El-Velijju (Mbrojtës dhe Kujdestar i besimdrejtëve)

16.02.2014

El-Velijju (Mbrojtës dhe Kujdestar i besimdrejtëve)


El-Velijju (Mbrojtës dhe Kujdestar i besimdrejtëve)

El-Velijju (Mbrojtës dhe Kujdestar i besimdrejtëve) Para se të fillojmë me temën që do të trajtojmë, dua ta imgjinosh veten në një ushtri të madhe.

Para ushtrisë, shfaqet komandanti i përgjithshëm, duke kontrolluar gjendjen dhe moralin e ushtarëve.  Ushtria është e madhe, me qindra mijëra, ndoshta me miliona, dhe çdo ushtar prej tyre, shpreson që komandanti ta zgjedhë për të qenë nga ushtarët më të afërt të tij. Secili prej tyre, thotë me vete: ”Më zgjidh mua! Më zgjidh mua!”

Ky është një shembull i thjeshtë, por ajo që duam të përçojmë nëpërmjet këtij shembulli është të përpiqesh ta ekspozosh veten përpara All-llahut Fuqiplotë. Kërkoji Atij të bëjë nga të zgjedhurit dhe njerëzit më të afërt të Tij.

Në këtë temë, do të trajtojmë emrin e Zotit, El-Velijju. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Zoti është mbrojtësi dhe kujdestari i atyrë që besuan.” (El-Bekare: 257)

Kjo temë do të përqendrohet në shtatë pika kryesore:

1.      Kuptimi i emrit El-Velijju.

2.      Si i nxit All-llahu i Madhërishëm njerëzit që të jenë pranë Tij dhe të jetë Ai Mbrojtësi dhe Kujdestar i tyre.

3.      Modele të atyre që i ka mbrojtur dhe i ka dashur All-llahu i Madhërishëm. (Evlijatë e Zotit)

4.      Koncepti i kerametit (Mrekullive dhe gjërave të pazakonta që u ndodhin njerëzve të dashur të Zotit).

5.      A mund të jetë një njeri i zakontë një nga njerëzit e dashur të All-llahut të Madhërishëm (velij)?

6.      Çfarë duhet të bëj që All-llahu i Madhërishëm të më zgjedhë të jem nga të dashurit (evlija) e Tij?

7.      Si ta përjetojmë këtë emër dhe cilat janë frytet e këtij emri nëse e zbatojmë në jetën tonë?

 

 

Kuptimi i emrit El-Velijju

Vallë, sa herë e dëgjojmë dhe e lexojmë ajetin: ”Zoti është Mbrojtësi dhe Kujdestari i atyrë që besuan.” dhe kalojmë menjëherë në ajetin pasardhës? A të ka ndodhur që, teksa lexon këtë ajet, të qëndrosh dhe të përpiqesh ta ndjesh se çfarë do të thotë të jetë All-llahu i Madhërishëm Mbrojtësi yt?

Kur ishim të vegjël, na ka rastisur që shpeshherë mësuesit tanë të kërkonin kujdestarët (prindërit) tanë, për të diskutuar me ta. Ne nuk ndieheshim të turpëruar, pasi i kishim prindërit. Kurse ai që turpërohej dhe ndihej ngushtë nga një kërkesë e tillë, ishte një shok apo shoqe që nuk kishte kush të kujdesej për të, pasi prindërit i kishin vdekur, nuk ishin në shtëpi, nuk interesoheshin për të, mund të ishin në emigrim… E rëndësishme është që rezultati është i njëjtë. 

Jeton me vuajtje një që nuk ka kujdestarë që e mbrojnë. Gjëja më e vështirë për fëmijët e vegjël, është që fëmija të humbë kujdestarin dhe prindin e tij.

Gjëja që të prek më shumë ndonjëherë në Qabe apo Xhaminë e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], është kur shikon një fëmijë të vogël duke qarë, pasi u ka humbur prindërve në atë mori njerëzish. Ai qan me ngashërime, edhe pse është në duart e policëve dhe përgjegjësve për të tilla çështje, pasi ka humbur kujdestarin dhe atë që e mbron, prindin. Ai ndihet i dëshpëruar, i pashpresë, i mërzitur dhe me zemër të copëtuar.

Ditën kur dy të fejuar vendosin kurorë, kërkohet që nusja të ketë edhe kujdestarin e saj. Vajza që ndihet më keq në ato çaste, është ajo që nuk ka kujdestar të jetë i pranishëm.

”Zoti është Mbrojtësi dhe Kujdestari i atyrë që besuan.” Ai që duhet të ndihet keq dhe duhet t’i vijë zor më shumë se personat që përmendëm më lart, është ai njeri që nuk e ka Zotin si Mbrojtësin dhe Kujdestarin e tij. I vuajtur është ai njeri që ia ka dorëzuar veten shejtanit, epsheve dhe kënaqësive të shfrenuara. I vuajtur dhe i mjerë është ai që nuk mendon për gjë tjetër përveç se pasurisë, postit dhe dëfrimeve haram. I humbur dhe i vuajtur është ai që nuk e ka Zotin Mbrojtës dhe Kujdestar të tij.

