MEDIA DHE ISLAMI

25.04.2024

MEDIA DHE ISLAMI


MEDIA DHE ISLAMI

Wwwkbibujanoc

MEDIA DHE ISLAMI

- Rëndësia e prezencës së elementit musliman në media

Komunikimi njerëzor konsiderohet si një natyrshmëri e lindur nga Zoti që e adaptoi me të njerëzimin, qysh nga fillimi i tij i parë.
Detyra e parë që Zoti e urdhëroi Ademin a.s. pas krijimit të tij, ishte detyra e përhapjes, e sqarimit dhe njohjes.
Dhe kjo ishte në kontaktin e tij të parë me Melaqet, ku Allahu na tregon për këtë duke thënë:
( O Adem, njoftoji ata me emrat e tyre )  El bakare 33.

Kështu vazhdoi historia e jetës njerëzore, brenda një sërë marrëdhëniesh të shumta të bazuara në; kontaktin e njeriut me njeriun, me individë, me grupe dhe me popuj.
Deri sa kjo natyrshmëri e lindur, mund të teorizohej brenda një sërë shkencash dhe njohurish, ku prej saj ishte media.

Media filloi, me transmetimin e informacionit nga një person ose persona, te të tjerët, me anë të fjalës së folur, që ajo të arrijë drejtpërdrejt nga goja në vesh pa ndërmjetës ose mjet, deri sa ajo u zhvillua shpejtë gjatë kohëve, ku kjo fjalë apo informacion ( që filloi të njihet me mesazh mediatik )  filloi të transmetohet nga një njeri apo njerëz, në një botë të zgjeruar te veshi i marrësve të informacionit, por me një mjet të ri dhe një pajisje të re të njohur si RADIO.

Pastaj filloi të transmetohet në sytë e miliona njerëzve përmes TELEVIZIONIT, apo teknikave të tjera moderne vizuale, të cilat bënë që procesi mediatik të transformohej transformim të madh, në formë, në përmbajtje dhe në synim. Ku nuk ishte më vetëm lajm ose argëtim për kohën e lirë. 
POR, u bë aktivitet me qëllim, që synon të arrijë shumë qëllime, ku shumica e atyre qëllimeve përqëndrohen në ndikim dhe bindje, me synim për të sjellë ndryshim dhe transformim drejt qëllimeve, parimeve dhe vlerave, që synon autori dhe dërguesi i mesazhit.

- Bota islame dhe revolucioni mediatik

Meqenëse bota islame është pjesë e pandashme e vendeve dhe shoqërive të tjera, që janë të ekspozuara ndaj programeve të ndryshme mediatike; Ishte e natyrshme që shumë prej këtyre shoqërive myslimane të prekeshin nga përmbajtja dhe objektivat e mesazheve mediatike të lëshuara nga media të ndryshme, veçanërisht pas kontrollit të rrjeteve radiofonike dhe satelitëve.
 
Meqenëse shumica e burimeve mediatike janë larg udhëzimeve të Islamit dhe parimeve të tij, ose së paku nuk janë të prirur të paraqesin konceptet dhe direktivat e Islamit brenda përmbajtjes së programeve të tyre, kjo ka mundësuar kontroll të ndjeshëm në atë, që arrin në mendjen e muslimanit nga programet e devijuara nga rruga e Zotit, deri në atë pikë, sa programe të tilla janë bërë çështje dorëzimi, nga shumë të rinj, pasi nuk ka alternativë për ta, që prezentohet nga vende dhe institucione islame, të cilat nuk posedonin dhe ndoshta vazhdojnë të mos posedojnë, teknikat moderne të komunikimit, apo teorizimin dhe rrënjosjen islame të mesazhit mediatik.

- Pengesat për përparimin e mediave në institucionet islame 

Ndoshta ndër arsyet më të rëndësishme që kanë penguar përparimin e shoqërive islame në fushën e mediave moderne dhe mjeteve të saj janë këto:

E para: Përqendrimi i dijetarëve myslimanë, studentëve dhe universiteteve të tyre, për t'i kushtuar vëmendje shkencave të Sheriatit, parimeve islame dhe studimit të gjuhës arabe. 
Kjo është e natyrshme dhe kërkohet gjithmonë pa dyshim, por çështja kërkonte përpjekje dhe vëmendje ndaj shkencave moderne dhe arteve të reja njerëzore, përfshirë median si studim dhe konsolidim, kritikë dhe analizë, për të siguruar energji shkencore të afta për të kontribuar në risitë e reja të përkushtuara ndaj udhëzimit të Zotit, qoftë në fushën e programeve, teknologjive apo burimeve njerëzore të trajnuara.

