Edukimi i fëmijëve me namaz

13.04.2015

Edukimi i fëmijëve me namaz


 Edukimi i fëmijëve me namaz

Përgatitja dhe mësimi i namazit është element kryesor i edukimit për fëmijën, për shkak se, nëse ai edukohet drejt në lidhjen me Allahun, të gjitha ëështjet e tjera do të rregullohen.

Namazi është obligim për çdo mysliman, dhe shtylla kryesore pas Shahadetit; gjithashtu është shtylla e parë me të cilën kërkohet që të mësohet fëmija pas Shahadetit; ai është gjëja e parë për se robi do të japë llogari Ditën e Gjykimit, është lidhje në mes robit dhe Zotit, nëse robi del nga kjo lidhje, atëherë e ka ndërpre lidhjen me Zotin; është shtyllë e fesë. Pejgamberi a.s. thotë: “Koka e çështjes është Islami, shtyllë e tij namazi dhe ngritja e tij është Përpjekja (lufta) në rrugën e Allahut”.

 

Për këtë arsye përgatitja dhe mësimi i namazit është element kryesor i edukimit për fëmijën, për shkak se, nëse ai edukohet drejt në lidhjen me Allahun, të gjitha çështjet e tjera do të rregullohen. Këtu dëshirojmë të sqarojmë se periudha e fëmijërisë nuk është periudhë e obligimeve, po periudhë e përgatitjes dhe e ushtrimit, periudhë e mësimit të fëmijës rreth atyre gjërave që do ta presin në moshën e pjekurisë, në mënyrë që për fëmijën të jetë më i lehtë zbatimi i obligimeve.

 

Pejgamberi a.s. thotë: “Shtatë grupe do të hyjnë nënë hijen e Arshit të Tij atë ditë kur nuk ka hije përveç Tij, e njëri prej tyre është: “i riu që është rritur në adhurim ndaj Allahut”. Prandaj dëshirojmë të sqarojmë se prindërit janë shembull për fëmijët e tyre në namaz, dhe aq sa ata do të jenë të përkujdesur ndaj tij, aq do të ndikohen prej tyre edhe fëmijët.

 

Periudha e inkurajimit të fëmijës që të qëndrojë në namaz

 

Qëndrimi i tij vetëm në këmbë, dhe kjo kur fëmija të kuptojë se ai është namaz dhe të kuptojë edhe disa çështje të tjera, të mësojë anën e djathtë e të majtën e tij, atëherë prindërit e tij të kërkojnë nga ai që të qëndrojë me ta në namaz, duke filluar përafërsisht nga mosha tre vjeç, ose pak më e madhe. Transmeton Taberaniu nga Abdullah ibni Habib r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse Fëmija e njeh të djathtën nga e majta e tij, urdhëroje me namaz”. Vërejmë se fëmija në këtë moshë dëshiron të pasojë, dhe kështu, nëse nëna e tij është e kujdesur ndaj namazit dhe thirrjes së tij që të qëndrojë pranë saj, ai do të veprojë ashtu siç vepron ajo, dhe do ta mësojë mënyrën e namazit pa ndonjë përpjekje të madhe.

 

Periudha para moshës shtatë vjeç

 

Kjo është periudhë e përgatitjes për namaz dhe e ushtrimit për të, që përmbledh në vete:

 

1. Fëmijës i mësohen disa rregulla të thjeshta të pastërtisë, si për shembull shmangia nga papastërtia, siç është urina e të ngjashme, mënyra e pastrimit, rregullat e kryerjes së nevojës (Lutja e hyrjes në VC, hyrja me këmbë të majtë, të mos flasë, dalja me këmbë të djathtë, lutja pas daljes prej saj), domosdoshmëria e pastërtisë së trupit, dhe rrobave, lidhja e pastërtisë me namazin, çfarë e prish abdesin.

 

2. Mësimi i kaptinës Fatiha dhe disa kaptinave të shkurtra, përgatitje për faljen e namazit. Mësimi i abdesit dhe ushtrimi praktik i tij, ashtu siç vepronin shokët e Pejgamberit a.s. me fëmijët e tyre. Para se të mbushin shtatë vjeç, të fillosh t’i mësosh mënyrën e namazit dhe ta inkurajosh që të falet për çdo ditë, për shembull, namazin e mëngjesit para sesa të niset në shkollë, namazin e drekës apo të ikindisë; kjo sepse, kur t’i mbushë shtatë vjeç, të mos kërkohet të fillojë të falë përnjëherë të pesë kohët e namazit. Ta mësosh gjërat që e prishin namazin dhe sefisexhden. Ti duhet të dish se fëmija duhet të shpërblehet patjetër në këtë periudhë për çdo përparim të tij, me ndonjë shpërblim prekës, me ndonjë dhuratë, gjithashtu edhe me fjalë të mira. Shoqërimi i tij në namazin e xhumasë, pasi t’i mësojë rregullat e hyrjes në xhami. Shoqërimi në namazin e Bajramit, duke pasur parasysh atmosferën që mbretëron në të, dhe ringjalljen e Synetit të Pejgamberit a.s. dhe mësimin e mënyrës së faljes së namazit të Bajramit.