El-Velijju është një i afërt i dashur, që kujdeset dhe tregohet i dashur me ty. Njeriu më i afërt që kujdeset dhe të mbron është babai. Nëse ai nuk është, mbetet xhaxhai dhe pastaj gjyshi. Nëse edhe këta nuk janë, atëherë gjykatësi të cakton një kujdestar të detyrueshëm.

Po ti, o vëlla dhe o motër, kë ke Kujdestar? A ke kërkuar që Kujdestari yt të jetë vetë All-llahu i Madhërishëm?

Një kuptim tjetër gjuhësor i emrit El-Velijj, është ai i afërt që të ndihmon kundër armiqve dhe kundërshtarëve. Është personi i parë që i drejtohesh në raste fatkeqësie. Është ai që në raste hallesh dhe problemesh, është i pari që të hap derën, të strehon dhe të përkrah.

Me qëllim që të kuptohen më mirë dy kuptimet e mësipërme të këtij emri, kujto historinë e Jusufit [alejhis-selam]. Ai ndodhej i braktisur nga vëllezërit në një pus në shkretëtirë. All-llahu i Madhërishëm bën që disa udhëtarë të kenë nevojë për ujë, me qëllim që të nxjerrin Jusufin [alejhis-selam]. All-llahu i Madhërishëm e bëri edhe Azizin e Egjiptit steril, me qëllim që të ketë nevojë për fëmijë dhe të adoptojë Jusufin [alejhis-selam]. Më pas, All-llahu i Madhërishëm e bën mbretin e Egjiptit të shohë një ëndërr që e shqetëson, me qëllim që ta nxjerrë Jusufin [alejhis-selam] nga burgu. Jo vetëm kaq, por bën që të gjithë banorët e Egjiptit të kenë nevojë për ushqim, me qëllim që Jusufi [alejhis-selam] të bëhej ministër i Thesareve të vendit. A e shikon se çfarë do të thotë të kesh All-llahun e Madhërishëm Kujdestar dhe Mbrojtës? Kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhin fatkeqësi dhe telashe, por e rëndësishme është që në çaste të vështira, të ndjesh përkujdesjen dhe mbrojtjen e All-llahut të Madhërishëm.

Në fund të sures, Jusufi [alejhis-selam] thotë: “Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më mësove komentin e ëndrrave. O Krijues i qiejve dhe i tokës, Ti je Kujdestari im në këtë botë dhe në botën tjetër. Më bëj të vdes musliman dhe më bashko me të mirët!” (Jusuf: 101)

Duke qenë se kujdestaria dhe mbrojtja e Zotit të Madhërishëm për Jusufin [alejhis-selam] kishte qenë evidente në këtë botë, ai ia kërkonte të njëjtën gjë edhe për botën e ardhshme.  

Fjalët e profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i përshkruan edhe All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: “Mbrojtësi i im është All-llahu që zbriti librin. Ai kujdeset për të mirët.” (El-A’raf: 196)

 

Si i nxit All-llahu i Madhërishëm njerëzit që të jenë pranë Tij dhe të jetë Ai Mbrojtësi dhe Kujdestari i tyre?

Është vetë All-llahu i Madhërishëm Ai që të ofron ndihmën, përkujdesjen dhe mbrojtjen e Tij, o njeri. Është ndryshe kur ti shkon te një i fuqishëm të mbrojë dhe ndryshe kur vetë i fuqishmi të ofron mbrojtjen e tij.

Shumë njerëz mendojnë se të jesh “Evlija”, d.m.th. të jesh në dashurinë, mbrojtjen dhe kujdestarinë e All-llahut të Madhërishëm është diçka e pamundur dhe e paarritshme. Por, që të kesh mbrojtjen dhe kujdesin e Zotit, është diçka e mundur për të gjithë besimtarët. Këtë e deklaron vetë All-llahu i Madhërishëm: ”Dhe All-llahu është Kujdestari i besimtarëve”

Përse të mos jesh ti, o vëlla dhe o motër, një nga evlijat e Zotit? Çfarë shikon si pengesë për diçka të tillë?

Ideja e shprehjes: “Unë nuk mund të jem nga evlijat e Zotit!” është gabim.

Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Me të vërtetë që evlijatë e Zotit, nuk kanë frikë dhe nuk brengosen.” (Junus: 62)

Nëse All-llahu i Madhërishëm është Kujdestari dhe Mbrojtësi yt, të shpërblen me tre gjëra:

1 - Shpërblimi i parë për këtë është se të hiqet frika dhe shqetësimet në këtë botë dhe në botën tjetër: ”Me të vërtetë që evlijatë e Zotit, nuk kanë frikë dhe nuk brengosen.”

2 – Të ndriçon rrugën dhe jetën në këtë botë. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Zoti është Kujdesari i atyre që besuan, i nxjerr nga errësirat në dritë.” (El-Bekare: 257)

3 – Të ndihmon të triumfosh. Nëse All-llahu i Madhërishëm është Kujdestari dhe Mbrojtësi yt, patjetër që do jesh i ndihmuar dhe do të triumfosh në çdo situatë. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Zoti është Kujdestari juaj dhe Ai është Ndihmëtari më i mirë.” (Ali Imran: 150)

“Zoti i ndihmon ata që besuan.” (El-Haxh: 38); E kush ka për mik All-llahun, të Dërguarin e Tij dhe ata që besuan, s’ka dyshim se ana (pala-krahu) e All-llahut është ngadhënjyese.

