Vendosja e duarve nën kërthizë

13.12.2015

Vendosja e duarve nën kërthizë


Vendosja e duarve nën kërthizë

Mr. Ejup Haziri

Jam zgjeruar shumë rreth ngritjes së duarve për shkak se kjo shpeshherë është keqkuptuar dhe është keq-interpretuar, ndaj edhe jam ndalur gjatë e gjerë në shtjellimin e saj. Tematika në vazhdim ka të bëjë me atë, se pas ngritjes së duarve ku të vendosën ato, a të vendosën nën kërthizë apo mbi kërthizë? Edhe kjo çështje ka ndarë dijetarët në mendime të ndryshme, ndonëse vendosja apo lidhja e duarve nuk duhet të shihet si problematike. Mirëpo, praktika dhe realiteti në terren ka dëshmuar për një konfrontim verbal dhe për një plasaritje opinionesh rreth ngritjes së duarve dhe se ku duhet vënë ato, së paku në këto dy dekadat e fundit.

Hadithet që flasin për vendosjen e duarve

Zakonisht hadithet nga i Dërguari i Allahut për këtë temë janë të përgjithshme që sinjalizojnë për vënien e dorës së djathtë mbi të majtën, por që nuk merren me atë se ku duhet të lidhen duart, mbi apo nën kërthizë. Madje, kjo ka shtyrë disa dijetarë të deklarojnë se nuk ka asnjë hadith autentik që tregon se ku duhet të vëhen duart gjatë qëndrimit në këmbë (kijam); nën kërthiz apo mbi kërthizë.[1]
Synet është që duart të lidhen në namaz[2] dhe dora e djathtë duhet të jetë mbi të majtën, duke u bazuar në disa hadithe që përcillen nga shokët e të Dërguarit të Allahut, prej tyre veçojmë hadithin e transmetuar nga Ibën Abbasi:

