Prezantohet struktura e Forcës së Armatosur

04.03.2014

Prezantohet struktura e Forcës së Armatosur


Prezantohet struktura e Forcës së Armatosur

Ministri i FSK-së, Agim Çeku, gjatë mbledhjes së Qeverisë, në të cilën është miratuar shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, ka prezantuar strukturën, misionin dhe detyrat e kësaj forcë.

Ai ka bërë me dije se kjo forcë do t’i ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë. “Si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë shefi i Mbrojtjes, i cili njëkohësisht do të jetë komandat i Forcave të Armatosura të Kosovës, kurse komandant suprem do të jetë presidentja e Kosovës”, ka thënë Çeku.

Ai ka treguar se kjo forcë do ta ketë Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe në vartësi të tij do të jenë këto njësi: Forcat Tokësore, Garda Kombëtare, Komanda e Logjistikës si dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitës. “Mandej do t’i kemi edhe katër njësi autonome, të cilat janë në vartësi të drejtpërdrejt të Shtabit të Përgjithshëm dhe ato janë: Akademia Ushtarake, Policia Ushtarake, Kompania e Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm dhe Kompania e Komunikimit Strategjik”, ka deklaruar Çeku.

Sipas tij, siç njofton ‘Epoka e re’, detyrat e kësaj force do të jenë: mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, mbështetja e autoriteteve civile, mbështetja komuniteteve, si dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare në mbështetje dhe ruajtje të paqes.

“Misioni i Forcave të Armatosura është që të jenë gjithmonë të gatshme dhe të afta që ta mbrojnë sovranitetin, integritetin territorial, t’i mbrojnë qytetarët, pronën e tyre, interesat e Republikës së Kosovës si dhe të kontribuojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitet rajon dhe global”, është shprehur Çeku. Ndërtimi i kësaj force do të bëhet në tri faza, ndërsa kur t’i arrijë kapacitetet e plota operacionale kësaj force do t’i nevojitet një buxhet vjetor prej 65 milionë eurosh. /KBI-Bujanoc.com/

945 Shikime