Këto tre shpërblime përmblidhen në një hadith Kudsij: ”Kush lëndon një nga njerëzit e Mi të dashur (evlija), Unë i kam shpallur luftë.”

Vetëm në dy raste, All-llahu i Madhërishëm i shpall luftë njeriut: E para është kur dikush përdor kamatën dhe fajdenë: Në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk heqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në luftë me All-llahun dhe të Dërguarin e Tij. (El-Bekare: 279) Kurse hera e dytë është ajo që përmendëm në hadithin e mësipërm: ”Kush lëndon një nga njerëzit e Mij të dashur (evlija), Unë i kam shpallur luftë.”

All-llahu i Madhërishëm na tregon edhe rrugën që duhet të ndjekim që të bëhemi nga evlijatë e Tij. Thotë vetë All-llahu i Madhërishëm në një hadith Kudsij: “Do të vazhdojë robi Im të afrohet ndaj Meje me namaze nafile, derisa ta dua. Nëse e dua do të jem veshi i tij që dëgjon, do të jem syri i tij që shikon, do jem dora e tij që prek dhe do të jem këmba e tij që ecën. Nëse do të më kërkojë diçka do t’ia jap. Nëse kërkon mbrojtjen Time, do e mbroj.”

“Do të jem veshi i tij që dëgjon...” Nuk të lejon të dëgjosh gjëra haram, por edhe po i dëgjove, të ruan që këto gjëra të mos depërtojnë në zemrën tënde. Nëse këto gjëra të depërtojnë në zemër, do të t’i nxjerrë shumë shpejt. Nëse nuk t’i nxjerr shpejt, do të përballesh me një problem nga i cili nxjerr mësime dhe shlyen gjynahet.

“Do të jem syri i tij që shikon...” Nuk të lejon të shohësh gjëra haram, por edhe po shikove, nuk e lejon të depërtojnë në zemrën tënde...

“Do jem dora e tij që prek...” Të jep bereqet në duart e tua me të cilat prodhon dhe shkruan në ndihmë të fesë dhe të njerëzimit.

“Dhe do të jem këmba e tij që ecën...” Të ndihmon që të mos ecësh drejt haramit.

“Nëse do të më kërkojë diçka do t’ia jap...” Sa herë të ngresh duart për t’iu lutur All-llahut të Madhërishëm,  Ai ta pranon lutjen. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Ka robër të Zotit që sa herë i luten, Ai ia pranon menjëherë.”

“Nëse kërkon mbrojtjen Time, do e mbroj.” Nëse ka frikë nga dikush apo nga diçka dhe i lutet, e ka të siguruar ndihmën e All-llahut të Madhërishëm.

Përse të mos jesh edhe ti, o vëlla dhe o motër, nga evlijatë e Zotit të Madhërishëm?

Më kujtohet se kur isha i vogël, shkoja të falesha në xhaminë pranë shtëpisë tonë. Imami i xhamisë, çdo ditë në namazin e sabahut, lutej dhe shpeshherë insistonte në një lutje të veçantë: “O Zot, merri në dorën Tënde çështjet tona!” Ai lutej me këtë lutje dhe qante me të madhe. Kur u rrita dhe fillova të lexoj rreth jetëshkrimit të profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], gjeta se vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lutej: ”O Zot, më udhëzo me ata që ke udhëzuar! Më jep nga siguria Jote dhe më bëj nga evlijatë e Tu të mirë!”

Pas betejës së Uhudit, kur ushtria muslimane me Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u ngjitën në mal dhe ushtria e Kurejshëve mbeti poshtë në fushë, Ebu Sufjani u afrua pranë malit dhe thirri: ”A është Muhammedi në mesin tuaj?” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u tha muslimanëve: ”Mos u përgjigjni!” Ebu Sufjani thirri përsëri: ”A është Ebu Bekri mes jush?” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] përsëri nuk i lejoi të përgjigjeshin. Ebu Sufjani thirri për të tretën herë: ”A është Umeri në mesin tuaj?” Përsëri asnjë nga muslimanët nuk iu përgjigj.

Atëherë, Ebu Sufjani me sa forcë që kishte thirri: ”Ne kemi Uzza-në (idhull), kurse ju nuk e keni!” Asnjë nga muslimanët nuk foli. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u tha: ”A nuk po i përgjigjeni?” Ata e pyetën: ”Po çfarë ti themi?” Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u tha: ”Thoni: “All-llahu është Mbrojtësi ynë dhe ju nuk keni mbrojtës.” Dhe muslimanët iu përgjigjën njëzëri: ”All-llahu është Mbrojtësi ynë dhe ju nuk keni mbrojtës.”

Me të dëgjuar këto fjalë Ebu Sufjani tha: ”Muhammedi, Ebu Bekri dhe Umeri qenkan gjallë.”

Përse të mos e ekspozosh veten tënde, o vëlla dhe o motër, me qëllim që All-llahu i Madhërishëm të bëjë nga evlijatë e Tij? A nuk dëshiron që ta lusësh Atë dhe të ta pranojë lutjen?

Të jesh nga evlijatë e Zotit, ka grada dhe shkallë të ndryshme. Ka prej tyre që me ta lutur Zotin për diçka, u pranohet menjëherë. Ka të tjerë që u jepen keramete (ndodhi të pazakonta për të tjerët). Ka të tjerë që me t’i parë njerëzit në sy, e njeh kush ka të drejtë dhe kush është mashtrues.