حَدَّثَنَا أَحْمَدُ بْنُ طَاهِرِ بْنِ حَرْمَلَةَ بْنِ يَحْيَى، ثنا جَدِّي حَرْمَلَةُ بْنُ يَحْيَى، ثنا ابْنُ وَهْبٍ، أَخْبَرَنِي عَمْرُو بْنُ الْحَارِثِ، قَالَ: سَمِعْتُ عَطَاءَ بْنَ أَبِي رَبَاحٍ، قَالَ: سَمِعْتُ ابْنَ عَبَّاسٍ، يَقُولُ: سَمِعْتُ نَبِيَّ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَقُولُ: «إِنَّا مَعْشَرَ الْأَنْبِيَاءِ أُمِرْنَا بِتَعْجِيلِ فِطْرِنا، وَتَأْخِيرِ سُحُورِنا، وَوَضَعِ أيمَانِنَا عَلَى شمائِلِنا فِي الصَّلَاةِ»
“Na ka treguar Ahmed ibën Tahir ibën Harmeleh ibën Jahja, na ka treguar gjyshi im Harmeleh ibën Jahja, ky nga ibën Vehbi, e ky nga Amër ibën el-Harithi, i cili thotë: “E kam dëgjuar Ata ibën ebi Rebah-un duke thënë: “E kam dëgjuar ibën Abasin i cili tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin e Allahut duke thënë: “Ne, pejgamberët, jemi urdhëruar të shpejtojmë iftarin (të hamë posa të hyn iftari), ta vonojmë syfyrin (të hamë deri në fund të kohës së tij) dhe t’i vendosim duart e djathta mbi të majta gjatë namazit.”[3]
Transmetimi i radhës është ai i Vail ibën Huxhrit, i cili është në koleksionin e Muslimit si dhe në koleksionet e tjera, e teksti i mëposhtëm është i Muslimit:
حَدَّثَنَا زُهَيْرُ بْنُ حَرْبٍ حَدَّثَنَا عَفَّانُ حَدَّثَنَا هَمَّامٌ حَدَّثَنَا مُحَمَّدُ بْنُ جُحَادَةَ حَدَّثَنِي عَبْدُ الْجَبَّارِ بْنُ وَائِلٍ عَنْ عَلْقَمَةَ بْنِ وَائِلٍ وَمَوْلًى لَهُمْ أَنَّهُمَا حَدَّثَاهُ عَنْ أَبِيهِ وَائِلِ بْنِ حُجْرٍ أَنَّهُ رَأَى النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ رَفَعَ يَدَيْهِ حِينَ دَخَلَ فِي الصَّلَاةِ كَبَّرَ وَصَفَ هَمَّامٌ حِيَالَ أُذُنَيْهِ ثُمَّ الْتَحَفَ بِثَوْبِهِ ثُمَّ وَضَعَ يَدَهُ الْيُمْنَى عَلَى الْيُسْرَى... 
“Na ka treguar Zuhejr ibën Harb, na ka treguar Affani, na ka treguar Hemmami, na ka treguar Muhamed ibën Xhuhadeh, më ka treguar AbdulXhebbar ibën Vail, e ky nga Alkame ibën Vail e ky nga babai i tij Vail ibën Huxhri, i cili e kishte parë të Dërguarin e Allahut i cili kishte ngritur duart kur hyri në namaz dhe shqiptoi tekbirin, e Hemmami (njëri nga transmetuesit) e kishte përshkruar (ngritjen e duarve) në drejtim të veshëve, më pas pështolli rrobën e tij dhe vendosi dorën e djathtë mbi të majtën...”[4]
Ky hadith, i cili gjendet në koleksionin e Muslimit (dhe në koleksionet tjera) është autentik-sahih, si nga ana e transmetimit (senedit) ashtu edhe nga ana e tekstit (metnit), dhe se për këtë kanë dëshmuar edhe dijetarët me vlerësimet e tyre. Hadithi në fjalë përcillet kryesisht përmes dy rrugëve transmetimi, ku që të dyja rrugët e transmetimit janë autentike. Këtë e potencon edhe Albani, i cili hadithin në fjalë e vlerëson se është në gradën më të lartë të autencitetit (sahih).[5]
Transmetimi tjetër është nga ibën Mes’udi në koleksionin e Ebu Davudit dhe të tjerëve:
حَدَّثَنَا مُحَمَّدُ بْنُ بَكَّارِ بْنِ الرَّيَّانِ، عَنْ هُشَيْمِ بْنِ بَشِيرٍ، عَنِ الْحَجَّاجِ بْنِ أَبِي زَيْنَبَ، عَنْ أَبِي عُثْمَانَ النَّهْدِيِّ، عَنِ ابْنِ مَسْعُودٍ، أَنَّهُ كَانَ يُصَلِّي فَوَضَعَ يَدَهُ الْيُسْرَى عَلَى الْيُمْنَى، فَرَآهُ النَّبِيُّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ «فَوَضَعَ يَدَهُ الْيُمْنَى عَلَى الْيُسْرَى»
“Na ka treguar Muhamed ibën Bekkar ibën err-Rrejjan nga Hushejm ibën Beshir, ky nga Haxhxhaxh ibën ebi Zejneb, ky nga Uthman en-Nehdij, e ky nga Ibën Mesudi, i cili një herë po falej dhe dorën e majtë e kishte vendosur mbi të djathtën, e kur e pa këtë i Dërguari i Allahut, ia vendosi dorën e djathtë mbi të majtën.”[6]
Shumica e haditheve janë të kësaj natyre, që konfirmojnë vendosjen e dorës së djathtë mbi të majtën, pa precizuar se ku duhet të vendosen ato. Pastaj është praktika e gjeneratave të hershme që kryesisht është përcjellur brez pas brezi, ku gjithnjë kanë dominuar tre mendime rreth vendosjen së duarve në namaz; nën kërthizë, saktësisht mbi pozicionin e kërthizës dhe mbi kërthizë (por jo në gjoks). 
Tirmidhiu pasi që përmend transmetimet e sahabëve që flasin për vendosjen e dorës së djathtë mbi të majtën, thotë: “(Vendosja e duarve) ka qenë praktikë tek dijetarët që nga sahabët e tabiinët dhe ata që erdhën pas tyre, e ata e shihnin të arsyeshme vendosjen e dorës së djathtë mbi të majtën në namaz. E disa kanë menduar se duhet vendosur duart mbi kërthizë, përderisa të tjerët kanë menduar se duhet vendosur nën kërthizë, andaj kjo çështje ishte toleruese (jo e kufizuar) tek ata.”[7]

