Çështja e përshëndetjes me dorë pas namazit

11.09.2023

Çështja e përshëndetjes me dorë pas namazit


Çështja e përshëndetjes me dorë pas namazit

www.kbi-bujanoc.com

Kritikët janë munduar të hedhin dyshime se përshëndetja me dorë është një risi e rrezikshme e cila është përhapur kryesisht në shekullin e fundit dhe si e tillë është plotësisht në kundërshtim me sunetin e të Dërguarit të Allahut (sic). Ndonëse mjafton një hulumtim dhe kupton se kjo çështje është përmendur edhe në shekujt e hershëm dhe për këtë veprim dijetarët nuk kanë parë ndonjë të keqe.


Hyrje

Edhe kjo temë sikurse paraprakja, nuk e ka rëndësinë e temave që kishin të bënin me aspekte brenda 
namazit. Megjithatë, ia vlen të trajtohet edhe kjo, sidomos pse disa kundërshtarë janë munduar të hedhin dyshime rreth praktikës së përshëndetjes me dorë pas namazit dhe rreth shprehjes “Allahu na pranoftë namazin!”, duke aluduar se kinse një gjë e tillë qenka e pabazë dhe risi e shëmtuar. Meqë përshëndetja me dorë dhe lutja për pranim janë nga fundi (ndonëse nuk janë pjesë përbërëse të namazit), atëherë këtu mbaron edhe tema e namazit e filluar pesë vjet më parë, që është shtjelluar hap pas hapi që nga tekbiri e deri tek kjo temë përmbyllëse.

Kritikët dhe përgjigjja ndaj tyre

Është bërë polemikë e panevojshme rreth përshëndetjes me dorë, e cila bëhet atëherë kur namazfalësit të përfundojnë me namazin e tyre dhe secili apo shumica e tyre e përshëndesin njëri-tjetrin me dorë, duke e lutur Zotin që namazi i tyre të pranohet.
Kur them polemikë e panevojshme, kam për qëllim dy gjëra që mendoj se janë të rëndësishme: 
E para: Përshëndetja bëhet pas namazit, që nënkupton se namazi ka përfunduar dhe se namazfalësve u lejohen veprime që nuk u ishin lejuar sa ishin në namaz. Pra, kemi të bëjmë me veprime që nuk kanë ndonjë impakt shfuqizues në brendësinë e namazit e as që ndikojnë në asnjë formë në uljen e shpërblimit për shkak të një përshëndetjeje të caktuar.
E dyta: Përshëndetja ka për qëllim afërsinë mes vete, unitetin, dashurinë dhe lutjet mes besimtarëve dhe se këto kërkohen nga secili besimtar në çdo vend e kohë.
Kritikët janë munduar të hedhin dyshime se përshëndetja me dorë është një risi e rrezikshme e cila është përhapur kryesisht në shekullin e fundit dhe si e tillë është plotësisht në kundërshtim me sunetin e të Dërguarit të Allahut (sic). Ndonëse mjafton një hulumtim dhe kupton se kjo çështje është përmendur edhe në shekujt e hershëm dhe për këtë veprim dijetarët nuk kanë parë ndonjë të keqe.