 

Periudha në mes moshës shtatë e dhjetë vjeç

 

Transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thanë: “Urdhëroni fëmijët tuaj ta falin namazin në moshën shtatë vjeç, ndërsa në moshën dhjetë vjeç rrihni për namaz dhe ndani nga shtretërit”. (Hakimi dhe Ebu Davudi). Fëmija duhet ta mësojë këtë hadith dhe duhet të mësojë se ai ka hyrë në periudhën e zbatimit të detyrueshëm të namazit, prandaj disa nga edukatorët këshillojnë që dita kur fëmija të mbushë shtatë vjeç, duhet të jetë ditë e dalluar në jetën e tij, disa madje e festojnë këtë ditë me ëmbëlsira dhe program të veçantë islam, dhe e quajnë festa e namazit. Ndoshta këtë e bëjnë zëvendësim për festën e vitit të ri; gjithashtu mund të bëhet edhe një festim i thjeshtë me rastin e hyrjes së tij në shkollë.

 

Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti duro në të…” (Taha: 132). Patjetër kërkohet të durojmë gjatë periudhës së edukimit me namaz, periudhë kjo trevjeçare, të cilën e ka veçuar Pejgamberi a.s. në mënyrë që fëmija ta kuptojë drejt rëndësinë e namazit; të kërkojmë prej tij pandërprerë zbatimin e namazit, por me butësi, lehtësim dhe dashuri.

 

Nëse shikojmë numrin e përsëritjes së urdhrit me namaz gjatë kësaj periudhe, gjejmë se numri i porosive që përsëriten deri në këtë periudhë, është (5 × 365) × 3 vjet = 5475 herë, pa ndonjë dëshpërim dhe demoralizim. Ky numër i madh na e sqaron sa e rëndësishme është përsëritja e gjërave në aspektin e përgjithshëm edukativ, për shkak se fëmija ndoshta nuk i përgjigjet shpejt urdhrit, mirëpo pas një kohe, dhe sidomos kur e dimë se ai në këtë moshë merret shumë me lojëra, i do shumë lëvizjet, pak para hyrjes së kohës së namazit, t’ia tërheqim vërejtjen se koha është afruar dhe se ai duhet të përfundojë lojën dhe të përgatitet për namaz. Kujtimi është përgatitje për namaz. Gjatë kësaj periudhe fëmija i mëson rregullat e pastërtisë, abdesit, namazit dhe disa lutje që këndohen gjatë namazit, ndërsa prindërit duhet të jenë shembull para fëmijëve të tyre çdoherë.

 

Periudha e urdhërimit për namaz dhe rrahja për të

 

Është e domosdoshme që në periudhën më përpara fëmijës t’ia kujtojmë gjithnjë hadithin e rrahjes për namaz, në të cilin Pejgamberi a.s. na mëson se si të edukohet fëmija për të. Kjo në mënyrë që ai ta dijë se sa i rëndësishëm është namazi në jetën e tij.

 

Nëse fëmija pas kësaj moshe vazhdon që të mos i kushtojë rëndësi namazit, ndaj tij të zbatohet patjetër rrahja e tij. Natyrisht, para sesa të zbatojmë rrahjen, ne duhet t’ia bëjmë të dashur namazin, t’ia mësojmë dobitë e tij, rëndësinë e tij, t’i flasim për Allahun e Lartësuar, i Cili na e ka obliguar namazin, e nëse fëmija vazhdon të ketë kujdes, atëherë duhet të zbatohet edhe rrahja, mirëpo duhet të kihet kujdes që rrahja të jetë në kufijtë që ka caktuar Pejgamberi a.s., që janë: të mos goditet në fytyrë, në barkë dhe as në kokë; gjithashtu goditjet të jenë të lehta, jo dëmtuese, por më shumë si tërheqje e vërejtjes.

 

Nëse mbajmë parasysh me të vërtetë këto periudha, dhe fëmija rritet në një ambient të shëndoshë e prindërit janë shembull për të, ai do të bëhet patjetër i kujdesshëm për namazin dhe do të dijë e kuptojë rëndësinë e tij. Pasi t’i mbushë fëmija dhjetë vjeç, edukatori duhet të jetë i kujdesshëm në mësimin e rregullave të namazit me xhemat, rregullave të namazit të xhumasë, ligjëratës së xhumasë, dhe, pasi të kthehet nga namazi i xhumasë, është mirë që fëmijën ta pyesin prindërit se çfarë kishte thënë imami, ligjëruesi gjatë ligjëratës, në mënyrë që ai të fillojë të kuptojë atë që dëgjon.

 

Gjithashtu duhet t’i mësohen namazet synete, syneti i sabahut, i drekës, i akshamit dhe namazi i vitrit. Pejgamberi a.s. Enesit r.a., edhe pse ishte i vogël, ia mësonte namazin e Istiharës. Prindërit duhet të kenë kujdes dhe të ndihmohen midis tyre që fëmija të edukohet drejt hap pas hapi.

 

Dhe, në fund, të shpeshtojmë lutjen e Ibrahimit a.s: “O Zoti im! Më bëj nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi, dhe pranoje lutjen time, o Zoti ynë”! (Ibrahim: 40).

 

Artikulli është botuar edhe në revistën “Dituria Islame”, nr. 245.

/KBI-Bujanoc.com/

1028 Shikime