Islami si faktor kryesor në mbijetesën e kombit

15.01.2023

Islami si faktor kryesor në mbijetesën e kombit


Islami si faktor kryesor në mbijetesën e kombit

www.kbi-bujanoc.com

Për më shumë se nëntëmbëdhjetë shekuj, shqiptarët kanë qenë pjesë e perandorive, të cilat bazoheshin jo te kombi, por te politika dhe feja. Ndikimi i politikës dhe religjioneve kanë qenë thelbësore në jetën e tyre. Shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit kanë qenë për periudha të gjata pjesë e perandorive, të Perëndimit e të Lindjes. Ndikimi i tyre mbi këta popuj ka qenë i madh. Perandoritë, përgjatë sundimit të tyre, kanë pasur rol të rëndësishëm në përhapjen dhe mbrojtjen e religjioneve. Për më shumë se nëntëmbëdhjetë shekuj, shqiptarët kanë qenë pjesë e perandorive, të cilat bazoheshin jo te kombi, por te politika dhe feja. Ndikimi i politikës dhe religjioneve kanë qenë thelbësore në jetën e tyre. Periudha para islamit Shqiptarët prej shekujsh ndodheshin midis latinëve nga bregdeti, sllavëve nga Lindja e Verilindja dhe grekëve nga Jugu. Presioni sllav i ngushtoi në pjesën perëndimore të gadishullit. Duke qenë nën sundimin e perandorive të Romës dhe Bizantit, por në periferi të tyre, viset ku banonin shqiptarët ishin objekt sulmesh, plaçkitjesh dhe sundimesh. Për një kohë të gjatë të shekujve të parë të krishterimit deri në shekullin e shtatë, qytetet e bregut të detit, prej Dalmacisë në veri e deri në Vlorë, ishin nën influencën e Perëndimit, sidomos të shteteve italiane.(1) Gjatë shekujve V dhe VII, në Adriatik e brigjet e tij, zonat e influencës ishin ndarë e bëheshin shpesh teatër i luftërave e grindjeve për sundim. Për disa shekuj, deri në shekullin XIV, dhuna, intrigat dhe rivalitetet mbizotëronin dhe e bënë Adriatikun dhe brigjet lindore të tij, fushë të përplasjes midis latinizmit dhe sllavizmit, në dëm të popullsisë vendase. Ata humbën qytetet bregdetare, ndërsa sllavët u kishin marrë fushat në Verilindje dhe Lindje. Qytetet bregdetare zotëroheshin nga latinët, ndërsa shqiptarët kishin disa qyteza të vogla në brendësi të vendit. Dukej se latinët nga Perëndimi dhe sllavët nga Lindja i kishin mbërthyer si në morsë shqiptarët. Në shekullin X, shqiptarët ishin në zotërim të bullgarëve që ishin shtrirë deri në Butrint, Himarë, Vlorë, madje edhe në Durrës, duke caktuar kryeqytet Ohrin.(2) Shtrirja e territorit ku banonin shqiptarët ka ndryshuar në kohë, pasi gjatë mesjetës së hershme deri në fillim të erës moderne, shqiptarët kanë qenë të detyruar të vendoseshin në pjesën kodrinore dhe malore të vendit të tyre për shkak të sulmeve të latinëve dhe të sllavëve. Milan Suflay për atë periudhë, shkruante: “Nëpër malet shqiptare të paprekura nga luftërat e rreziqet, popullsia e një race shumë të bukur u mbajt e freskët, pjellore, e shëndoshë, me një jetësi të jashtëzakonshme ndër disa vise, e qëndrueshme ndër të gjitha fatkeqësitë, luftëtare, së cilës i ishte “dyshek toka, e jastëk guri”.(3) Në periudha të qeta ata ishin të prirë të zhvendoseshin drejt fushave. Kështu shqiptarët, - theksonte Shuflay, - rifituan edhe njëherë një pjesë të mirë të vendeve të banuara prej të parëve, të cilat me gjithë propagandat e huaja, përgjithësisht, i ruajtën deri me sot.” Shqiptarët në Perandorinë Osmane Gjendja e shqiptarëve do të ndryshonte me daljen e Perandorisë Osmane në gadishullin e Ballkanit. Shumë shqiptarë u përfshinë në ushtrinë osmane, madje morën pjesë në betejat e osmanëve kundër mongolëve dhe treguan trimëri të madhe. Ardhja e osmanëve në territoret shqiptare dhe fitorja e tyre në betejën e Fushë-Kosovës, më 1389, eliminoi presionin sllav mbi