Beteja e Bedrit – Dita e ndarjes së të vërtetës nga e pavërteta

17.07.2014

Beteja e Bedrit – Dita e ndarjes së të vërtetës nga e pavërteta


Beteja e Bedrit – Dita e ndarjes së të vërtetës nga e pavërteta

Në muajin e shenjtë të Ramazanit kanë ngjarë ndodhi të shumta, njëra ndër to është edhe Beteja e Bedrit. Në të ka marrë pjesë edhe vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Allahu i Madhërishëm këtë betejë në Kur’an e ka quajtur: “Dita e ndarjes”, sepse në këtë betejë u nda e vërteta nga e pavërteta dhe rruga e drejtë nga rruga e shejtanit.

Shkaku i betejës së Bedrit ishte dalja e të Dërguari të Allahut me sahabët e tij dhe zënia pritë e  karvanit të Kurejshitëve i cili kalonte prej Shamit për në Mekë. Nuk ka dyshim se një veprim i tillë i të Dërguarit s.a.v.s. irritoi Kurejshitët, sepse ata ishin në luftë me të Dërguarin s.a.v.s. dhe në mes tyre nuk kishte asnjë marrëveshje. Përveç kësaj, ata e dëbuan Muhammedin s.a.v.s. bashkë me shokët e tij nga vendlindja e tyre dhe ua konfiskuan pasurinë, si dhe  me një arrogancë të paparë kundërshtuan thirrjen e të Drëguarit për besimin në Një të Vetmin Zot, Allahun.

Ushtria e të Dërguarit s.a.v.s. numronte 300 persona, të cilët kishin dy kuaj dhe 70 deve. Muslimanët nuk u nisën për në luftë, megjithatë Allahu i Madhërishëm kishte vendosur të vijë deri te Beteja dhe të ndodhi ajo që Ai kishte caktuar.

Zoti ynë, përmbushe atë që na e ke premtuar!

Kur Ebu Sufjani, i cili udhëhiqte karvanin, morri vesh se muslimanët përgatiten për pritë ndaj karvanit të tij, ndërroi drejtimin e tij dhe u dërgoi mesazh Kurejshitëve që t’i dërgojnë ndihmë… Kurejshijtë menjëherë i bënë gati 1000 ushtarë të përgatiur (stërvitur) mirë dhe u nisën në drejtim të karvanit. I Dërguari s.a.v.s. kur u informua për lëvizjen e një numri kaq të madhë të Kurejshitëve, kërkoi mendimin e ensarëve dhe muhaxhirëve për vazhdimin e udhëtimit apo kthimin në Medinë, në çka ata iu përgjigjën: “Ne nuk do të themi ty atë çka Beni Israilët i thanë Muasit a.s.: “Shko ti dhe Zoti yt luftoni, kurse ne do të presim këtu”; Jo, por ne do të luftojmë nga ana e djathtë dhe majtë e jotja dhe përpara dhe pas teje. Betohemi në Allahun nëse do të niseshe nëpër detë edhe ne do të niseshim pas teje!”

Ebu Sufjani duke ndërruar drejtimin arriti që ta evitoj pritën, gjë kjo e cila bëri që ai të ndryshoj mendimin dhe t’u drëgoj një mesazh tjetër Kurejshitëve që të kthehen prapa në Mekë. Dhe, ç’është e vërteta ata edhe do të ktheheshin menjëherë, por Ebu Xhehli udhëheqësi i Mekës, kishte vendosur që gjithsesi të shkoj Bedër dhe aty të qëndroj tri ditë dhe me çdo kusht dëshironte që të përleshet me muslimanët.
Deri tek konflikti i armatosur erdhi më 17 Ramazan të vitit të dytë Hixhri, tek burimi i ujit i cili ndodhej në Bedër. Muslimanët ishin ata që të parët mbërritën tek uji dhe aty ndërtuan një pus.