 

Modele të atyre që i ka mbrojtur dhe i ka dashur All-llahu i Madhërishëm (Evlijatë e Zotit)

1 - Nuhu [alejhis-selam] për 950 vite u keqtrajtua, u fye, u përbuz..., por me të ngritur duart: ”O Zot unë jam mposhtur, prandaj më ndihmo.” (El-Kamer: 10) i erdhi menjëherë ndihma dhe iu pranua lutja. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an:“Atëherë, Ne me një shi të vrullshëm i hapëm dyert e qiellit. Dhe Ne tokën e zbërthyem në burime uji, kurse uji u bashkua siç ishte caktuar. E atë (Nuhun)e bartëm në (anije) dërrasash e shtyllash. Që lundronte nën mbikëqyrjen Tonë.” (El-Kamer: 11-14)

2 – Ibrahimi [alejhis-selam] vuajti, u hodh në zjarr, u detyrua të braktisë vendin e tij, u sprovua me sprova dhe vështirësi të ndryshme, por në fund All-llahu i Madhërishëm e zgjodhi si lidership të njerëzimit: “Unë të kam zgjedhur imamin(prijës) e njerëzimit.” (El-Bekare: 124) Madje, ai ndërton Qabenë e shenjtë.

3 – Ismaili [alejhis-selam] është bërë simbol i sakrificës për besimtarët. Ai pranoi të sakrifikohej për të çuar në vend urdhërin e Zotit të Madhërishëm. Për këtë, All-llahu i Madhërishëm e shpërbleu dhe e ka bërë traditë që besimtarët të therin kurbanë, për të mbajtur të gjallë dhe të freskët emrin e Ismailit [alejhis-selam].

4 – Jakubi [alejhis-selam] humbi djalin e tij më të dashur, Jusufin [alejhis-selam], madje humbi edhe shikimin duke qarë për të. Por pas disa vitesh, i kthehet Jusufi [alejhis-selam] si ministër i Thesareve të Egjiptit dhe i kthehet edhe shikimi.

5 – Musai [alejhis-selam] u dëbua nga Egjipti dhe u largua i frikësuar. Por, më pas, All-llahu i Madhërishëm e zgjodhi si profet dhe i fliste direkt, pa ndërmjetës.

6 – Nëna e Isait [alejhis-selam] u akuzua për çështje nderi, por All-llahu i Madhërishëm e bëri djalin e saj model dhe shembull për të gjithë njerëzimin.

7 – Profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u rrit jetim dhe u detyrua të braktisë vendlindjen e tij, Meken. Por, pas disa vitesh, ai kthehet si triumfator në Meke dhe bëhet shembull i faljes dhe zemërbutësisë me kundërshtarët e tij.

Këta profetë janë lodhur dhe kanë vuajtur, por vetëm në këtë mënyrë dallohet se kush është evlija i All-llahut të Madhërishëm. Faraoni nuk e kuptoi se Musai [alejhis-selam] ishte evlija i Zotit, veçse në çastet kur po mbytej. Në ato çaste, ai tha: ”Besoj që nuk ka zot tjetër veç Zotit që besojnë hebrenjtë.” (Junus: 90)

All-llahu i Madhërishëm t’i shton problemet me armiqtë dhe kundërshtarët e tu, me qëllim që e gjithë bota ta kuptojë se kush është Kujdestari dhe Mbrojtësi yt.

Kur një fëmije - që ka familje të madhe dhe me emër - i ndodh një problem në shkollë, e rrahin... ai gëzohet dhe ndihet krenar se të nesërmen do të vijnë kujdestarët, vëllezërit, prindërit..., të cilët do të hakmerren për të.

Vetë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka qenë një nga evlijatë dhe ata për të cilët All-llahu i Madhërishëm është kujdesur më shumë se kushdo tjetër:“Mbrojtësi im është All-llahu që zbriti librin. Ai kujdeset për të mirët.” (El-A’raf: 196)

Umeti i Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ndodhet në kulmin e nevojës që të ngrenë duart drejt qiellit dhe të luten që All-llahu i Madhërishëm të kujdeset dhe t’i ndihmojë të dalin nga kjo gjendje e nderë.

Përkujdesi dhe mbrojtja e Zotit të Madhërishëm për profetin Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është e prekshme në çdo çast të jetës së tij. Vetë dora e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte një mrekulli nga Zoti. Me të prekur guralecët, ajo e bënte të madhërojnë Zotin. E njëjta dorë ia bënte me shenjë hënës dhe ajo ndahej në dy pjesë, si fakt për të vërtetuar profecinë e tij.

E njëjta dorë, në betejën e Bedrit merr një grusht me kokriza rëre dhe i lëshoi në drejtim të armiqve të tij. Edhe pse distanca mes tyre ishte shumë e largët, nuk mbeti ushtar armik, pa i hyrë në sy kokrizat e rërës që hodhi Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

Nga e njëjta dorë rrodhi ujë, kur shokët e tij ndiheshin të etur në një betejë.

E njëjta dorë preku syrin e sëmurë të Aliut [radijall-llahu anhu] dhe e shëroi në çast, saqë Aliu [radijall-llahu anhu] thoshte se nuk e dinte se cilin sy kishte pasur të sëmurë.

