Tetë vjetori i vdekjes së Jakup Asipi (r.a)

07.01.2014

Tetë vjetori i vdekjes së Jakup Asipi (r.a)


Tetë vjetori i vdekjes së Jakup Asipi (r.a)

Ese letrare, për hoxhën Jakup Asipi (r.a) në tetë vjetorin vdekjes.

Shkruan: Shkodran Ismaili

1.

Me elan rinorë e intelektual, me shkëlqesi të jashtëzakonshme prej një të urti i cili rrezatonte kudo yllëlargësi Ulemaje të vërtetë- hoxhë Jakup Asipi sa po ishte kthyer freskët nga studimet- nga një qytet i largët ku e kishte kaluar një pjesë bukur të mirë të jetës së tij që e kishin bërë të ngjeshur e të gatuar tamam ashtu sic i kishte hije shtresës së hoxhallarëve të këtij populli, I vetëdijshëm e i përgatitur për sfidat e furtunat e kohës, me mjekër të pastër e rruar mirë që sapo kishte filluar të thinjet pak, syze shndritëse me pamje akademiku, kokë lartë e krenarë me misionin e tij prej eruditi eklipsues i cili fliste shumë për madhështinë e tij elitare, ai tashmë ishte flakadani, fiskniku i urtë dhe vetë “shenja e kohës”që paralajmëronte një Rimëkëmbje të Islamit në tokën shqiptare.

Koha e përgjumjes kishte përfunduar- qysh në rinin e tij e kishte shpallur zonë të lirë dije këtë vend ku ishte lindur e rritur, edukuar me mirësit e pleqve të fisit, ëmbëlsinë e imanit të mbjellur në familje brez pas brezi, fisnikëria e së cilës ishte e njohur, me prejardhje nga një prind që asnjë sunet namazi nuk e kishte lënë në jetën e tij-një prind që kur djaloshi shtatlartë e bukurosh me emrin Jakur Asipi i kërkoi të holla kur ky ishte fjetur në gjumë kinse për “udhëtim në rrugët e dynjasë për punë” ama me mendje e shpirt për të shkuar në qendra të mëdha të dijës islame për tu urtuar e edukuar me brum dijetari, ai tashmë shihte në ëndërr njërin nga fytyrat më të ndritshme të të gjitha kohërave, Nurin e njerëzimit Muhamedin alejhi selam që e këshillonte për udhëtimin e të birit në Sham për mësime hoxhe.

E kapi të Atin për gishtin e madh të këmbës- më jep ca të holla se dua të shkoj rrugëve të perëndimit për punë. Ishin fjalët e djalit! Pse në perëndim për punë? Të punoj një cikë e mandej të kthehem!? Jo- ti duhesh të shkosh në Sham për mësime islame, pra duhesh të bëhesh hoxhë- ishin fjalët e të Atit të Jakupit këtij djaloshi që zemra i dridhej e mezi mbahej kur dëgjoi nga goja e tij Shamin e bekuar.

Arsimimit i’a filloi në një qytet tejmesdhetar. Kairo- qendër e madhe e dijes dhe civilizimit islam, udhëkryq i rrallë e pikëtakim i dijetarëve të Umetit të cilët me madhështinë e tyre e kishin ngjeshur këtë njeri, këtë Pionier të Kështjellës së Madhe që tashmë kishte filluar të merrte formën e saj pas furtunash shekullore e rrymimesh dekonstruktive në Ballkan, në tokën shqiptare!

 

2.

Kishte filluar paksa të rrudhej në ballë, por jo nga pleqëria, e hanin hallet e dertet që kishte për Islamin Madhështor të njerëzimit. Pas kthimit nga studimet, halli i tij ishte ta mblidhte rininë e fshatit dhe ta ftonte në edukim fetarë ashtu sic i takon një komuniteti të pjekur njerëzish dhe kësaj Feje të lartë. E njihte mirë fshatin sepse aty ishte lindur e rritur: në gurët, kodrat, rërën, klimën dhe rrezet e diellit të të cilit ishte pjekur e rrokullisur shumë herë!

Ishte mëse i vetëdijshëm për vështirësitë të cilat e pritnin, barriera jo dhe të lehta e të zakonshme, duke filluar nga rrethi i ngushtë e deri në qytetin e tij, një pikë semiurbanistike e Maqedonisë veriperëndimore e banuar thuajse me shumicë shqiptare-muslimane ku mbizotëronte një jetë më shumë rurale, një sistem shkollimi sikur në të gjithë ish Jugosllavin socialiste dhe mentalitet popullor hibrid, mbizotëronte diku Kanuni, diku legjislacioni shtetëror e diku një Sheriat i zbehur e i mbetur në kufizimet e ritualeve të përditshme individuale.

 

3.