Muhammedit s.a.v.s. iu ndërtua një vend nga ku mund të shihte tërë zhvillimet që ndodhnin në fushën e betejës. Kur filloi lufta, i Dërguri s.a.v.s. i ngriti duart lart nga qielli dhe ia drejtoi Allahut këtë lutje: “O Zot! Ja ku janë Kurejshitët. Kanë ardhur përplot me mburrje dhe fuqi, që të të kundërvihen Ty dhe të Dërguarin Tënd ta shpallin gënjeshtar. O Zot! Përmbushe atë që ke premtuar!” Ngjashëm sikur i Dërguari s.a.v.s. edhe sahabët plotësisht zemrat e tyre i kthyen dhe ia dorëzuan Allahut të Madhërishëm, duke iu lutur Atij që t’iu ndihmojë dhe t’i poshtërroj armiqët e tyre.

Mendoj për Xhennetin gjerësia e të cilit është sa e tokës dhe qiejve…

Lufta filloi me dyluftimin në mes të Utbesë, Shejbe ibn Rebias dhe Velid ibn Utbes nga pala kurejshite dhe Aliut, Hamzait dhe Ubejde ibn Harithit nga pala muslimane. Aliu r.a. e mbyti Velidin, ndërsa Hamzai r.a. Utbenë. Ubejdi dhe Shejbe shkëmbyen disa goditje, por nuk dihej se kush nga këta të dy do dë del fitimtar, gjersa Aliu dhe Hamzai nuk i dolën në ndihmë Ubejdit dhe praktikisht e copëtuan Shejben. Ubejdi r.a. nga plagët e marra, më pas vdiq. Fill pas kësaj luftimet u ndezën dhe shpërthyen në të katër anët. I Dërguari s.a.v.s. i inkurajonte as’habët me fjalët: ”Pasha Atë në Dorën e të Cilit ndodhet shpirti im! Ai që sot duron në këtë luftë dhe vritet me fytyrën e tij të kthyer nga armiqtë  Allahu do ta fusi në Xhennet!”

Këto fjalë të të Dërguarit s.a..v.s. tërhoqën vëmendjen e Umejr ibn Himam El-Ensariut, i cili u ngrit dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! A  mendon për Xhennetin  gjerësia e të cilit është sa e tokës dhe qiejve?”; “Po, mendoj për Xhennetin i cili është i gjerë sa toka dhe qiejt.”-  u përgjigj i Dërguari s.a.v.s. “Nëse qenka kështu, atëherë në mes meje dhe Xhennetit  ndodhet vetëm vdekja. Në qoftë se do të jetoja aq sa mund të haja vetëm disa nga këto kokrrat e hurmave, kjo për mua  me të vërtetë do të ishte një jetë e gjatë…”- u përgjigj ky as’hab.

Fill pas këtyre fjalëve i hodhi ato hurma që kishte në dorë dhe luftoi heroikisht gjersa ra dëshmor. Shembulli i këtij a’shabi është vetëm një nga plot shembujt tjerë të sakrificës, përpjekjeve dhe heroizmit dhe pikërisht këto shembuj luajtën rolin vendimtar në fitoren e muslimanëve në Betejën e Bedrit dhe mposhtjen e armikut shumëfish më të përgatitur dhe më të fuqishëm.

…dhe ata do të kthehen prapa

Kur i Dërguari s.a.v.s. dha urdhërin për sulm direkt, shpirti luftarak i armikut filloi të lëkundet, kurse dëshira dhe vullneti për luftë të bie. Një gjest i këtillë i urtë i të Dërguarit s.a.v.s. pati ndikim të jashtëzakonshëm në përforcimin e gjendjes së muslimanëve.

Muslimanët kur morën urdhërin që me plot fuqi t’i vërsulen armiqëve – përkundër asaj se nuk kishin kushedi se çfarë eksperience luftarake – ata u vërsulën me tërë forcën dhe kapacitetet që dispononin: Shkonin në gjithçka ose asgjë! Filluan me të madhe t’i shkatërrojnë para tyre radhët e armiqëve, t’i presin kokat e tyre dhe akoma më tepër fituan vullnet – kur panë të Dërguarin s.a.v.s. se si godiste në mburojën e armiqëve dhe me tërë fuqinë e zërit përsëriste fjalët e Kur’anit: “Grupi, do të pësojë disfatë dhe ata do të kthehen prapa.” (El-Kamer, 45).
Në një çast gjatë zhvillimit të luftimeve, i Dërguari s.a.v.s. mori pluhur në dorë dhe e hodhi atë në fytyrat e mushrikëve, kështu duke shkaktuar huti në mesin e tyre, dhe, më pas ikje kolektive të tyre. Pas kësaj, muslimanëve nuk u mbeti më tjetër gjë, pos që të garojnë mes tyre në vrasje dhe kapje rob të ushtarëve mushrikë.