Të gjitha këto tregojnë kujdesin dhe dashurinë e All-llahut të Madhërishëm për të Dërguarin e Tij. Nuk ishte dora e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] që i bënte këto mrekulli, por ishte përkujdesja hyjnore, ajo që e pajisi me to: “Nuk ishe ti ai që gjuajte, por në të vërtetë ishte All-llahu Ai që gjuajti.” (El-Enfal: 17)

Përkujdesja dhe mbrojtja e All-llahut të Madhërishëm nuk është vetëm për profetët dhe të dërguarit e Tij. Ajo shfaqet fuqishëm edhe me shokët e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

Në një nga betejat, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dërgon Ala el Hadremijin në një mision me disa shokë të tjerë. Gjatë rrugës, ata humbin në shkretëtirë dhe u harxhohen edhe rezervat e ujit. Duke parë se po vdisnin për ujë, Ala el Hadremiji ngren duart drejt qiellit që ishte i pastër dhe lutet: ”O Zot! Betohem në madhështinë Tënde dhe të kërkoj që të na furnizosh me ujë! O Kujdestar dhe Ndihmës i besimtarëve, na furnizo me ujë!” Shokët e tij betohen dhe thonë: ”Për Zotin, pamë se retë filluan të grumbullohen, duke lëshuar shi. Ne pimë dhe shuam etjen. Kur u kthyem u treguam shokëve, të cilët nuk e besonin. Ne u thoshim: ”Nëse nuk na besoni, atëherë na thoni si mbijetuam?!”

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dërgoi Asim ibn Thabitin [radijall-llahu anhu] me tre të tjerë për t’i mësuar Islamin një fisi. Banorët e fisit u treguan të pabesë dhe i vranë shokët e tij. Vetë Asimi [radijall-llahu anhu], kur pa këtë, iu lut Zotit: ”O Zot! Të kërkoj që trupin tim të mos e prekin jobesimtarët!” Më pas, banorët e fisit e vranë dhe vajtën të marrin kufomën, me qëllim që ta shesin tek kundërshtarët e tij në Meke dhe të merrnin shpërblimin. Por Zoti kishte dërguar grerëzat që e kishin rrethuar kufomën e Asim ibn Thabitit [radijall-llahu anhu] dhe nuk mundën ta marrin. Atëherë u detyruan që ta lënë kufomën, derisa të bjerë nata dhe të largohen grerëzat. Me të rënë nata, filloi një shi i rrëmbyeshëm dhe rrëketë e morën kufomën e Asimit, e cila nuk u gjet pas asaj dite.

El Berra ibn Malik [radijall-llahu anhu] ka qenë një nga shokët e profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë rreth tij: ”Ka robër të Zotit që sa herë i luten Zotit, Ai ia pranon menjëherë. Prej tyre është edhe El Berra ibn Malik.”

Në betejën e Jemames me Musejleme el Kedhabin, muslimanët po hasnin shumë vështirësi. Një nga muslimanët iu drejtua El Berra ibn Malikut dhe i tha: ”Profeti ka thënë që ty të pranohet lutja. Përse nuk lutesh që të na ndihmojë All-llahu i Madhërishëm?!” Në ato çaste, El Berra ngriti duart drejt qiellit dhe tha: ”O Zot, unë të kërkoj të na ndihmosh sot dhe të më bësh mua dëshmorin e parë!” Nuk kaluan veçse disa çaste dhe El Berra ibn Malik bie dëshmor dhe ishin muslimanët ata që e fituan betejën.

Në kohën e Kalifatit të tij, Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu] dërgon një ushtri në drejtim të romakëve. Para se të takoheshin dy ushtritë, ushtria muslimane kishte dy alternativa, të luftonte në fushë të hapur apo të mbrohej në një mal aty pranë. Në këtë kohë, Umeri [radijall-llahu anhu] kishte hipur në minber për të mbajtur hytbe dhe, teksa fliste, thërret: ”Tek mali, tek mali!” Pasi u kthye ushtria muslimane, muslimanët i pyetën se si kishin fituar. Komandanti musliman iu përgjigj: ”Dëgjuam zërin e Umerit që na këshilloi të luftonim nga mali dhe ashtu vepruam dhe fituam.”

Ne muslimanët besojmë në ekuilibrat mes shpirtërores dhe materiales, kurse Perëndimi sot nuk beson veçse në materialen. Ne nuk kemi asnjë problem që të besojmë në mrekulli (keramete) të tilla, nëse ato përcillen deri tek ne në rrugë të sigurta.

Një herë, tek Uthman ibnu Affani [radijall-llahu anhu] hyri një person. Me ta parë, Uthmani [radijall-llahu anhu] tha: ”Ka prej jush që hyjnë me shenja të imoralitetit në sy!” Burri që sapo kishte hyrë, kishte parë me epsh një grua në rrugë. I befasuar nga këto fjalë, burri i tha: ”Çfarë është kjo, o prijësi i besimtarëve? A të vijnë shpallje hyjnore, pas të Dërguarit të All-llahut?!” Uthmani [radijall-llahu anhu] ia ktheu: ”Jo, por ruhuni nga mendjemprehtësia e besimtarit, pasi ai shikon me dritën e All-llahut të Madhërishëm.”

