekzistoj.”)

Pasi që e dëshmoi ekzistencën e vet, ai dëshmoi edhe ekzistencën e shpirtit dhe të trupit, si dhe plotësisht u bind në ekzistimin e Zotit. Descartesi gradualisht arriti tek çështja e zgjedhjes së fesë dhe ai zgjodhi Krishterimin i cili në vendin e tij ishte fê zyrtare. Ai madje ka një deklaratë jashtëzakonisht interesante, ku shprehet: “Unë nuk them që Krishterimi është detyrimisht feja më e mirë në botë, unë them se Krishterimi është feja më e mirë nga ato fê të cilat i njoh dhe tek të cilët kam qasje. Unë nuk pretendoj se kjo është e vërteta absolute, përkundrazi, ndoshta në vende të ndryshme të botës ekziston ndonjë fê e cila është më e mirë dhe më progresive se sa Krishterimi…”

Është interesant se Descartes e përmend Persinë si vend të cilin nuk e njeh, ashtu sikur që nuk e njeh edhe fenë e popullit të saj. Duke e përmendur Persinë, Descartes thotë: “Ku ta di unë? Ndoshta, p.sh. në Persi ekziston ndonjë fê më e mirë se Krishterimi?!” Njerëzit e këtillë nuk mund t’i quajmë jobesimtarë, ngase ata nuk janë mospërfillës e as jobesimtarë aventurier. Njerëzit e këtillë aspak nuk kanë për qëllim ta fshehin të Vërtetën. Thelbi i mosbesimit nuk është asgjë tjetër pos tendenca për të mos u bindur (nënshtruar) dhe për ta fshehur të vërtetën. Njerëzit si puna e Descartes janë “muslimun fitrijjun – myslimanë natyrorë.” Këta njerëz nuk mund ti quajmë as myslimanë e as jobesimtarë, ngase oponenca në mes të nocionit mysliman dhe  jobesimtar nuk është në binarë të njëjtë (oponenca e pohimit dhe mohimit) ose fakultative (oponenca në mes të ekzistimit dhe të mos ekzistimit të ndonjë cilësie për diçka) – sipas terminologjisë së logjicienve dhe filozofëve – por kjo është një lloj oponence kontraverse, d.m.th. lloj i oponencës së dy çështjeve ekzistuese, e jo oponencë në mes të një çështjeje ekzistuese dhe joekzistuese. Shembulli i René Descartes që e theksuam më sipër nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga parimi i parë që e përmendëm pak më parë.  Që në fillim kur kemi vënë kushtin që nuk do të gjykojmë mbi atë se kush çfarë është, nëpërmjet kësaj kemi dashur të themi me sa vijon: Nëse supozojmë se ajo që ai e ka thënë është e vërtetë, si dhe me përkushtim i është qasur të vërtetës – aq sa edhe e shfaq, si dhe faktin se nga ana tjetër nuk i është ofruar qasja e hulumtimit në këtë aspekt, atëherë themi se një gjendje e këtillë është gjendja e një myslimani natyror.