Tekstet dhe analiza e tyre

Realisht është vështirë të gjenden tekste që e legjitimojnë përshëndetjen me dorë pas namazit, ashtu sikurse është e pamundur të gjenden tekste që ndalojnë një gjë të tillë. Mirëpo ekzistojnë tekste të përgjithshme që sinjalizojnë për përshëndetjen me dorë, si një veprim shumë domethënës.
Në një hadith që gjendet në koleksionin e Buhariut përshkruhet një imtësi interesante kur i Dërguari i Allahut ishte në udhëtim me disa nga shokët e tij. Ishte në një vend ku mungonte uji dhe aty i Dërguari i Allahut kishte falur drekën e ikindinë. Sahabët të prirë nga dashuria e madhe që kishin ndaj tij, garonin se kush do të merrte duart e tij e t’i përshkonin fytyrat e tyre. Hadithi është kështu: Na ka treguar el-Hasen ibën Mensur Ebu Alij, na ka treguar Haxhaxh ibën Muhamed el-A’ver, na ka treguar Shubeh nga el-Hakemi, i cili thotë: “E kam dëgjuar Ebu Xhuhajfeh duke thënë: “I Dërguari i Allahut doli si udhëtar për në Bet’ha (vend jashtë Mekës që s’kishte ujë), mori abdes, më pas fali drekën dy rekate, fali edhe ikindinë dy rekate...njerëzit u ngritën dhe e merrnin dorën e tij dhe përshkonin me të fytyrat e tyre. Thotë ai (transmetuesi): “E mora dorën e tij dhe e vendosa në fytyrën time, ajo ishte më e ftohtë se bora dhe më e këndshme se era e miskut.”(1)
Hadithi sinjalizon se ky veprim është bërë pas përfundimit të namazit dhe se ky transmetim është autentik. E, sipas një transmetimi tjetër, ky veprim përshkruhet të jetë bërë gjatë abdesit, saqë ata garonin mes vete se kush po merrte abdes nga uji që rridhte prej abdesit të të Dërguarit të Allahut.
Ndërsa sa u përket haditheve të përgjithshme që specifikojnë përshëndetjen me dorë mes dy myslimanëve, gjatë takimit të tyre, janë të shumta, mund të veçojmë hadithin që përcillet nga Berra ibën Azibi ku saktësohet se përshëndetja me dorë mes dy myslimanëve ua fal edhe gjynahet: Na ka treguar Ebu Bekër ibën Ebi Shejbeh i cili ka thënë: “Na ka treguar Ebu Halid el-Ahmer dhe Abdullah ibën Numejri, nga el-Exhlehi, ky nga Ebu Ishaku, e ky nga el-Berra ibën Azib, i cili thotë: “Tha i Dërguari i Allahut: “Nuk takohen dy myslimanë e të përshëndeten me dorë, përveçse t’u falen atyre mëkatet, para se të ndahen.”(2)
Çështja e përshëndetjes me dorë pas namazit përfshihet brenda kornizave të sunetit në përshëndetjen e përgjithshme.(3) Kështu e trajton këtë çështje edhe Abduganij En-Nabulsi, i cili për çështjen e përshëndetjes për dore pas përfundimit të namazit, thotë: “Ajo përfshihet brenda kornizave të sunetit në përshëndetjen e përgjithshme.”
Kolosi shafit, Neveviu, përderisa flet për përshëndetjen me dorë në përgjithësi, e potencon se një gjë e tillë është sunet, në çdo vend dhe kohë. Ndërsa përshëndetjen me dorë vetëm gjatë namazit të sabahut dhe ikindisë, sipas asaj që po e praktikojnë njerëzit, nuk ka bazë.(4) Pra, sipas mendimit të Neveviut, praktika e përshëndetjes me dorë vetëm në kuadër të një namazi apo dy namazeve që janë të theksuara, është praktikë e refuzuar, përndryshe nëse ajo bëhet pas çdo namazi nuk ka të keqe. Madje, ai shpjegimit të përshkrimit të namazit që ia bën, në fund shprehet se përshëndetja me dorë dhe me fytyrë të buzëqeshur janë prej gjërave të lavdëruara (mustehabe).(5)
Përshëndetja me dorë dhe shprehja “Allahu e pranoftë namazin!”, nuk ka gjë të keqe dhe është praktikuar nga shoqëria islame që nga shekujt e hershëm në vende të caktuara. Nga suneti profetik është shtrëngimi i duarve gjatë takimit e shprehjet “Allahu na e pranoftë namazin!”, janë lutje, kërkesa dhe synim i besimtarit. Andaj, veprime e fjalë të tilla nuk kanë asgjë të keqe dhe se dijetarët kur i kanë trajtuar këto gjëra i kanë parë dhe trajtuar brenda suazave të së lejuarës, e disa edhe në suaza të së preferuarës. Madje shpeshherë edhe ata që janë të njohur për qëndrime më të ashpra e radikale, kanë lejuar gjëra të tilla. Sa për ilustrim, kur është pyetur Ibën Bazi në lidhje me përshëndetjen me dorë pas namazit dhe shprehjes “Allahu na pranoftë namazin!”, ka dhënë një përgjigje, ku mes zë tjerash pati thënë: “Nuk ka asgjë të keqe t’i thuash vëllait “Allahu e pranoftë namazin prej nesh!”, qoftë pas namazit, në dalje nga xhamia, në ndonjë tubim, në ceremoni të varrimit, në përcjellje të xhenazes, pas namazit të xhumasë, ose edhe në vende të tjera, dhe se kjo është një mirësi dhe nuk ka asgjë të keqe (në praktikimin e saj). Myslimani lutet për vëllanë e tij për pranim namazi dhe falje... i Dërguari i Allahut legjitimoi për ummetin e tij që kur të takohen mes vete, të përshëndeten me dorë, sahabët kur e takonin të Dërguarin e Allahut a.s., e përshëndetnin me dorë, sikurse që kur takoheshin mes vete. Përshëndetja me dorë është sunet, e atëherë kur ta takosh vëllanë tënd në safin tënd para namazit, përshëndete me dorë, edhe pas namazit përshëndete me dorë, kjo është e mirë dhe nuk ka asgjë të keqe...”(6)