Ebu Musa el Eshari [radijall-llahu anhu] tregon: ”Një ditë, teksa ecja rrugëve të Bagdadit, pashë një zjarr të madh, i cili kishte djegur të gjithë fermat e palmave të qytetit, përveç njërës që ndodhej në mes. Pyeta rreth pronarit të fermës që kishte mbetur e padjegur dhe pashë se ishte një njeri që nuk e njihja. Kur e pyeta mbi shkakun se si ka mundësi që nuk ishte djegur ferma e tij, ai më tha: ”I kërkova All-llahut të Madhërishëm të mos lejojë të digjet dhe nuk u dogj.” Ebu Musa el Eshariu [radijall-llahu anhu] buzëqeshi dhe tha: ”Ka robër të Zotit që sa herë i luten Zotit, Ai ia pranon menjëherë.”

Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha një herë Umer ibnul Hatabit dhe Ali ibnu Ebi Talibit: ”Do vijë një burrë nga Jemeni, që quhet Uvejs el Karnij. Ai ka një nënë, të cilën e respekton shumë. Nëse mundeni t’i kërkoni që të lutet dhe të kërkojë falje për ju, bëjeni!” Këto fjalë Profeti[sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ua thoshte shokëve të tij!

Umer ibnul Hatabit dhe Ali ibnu Ebi Talibi në çdo sezon Haxhi e kërkonin Uvejsin mes haxhillarëve të Jemenit. Më në fund e gjetën dhe i kërkuan të lutej dhe të kërkonte falje për ta.

Një grua, Rebia bintu Nadr, i qëlloi një vajze dhe i theu dhëmbët e parë. Ajo i ofroi familjes së vajzës shumën e caktuar si kompensim për dhëmbët e thyer, por ajo refuzoi dhe kërkoi që Rebias t’i thyhen dhëmbët sipas drejtësisë. Rebia bintu Nadr rridhte nga familjet më të fisme në Medine. Vëllai i saj, Enes ibn Nadr që i pranoheshin lutjet, ngriti duart drejt qiellit dhe tha: ”O Zot, unë të lutem të mos thyet dhëmbi i Rebia bintu Nadr.” Në ato çaste vjen vajza me familjen e saj dhe i thonë se e kemi falur.

 

Koncepti i kerametit (Mrekullive dhe gjërave të pazakonta që u ndodhin njerëzve të dashur të Zotit)

Shumë njerëz mendojnë se të jesh nga evlijatë e All-llahut të Madhërishëm, duhet që patjetër të ndodhin mrekulli dhe keramete të pazakonta. Ajo që duam të theksojmë në këtë kontekst, është se kerametet janë të pamohueshme. Por, që dikujt t’i ndodhin keramete, duhet të plotësojë një kusht të rëndësishëm: Veprat e tij të jenë konform Kur’anit dhe traditës profetike. Këtë e themi pasi shumë fallxhorë, magjistarë, mashtrues…, përdorin ndodhi të pazakonta dhe mashtrojnë njerëzit duke u hequr dhe shtirur si evlija dhe njerëz të mirë. Këto fjalë ua adresojmë në radhë të parë grave, pasi ato bien më së shumti viktima të fallxhorëve, të cilët gjoja u parashikojnë fatin dhe ato mendojnë se gjëra të tilla janë keramete dhe se këta njerëz janë evlija.

Imam Shafiu thotë: ”Nëse shihni një njeri duke fluturuar në qiell, ose duke ecur mbi ujë, mos e besoni, derisa të siguroheni se është konform Kur’anit dhe traditës profetike!”

Këtu futet namazi i tij, morali, mënyra e komunikimit, adhurimet, me çfarë i urdhëron njerëzit, çfarë u ndalon të veprojnë, çfarë vepron vetë... Kështu, kriteri kryesor i kerameteve është që të jenë konform Kur’anit dhe traditës profetike.

Për këtë, disa të ditur kanë thënë: ”Nuk është evlija ai që fluturon në qiell dhe ecën mbi ujë, por evlija është ai që e gjen tek hallalli dhe nuk e shikon tek harami.”

Kur i thanë një të dituri se filani ecën mbi ujë, ai tha: ”Balenat janë më të mira, pasi zhyten dhe nën ujë.” Përsëri i thanë se ai edhe fluturon, por përgjigjja përsëri i ishte: ”Zogjtë janë më të mirë se ai.” - “Ai shkon në Qabe, kryen tavafin dhe Sajin dhe kthehet për disa sekonda.” – i thanë përsëri. I dituri iu përgjigj: ”Edhe shejtani e bredh të gjithë tokën për disa sekonda!”

 

A mund të jetë një njeri i zakontë një nga njerëzit e dashur të All-llahut të Madhërishëm (velij)?