Sinqeriteti – kusht i pranimit të veprave të njerëzve

Duke parashtruar pyetjen e dytë mbi vlerën e besimit – kemi dëshiruar që nëpërmjet kësaj të dallojmë se çfarë peshe ka ai në kryerjen e veprave të mira. Më sipër theksuam shembujt e atyre që thonë se veprat e mira pranohen te Zoti qofshin ato të kryera nga besimtari apo jobesimtari, sepse në thelb janë të mira, sikur që njëjtë ndodh edhe me veprën e keqe, sepse edhe ajo në thelbin e saj është e keqe. Tani duhet të theksojmë se kjo që potencuam më sipër është e vërtetë, por duke injoruar/anashkaluar një çështje mjaft të rëndësishme: Kjo është çështje për shpjegimin e së cilës jemi të detyruar të shpjegojmë edhe një nocion të metodologjisë së drejtësisë, si dhe faktin që ekzistojnë dy lloje të bukurisë dhe të së shëmtuarës: objektive dhe subjektive. Çdo vepër ka dy aspekte dhe çdonjëri nga to merret parasysh veç e veç gjatë vlerësimit të veprës në fjalë. Ekziston mundësia që një vepër në një aspekt të jetë e mirë – kurse në aspektin tjetër jo, si dhe e kundërta e kësaj: Mundësia që një vepër në të dy aspektet të jetë e mirë ose e keqe. Dy aspektet e përmendura janë: Njëra është sferë e efekteve të dobishme ose të dëmshme në botën objektive ose shoqërinë njerëzore, ndërsa sfera e dytë është relacioni me vetë subjektin dhe gjendjen psikike, gjegjësisht motivimin shpirtëror që ka shkaktuar kjo vepër, përkatësisht caqet dhe objektivat e subjektit që ai nëpërmjet tyre ka synuar të arrijë me veprën e vet. Në aspektin e parë duhet shikuar se deri ku shtrihet dobia, gjegjësisht efekti i dëmshëm i veprës. Ndërsa në aspektin e dytë duhet shikuar se nëpërmjet cilës rrugë lëviz dhe nga drejtohet subjekti në rrugëtimin e vet shpirtëror dhe sistemin ideor? Veprat e njerëzve, nga aspekti i sferës së dobisë, gjegjësisht dëmit, janë të shënuara në memoaret e historisë, ndaj dhe nisur nga kjo atyre u gjykohet: përkatësisht lavdërohen ose qortohen – nga aspekti i sferës së relacionit në mes të veprës njerëzore dhe shpirtit të tij, kjo shënohet në memoaret e lartësuara qiellore. Memoaret historike kërkojnë veprim të madh dhe ndikues nëpërmjet së cilave do të lavdërohen, kurse memoaret e lartësuara qiellore dhe Shkrimet e Zotit, përveç këtij aspekti, kërkojnë veprim të gjallë dhe shpirtëror. Në Kuranin Fisnik thuhet: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i Madh.” (El-Mulk, 2)

Siç vërejmë, në ajetin e mësipërm është thënë “kush prej jush do të veprojë më mirë”, e jo  “shumë vepra”, ngase me rëndësi është të dimë se jemi në lëvizje edhe nga aspekti shpirtëror dhe se kur kryejmë ndonjë vepër, ne trasojmë një rrugë e cila përveç formës së veprës, përbëhet edhe nga një varg lëvizjesh dhe veprimesh të cilat posedojnë efektet e veta specifike dhe vlerat shoqërore. Rëndësia e ideve dhe synimeve nuk është aspak më e vogël se rëndësia e veprës, përkundrazi…