shqiptarët dhe rrezikun e asimilimit të tyre, madje osmanët e shpërbënë mbretërinë serbe. Osmanët ua morën latinëve qytetet bregdetare të Shqipërisë dhe ua kthyen shqiptarëve. Ata ndryshuan karakterin e qyteteve dhe, nga qytete kështjella i kthyen në qytete kasaba; nga qytete për sunduesit latinë, në qytete për popullin. Osmanlinjtë themeluan autoritetin e tyre në Ballkan ku futën për herën e parë në gjithë historinë e këtyre viseve, rrymën e të ashtuquajturit “Urbanizëm oriental”. “Kasaba”, qyteti ballkanik, është një krijim i Osmanlinjve. Qyteti nuk ishte më kështjella e sunduesve dhe banesat e shërbë-torëve rreth saj, por u shtri përtej tyre.(4) Profesori i Universitetit të Gottingenit, dr. A. van Grisebaeh, shkruante se qyteti i Shkupit deri nga gjysma e viteve 1830 kishte pasur afro 18.000 shtëpi, por në fund të atyre viteve numri kishte rënë në dy mijë. Banesat ishin të bukura e të mëdha, që tregonin për pasuri dhe mirëqenie. Krahas tyre, Gjirokastra, Janina, Berati, Kruja, Gjakova, etj., vërtetonin zhvillimin e qyteteve kasaba të periudhës osmane.(5) Perandoria Osmane në fazën e parë të ndërtimit të saj, paraqitej si një vepër e përbashkët, për ngritjen e së cilës u përpoqën, përveç vetë osmanëve, edhe të gjithë popujt e pushtuar të Azisë së vogël dhe të Ballkanit, pa marrë parasysh ndarjen e fesë, të kombit dhe të gjuhës. Kjo ishte cilësia e veçantë sociologjike që karakterizonte çdo fenomen perandorak, kudo e në çdo fazë të historisë së përbotshme. Perandoritë nuk mbështeten mbi themelin e kombësisë. Bazat e tyre janë fetare dhe politike. Por, përmbi të gjithave, është ndjenja fetare që sundon. Duke qenë kështu, përhapja e Islamit në territoret shqiptare do të luante rol të madh në jetën e shqiptarëve. Ndryshe nga sa është propaganduar nga shkollat islamofobe të mendimit, kinse Islami është përhapur me dhunë, e vërteta historike është dokumentuar nga autorë të shumtë, seriozë e të pavarur se feja islame është pranuar në mënyrë të lirë, pa përdorim të dhunës apo imponimit. Për përhapjen e Islamit në popuj të ndryshëm kanë ndikuar faktorë të shumtë e të ndryshëm, siç janë ata politikë, ekonomikë, shoqërorë, etj. Përhapja e Islamit në Ballkan dhe në territoret shqiptare kishte filluar para ardhjes së osmanëve në gadishull. Perandori bizantin, Teofil, për të përballuar dyndjet serbe, kishte sjellë në Maqedoni 14.000 myslimanë.(6) Perandoria Osmane, ndryshe nga Perandoria Romake e Bizantine që mbështeteshin vetëm në kristianizëm, funksiononte mbi bazën e pluralizmit religjioz, ku krahas Islamit që ishte feja e perandorisë, lulëzonin edhe fetë e tjera, si krishterimi ortodoks, katolik dhe judaizmi. Elementët historikë, deri atëherë në luftë: sllavë, latinë, grekë, shqiptarë, etj., u përfshinë në Perandorinë Osmane. Islamizmi u pranua në shumicë nga shqiptarët, por e morën edhe shumë bullgarë e serbë, ndërsa pak grekë e kroatë përqafuan Islamin. Më refraktarë nga të gjithë u treguan rumunët.(7) Angelo Pernice, në librin “Origjina e evolucioni historik i kombeve ballkanike”, botuar në Milano më 1915, vinte në dukje: “Në periudhën e parë të pushtimit, sulltanët bënë koncesione të gjëra: lejuan që në vendet e fituara të formoheshin principata autonome; u lanë pronat pronarëve të vjetër të popujve të nënshtruar dhe u vunë taksa të vogla. Ata i lejuan kristianët të ushtronin lirisht besimin e tyre, njohën autoritetin e Patrikanës së Kostandinopojës mbi të gjithë ortodoksët, duke i dhënë asaj të drejtën e mbrojtjes së interesave të besimtarëve të tyre, pranë Portës së Lartë.”(8) E njëjta sjellje e osmanëve ishte edhe për Kishën Katolike.

353 Shikime