Dal nga dal po merrte emër. Në ligjëratat e tija filluan të prezantonin më shumë njerëz se zakonisht dhe me kohë Xhamia ku ishte imam në fshat nuk i zinte më, sepse nga shkëlqesia prej një oratori ciceron aq shumë linte gjurmë sa nuk mund të dilje pa merakun dhe nijetin për ta përcjellë hytben tjetër në javën që do të vie, sepse ëmbëlsia e rrëfimeve plot logjikë derdhej ujëvarë rrufeshëm në kokën e atyre që tashmë po kthelleshin nga mësimet e së kaluarës!

Në tubime, ndeja e mexhlise ligjëronte sikur një zë bilbili, me një gjuhë të rrjedhshme por shumë të rrafshët popullore depërtonte thellë në zemrat e çdo njërit dhe aty zinte një vend qendror- zatën e njihte thellë mentalitetin dhe traditën shqiptare sa që nuk binte lehtë dhe thuajse asnjë herë në grackën e ndonjë njeriu  me pretendime dekonstruktive. I përgjigjej lehtë, qartë e shkurtë, madje pak dhe komik, por ja arrinte ta krijonte një atmosferë qesharake të lehtë për ti treguar këtij të fundit se nuk ke të bëjë më me musliman të papërgatitur.

Mësimet e tija filluan të bëheshin temë diskutimi nëpër shumë shtëpi, dhe njerëzit cdo ditë e më shumë kultivonin një ndjenjë të lartë respekti për të, ata udhëzoheshin në islam një nga një sikur kokrrat kur futeshin në penj!

E mblodhi rininë e fshatit, këtë shtresë të cilën e kishin manipuluar demonët e kohës së kaluar dhe me të punonte pa ndalur sikur lokomotivë e rrufe. Ishte uragan dhe të gjitha ndërmarrjet në fshat i bënte me rininë, duke filluar nga aktivitetet ambientale, lojërat sportive-argëtuese e deri në gara të ndryshme të të gjitha fushave! Me një fjalë filloi të zgjohej fshati dhe emri i tij ishte i pari, madje dhe në qytet depërtoi aq lehtë sikur del shtiza prej harku, e zëri ju dëgjua deri në institucionet e larta organizative fetare me të cilat organizime e mësime kishte filluar të mos pajtohej haptazi – me një fjalë ishte një enciklopedist i gjallë dhe uragan i paparë. Pas disa viteve një shtresë bukur e mirë e rinisë ishte mbledhur rrethë tij, ata më të mirët si zakonisht të cilët ia filluan të bëheshin “dëshmitarët” e kohës së tij!

 

4.

Pas veprimtarisë disa vjeçare në vendlindje dhe përmirësimit në shumë punë, mori rrugën e gurbetit, për të shkuar në Gjermani në një qytet të madh të mërgatës shqiptare dhe për t’ia filluar edhe atje aktiviteteve të tija fetare e kombëtare në të mirë të çëshjes shqiptare. Aty mori rolin e imamit hatib në një mesxhid xhami të cilën mërgata jonë e shfrytëzonte për aktivitete. Filloi ta organizonte mirë e drejtë jetën, sikur atë fetare ashtu edhe atë kombëtare. Nga dertet e tija për Kosovën e robëruar dhe të nëpërkëmbur nga armiku, nuk linte pa marur pjesë në shumë tubime organizative të Lëvizjes politike të shqiptarëve, dhe madje në shumë nga ato tubime merrte fjalën në të mirë të aktiviteteve për organizimin e drejtë të mërgatës me një largpamësi prej urtari. Madje në një nga ligjëratat e tija mbresëlënëse para shumë veprimtarëve të çështjes kombëtare shqiptare kishte dhënë idenë brilante se:- ne shqiptarët nuk mund të formojmë rezistencë as politike as të armatosur pa pajtimin e gjaqeve në mesë vete, sepse dihej se në atë kohë sidomos në Kosovë ende kishte mjaft gjaqe të pafalura; fjalim të cilin e shfrytëzuan veprimtarët e pranishëm për ndërmarrjen e Aksionit Kombëtarë shqiptarë për pajtimin e gjaqeve në Kosovë në krye me burrin e mencur Anton Ceta.

 

5.

Pas disa viteve e la Gjermaninë për të ardhur në atdhe, vend të cilin e donte shumë dhe kërkonte e punonte me këmbëngulshim në të mirë të tij. Përsëri filloi punën në xhamin e fshatit ku edhe jetonte me familje, madje krenohej që ishte fshatarë:- duhet ti kthehemi punimit e kultivimit të tokës sepse ajo është fuqia e një komuniteti, ishin fjalët e tij kumbuese!

