Porosia e Hoxhë Hasan Tahsinit

31.01.2022

Porosia e Hoxhë Hasan Tahsinit


Porosia e Hoxhë Hasan Tahsinit

www.kbi-bujanoc.com

Hasan Tahsini (1811-1881)

Hasan Tahsini (Hasan Osman Rushiti) lindi në fshatin Ninat të Konispolit, më 7 prill të vitit 1811 (ndonëse ka edhe versione të tjera për lindjen një ose dy vjet më vonë). Shkollën e mesme e mbaroi në medresenë e Shkodrës, ndërsa të lartën në Stamboll. Në sajë të punës së gjithanshme, ai është ndër personalitetet më të rëndësishme shkencore e kulturore që ka nxjerrë bota shqiptare në shekullin XIX. Ai i bëri një shërbim të çmuar Atdheut, zgjimit dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, mësimit të gjuhës shqipe, si dhe përhapjes së diturisë në masat e popullit. Sami Frashëri thotë: “Hasan Tahsini ishte nga njerëzit më të mëdhenj që shumë rrallë e me vështirësi i lindin shekujt dhe epokat”. U bë rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Hasan Tahsini jo vetëm që nuk e harroi asnjëherë se ishte shqiptar, por meqë ishte ndër shqiptarët më i formuari, më i dituri, më i ngrituri, gjithnjë printe në çështjen shqiptare kombëtare. Ishte ndër të parët që hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Ishte ndër të parët nga nismëtarët për themelimin e Shoqërisë Kulturore Shqiptare të Stambollit. Dhe ishte nga të parët në themelimin e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Hasan Tahsini, përveçse ishte atdhetar, ishte edhe dijetar, mendimtar, përkthyes, poet, shkrimtar, letrar. Ishte një iluminist enciklopedist…! Sipas burimeve turke, Hasan Tahsini ishte njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, jo vetëm në shkencat natyrore, por edhe në ato letrare, filologjike, filozofike, teologjike. Hoxhë Hasan Tahsini ka shkruar, botuar më shumë se 20 libra shkencorë për astronomi, psikologji, pedagogji. Studimet e tij fillimisht i botoi në revistën shkencore “Mexhmual-Ulum”, që ishte vetë themelues.

Duke vlerësuar veprimtarinë e tij krijuese dhe patriotike shteti shqiptar i ka dhënë titullin “Mësues i Popullit”(1961) dhe Urdhrat “Për veprimtari patriotike” të kl. II (1962), dhe “Naim Frashëri”, kl. I (1995). Së fundi u botua monografia “Profesor Hasan Tahsini”, në tri vëllime (Tiranë, 2009) e autorit Laurant Biçaj, që është botimi më i gjerë që është bërë deri tani për Hasan Tahsinin.[1]

 H. Hasan Tahsini në Kolanën “Zani i Naltë”

a. E  Drejta

Njeriu ka shumë detyra kundrejt Zotit, kundrejt vetes dhe kundrejt mbarë njerëzisë që është i ngarkuar t’i kryejë. Besnikërinë, drejtësinë, bujarinë dhe të gjitha veprat e mira, një person sado që i kryen për të mirën e tij janë edhe për të mirën e të tjerëve. Dhe anasjelltas, gënjeshtra, tradhtia e shumë vese të tjera të këqija, siç janë dëm për veten e tij janë dëm edhe për të tjerët. Për të qenë i drejtë në çdo gjë është një punë e vështirë, siç ka urdhëruar edhe Allahu në Kur’an: “Drejtohu (vepro) siç je urdhëruar!” (Hud, 112). Gjithashtu edhe Profeti Muhamed (s.a.s) në një hadith na është drejtuar duke na këshilluar: “Thuaj besova Zotin pastaj drejtohu” domethënë kap drejtimin, bëhu i drejtë përherë në çdo gjë e në çdo pikëpamje. Ky hadith i dalë nga goja e shenjtë e Dritësisë së madhe, na tregon se çfarë është Islami, se si arrihet lumturia e të dyja botëve dhe që Islami nuk është gjë tjetër veçse të besosh Zotin, të jesh i drejtë në mendime, në fjalë dhe në punë. E drejta për njeriun është si një kurorë e ndritshme në kokën e tij, një dekret lumturie dhe shkalla më e fundit e lartësimit të tij. I drejti nuk vepron për të fituar simpati dhe nuk interesohet për t’u lartësuar nga njerëzit, por vepron për të mbajtur dhe për të ruajtur besën që ka kundrejt të madhit Zot.[2]

Hoxhë Hasan Tahsini i jep shumë rëndësi të drejtës. Ai thekson se, nëse gjendet drejtësi te një popull patjetër që edhe e ardhmja e atij populli do të ketë lumturi. Njeriu me të drejtë duhet të punojë për familjen, shoqërinë dhe popullin. Hoxhë Tahsini na tregon se ka shumë padrejtësi që u bëhet popujve. Një e padrejtë që i bën njeriu një apo dy personave është pesëfish më e lehtë se ajo që i bëhet popullit. Me një numër të madh hadithesh na ka urdhëruar e na ka këshilluar dielli i gjithësisë, Hazreti Muhamed a.s.: “Dëshiro për të tjerët atë çfarë dëshiron për vete”, “Mos i bëj kujt atë gjë që nuk dëshiron të ta bëjë kush ty”. Pas këtyre haditheve gjithkush mund ta dijë të mirën dhe të keqen.

 Shkurtimisht, H. Hasan Tahsini thekson se ai që dëshiron të jetojë me nder për t’u lartësuar, për të siguruar të ardhmen dhe për të pasur si qëllim lumturinë, domethënë për t’u quajtur “njeri” me kuptimin e plotë të fjalës, duhet të cilësohet me drejtësi, bamirësi, burrëri, trimëri, mëshirë, durim, thjeshtësi e të tjera, gjithashtu duke larguar edhe veset e këqija si: smira, shpifja, tradhtia, gënjeshtra, e shumë të tjera.

 

566 Shikime