Ndarja demografike e botës

21.02.2014

Ndarja demografike e botës


Ndarja demografike e botës

1. Njerëzimi në rritje Popullsia e botës është në rritje. Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara popullsia e botës rritet çdo sekondë me 2,6 vetë. Në Tokë jetojnë aktualisht 6,9 miliardë njerëz. Sipas parashikimeve në 2050-ën popullsia do të arrijë 9,1 miliardë. Rritja e madhe e ka ndarë botën nga pikëpamja demografike. Veriu është në tkurrje, Jugu është në lulëzim. Pabarazitë ekzistuese rriten dhe të reja krijohen.

2.    Evropa e moshuar

Zhvillimi demografik ka shkaktuar ndryshime të mëdha. Numri i popullsisë në vendet e industrializuara është në rënie. Pjesa evropiane në popullsinë e botës do të ulet deri në vitin 2050 me 7 përqind. 23 nga 25 vendet me popullsinë më të moshuar të botës ndodhen sot në Evropë. Kurse popullsia e Afrikës do të dyfishohet deri në vitin 2050, duke arritur në dy miliardë vetë.

3.    Afrika e re

Rritja më e madhe e popullsisë ndodh në vendet më të varfra të botës. Sipas të dhënave të OKB-së, nëntë në dhjetë fëmijë jetojnë sot në vendet në zhvillim. 42 përqind e popullsisë në kontinentin afrikan është nën moshën 15 vjeç. Kjo shkakton probleme sociale dhe shton migracionin. Burimet e zhvillimit mungojnë, nuk ka shanse shkollimi dhe puna nuk paguhet.

4.    Azia dominante

Deri në 2050, pjesa e Afrikës në popullsinë e botës do të rritet sipas OKB-së nga 13 % deri në 20 %. Megjithatë pjesa më e madhe e njerëzve jan në Azi, ku sot jeton 61 % e popullsisë së botës. Në vitin 2050 kjo shifër do të jetë 59 %, me rreth 5,5 miliardë. India do të zëvendësojë Kinën, si vendi me popullsinë më të madhe të botës. Rivaliteti i superfuqive të reja do të sjellë rend të ri botëror.

5.    Aleanca të reja

Gati gjysma e popullsisë indiane është nën moshën 25 vjeçare. Kina ka përpara rreziqe të ngjashme si ato të Evropës me plakjen e popullsisë. Të dy popujt me popullsi miliardash janë në konkurencë për energji, ujë, pushtet dhe aleatë. Rritja ekonomike e këtyre vendeve rrit automatikisht rëndësinë e tyre në politikën botërore. Shtetet e vjetra industriale duhet të reagojnë me zhvendosjen e forcave.

6.    Hendeku zgjerohet

Vetëm shtresat e mesme në vendet në zhvillim do të jenë në vitin 2050 më të mëdha se sa popullsia e Evropës, Japonisë dhe SHBA-së. Njëkohësisht rritet hendeku midis të varfërve dhe të pasurve në nivel global. Shumë familje do të detyrohen të dalin në periferi të shoqërive. Urbanizimi i shpejtë krijon kushte të papërshtatshme jetese.

7.    Qytete të mëdha me lagje të varfëra

Viti 2008 shënoi një moment historik në popullsinë e botës. Që prej vitit 2008 në qytete jetojnë më shumë njerëz se sa në fshat. Urbanizimi është një fenomen global. Në mënyrë të veçantë urbanizimi zhvillohet në Azi. Në periferitë e qyteteve të mëdha si Mumbai, Karaçi, Xhakarta, Kairo, Lagos apo San Paolo riprodhohen lagjet e varfëra. Në lagjet e varfëra niveli i lindjeve është shumë i madh.

8.    Tokë pjellore

Varfëria dhe mungesa e perspektivës krijojnë tokë pjellore për dhunën, kriminalitetin, ekstremizmin dhe terrorin. Kjo i bën vendet me zhvillim të shpejtë si Pakistani apo Nigeria të jenë më labile. Rritja e popullsisë dhe urbanizimi janë njëkohësisht nxitëse të krizës globale të produkteve ushqimore. Vendet e pasura industriale nuk mund të mos shqetësohen. Presioni për të ndërhyrë rritet.

9.    Mure të larta

Edhe ndryshimet demografike kontribuojnë që preventivi i krizave, ndërhyrjet humanitare dhe misionet ushtarake të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Të rinjtë në vendet në zhvillim kërkojnë të kenë pjesën e tyre. Shumë prej tyre ëndërrojnë për një jetë më të lehtë në Evropë apo në Amerikën Veriore. Vendet e industrializuara kërkojnë ta drejtojnë migracionin në favor të tyre dhe përpiqen ta ndërpresin atë.

10.  Perspektivë e turbullt

OKB: Nga viti 2000 deri në 2050 rritja vjetore e popullsisë mund të jetë rreth 57 milionë vetë. Parashikimet mund të jenë të gabuara, por shtrohet pyetja, se sa zhvillim është në gjendje të përballojë Toka. Rivaliteti për tokë dhe burime rritet. Potenciali i dhunës po ashtu. Kurse mjedisi dhe klima vuajnë. /KBI-Bujanoc.com/

1152 Shikime