Lëvizte shumë dhe bënte aktivitete nëpër Maqedoni e Kosovë madje dhe Shqipëri, me një fjalë në të gjithë tokën shqiptare. Në ligjërata kumtonte e gjykonte thellë, me një gjuhë filozofike popullore  dhe kishte filluar tashmë që në thumb ti vente edhe emrat e njohura të dijes e politikës shqiptare së bashku me temat të cilat i prodhonin duke gjykuar në pikëpamjen e tij strikte se kjo është kështu e kjo ashtu! Vazhdimisht ecte, asnjë ditë s’mund të gjeje në vendin e tij, vazhdimisht njerëzit e sidomos rinia vullnetare organizonin tribuna me në krye Tribunin uragan, ku në ato salla nuk kishte vend për në këmbë e jo më për tu ulur!

Më gjuhën e mprehtë i thente shumë tabu, bënte shaka komike që masën e linin gojëhapur e kënaqësinë e asaj nate nuk e harronin dot! Fjalët e tij u bënë argument e provë për shumë punë dhe dalë nga dalë njerëzit e rinia sidomos e kishin për model jete!

Organizoheshin shumë tribuna e tryeza me intelektual të njohur shqiptarë që hoxha ishte i ftuar për ligjërime së bashku me ta, ku rrezatonte e reflektonte i përgatitur tejmase ashtu siç ishte një akademik i vërtetë, ligjërimit të së cilit nuk i rezistonin dot.

 

6

Në Kosovën e viteve 1998-99 ishte krijuar një tollovi e gjerë si pasojë e luftës çlirimtare. Populli zhvendosej dhe një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës kishin depërtuar në Maqedoni. Hoxha me shokë të tij, ishte organizuar sikur të gjithë dhe kishin vendosur që vëllezërit e tyre ti prisnin si është më mirë. Ata ishin mobilizuar deri në shkallën më të lartë, ku i strehonin nëpër shtëpi të zhvendosurit, duke i’u afruar  ndihmën e parë me gjëra elementare dhe cdo gjë tjetër të nevojshme për jetë, aq sa kishin mundësi.

Të vetëdijshëm se pas luftës së Kosovës ajo do të shtrihej edhe në Kosovë Lindore dhe  Maqedoni, tashmë ata ishin mobilizuar dhe kishin ardhur në kontakte me forcat e Ushtrisë Kombëtare, që nga hoxha kërkonin të merrte një pjesë të mirë të organizimeve me shokët e tij, sidomos në fshat dhe rrethinë. Ishte një luftë e pabarabartë, ndërmjet forcave të një shteti dhe forcave kryengritëse çlirimtare të një ushtrie të sapo formuar.

Armiku nuk ndalej: ai kishte bërë kërdinë nga ajri duke mos lënë shtëpi pa prekur! Forcat shqiptare kishin formuar një rezistencë të paparë të cilën nuk e thenin dot. Hoxha me shokë dhanë një kontribut të çmueshëm në luftë dhe fshati edhe pse kishte mjaft viktima- dëshmorë shehid ai nuk u dorëzua për asnjë moment.

Pas mbarimit të luftës dhe “pushimit të armiqësive”, përsëri filloi aktivitetin me mësime dhe ligjërime. Tashmë fokusi i tij në disa dimensione ishte reparacioni i dëmeve të luftës në të gjitha drejtimet, si në ato materiale ashtu dhe në ato të përgatitjes shpirtërore të popullit të sapo dalur i rraskapitur tejmase nga lufta.

Rrethi i tij zgjerohej, së bashku me punën dhe njerëzit të cilët e ndjeknin. Në shumë qytete të mëdha ku merrte pjesë në tribuna, ai vend shndërrohej në paradë e manifest të vërtetë, ku masa e pranishme në to tejkalonte çdo aktivitet tjetër në vend.

Tribuni, uragani e shkëlqesia e tij, në kohën kur ishte thuajse më se i nevojshme për popullatën të etur për mësime islame, për proceset e rimëkëmbjes islame, e shumë e shumë çështje e punë tjera, Krijuesi i gjithçkaje, Allahu i Lartëmadhërishëm kishte vendosur dhe caktuar që hoxhën e nderuar ta merrte në amshim, dhe në një udhëtim të tij të fundit për punë familjare në një “aksident” trafiku fatal ai bën ndeshje me pasoja fatale për të ndërruar jetë në Spitalin Qendror të Shkupit.

Zatën, hoxha siç dukej e kishte kuptuar me kohë një urtësi të vërtetë: “ata të cilët dëshirojnë dhe kërkojnë që frytet e punëve të filluara vetë ti korrin në kohën e tyre, janë shkurtpamës dhe punojnë për sot e nesër, ndërsa ata të cilët bëhen pionierët fillestarë në procese të mëdha janë më të lavdishmit të cilët e meritojnë përjetësinë”.

I tillë ishte edhe hoxha Jakupi, e kishte kuptuar se ai ishte një Pionier i kësaj Kështjelle të cilën i’a kishin filluar së ndërtuari para tij, ndërsa ai ishte një lëvizës i madh, por që pas tij do të rezulton me kulmimin e saj “përfundimisht”!  /KBI-Bujanoc.com/

1698 Shikime