Kjo mënyrë e të menduarit, gjegjësisht “autenticiteti i veprës” që mendimin, synimin dhe bindjen e konsideron jo të rëndësishëm dhe në emër të “objektivitetit” dhe “mentalitetit” iu jep vlera hyrëse dhe përgatitore, paraqet një lloj të mendimit materialist. Përveç të qenit gabim, kjo mënyrë e të menduarit në llojin e vet – ngaherë është sqaruar, ndaj është tërësisht e qartë se doktrina kuranore nuk mund të shpjegohet nëpërmjet kësaj mënyre të të menduarit. Identiteti dhe “uni” ynë i vërtetë nga aspekti kuranor – është pikërisht shpirti ynë. Shpirti ynë, nëpërmjet zgjedhjes së vet të lirë të veprave – nga mundësitë hapëron drejt aktualitetit dhe ngërthen në vetvete efektin dhe cilësinë konform qëllimit dhe synimit të vet. Këto efekte dhe cilësi bëhen pjesë të personalitetit tonë dhe na shpiejnë në botën ekuivalente me ekzistimin e tyre. Mirësia dhe shëmtia e veprave në aspektin e parë varen nga performanca e tyre objektive, ndërsa në aspketin dytësor varen nga cilësia e veprës së turbullt të aktit të tyre subjektiv.  Në vlerësimin e parë ne gjykojmë se cili është efekti i aksh veprës nga pikëpamja e saj objektive dhe sociale, kurse nga pikëpamja tjetër gjykojmë mbi atë se çfarë ndikimi ka kjo vepër nga aspekti i brendshëm psikik tek personi i cili e kryen atë, d.m.th. subjekti. Kur dikush ndërton ndo jë spital ose ndërmerr nismën e një aksioni të gjerë bamirës në planin shëndetësor, ekonomik ose kulturor, nuk ka kurrfarë dyshimi që kjo vepër e tij – nga pikëpamja shoqërore është e mirë – d.m.th. i shërben krijesave të Zotit. Në këtë vlerësim për ne nuk është më me rëndësi se cili ishte qëllimi i subjektit p.sh. me aktin e ndërtimit të spitalit apo institucioneve tjera bamirëse. Nëse qëllimi i tij ka qenë dëshira për tu ekspozuar apo plotësuar dëshirat e veta, ose vërtet qëllimi i tij ka qenë human, sublim, jo-vetjak dhe aspak materialist, sidoqoftë në shoqëri veç më është shfaqur dhe ekziston një institucion bamirësie. Gjykimi i historisë mbi veprat e njerëzve gjithnjë bazohet nga ky aspekt dhe dimension. Historia fare nuk ka të bëjë me qëllimet (nijetin) e individit. P.sh. kur flitet për kryeveprat e bukurisë mjeshtërore të objekteve të Tetovës, askujt nuk i intereson se çfarë qëllimi ka patur ndërtuesi i Xhamisë së Larme (Pashës), Harabati Baba Teqesë apo Hamamit të qytetit – historia vetëm shqyrton formën e veprës dhe më pas e vlerëson “bamirëse.” Por, në vlerësimin e “bamirësisë së subjektit” efekti objektiv dhe shoqëror i veprës – nuk është objekt shqyrtimi, në këtë vlerësim shihet cilësia e lidhjes në mes të veprës dhe kryerësit të saj. Dobia e një vepre nuk është e mjaftueshme që ajo të quhet “vepër e mirë.” Këtu shihet në qëllimin dhe objektivat të cilat e kanë shtyrë subjektin të ndërmarr kryerjen e një vepre të këtillë: Nëse ai ka pasur qëllim të mirë dhe nëse këtë vepër të mirë bamirësie e ka kryer si rezultat të motivimit të mirë, atëherë nuk ka kurrfarë dyshimi se puna e tij është e mirë, gjegjësisht posedon bukuri realizuese dhe vepra e tij është dy-dimensionale: Në njërin historik-shoqëror dhe në tjetrin qiellor-shpirtëror. Por nëse motivacioni i tij ka qenë vetë-dëshmimi para shoqërisë, demonstrimi i interesit të tij material apo vetëkënaqësia, atëherë vepra e tij është një-dimensionale dhe shtrihet vetëm në histori dhe kohë, ajo nuk ka shtrirje qiellore-shpirtërore, apo thënë në terminologjinë islame: Vepra e tij nuk ka pasur sukses në botën e sipërme. Thënë ndryshe, subjekti në këtë rast i ka bërë shërbim shoqërisë dhe e ka ndihmuar atë, por nuk i ka ndihmuar vetes së vet, madje në disa raste edhe e ka mashtruar vetveten: në vend se shpirtin e vet ta ngrit nëpërmjet një vepre të këtillë – ai akoma më shumë e ka degraduar atë… Gjithsesi me këtë nuk dëshirojmë të themi se llogaritja e bamirësisë subjektive është plotësisht e ndarë nga kjo botë dhe se njeriu nga aspekti i sistemit shpirtëror dhe aspirata për përsosmërinë e tij shpirtërore – nuk duhet të kujdeset për dobinë e punës së tij në shoqëri, përkundrazi, me këtë dëshirojmë të theksojmë se vepra e dobishme shoqërore është tamam e dobishme – vetëm atëherë kur është e dobishme edhe nga aspekti i përkryerjes shpirtërore, kur shpirti i njeriut me kryerjen e kësaj vepre, shkon edhe një hap më tej drejt përsosmërisë, kur nga niveli i ulët i vetëkënaqësisë dhe epshit ngjitet në nivelin e lartë të sinqeritetit dhe shkëlqimit shpirtëror.