Kjo ishte vetëm një nga ajetet e Allahut, shenja përmes së cilës Ai e ndihmoi të Dërguarin e Vet.  I Dërguari s.a.v.s. bashkë me as’habët e tij tregoi një guxim të paparë, vendosmëri dhe qëndrueshmëri të palëkundur.

Ju ishit shoqëria më e keqe e të Dërguarit të Allahut…

Mbytja e disa prej prijësve më eminent kurejshit, sic qe ajo e Ebu Xhehlit, Shejbe ibn Rebiut, Utbe ibn Rebiut, Velid ibn Utbes dhe të tjerëve, përveç humbjes së Kurejshitëve, njëherit ishte edhe pika më kulmore që e karakterizoi këtë Betejë.

Imam Buhariu në “Sahihun” e tij transmeton nga Abdullah ibn Mes’udi i cili thotë: “I Dërguari s.a.v.s. u kthye në drejtim të Qabesë (para dëbimit nga Meka, vërej. e përkth.) dhe bëri lutje për këto katër persona. I Dërguari s.a.v.s. tha: “Betohem në Allahun se i kam parë trupat e tyre të vdekur se si transformoheshin nga Dielli (vapa), ngase atë ditë bënte një kohë e nxehtë plot me vapë.”

Në një transmetim tjetër thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndroi  pranë trupave të mushrikëve të vdekur dhe tha: “Ju ishit shoqëria më e keqe e të Dëguarit të Allahut. Më etiketuat gënjeshtar-atëherë kur të tjerët më besuan. Më tradhëtuat-atëherë kur të tjerët më ndihmuan. Më dëbuat nga shtëpia ime-gjersa të tjerët më ofruan mikpritjen.”  Pas kësaj, i Dërguari s.a.v.s. urdhëroi që trupat e tyre të hudhen në pus, dhe filloi të thëras: “O Utbe ibn Rebia! O Shejbe ibn Rebia! O (ti dhe ti..)! A u bindët se ajo çka Zoti juaj pati premtuar është e vërtetë? Unë për vete u binda.”

Omeri r.a.. kur e pa këtë veprim të të Dërguarit s.a.v.s. e thirri dhe i tha: “Ç’është kjo që po u drejtohesh trupave të vdekur?’’; I Dërguari s.a.v.s. iu përgjigj: ’’Pasha Allahun! Ju aspak nuk dëgjoni më mirë se sa ata, përveç  se ata nuk mund të më përgjigjen.”

Çfarë mund të mësojmë nga Beteja e Bedrit?

Mësimi më i miri dhe më i dobishëm që muslimanët e sotshëm mund të mësojnë nga kjo betejë legjendare, gjithsesi  është: bindja e fortë e besimtarit dhe besimi i plotë në Ndihmën e Allahut, pa marrë parasysh fuqinë, përgatitjen dhe unitetin e armiqëve të kësaj feje – Islamit.
Allahu i Madhërishëm, duke përshkruar të Dërguarin s.a.v.s. dhe as’habët e tij, thotë: “E atyre (shokëve të të Dërguarit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmojë, pra kini frikë?!” Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi Allahun, Ai është Mbrojtësi më i Mirë!” (Ali-Imran, 173).

Pa dyshim, përveç kësaj bindjeje dhe këtij besimi fare të palëkundur, është e domosdoshme të përmbushen edhe disa kushte që të arrihet gjer tek fitorja e sigurtë dhe e qartë. Nuk është e rastit aspak që këto kushte përmenden pikërisht në suren El-Enfalë, e cila është shpallur me rastin e Betejës së Bedrit.

Kushtet që duhet plotësuar thënë shkurt, janë këto:

Sinqeriteti:

Allahu i Madhërishëm thotë:  “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e Allahut. Allahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre.” (El-Enfalë, 47).

Sinqeriteti, siç thonë disa dijetarë, është balancimi/ekuilibrimi i anës së brendshme dhe asaj të jashtme, kurse kulmi i sinqeritetit është që ana e brendshme të jetë më e mirë se sa ajo e jashtmja.