E dyta: Meqenëse mediat e drejtuara drejt vendeve muslimane vijnë nga burime që janë, të paktën, larg Islamit ose jo entuziaste për përhapjen e parimeve të tij, nëse jo plotësisht armiqësore; 
Kështu këto mesazhe erdhën të ndikuara nga zakonet dhe traditat e autorëve të tyre, shumica e të cilave ishin në kundërshtim me ligjin e Zotit, qoftë në përmbajtje, formë apo drejtim, gjë që krijoi kundërshtim nga muslimanët në përgjithësi dhe dijetarët e tyre në veçanti, deri në atë pikë sa disa dijetarë të dijes, konsideruan se ajo që prezantojnë mediat është në dispozitën e ndaluar sipas ligjit islam, bile disa prej tyre urdhëruan ndalimin e pajisjeve që bartin programe të tilla, dhe kjo mbeti për një kohë të gjatë duke lejuar dominimin e programeve të devijuara perëndimore.

E treta: Kur muslimanët e kuptuan rrezikun e medias, dhe pamundësinë e bllokimit të asaj që transmetohet me teknologji të ndryshme dhe parandalimin e ndikimit të saj tek të rinjtë në veçanti dhe shoqëria në përgjithësi; Njerëzit entuziastë dhe të etur në këtë fushë, nuk kishin zgjidhje tjetër veç modelit perëndimor në programe, në filmime dhe regjinë e programeve.

E katërta: Përpjekja për të përgatitur një brez mediatik të specializuar në artet dhe teknikat mediatike, ishte duke e drejtuar këtë brez drejt institucioneve mediatike në vendet perëndimore, kështu që ata u kthyen në mbartjen e teknologjisë së Perëndimit, dhe madje edhe të mendimit të perëndimit, kështu që u shfaq një brez mediatik, që mbante emrin e Islamit por mendonte me mendjen e perëndimit, i cili mohonte Islamin dhe parimet e tij.

Për këto dhe arsye të tjera, bota islame është bërë më së shumti e varur nga mediat perëndimore, duke importuar programet, artet, madje edhe idetë dhe teoritë e saj.

- Cila është nevoja e mediave islame?

Realiteti që shumica e shoqërive islame po përjetojnë në luftën e tyre me rrymat që vijnë nga jashtë tyre dhe idetë materialiste, të përcjella nga media që kanë aftësinë të ndikojnë, rinovojnë dhe bindin, padyshim se nuk është plotësisht në përputhje me pozitën dhe udhëheqjen që duhet të ketë ky umet musliman. siç tregohet në Librin e Allahut të Madhëruar: { Dhe kështu Ne ju bëmë një popull mesatar që të jeni dëshmitarë mbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju} [El-Bekare: 143].
Kjo nuk është çështje zgjedhjeje të jesh i tillë apo të mos jesh, përkundrazi, është obligim për umetin islam që të ndërmarrë thirrjen, dhe të përcjellë vendimet dhe dispozitat e Zotit, duke bërë thirrje për moral të mirë dhe drejtësi, madje edhe për të luftuar të keqen dhe gjithçka. që korrupton bindjet e njerëzve, ose devijon sjelljen e tyre. 
Allahu në Kran thotë: { Dhe le të ketë nga mesi juaj një popull që fton në punë të dobishme, urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja, të tillët janë të shpëtuarit.} [Al Imran: 104] .

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e vërteton këtë në thënien e tij: “Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, ose do të urdhëroni për të mirë dhe do të ndaloni nga e keqja, ose së shpejti Allahu do të dërgojë kundër jush një dënim prej Tij, e pastaj do ta luteni Atë, e lutja juaj nuk do të ketë përgjigje. (Transmetuar nga Tirmidhiu dhe klasifikuar si hasen)... 
Është e pamundur që një umet të jetë i tillë, pra ashtu si ka kërkuar Allahu dhe i dërguari i tij prej nesh; Pa teknoligji efektive të afta, për të sfiduar, dhe për të qëndruar në epërsi ndaj mediave të të tjerëve prej jomuslimanëve. 
E kjo kërkon domosdoshmërinë e vëmendjes ndaj medias dhe teknologjisë së saj, dhe mobilizim të energjive për të, dhe përdorim të metodave dhe teknologjive më të mira, qoftë në fushën e programeve apo teknologjisë.

Prandaj, theksohet domosdoshmëria e shteteve muslimane dhe institucioneve fetare kudo në botë, për këso lloje të mediave islame që bartin udhëzimin e Zotit, jo vetëm për ballafaqim dhe reagim; Por, për të forcuar dhe përhapur fjalën e Zotit nëpërmjet teknoligjisë dhe rrjeteve sociale, të udhëhequra nga specialistë të trajnuar që besojnë në mesazhin e Islamit. 

