Cilën Europë e synon klasa politike e Kosovës?!

05.02.2014

Cilën Europë e synon klasa politike e Kosovës?!


Cilën Europë e synon klasa politike e Kosovës?!

Sllogani më i dëgjueshëm dhe i cituar më me zë, nga ana e klasës politike shqiptare në veçanti, në të tre shtetet:Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, pa dyshim është “Integrimi evropian”.

Mr. Bashkim ALIUTë gjitha programet e partive politike shqiptare në Ballkan, e kanë përcaktim të vetin parësor dhe më të rëndësishëm integrimin evropian, dhe aktorët shqiptarë të cilët manevrojnë në skenën politike të trojeve shqiptare, e kanë gojën plotë se janë të përcaktuar fuqishëm për integrimet evropiane, dhe se populli shqiptar është pjesë e Evropës.

Mirëpo, po qese ndiqen veprimet dhe deklaratat e tyre, do të shihet se këta telallë të integrimeve evropiane, janë më larg se çdo kush tjetër nga integrimet evropiane, bile edhe se çobanët e bjeshkëve të trojeve shqiptare. Po qe se lexohen raportet e progresit të UE-së, për shtetet ku manevrojnë këta të dashuruar në integrimet evropiane, do të shihet se jepen vërejtje dhe nota negative, pikërisht për qeverisjen dhe punën e tyre në politikë.

Kur është në pyetje, fjala vjen Kosova, raporti i progresit i vitit 2013, Kosovën e cilëson si shtetin me shkallën më të lartë të kriminalitetit dhe korrupsionit në rajon. Pra, klasa politike e Kosovës, e poashtu edhe klasa politike shqiptare në vendet tjera, sinjalizohen si pengesë kryesore e integrimit evropian. Kjo tregon mjaftueshëm se shkaktarë kryesor të stagnimit të vendeve tona në rrugëtimin e tyre drejt UE-së, janë pikërisht këta aktorë të paaftë, të cilët aq fuqishëm thirren për integrimin evropian. Të kota dhe të pavlera, dhe krejt hipokrite janë deklaratrat e lojtarëve në skenën politike në Shqipëri dhe në trojet tjera shqiptare se, Shqipëria nuk morri statusin e vendit kandidat, për shkak të elementit fetar.

Raporti i progresit nuk e thekson këtë, por e identifikon krimin e organizuar, korrupsionin, nepotizmin dhe shumë të palara tjera, si shkaqe të ngeljes së Shqipërisë dhe vendeve tjera shqiptare në Ballkan, jashtë dyerve të UE-së.

Në këtë kontekst duhet parë edhe projektligjin për ndalimin e zhurmës, të propozuar nga ministri i mjedisit dhe planifikimit hapsinor i Kosovës, Dardan Gashi, i cili është duke shkaktuar aq kundërshtime të mëdha në opinion. Realisht, propozuesi i projektiligjit thirret në legjislaturën evropiane, gjegjësisht, ai dhe të gjithë ministrat tjerë të qeverisë së Kosovës, thirren se tentojnë të sjellin ligje në përputhje me legjislacionin e UE-së. Por, për fat të keq, projektilgji i propozuar nga ministri i mjedisit dhe planifikimit hapsinor i Kosovës, dhe i miratuar në lexim të parë nga 38 deputetët e parlamentit të Kosovës, është fund e krye në kundërshtim me legjislacionin e UE-së. Kjo, ngase ky projektligj i tejkalon legjislaturat evropiane në përgjithësi, ashtu që në asnjë ligj për mbrojtje nga zhurma, të vendeve anëtare të UE-së, pajisjet akustike të objekteve fetare, nuk cilësohen si burim i zhurmës. Këtë e bën vetëm projektligji i propozuar nga ministri kosovar.

Për atë, është e drejtë që të pyetemi:Vallë, cilën Evropë, dhe cilin Union Evropian e synojnë politikanët shqiptarë? Nëse e synojnë këtë UE që e njohim të gjithë, ata më së tepërmi largohen prej këtij unioni, falë veprimeve jo të mençura, jo demokratike dhe diskriminuese të vetë klasës politike shiptare, qofshin pushtet apo opozitë. Për atë, është papërgjegjësi dhe jo e ndershme që, të palarat e klasës politike shiptare, qoftë në Kosovë apo në trojet tjera shqiptare, të kamuflohen me legjislacionin e UE-së dhe me praktikat evropiane. Këto ligje provokative dhe diskriminuese nuk kanë kurgjë të përbashkët me legjislacionin e UE-së.

 

Projektligj provokues, diskriminues dhe nënçmues

Ky projektligj është një nga turpet më të mëdha të klasës politike të Kosovës, si dhe nënçmim i hapët që janë duke ia bërë popullit të vet. A thua vallë Adem Jashari dhe heronjt tjerë të Kosovës, kanë luftuar të formojnë një shtet, ku ministër i qeverisë dhe deputetë të parlamentit, ezanin i cili shekuj me radhë është thirrur në këto troje, do ta quajn zhurmë?! Me siguri se jo. Ky është nënçmim për popullin e Kosovës, ngase ezani quhet zhurmë, dhe me këtë projektligj sulmohet identiteti fetar islam, diskriminohen pjestarët e besimit islam të cilët janë shumicë absolute në Kosovë, dhe fyhen ndjenjat e tyre fetare.