Raporti në mes të bamirësisë së shpirtit dhe asaj subjektive – është sikur raporti në mes të trupit dhe shpirtit. Përderisa komponenta e qenieve të gjalla përbëhet nga shpirti dhe trupi – ngjashëm edhe vepra e mirë e njeriut për të qenë vërtetë e gjallë dhe kreative, përveç bukurisë fizike duhet të jetë e frymëzuar edhe nga bukuria shpirtërore.

Pra, argumenti racional i të ashtuquajturve pseudo-intelektual i bazuar mbi atë se “Zoti njëlloj sillet ndaj të gjithë krijesave të Vrta, dhe nga ana tjetër, bukuria dhe shëmtia e veprave është cilësi thelbësore, ndaj nisur nga kjo, vepra e mirë është njëlloj e vlefshme pavarësisht se nga kush vjen, dhe se implikimi i këtyre dy “barazive” -  është ekuivalente me shpërblimin e kësaj bote të besimtarëve dhe jo-besimtarëve…” – nuk ka dyshim se është argument jo i plotë dhe i pamjaftueshëm. Në këtë argument është marrë parasysh vetëm vepra dhe qasja e njëjtë e raportit të Zotit ndaj të gjitha krijesave, kurse harrohet kryerësi i veprave, personaliteti i tij, synimi, motivimi dhe rrugëtimi shpirtëror, ndërsa tërë kjo detyrimisht shkakton jo-barazinë e veprave të njerëzve dhe dallim të theksuar. Njerëzit  e këtillë thonë: “Çfarë dallimi ka për Zotin në mes të njeriut i cili ka kryer  një vepër të mirë dhe e njeh Zotin dhe atij që nuk e njeh Zotin? A thua ndokush veprën e ka kryer për hir të kënaqësisë së Tij apo ka pasur për qëllim diçka tjetër? A thua qëlllimi i tij ka qenë që ti afrohet Zotit apo dikuj tjetër?” Gjithë kjo pë Zotin nuk ka kurrfarë dallimi, por dallim ka për vetë personin, ngase nëse ai e njeh Zotin – atëherë ai do të ketë një lloj të rrugëtimit shpirtëror, ndërsa në të kundërtën, një rrugëtim tjetër. Nëse nuk e njeh Zotin, vepra e tij është njëdimensionale dhe ka vetëm bukuri të përkohshme dhe historike, por nëse e njeh Zotin atëherë vepra e tij është dydimensionale dhe merr zbukurim qiellor. Pra, nëse e njeh Zotin edhe vepra e tij ngritet drejt Zotit. Thënë ndryshe: Kjo nuk bën kurrfarë dallimi tek Zoti, por bën dallim në vetë veprën – në njërin rast vepra është e gjallë dhe e lartësuar, kurse në rastin tjetër ajo është e vdekur dhe degraduese. Thonë se Zoti i Madhërishëm dhe i Urtë nuk do ta hedh veprën e mirë të robit të Vet vetëm pse ky i fundit, robi pra, nuk është mik i Zotit. Edhe ne besojmë se Zoti këtë nuk do ta bëj, por duhet të shohim se aksh-individi i cili nuk e njeh Zotin vërtet kryen vepër të mirë, gjegjësisht vepër e cila ka hijeshinë e vet, vepër e cila është e mirë si nga aspekti shoqëror ashtu edhe nga ai shpirtëror. Të gjitha gabimet tona vijnë si pasojë e vlerësimit të veprës së mirë vetëm nga një kriter, gjegjësisht a thua ajo (vepra) ka dobi të përgjithshme shoqërore. Është më se e qartë se Zoti nuk do ta kthej asnjërin i cili me qëllim (nijet) të mirë në kryerjen e veprës hapëron drejt Tij, pa e njohur Atë, por e vërteta është se ai i cili nuk e njeh Zotin dhe nuk e heq perden nga sytë e tij, nuk e përkryen shpirtin e tij dhe nuk ngjitet drejt Zotit – njeriu i këtillë posedon vepër e cila nuk është e përshpirtshme dhe qiellore, e as që pranon ndonjë formë nëpërmjet së cilës Ai në botën tjetër do të ishte burimi kryesor i kënaqësisë, gëzimit dhe lumturisë. Një dallim thelbësor ndërmjet ligjeve të Zotit dhe atyre njerëzore është fakti që ligjet e Zotit janë dy-dimensional, ndërsa ligjet njerëzore një-dimensional. Ligjet njerëzore nuk kanë të bëjnë fare me ngritjen dhe përkryerjen shpirtërore të individit.