Allahu në Kuran Thotë: {E pse të mos shkojnë një pjesë nga çdo grup i tyre, për të marrë diturinë fetare, dhe për t’ia mësuar atë popullit të vet kur të kthehen, në mënyrë që të ruhen (nga e keqja)} [Et-Teube: 122]

- Islami në Mediat Shqiptare

Përkundër rritjes së interesit për mediat në nivel global, në të gjitha nivelet dhe fusha të ndryshme, vërehet një mangësi mediatike nga ana e disa institucioneve dhe organeve të punës islame nëpër botë por edhe te Shqiptarët.
Media është një element i rëndësihëm që ndikon në jetën e përditshme. Gjithashtu edhe feja ndikon ndjeshëm në jetën individuale dhe shoqërore, në të gjitha periudhat e jetës së njerëzimit.
Media është një ndërmjetësues që e lidh prodhuesin e mesazhit me konsumuesin.

Pas Luftës së Kosovës në vitin 1999, në Kosovë dhe tek shqiptarët në përgjithësi, ka pasur një rritje të interesit për mediat private dhe prania e Islamit është bërë më e dukshme në mediat shqiptare. 
Ishte një fillim i mirë, sepse shumica e mediave kërkonin nga Bashkësitë islame që ti dërgon hoxhallarë për emisione fetare. 
Përpara kësaj periudhe, mediat ishin kryesisht shtetërore dhe nën ndikimin antifetar të komunizmit, prandaj Islami nuk kishte një prani në ato media.

Me ardhjen e internetit dhe rrjetit social Facebook, në vitin 2008, shumë hoxhallarë filluan të përdorin këto platforma për të ndarë informacione rreth Islamit. Kjo ka qenë një mundësi e mirë për popullatën që të mësojë rreth fesë, por ka shkaktuar edhe konfuzion në mesin e xhematit, sepse secili hoxhë prezanton Islamin sipas mënyrës së vetë.

Bashkësitë Islame Shqiptare, nuk kanë pasur një prani të fortë mediatike dhe nuk kanë arritur ende të krijojnë mediat e tyre zyrtare psh. televizionin, që është më i rëndësishëm se çdo medium tjetër, për të prezantuar Islamin në mënyrë të saktë, përveç portalit dhe faqes në Facebook, por kjo aspak e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e mëdha të prezantimit të islamit dhe nevojës së muslimanëve. Krahasuar me Bashkësitë islame të rajonit si ato Turke dhe Boshnjake, që kanë edhe radion edhe televizionin e tyre. Gjithashtu edhe me televizionet dhe mediumet tjera private fetare islame që veprojnë te Shqiptarët.

Ky vakum është shfrytëzuar nga disa kanale televizive dhe rrjete sociale private, disa prej të cilave kanë dhënë kontribute të mira, ndërsa të tjerë kanë shfaqur Islamin vetëm për të kritikuar ose në raste specifike. 
Pavarësisht se si e kan përdorur, ajo i ka shërbyer islamit, sepse njerëzit janë informuar për islamin.   

Është e rëndësishme, që Bashkësitë Islame Shqiptare të krijojnë mediat e tyre me njerëz shumë professional të përgatitur mirë, për të përhapur informacionin e saktë rreth Islamit, dhe për të ofruar pyetje-përgjigje rreth fesë dhe tolerancës islame. Sepse xhemati i bashkësisë islame më shumë ndikohet përmes mediave se sa përmes hoxhës në xhami
Në të njëjtën kohë, mediat private laike, duhet të kenë konsultantë fetarë, zyrtarë e profesionalë, për të siguruar që informacioni fetar të prezantohet në mënyrë të drejtë.
Mos njohja e fesë nga gazetarët që e trajtojnë fenë në media është shtrembërim i njohurive islame dhe ofendim i inteligjencës së audiences.
Nëse për trajtimin psh. të politikës, ekonomisë, shëndetësisë etj. aktivizohen gazetarë professional të këtyre lamive, pse temat fetare u besohen gazetarëve që aspak se njohin fenë.

Për fund. Mediat fetare islame duhet të veprojnë me shpejtësi dhe profesionalizëm, sipas rregullave dhe parimeve islame, sepse ato duhet të jenë mesazh hyjnorë para se të jenë profesion për përfitime materiale.

Ato duhet të përfaqësojnë devotshmëri, saktësi, frikën e Zotit në rast të shtrembërimit të informacionit, dhe të jenë të pajisura me parime dhe moral islam, duke evituar çdo dëm që mund ti sjellin dësjuesit apo shikuesit apo lexuesit.
Dhe sllogani i medias islame duhet të jetë: E vërteta dhe drejtësia.

Ragmi  Destani
13 prill 2024 
Prishtinë

185 Shikime