Ky projektligj i provokon muslimanët, nxit debate, të cilat mund edhe të devijojnë në kahje jo të dashur, në momente të caktuara dhe nga individë të caktuar, dhe ngren pikëpyetje të shumta për qëllimin e vërtetë, sponzoruesin real dhe prapavijën e këtij projektligji.

Qytetari me të drejtë pyet:Në mulli të kujt e çon ujin ky projektligj? Në kohën kur ministri i mjedisit ka shumë punë tjera shumë më të rëndësishme për qytetarët për të bërë, pse iu dasht në këtë mënyrë ta propozon këtë projektligj, dhe me paaftësinë e vet, apo ndoshta edhe për ndonji qëllim tjetër, kaq rëndë t’i prek ndjenjat e muslimanëve duke e quajtur ezanin zhurmë dhe mjetet akustike të objekteve fetare, burim zhurme? Kjo është pyetje e arsyeshme, për të zbuluar prapavijën dhe sponzoruesin e vërtetë të ligjit. Normalisht projektligji i përfshinë edhe këmbanat e kishave.

Është për të ardhur keq pse qeveritarët e Kosovës së pavarur dhe të “çliruar” e bëjnë këtë provokim dhe këtë nxitje krejt të pa nevojshme, bile edhe të rrezikshme për proceset demokratike dhe vetë integrimet evropiane të Kosovës. Sikur ta kishin bërë okupuesit e ndryshëm të Kosovës, do të ishte krejt e qartë. Por, këtë ta bëjnë vetë shqiptarët në kohën kur Kosova shënon përvjetore të pavarësisë, është absurde dhe tepër e dyshimtë.

A thua vallë nuk i shkoi mendja aspak Dardanit dhe përpiluesve të këtij projektligji se, projektligj me këtë përmbajtje, gjegjësisht projektligj që e sanksionon ezanin si zhurmë, nuk është propozuar as në kohën okupimit të Jugosllavisë, gjegjësisht në kohën e Titos, as në periudhën e tmerrshme të Rankoviqit, as në kohën e Millosheviqit, po para kësaj as në kohën e okupimit nga mbretëria SKS? Vallë, a erdhi puna, të derdhet gjithë ai gjak dhe të bëhen gjithë ato sakrifica për pavarësinë e Kosovës, që të vinë ministra të cilët do ta provokojnë dhe nënçmojnë e diskriminojnë popullin shqiptar musliman të Kosovës edhe më rëndë se këta që u zunë në gojë? Vërtet, një popull që i ka bërë të gjitha këto sakrifica për liri dhe pavarësi, nuk e meriton këtë. Poashtu, xhamitë dhe institucioni fetar Islam i Kosovës, të cilët u dëshmuan me rolin e tyre patriotik dhe kombëtar gjatë krizave nëpër të cilat kaloi Kosova, nuk e meritojnë këtë nënçmim. Në vendet me demokraci të zhvilluar, për gabime të këtilla, ministri jep dorëheqje, ndërkaq në Kosovë dhe në Ballkan në përgjithësi, ndodh e kundërta.

Edhe diçka. Ky projektligj, me këtë përmbajtje si është miratuar pas leximit të parë, më jep të drejtë të dyshoj se klasa politike e Kosovës e cila e mbështeti këtë projektligj, e arsyeton afrimin e Serbisë me UE-në dhe stagnimin e Kosovës në këtë rrugë, që klasa politike shqiptare aq po i këndon. Me nji fjalë, me këtë projektligj, dhe me shumë veprime tjera të ngjashme, dyshoj se klasa politike e Kosovës që e mbështet këtë projektligj, i thotë UE-së se ju keni të drejtë që i filluat bisedimet me Serbinë, ngase Serbia e meriton, sepse ka një demokraci më të zhvilluar se ne. Serbia edhe pse na ka okupuar, nuk na ka provokuar në këtë mënyrë, e ne, ne klasa politike e Kosovës që e mbështesim këtë projektligj, ende jemi pas Serbisë, ngase e diskriminojmë dhe nënçmojmë, dhe e provokojmë popullin tonë.

Nga ana tjetër, sponzorimi i këtij projektligji ka dyshim të jetë me qëllim që të nxiten debate, të cilat më pas do të shfrytëzohen nga qarqe të caktuara anti-shqiptare dhe anti-islame, që të argumentojnë se në Kosovë nuk ka stabilitet politik, por ka rrezik nga ekstremizmi fetar, dhe se Kosova është duke u shndërruar në fole të nji far ekstremizmi dhe radikalizmi, i cili realisht është jo real, por i imagjinuar, gjë që paraqet rrezik për Evropën, dhe se Serbia është më lojale dhe më e denjë për Evropën. Me këtë, rehabilitohet Serbia. Tërë këtë, këtyre qarqeve, ua mundëson vetë klasa politike e trojeve tona shqiptare./KBI-Bujanoc.com/

1171 Shikime