Nuk është e thënë se të jesh evlija, të ndodhin patjetër keramete që e vërtetojnë këtë. Mrekullitë janë dy llojesh: “Mu’xhize”, të cilat janë vetëm për profetët, me qëllim që të faktohet se janë profetë të dërguar nga All-llahu i Madhërishëm. Ky lloj mrekullish, duhet patjetër që të shfaqet para publikut, pasi janë tregues të vërtetësisë së profetëve. Kurse lloji tjetër i mrekullive, “Kerametet”, janë për njerëzit e tjerë dhe janë tregues që Zoti i Madhërishëm i do këto njerëz. Këto lloj mrekullish mund të shfaqen për t’i parë njerëzit dhe mund të mos shfaqen. Nëse shfaqen, është tregues që Zoti të do. Nëse nuk shfaqen, bëhet me qëllim që mos të pëlqejë vetja. Ti mund të jesh evlija dhe të mos e dish diçka të tillë. Evlija mund të jetë një vajzë njëzet vjeçare, një burrë apo grua 40-50 apo 60-vjeçare, mund të jetë një njeri krejtësisht i zakonshëm. Një njeri i zakonshëm mund të jetë evlija, edhe pse nuk e di, edhe pse nuk i shfaqen keramete.

 

Çfarë duhet të bëj që All-llahu i Madhërishëm të më zgjedhë të jem nga të dashurit (evlija) e Tij?

A është e mundur që unë të jem nga evlijatë e Zotit të Madhërishëm? A është e mundur që një student të jetë nga evlijatë e Zotit? A mundet që një i moshuar të jetë nga evlijatë?

Padyshim që kushdo mund të jetë nga evlijatë e All-llahut të Madhërishëm. Për të arritur një gradë të tillë, duhet që të plotësohen disa kritere, të cilat i përmend një ajet Kur’ani:

“Me të vërtetë që evlijatë e Zotit nuk kanë frikë dhe nuk brengosen. Ata janë ata që besuan dhe ishin të devotshëm.” (Junus: 62)

Që të besosh, do të thotë të besosh në gjashtë shtyllat e besimit: Të besosh All-llahun, melekët e Tij, librat, profetët, Ditën e Kijametit dhe se gjithçka ndodh, e mirë ose e keqe, ndodh sipas caktimit të Tij.

Kurse devotshmëria është që All-llahu i Madhërishëm të gjejë atje ku të ka urdhëruar dhe të mos të gjejë në ato vepra që t’i ka ndaluar t’i veprosh. Nëse të ka urdhëruar të respektosh prindërit, të gjejë duke u puthur dorën dhe duke u dëgjuar fjalën. Të ka urdhëruar të falësh namazin, të gjejë të rregullt në kryerjen e tij. Të ka ndaluar të marrësh pasuri në rrugë haram, mos të gjejë asnjë qindarkë haram në xhep. Nëse i plotëson  këto dy kritere, je nga evlijatë e All-llahut të Madhërishëm. Ajo që të duhet të bësh që të jesh nga evlijatë dhe njerëzit e dashur dhe të preferuar të Zotit, është që të plotësosh këto dy kritere.

Dikush mund të thotë se është e pamundur që të jesh 100 për qind i devotshëm, është e pamundur që njeriu të mos bëjë gabime. Padyshim që Zoti e njeh natyrën e njeriut dhe për këtë thotë: ”Kijeni frikë ndëshkimin e Zotit sa të mundeni!” (Et-Tegabun: 16) E rëndësishme është që shumicën e veprave t’i kesh të mira. E rëndësishme është që shumicën e kohës ta kesh të zënë me vepra që e gëzojnë dhe e kënaqin Zotin e Madhërishëm. E rëndësishme është që të duash dhe të përpiqesh të afrohesh sa më shumë me Zotin. Thotë All-llahu i Madhërishëm në një hadith Kudsij: ”Do të vazhdojë robi Im të afrohet ndaj Meje me namaze nafile, derisa ta dua. Nëse e dua do të jem veshi i tij që dëgjon, do të jem syri i tij që shikon, do jem dora e tij që prek dhe do të jem këmba e tij që ecën. Nëse do të më kërkojë diçka do t’ia jap. Nëse kërkon mbrojtjen Time, do e mbroj.”

Deri tani ka qenë përhapur ideja se të jesh evlija, është një gradë që u takon vetëm shokëve të Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe njerëzve shumë të ditur. Por ajetet e Kur’anit dhe hadithet e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tregojnë se çdo musliman mundet të jetë evlija nëse plotëson dy kriteret e mësipërm. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i urdhëronte Umerin dhe Aliun që t’i kërkojnë të lutet dhe të kërkojë falje për ta, Uvejs el Karnij, edhe pse ky nuk ishte nga shokët e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

A nuk ia vlen të jesh ambicioz dhe të kërkosh ta arrish një gradë të tillë, o vëlla dhe o motër? Përse të mos konkurosh që të jesh numër një në adhurimin dhe përkushtimin ndaj All-llahut të Madhërishëm? Përse të mos duash të bëhesh një nga evlijatë e Tij? Një gradë e tillë është e disponueshme për këdo që dëshiron ta arrijë.

Që të jesh evlija, duhet të kesh parasysh katër pika praktike dhe të rëndësishme:

E para është devotshmëria. E dyta, kryerja e farzeve dhe obligimeve të caktuara nga All-llahu i Madhërishëm. E treta është kryerja e nafileve. Kurse e katërta, është që të kujdesesh për njerëzit e vobekët. Kujdesu për një të varfër, kujdesu për një jetim, kujdesu për një grua të ve. Kujdesu për njerëzit e vobekët, me qëllim që të kujdeset vetë All-llahu i Madhërishëm për ty.