Por, për fat të keq, nga goja e atyre që punojnë për fenë e Allahut mund të dëgjojmë: “Unë punoj, kurse  filani dhe filani nuk punon. Unë e përcjelli të vërtetën, kurse filani dhe filani e fsheh atë. Unë u ndihmoj muslimanëve, kurse filani dhe filani i ka lënë në baltë…” etj., gjë që qartë tregon për turbullimin apo humbjen totale të sinqeritetit (Zoti të gjithëve na ruajtë nga kjo!)

Imam Ibn Kajjimi thotë: “Është më se e domosdoshme që  të ruhemi dhe t’i evitojmë shprehjet siç janë p. sh.: “Unë!”; “Kam!” apo “Ejani tek unë!” – ngase me këto shprehje janë sprovuar Iblisi, Faraoni dhe Karuni.
Iblisi tha: “Unë jam më i mirë se ai (Ademi a.s.)!”

Faraoni tha: “Unë kam pushtet në tërë Egjiptin!”;

Karuni tha: “Këtë që e posedoj e kam arrirë falë dijes që posedoj.”
Vendi më i mirë ku është vënë fjala “Unë” gjithsesi janë fjalët e njeriut: “Unë jam një rob mëkatar i Allahut që i pranoj mëkatet dhe kërkoj falje nga Allahu!”

Vendi më i mirë ku është vënë fjala “Kam” janë padyshim fjalët e njeriut: “Kam plot mëkate, kam mjaft kusure!”

Vendi më i mirë ku janë vënë  fajlët “Tek unë!” – janë gjithsesi fjalët e të Dërguarit s.a.v.s. që i përcjell Imam Buhariu: “Më fal edhe atëherë kur jam serioz edhe atëherë kur nuk jam, ashtu sikur edhe kur bëj diçka nga gabimi apo me dashje… Të gjitha këto ndodhen tek unë.” (Zadul-Mead: 2/37).

Harmonia dhe uniteti:

Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur të shpenzoje gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.”  (El-Enfalë, 45).

Interesant është ajo që vërejmë në Kur’anin Fisnik, gjegjësisht  faktin që Allahu i Madhërishëm kurrë nuk i thërret një individi për t’a urdhëruar apo ndaluar nag diçka, po përkundrazi e fton kolektivitetin, si p.sh.: “O besimtarë!”; “O njerëz!” – kjo, sipas disa dijetarëve, që të tregoj për rëndësinë dhe prioritetin e bashkësisë dhe punës kolektive, si dhe të tërheq vërejtjen se fare e dobët dhe pa kurrfarë peshe e rëndësie është puna e atij që ndan muslimanët, bën përçarje dhe shkakton fraksione të ndryshme.

Nënshtrimi ndaj Allahut të Madhërishëm dhe të Dërguarit të Tij:
Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe respektonie Allahun dhe të Dërguarin e Tij…” (El-Enfalë, 46); dhe: “O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) Allahut dhe të Dërguarit…” (El-Enfalë, 24).

Në punën dhe përpjekjen për fenë e Allahut nuk është me rëndësi sasia dhe shumësia, por e rëndësishme është ajo çka konkretisht punohet dhe veprohet të jetë në përputhje të plotë me Kur’anin Fisnuk dhe Sunnetin e të Dërguarit s.a.v.s. Tri as’habëve të cilët u zotuan se pandëprerë vetëm kanë për të bërë adhurime dhe tërësisht do të largohen nga kënaqësitë e kësaj dynjaje, i Dërguari s.a.v.s. iu drejtua me fjalët: “Unë jam më i devotshmi në mesin tuaj dhe përkundër kësaj unë edhe agjëroj (nafile, vërej. e përkth.) edhe e prishi atë, edhe falem edhe flejë dhe jam i martuar. Ai i cili largohet nga Sunneti im nuk është prej nesh.” (Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi).

Largimi dhe evitimi nga diskutimet e kota dhe zënkat:

Allahu i Madhërishëm thotë: “…e mos u përçani mes vete e të dobësoheni e ta humbisni fuqinë (luftarake)…” (El-Enfalë, 46).
I Dërguari s.a.v.s. thotë: “Asnjë popullit nuk i është dhënë diskutimi (i kotë) e të mos ketë devijuar.”