Qëndrimi i shkollës hanefite ndaj vendosjes së duarve nën kërthizë

Dihet botërisht qëndrimi i shkollës hanefite për vënien e duarve pas tekbirit fillestar, e që është pozita menjëherë nën kërthizë. Meshkujt bëjnë vënien e duarve nën kërthizë, ndërsa femrat mbi kërthizë, sepse femrat dallojnë në dhjetë pika në namaz prej meshkujve, e njëra prej tyre është edhe vënia e duarve.[8] Pra, femrat bëjnë vënien e duarve mbi kërthizë apo mbi gjoks,[9] sepse kjo është më e mirë për to dhe më e mbrojtur. Vënia e duarve mbi gjoks tek femrat gjatë qëndrimit në këmbë është veprim më i qëlluar. Vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën, nën kërthizë, sipas hanefitëve është sunet, mirëpo autori i “Hedijeh ibnu-l Imad liubbadi-l ‘ibad” mendon se vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën është sunet, ndërsa vënia e tyre poshtë kërthizës është mustehab (veprim i pëlqyer).[10]
Shejbani në librin e tij “el-Athar” përcjell transmetimin se Ibrahim Nehaiu vendoste dorën e djathtë mbi të majtën, nën kërthizë. Ai thotë se këtë mendim ne e pasojmë dhe ky është njëherit opinioni i Ebu Hanifes.[11]
Samerkandiu në veprën e tij “Tuhfetu-l Fukaha” në lidhje me lidhjen e duarve thotë: “Atëherë kur namazfalësi përfundon me ngritjen e duarve në tekbirin fillestar, e vë dorën e djathtë mbi të majtën nën kërthizë.”[12]
Kryesisht për vënien e duarve poshtë kërthizës janë transmetimet e Aliut, Ebu Hurejres dhe Ebu Mixhlez-it.[13]
حدثنا محمد بن محبوب، حدثنا حفصُ بن غِياث، عن عبد الرحمن ابن إسحاق، عن زياد بن زيد، عن أبي جُحَيفة أنَ عليّاَ رضى الله عنه قال: السنة وضعُ الكف على الكف في الصلاةِ تحتَ السُرة
Na ka treguar Muhamed ibën Mahbub, nga Hafs ibën Gijath, ky nga Abdurrahman ibën Is’hak, nga Zijad ibën Zejd, e ky nga Ebu Xhufajfeh se Aliu ka thënë: “Nga suneti në namaz është vendosja e shuplakës (së dorës së djathtë) mbi shuplakë (të dorës së majtë) nën kërthizë.”[14]
Hafidh Zejleiu sjell mendimin e Ibën AbdulBerr-it për termin sunet të përdorur sikur në këtë rast nga Aliu, dhe thotë: “Dije se kur sahabiu thotë emrin “sunet”, atëherë për qëllim me të ka vetëm sunetin e Pejgamberit a.s.”[15]
Ky hadith është në Sunenin e Ebu Davudit dhe në shumicën e dorëshkrimeve të Sunenit të Ebu Davudit nuk gjindet, por gjindet në dorëshkrimin e përcjellur nga ibën Daseh dhe në transmetimin e përcjellur nga Seid ibën el-A’rabij.[16] Kanë folur ulemaja për këtë hadith dhe një pjesë e tyre e kanë konsideruar të dobët, për shkak se në mesin e transmetuesve është Abdurrahman ibën Is’hak el-Vasitij.
Transmetimi i Ebu Hurejres është në koleksionin e Ebu Davudit, por edhe në koleksione tjera:
حَدَّثَنَا مُسَدَّدٌ، حَدَّثَنَا عَبْدُ الْوَاحِدِ بْنُ زِيَادٍ، عَنْ عَبْدِ الرَّحْمَنِ بْنِ إِسْحَاقَ الْكُوفِيِّ، عَنْ سَيَّارٍ أَبِي الْحَكَمِ، عَنْ أَبِي وَائِلٍ، قَالَ: قَالَ أَبُو هُرَيْرَةَ: «أَخْذُ الْأَكُفِّ عَلَى الْأَكُفِّ فِي الصَّلَاةِ تَحْتَ السُّرَّةِ»، 
Na ka treguar Museddedi, na ka treguar AbdulVahid ibën Zijadi, nga Abdurrahman ibën Is’hak el-kufij, nga Sejjar ebu-l Hakem, e ky nga ebu Vaili i cili thotë: “Ka thënë Ebu Hurejre: “Kapja e shuplakës me shuplakë në namaz të vendoset poshtë kërthizës.”[17]
Transmetimi i Ebu Mixhlezit është në Musannefin e ibën ebi Shejbes:
حَدَّثَنَا يَزِيدُ بْنُ هَارُونَ قَالَ: أَخْبَرَنَا حَجَّاجُ بْنُ حَسَّانَ قَالَ: سَمِعْتُ أَبَا مِجْلَزٍ، أَوْ سَأَلْتُهُ قَالَ: قُلْتُ: كَيْفَ يَصْنَعُ؟ قَالَ: «يَضَعُ بَاطِنَ كَفِّ يَمِينِهِ عَلَى ظَاهِرِ كَفِّ شِمَالِهِ وَيَجْعَلُهَا أَسْفَلَ مِنَ السُّرَّةِ»
“Na ka treguar Jezid ibën Harun dhe ka thënë: “Na ka informuar Haxhxhaxh ibën Hassan dhe ka thënë: “E kam dëgjuar Ebu Mixhlez-in apo e kam pyetur: “Si të veprohet?” Ai tha: “E vendos pjesën e brendshme të shuplakës së dorës së djathtë mbi shpinën e shuplakës së dorës së majtë dhe i vendos duart poshtë kërthizës.”[18]