Kur një qeveri për shkak të interesave shtetërore, përcakton taksat, synimi i saj është gjidhja e shpenzimeve shtetërore. Shteti nuk brengoset shumë se çfarë qëllimi ka ai i cili e paguan tatimin, gjegjësisht e paguan me kënaqësi apo nga frika? Synimi i shtetit është që individi ta paguaj tatimin. Po ashtu, shtetit, kur kryen mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë me qëllim të mbrojtjes së vendit, nuk i intereson për qëllimet e ushtarit: Shteti dëshiron që ai në fushëbetejë të lufton kundër armikut. Për shtetin nuk është me rëndësi nëse ushtari lufton nga kënaqësia dhe vullneti i vet apo nga frika e mitralozit të armikut që i është drejtuar. A lufton me qëllim që të ekspozohet, për qëllime aventuriere apo nga fanatizmi, a lufton për të mbrojtur të drejtat dhe të vërtetën. Mirëpo, një gjë e këtillë nuk ekziston në ligjet e Zotit. Tatimet dhe çështjet që janë të lidhura me to nuk kërkohen absolutisht dhe pa asnjë kusht, përkundrazi – të njëjtat kërkohen bashkë me nijetin e sinqertë dhe aspiratën pë të qenë sa më pranë Zotit. Ç’është e vërteta, Islami kërkon që vepra të jetë e mbrujtur me shpirt, e jo të jetë vepër e cila nuk posedon në brendi shpirt, ndaj dhe dhënia e tatimit nga ana e myslimanit me një dozë të dëshirës për tu ekspozuar – nuk pranohet nga te Allahu i Madhërishëm. Edhe për luftëtarin vlen i njëjti rregull. Ligji i Zotit e kërkon atë ushtar i cili me tërë shpirtin e tij është ushtar; ushtar i cili ka dëgjuar për mobilizimin dhe me plot dëshirë i është përgjigjur zërit të thirrjes: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit.” (Et-Teube, 111)

Kalifi i II-të mysliman Omer ibn Hatabi (r.a.) përcjell se i Dërguari i Allahut, Muhammedi (s.a.v.s.) thotë: “Vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimit dhe çdo njeri do të shpërblehet sipas qëllimit, andaj ai i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e kush ka bërë emigrim për ndonjë interes të kësaj bote ose për ndonjë femër që ta martojë, hixhreti i tij është për atë që ka emigruar.” (Transmeton Imam Buhariu, Muslimi, Ahmed ibn Hanbeli, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Maliku)

Pinjolli i Familjes së Pejgamberit (s.a.v.s.), Imam Xhafer Sadiku (r.a.) thotë: “Veprat tuaja kryeni në emër të Allahut e jo në emër të popullit, sepse gjithçka që bëhet  në emër të Allahut – ajo veç më është tek Ai, kurse ajo vepër e cila kryhet në emër të popullit -  nuk arrinë të ngjitet te Allahu.” (“Vesâ’il”; vëll. I, f. 11-12)

Qëllimi (nijeti) është shpirti i çdo akti njerëzor. Ngjashëm sikur që trupi i njeriut është nderuar me shpirtin, ashtu dhe veprat e njeriut varen nga shpirti i tij.

Shpirti i veprës së njeriut është sinqeriteti.

Në Kuranin e Madhërishëm thuhet: “E do të mbahet larg tij (zjarrit) më i devotshmi (që ruhet nga gjynahet), që e jep pasurinë e tij, duke pastruar veten dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm për të kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Zotit të tij, më të Lartit. Dhe ai, me siguri, do të jetë i kënaqur!” (El-Lejl, 17-21)

Cilësia apo sasia?