Të jesh evlija, do të thotë të adhurosh dhe t’i përkushtohesh Zotit të Madhërishëm dhe pararelisht të jesh bamirës dhe të punosh për një jetë më të mirë për vete dhe për të tjerët. Koncepti i të qenit evlija, është koncept i shtrembër nëse mendohet si një njeri i mbyllur në xhami dhe nuk ka haber nga kjo botë.

Për të gjithë ata prindër që kanë përgjegjësinë për t’u kujdesur për fëmijët dhe edukimin e tyre, të gjithë ata qeveritarë që kanë përgjegjësinë të kujdesen për popullin, të gjithë ata drejtues institucionesh dhe fabrikash që kanë përgjegjësi të kujdesen për punëtorët dhe konsumatorët e tyre..., thotë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Çdo person që i ngarkohet një përgjegjësi ndaj muslimanëve dhe ai nuk lodhet dhe përpiqet sinqerisht për mirëqenien e tyre, ai nuk do të jetë me ta në Xhennet.”

E rëndë tek All-llahu i Madhërishëm është edhe ajo që bën një njeri me post të lartë, që emëron në funksione të ndryshme njerëz të paaftë, edhe pse njerëzit e kualifikuar dhe me eksperiencë janë të pranishëm. Thotë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Kushdo që është caktuar në një post mes muslimanëve dhe emëron njerëz me kualifikim të ulët, edhe pse ka të tjerë me kualifikim më të lartë, ai ka tradhëtuar Zotin dhe të Dërguarin e Tij.”

Nëse e përjeton këtë hadith siç duhet, do e kesh të pamundur të favorizosh të afërmit dhe njerëzit me të cilët të lidhin interesa personale.

Shkoi Ebu Dherri [radijall-llahu anhu] dhe i kërkoi Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] t’i japë postin e guvernatorit të një qyteti. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: ”O Ebu Dherr, ti je i dobët dhe diçka e tillë është amanet. Ai (posti) Ditën e Kijametit do të jetë zhgënjim dhe pendim, përveç një njeriu që e ka marrë me të drejtë.”

Tregon Umeri [radijall-llahu anhu] se Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] gjatë kohës që ishte udhëheqës i muslimanëve, çdo ditë pas faljes së sabahut shkonte në një drejtim të kundërt me atë të shtëpisë së tij. Një ditë i shkova pas tij dhe e pashë se hyri tek një shtëpi përdhese dhe më pas doli. Hyra brenda në shtëpi dhe gjeta një plakë të verbër, të cilën e pyeta se cili ishte ai që doli pak më parë. Ajo më tha se nuk e njihte, por që vinte çdo ditë dhe pastronte shtëpinë e saj në atë orar. Atëherë thashë me vete: ”I ke lodhur udhëheqësit që do të vijnë pas teje, o Ebu Bekr.”

Kalojnë vite, Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] vdes dhe në postin e Halifes së muslimanëve vjen Umeri [radijall-llahu anhu]. Një ditë, teksa kalonte rrugës, shikon një karvan dhe aty pranë takohet me Abdurrahman ibnu Aufin [radijall-llahu anhu]. Me t’u takuar, i thotë: ”O Abdurrahman, ç’mendon sikur të qëndrojmë sonte bashkë për të ruajtur këtë karvan, për hatër të Zotit?”

Të dy bien dakord dhe në darkë shkojnë të ruajnë karvanin. Teksa qëndronin natën, dëgjojnë të qarët e një foshnjeje. Umeri [radijall-llahu anhu] u afrua tek shtëpia dhe i thirri nënës që t’i japë të pijë dhe ta vërë të flejë. Diçka e tillë u përsërit disa herë, derisa në fund, nëna nga brenda i thirri: ”Umer ibnul Hattabi jep ndihma për fëmijët që ushqehen me ushqim dhe nuk jep për ata që ushqehen me qumësht gjiri.” Umeri [radijall-llahu anhu] kishte nxjerrë një ligj ku u jepeshin ndihma ushqimore të gjithë fëmijëve që ishin ndarë nga qumështi i gjirit dhe kjo nënë përpiqej ta ushqejë fëmijën e saj me ushqime, duke e ndarë nga gjiri. Kur e dëgjoi këtë fjalë Umeri, tha me vete: ”I  mjeri ti, o Umer, sa fëmijë muslimanësh kanë vuajtur prej teje!” Menjëherë thirri Abdurrahmanin [radijall-llahu anhu] dhe e urdhëroi të nxjerrë tellallin në rrugë dhe të lajmërojë se që ditën që lind një fëmijë, shteti islam do t’i japë ndihma ushqimore.

Kur fali namazin e sabahut, të pranishmit e panë se qau shumë gjatë namazit. Pasi përfundoi namazin, ai ngrit duart lart dhe lutej: ”O Zot, më fal dhe ma prano pendimin!”

Ky shembull është model për të gjithë ne. Nuk ka nevojë të presim, derisa të bëhemi udhëheqës shteti, me qëllim që të tregohemi bamirës dhe të kujdesemi për të vuajturit. Kudo që të ndodhesh, mund të kujdesesh për ata që ke në vartësinë tënde.

Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu] e ndiente përgjegjësinë që kishte për popullsinë dhe thoshte: ”Nëse do të rrëzohet një mushkë në Bagdad, All-llahu i Madhërishëm do të më kërkojë llogari Ditën e Kijametit, përse nuk ia kisha rregulluar rrugën!”  /KBI-Bujanoc.com/

3363 Shikime