Fund

Mendoj se çështja e përshëndetjes me dorë pas namazit dhe sintagmës “Allahu kabul-Allahu na e pranoftë namazin!”, nuk paraqet ndonjë pengesë sheriatike dhe nuk ka ndonjë tekst që e ndalon. Madje, dijetarët e mirëfilltë e kanë lejuar këtë, sepse përshëndetja me dorë bëhet pas namazit dhe nuk ka fuqi juridike për të ndikuar në shfuqizimin apo cenimin e vlerës së namazit, ndërsa si e tillë më tepër përkon me lutjen, afërsinë, respektin dhe vëllazërimin mes besimtarëve. E, këto elemente kërkohen në çdo rast e rrethanë nga besimtari! Andaj, si rrjedhojë e kësaj, të mos gjykojmë nga rasti e të ndalojmë gjëra të tilla, sikurse të mos këmbëngulim se ajo duhet bërë patjetër. Përderisa themi se është e lejuar, mbetet e tillë, kushdo e praktikon pa kurrfarë pengese sheriatike, e kushdo ngrihet pa e praktikuar dhe as kjo nuk ka të keqe. E keqja është atëherë kur tentohet të ndalet një praktikë e tillë me çdo kusht.
E, ne me këtë çështje përmbyllim serinë e namazit që e kemi filluar shumë kohë më parë, nga tekbiri e deri tek amini, hap pas hapi.
Mendoj se është shtjelluar një tematikë e rëndësishme, me të cilën përballemi çdo ditë, e tematika e tillë ka ardhur si pasojë e një sërë akuzave dhe dyshimeve të hedhura gjatë këtyre dy dekadave të fundit rreth mënyrës së faljes sonë. E, nga ajo që kam shtjelluar përgjatë gjithë kësaj kohe, mund të konkludoj se: (1) Është trajtuar tematika e namazit konform medhhebit hanefij, duke u kthyer te secila çështje në librat bazë e të njohur brenda shkollës hanefite. (2) Trajtimi i kësaj tematike është bërë gjatë periudhës pesëvjeçare, duke filluar nga viti 2014, për të përfunduar në këtë numër. Kjo tematikë për t’u kuptuar drejt, duhet lexuar në vijimësi ashtu siç është publikuar në revistën “Dituria islame”. (3) Është argumentuar secili veprim i namazit me argumente autentike dhe çdo veprim konform shkollës hanefite është i mirëargumentuar dhe gjen mbështetje të fuqishme në tekst. Mjafton të përmendim se janë plot 260 faqe (A4) të shtjelluara dhe mbi 1000 fusnota vetëm në këtë tematikë, gjë e cila flet më së miri për trajtimin e saj në mënyrë shkencore. Po ashtu gjatë shqyrtimit të këtij punimi, nuk kanë munguar as analizat e mirëfillta, sikurse edhe krahasimet me shkollat e tjera për çështje të caktuara, ashtu siç e kam parë të arsyeshme. (4) Kjo praktikë e faljes së namazit, e cila është shtjelluar këtu, është plotësisht konform sunetit të të Dërguarit të Allahut dhe se kjo praktikë përcillet nga sahabët e hershëm dhe mjaft të njohur si Abdullah ibën Mesudi, Aliu dhe të tjerët, të cilët tregojnë për formën autentike të të falurit, hap pas hapi. (5) Shkolla juridike merr më tepër për bazë transmetimet e personave që kanë arritur gradën e ixhtihadit dhe bazohet në transmetimet e tyre më tepër sesa në transmetime e tjera që përcillen nga sahabë të shumtë të cilët nuk e arrijnë gradën e ixhtihadit.
Për fund, nuk mund ta përmbyll pa një falënderim të veçantë ndaj Kryesisë së Bashkësisë Islame, për mundësinë e dhënë për ta trajtuar këtë tematikë, dhe ndaj dy kryeredaktorëve të revistës “Dituria islame” gjatë këtyre pesë viteve të fundit, për çka u jam shumë mirënjohës dhe falënderues. Gjithashtu dua t’i falënderoj gjithë ata që më ndihmuan me literaturë, ide e propozime që këto tema të marrin shtjellimin në këtë formë siç e kam bërë. E, për mangësitë, gabimet e lëshimet, kërkoj falje, kurse vërejtjet dhe sugjerimet, i pres me kënaqësi.


1. Buhariu në Sahih, v.IV, f.188, nr.3553. 
2. Ibën Maxheh në Sunen, v.IV, f.654, nr. 3703; Ebu Davudi në Sunen, nr.5212; Ahmedi në Musned, nr.18547. Hadithi është sahih ligajrihi. Hadithi e ka një dobësi në sened për shkak të transmetuesit el-Exhleh (ibën Abdullah el-Kendij), i cili konsiderohet i dobët, kurse metni është në rregull dhe përputhet me porositë kuranore dhe profetike. 
3. Nabulsi, AbdulGanij, el-Had- ikatu-n Nedijeh Sherh et-Tarikatu-l Muhamedijeh, v.II, f.150. 
4. En-Nevevi, el-Mexhmu’ Sher- hu-l Muhedhdheb, v.IV, f.633.  
5. En-Nevevi, el-Mexhmu’ Sherhu-l Muhedhdheb, v.IV, f.634-635. 
6. Fetvaja e Ibën Bazit me numër 8822, Hukmu-l musafeha ba’des Salati ve kavlu “tekabbelAllahu minna ve minkum.


 

257 Shikime