Duke u nisur nga ajo që theksuam më sipër, arrijmë në një një përfundim interesant, gjegjësisht faktin se sipas përcaktimit hyjnor – veprat vlerësohen për nga pesha e vlefshmërisë e jo për nga pamja e tyre dhe madhësia. Injorimi i këtij fakti ka çuar tek mbivlerësimi i asaj që konsiderohet e vlefshme – posaçërisht kur bëhet fjalë për shokët e Pejgamberit (s.a.v.s.)  Për shembull: pasi që Imam Aliu r.a. ia dhuroi unazën e vet, duke qenë në namaz,  një të varfri, gjest ky i cili u bë shkak i zbritjes së një ajeti të Kuranit, disa njerëz, për ti dhënë domethënie më të madhe shoqërore këtij akti, thanë se unaza vlente sa gjithë taksat që u tubuan nga Siria, dhe me qëllim që njerëzit ta besonin si të këtillë, e treguan këtë në formë të një hadithi. Sipas mendimit të individëve të këtillë, ishe e çuditshme që për shkak të dhurimit të një unaze të thjeshtë të shpallet ajet nga Kurani, ndaj dhe duke mos e kuptuar thelbin e kësaj, filluan të shpikin përralla dhe të masin vlerën materiale të unazës, duke mos menduar faktin se unaza e cila ka vlerën sa gjithë tatimi i Sirisë – në Medinën e varfër do të ishte e pamundur të zbukuronte dorën e Imam Aliut (r.a.) Edhe sikur të supozojmë se vërtet një unazë me këtë madhësi vlere ndodhej në dorën e Imam Aliut (r.a.), atëherë ai nuk do t’ia jepte vetëm një të varfri, por me këtë unazë ai do ta rimëkëmbte tërë Medinën dhe me këtë akt të gjithë të varfrit do t’i nxirrte nga telashja.

Logjika e eklipsuar e njerëzve të këtillë nuk arrin të kuptojë se vepra e madhe tek Allahu nuk matet sipas vlerës materiale. Ky lloj i njerëzve mendon se kostoja e unazës (ruana Zot!) aq shumë e mahniti Zotin, sa që nxiti Atë që ta lavdëron Imam Aliu (r.a.) dhe të tregon se çfarë vepre të madhe ka kryer!!!

Nuk dijmë se a thua vallë çfarë do të mendonin njerëzit e këtillë me logjikë të eklipsuar për pogaçet nga elbi të cilat Imam Aliu (r.a.) dhe familja e tij ua shpërndanë të varfërve, dhe më pas për nder të tyre u shpall surja El-Insan?

Rëndësia e veprave të Imam Aliut (r.a.) dhe familjes së tij nuk matet nga aspekti material – por matet nga ajo se ishte një vepër plotësisht e pastër dhe e cila kryhej sinqerisht në emër të Zotit, vepër kjo në një nivel të lartë sinqeriteti të cilën ne nuk jemi në gjendje ta përshkruajmë, gjegjësisht masim sinqeritetin e saj, i cili sinqeritet u pasqyrua në qarqet qiellore dhe rezultoi lavdërimin dhe madhërimin…

Rëndësia e veprave të tyre është pikërisht ajo pë çka flet edhe Kurani Fisnik: “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!” (El-Insan, 8-10)

Kjo pra është ajo që ndodhej në zemrat e tyre, të cilën Allahu e shpalosi, gjegjësisht nëpërmjet sakrificës së tyre – ata nga Allahu nuk kërkonin asgjë tjetër – përveç kënaqësisë së Tij.

Shkaku se përse Kurani Fisnik veprat e jobesimtarëve i quan halucinacione të pavlefshme, konsiston në atë se veprat e tyre kanë formë të jashtme të bukur, por ngaqë kryhen në emër të synimeve të ulta individuale dhe materiale, e jo në emër të Allahut, nuk kanë pamje qiellore.

Bashkëshortja e Kalifit abasid Harun Al-Rashidit, zonja Zubejde, në Mekë ndërtoi një ujësjellës nga i cili ujësjellës që atëherë e deri më sot shërbehen vizitorët e Shtëpisë së Shenjtë (Qabesë) – haxhinjtë.

Kjo vepër është jashtëzakonisht e bukur. Këmbëngulësia dhe ambicioziteti i Zubejdes çuan që lumi i Taifit të derdhet në tokën e thatë të Mekës dhe pothuaj se qe 12 shekuj të tërë haxhinjtë shërbehen me këtë ujë.