Natyrisht, që fjala këtu është për diskutimin i cili nuk i kënaq kriteriumet e diskutimit islam (dhe për fat të keq sot kjo po ndodh!) Nga etika e diskutimit islam, mes tjerash po përmendim: njohjen e thelbit të asaj se për çka bisedohet/diskutohet, ruajtja e nderit, autoritetit dhe mendimi i mirë për vëllain musliman me të cilin diskutohet, përkundër asaj se gjatë diskutimit mund të mos-pajtohet me ne dhe të kemi divergjencë mendimesh etj.

Sot, për fat të keq, jemi dëshmitarë të shumë diskutimeve që bëhen në hapësirat tona e të cilat nuk sjellin asgjë pos rezultateve të dëmshme, ftohjes dhe largimit të muslimanëve nga njëri-tjetri dhe shkaktimit të një pasqyrimi (imazhi) të keq mbi Islamin, sidomos tek ata që kanë pak njohuri mbi Islamin dhe mendojnë se ai vetëm i përçan njerëzit dhe nuk i bashkon ata. Dhe, kështu nëpërmjet kësaj u hapen dyert injorantëve të flasin mbi gjërat për të cilat madje nuk flasin e as që diskutojnë edhe dijetarët më të mëdhenj të Ummetit.

Allahu i Madhërishëm thotë:  “E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje), ta frikësoni armikun e Allahut…”  (El-Enfalë, 60).

Shejh Sa’adi në komentimin që i bën këtij ajeti kur’anor thotë:

“Domethënia e këtij ajeti është përgatituni sa të keni mundësi kundër armiqëve tuaj, në të gjitha aspektet e mundshme, ngase ata (armiqtë) bëjnë përpjekje maksimale në rrugën e tyre  për t’a  shkatërruar dhe zhdukur fenë tuaj. Përgatituni fizikisht, psiqikisht dhe materialisht. Përgatituni me të gjitha mjetet e duhura tokësore, ajrore dhe detare të cilat do t’iu ndihmojnë në luftë eventuale kundër tyre. Shërbehuni me idetë dhe politikat të cilat muslimanët kanë për t’i çuar përpara dhe do t’i largojnë nga e keqja që ua përgatitin jobesimtarët. Mësohuni të gjuani dhe stërvituni.

Në kohën e të Dërguarit s.a.v.s. arma më e fortë me të cilën mund të frikësohej armiku ishin gjithsesi kalorësit e stërvitur mirë dhe shigjetarët preciz, kështu që atij dhe as’habëve të tij pikërisht edhe një përgatitje e ketillë u ishte urdhëruar. Mbeshtetur në rregullën ligjore të Sheriatit, që thotë se “Gjykimi vlen kur ekziston rasti përkatës”- mund të themi se në kohën e sotme  ne jemi të obliguar të përgatitemi me atë çka më së shumti i frikëson armiqtë. Nëse një gjë e këtillë nuk është e mundur të arrihet përpos më nxënien e disiplinave, mjeshtërive dhe shkathtësive  të caktuara, në këtë rast gjithçka bëhet e obligueshme, gjë për të cilën udhëzon edhe rregulli i Sheriatit: “Ajo në çka nuk mund të përmbushet vaxhibi bëhet vetë vaxhib!” (Tefsir Sa’di, fq. 285-286).

Në fund mund të konstatojmë se muslimanët në qoftë se dëshirojnë që të arrijnë atë që e arritën muslimanët e atëhershëm në Bedër, duhet që t’i plotësojnë kushtet për të cilat flet sureja El-Enfalë (e cila i është përkushtuar Bedrit) dhe të cilën sure ne e trajtuam një çikëz më sipër, pa u zgjeruar më tej.

Lus Allahun e Madhërishëm që Bedri të na shërbej si udhërrëfyes në të kuptuarit e fesë, forcë shtytëse për punë dhe përpjekje, fuqi në çastet e dobësisë dhe prehje e qetësi në ato të sprovimit! Amin!
__________________
Autor:
Semir Imamović

Nga boshnjakishtja:
Ahmed R. Ramadani./KBI-Bujanoc.com/

1050 Shikime