Zhvillohet simpoziumi “Mesazhi Universal i Muhamedit a.s.”

23.12.2015

Zhvillohet simpoziumi “Mesazhi Universal i Muhamedit a.s.”


Zhvillohet simpoziumi “Mesazhi Universal i Muhamedit a.s.”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin Bedër, organizuan simpoziumin me temë: “Mesazhi Universal i Muhamedit a.s.”.

Programi u hap me lexim Kur’ani, nga drejtori i Medresesë së Tiranës z. Omer Çallësh.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Skender Bruçaj, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se fjalët gjunjëzohen kur bëhet fjalë për profetin Muhamed a.s. dhe se ne mësuam nga ai se si duhet të jetë një mysliman i mirë.

“Fjalët gjunjëzohen kur flasim për Profetin e fundit Hz. Muhamed a.s., por nuk ka më bukur kur i referohemi Kur’anit famëlartë, ku krijuesi i gjithësisë thotë për të së ai ka ardhur si mëshirë për botërat. Në mësuam nga ai se si duhet të jetë një mysliman i mirë. Mësuam se një mysliman i mirë është ai që kujdeset për familjen e tij, për të vobektët për jetimët dhe është shembull për njerëzit dhe mbi të gjitha është i vetëdijshëm për raportin që duhet të ketë me Krijuesin e Gjithësisë”, tha kryetari z. Bruçaj.

Ndërsa rektori i universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana u shpreh se kur sheh situatën në botë e kupton sa i rëndësishëm dhe i nevojshëm është mesazhi i Profetit Muhamed.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë iu bie një peshë shumë e madhe për të treguar në mënyrën më ideale, më të mirë bukuritë e besimit islam që Allahu nëpërmjet të dërguarit të tij na i bëri të ditura”, tha z. Gjana.

Edhe kryegjyshi i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj vlerësoi figurën e lartë të Profetit Muhamed a.s.

Pas fjalëve përshëndetëse simpoziumi i moderuar nga profesori Veton Tulla, ka vijuar me trajtimin e temave.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Ali Zaimi, teksa referoi mbi kulturën e bashkëjetesës së Profetit me të tjerët, tha se, Profeti Muhamed a.s. erdhi me një mesazh gjithëpërfshirës dhe se çdo kush do të përfitonte nga normat universale që ai solli.

“Fryma e dialogut që Profetin e karakterizonte, së pari duhet parë si besnikëri ndaj Allahut, ndaj Kur’anit dhe ndaj misionit të tij. Ai ndoqi përherë rrugën e pajtimit, të komunikimit, të marrëveshjes. Drejtësinë dhe paqen botërore feja që Profeti Muhamed a.s kumtoi e shikon si themelore”, theksoi z. Zaimi.

Nënkryetari Zaimi u shpreh gjithashtu se në procesin e dialogut me besimet e tjera Profeti a.s dhe ndjekësit e tij kanë ndjekur rrugën e fokusimit në çështjet që i bashkojnë.

“Muhamedi a.s. shembull për t’u ndjekur”, ishte tema e mbajtur nga Myftiu i Zonës Shkodër H. Muhamed Sytari.

“Profeti Muhamed a.s. ishte një njeri me shkëlqim të dukshëm me fytyrë të ndritshme, me mroal të lartë; kur heshte kishte prezencë, e kur fliste, fliste bukur, embël e qartë. Ai lartësoi gjendjen shpirtërore të një populli dhe të gjithë njerëzimit.”, tha z. Sytari.

Tema të tjera të trajtuara në simpozium ishin:

“Muhamedi a.s. simbol i dhembshurisë dhe mëshirës” nga Drejtori i Thirrjes dhe Mesazhit Islam në KMSH z. Elvis Naçi;

“Profeti Muhamed ka qenë i pritur ndër shekuj ndër kohëra dhe ai është shembulli më i përkryer , i jashtëzakonshëm, është ai që duhet të ndjekim. Ai karakterizohen nga butësia, dhembsuria dhe mëshira, virtyte për të cilat të gjithë kemi nevojë”, tha z. Naçi.

“Porositë e Profetit Muhamed a.s. për kërkimin e dijes”, nga z. Sabaudin Jashari;

“Këshillat dhe udhëzimet e Profetit Muhamed për dijen burojnë nga pozita që Allahu i ka dhënë dijes në Kuranin fisnik. Profeti ynë e nxit njeriun për të vënë të gjithë kapacitetet e tij në funksion të kërkimit dhe përvetësimit të dijes”, tha z. Jashari

Programi u zhvillua në ambientet e Universitetit Bedër, ku morën pjesë studiues, profesorë, akademikë, intelektualë, myftinj dhe besimtarë të shumtë. /Dritaislame/

/KBI-Bujanoc.com/

2911 Shikime