Kjo vepër vërtet është madhështore nga pamja e saj e jashtme. Por, nga ana tjetër na lind pyetja: Çfarë ndodh nëse këtë akt e vështrojmë nga aspekti i pikëpamjes shpirtërore: A thua engjëjt e vlerësojnë këtë vepër ngjashëm siç e vlerësojmë edhe ne? A thua edhe sytë e tyre mahniten nga pamja formale e veprave të njeriut? Engjëjt vlerësojnë sipas kritereve tjera: Ata duke pasur matëset hyjnore në duar – veprat e njeriut i vlerësojnë nga një dimension tjetër nga ai i njeriut, në këtë rast ata vlerësojnë se prej nga Zubejdja zgjodhi fonde për realizimin e këtij projekti madhështor? Zubejdja ishte bashkëshortja e Kalifit të njohur abasid Harun Al-Rashidit. Arka shtetërore e myslimanëve ndodhej në duart e saj dhe ajo siç dëshironte ashtu edhe i shpenzonte paratë e arkës. Zubejdja nuk e shpenzoi pasurinë e saj vetjake në këtë vepër bamirësie, por ajo atë që i përkiste popullit e shpenzoi për popullin: dallimi në mes të asaj dhe grave të tjera të kategorisë së saj konsiston në atë se gratë tjera pasurinë e popullit e shpenzuan për interesat (dëshirat) e tyre, kurse Zubejdja një pjesë nga kjo pasuri e shpenzoi në dobi të mirësisë së përgjithshme shoqërore. Çfarë qëllimi kishte ajo nëpërmjet kryerjes së kësaj vepre bamirësie, gjegjësisht a thua ajo nëpërmjet kësaj dëshironte të shquhej në rrjedhë të shekujve apo vërtet këtë bamirësi e kreu në emër të arritjes së kënaqësisë së Zotit – këtë përveç Allahut të Madhërishëm, askush tjetër nuk e di. Pikërisht duke u nisur nga kjo, në popull përflitej se disa e kishin parë në ëndërr Zubejden dhe e kishin pyetur: “Si të shpërbleu Zoti për ujësjellësin që e ndërtove?”; Ajo ishte përgjigjur: “Shpërblimin për të ua ndau pronarëve të vërtetë të pasurisë.”

Xhamia e Behlul Dânës

Tregohet se disa njerëz po ndërtonin një xhami dhe teksa ishin duke e ndërtuar erdhi Behlul Dâna, i cili i pyeti: “Çfarë jeni duke bërë?”; Njerëzit iu përgjigjën: “Jemi duke ndërtuar xhami.”; “E përse” – i pyeti ai. “Nuk ka përse. Ne duam që me veprat tona ta kënaqim Zotin.” – iu përgjigjën ata. Me qëllim që t’ua bënte me dije se sa janë të sinqertë në kryerjen e kësaj vepre të mirë, Behluli fshehurazi porositi një pllakë përkujtimore në të cilën shkruante “Xhamia e Behlulit”, dhe më pas natën, kur nuk kishte njeri e vuri në murin e xhamisë. Të nesërmen, ndërtuesit e xhamisë kur erdhën dhe panë pllakën përkujtimore ku shkruante “Xhamia e Behlulit” shumë u hidhëruan, ndaj dhe u nisën ta kërkojnë Behlulin duke dashur që ta rrahin se përse meritat e huaja i vë në emrin e vet… Kur e takuan, Behluli qetë iu drejtua: “Po ju a nuk thatë që xhaminë e ndërtuat për hir të Zotit? Nëse njerëzit gabojnë dhe mendojnë se unë e kam ndërtuar xhaminë, Zoti garant e di dhe nuk gabon.” Me siguri ekzistojnë shumë vepra të mëdha të cilat vetëm në sytë tonë janë të mëdhaja, kurse po të njëjtat tek Allahu nuk kanë kurrfarë vlere. Mbase shumë ndërtime madhështore si tempuj, xhami, spitale, ura, shkolla etj., ndajnë fatin e njëjtë me “Xhaminë e Behlulit” – këtë vetëm Allahu e di…

Shkruan: Ahmed R Ramadani. /KBI-Bujanoc.com/

985 Shikime