Kush mendon se duart vendosën nën kërthizë nga shkollat juridike?

Janë një numër i madh i dijetarëve të njohur, prej të gjitha shkollave juridike që mendojnë se duart duhet të lidhen nën kërthizë. Nuk janë vetëm hanefitët që kanë këtë mendim. Kolosi i madh në Hadith, Sufjan Thevriu është i këtij mendimi. Po ashtu edhe Ahmed ibën Hanbeli sipas mendimit më të popullarizuar të tij, mendon se duart duhet të vendosën nën kërthizë. Këtë mendim të këtij imami e përforcon edhe më tutje transmetimi i ibën Hubejre-s dhe përzgjedhja e Hirekij-it, që të dy nga dijetarët e mëdhenj të shkollës hanbelite. Po ashtu Ibën Kudameh në “el-Mugni” e sjell mendim të përgjedhur në shkollën hanbelite vendosjen e duarve nën kërthizë.[19] Edhe ibën Tejmije është i mendimit se vendosja e duarve nën kërthizë është mendim i preferuar i Ahmed ibën Hanbelit dhe se ishte argumentuar me transmetimin e Abdullah ibën Mes’udit.[20] Edhe Ibën Kajjimit i adresohet një mendim i tillë se ai parashihte vendosjen e duarve poshtë kërthizës, ndonëse decidivisht ishte shprehur se në çështjen ku vendosen duart nuk ka ndonjë hadith autentik. Në disa botime qëndron mendimi i tij se duart vendosen poshtë kërthizës, duke u bazuar në transmetimin e Aliut, e në disa tjera është fshirë ai mendim, me pretekstin se nuk ishte fjalë e tij.[21]
Ebu Ishak el-Mervezij, jurist i njohur nga shkolla juridike shafite është po ashtu i mendimit të njëjtë me dijetarët e mëhershëm, prandaj ai thotë: “Duart duhet të vendosen poshtë kërthizës.”[22]

Nuk pëlqehet vendosja e duarve mbi gjoks

Vendosja e duarve në gjoks sipas hanefitëve është mendim i gabuar, sepse ngjason me veprimin e femrave në namaz, ngase vetëm femrat i vendosin duart mbi gjoks, e jo meshkujt.[23]
Ahmed ibën Hanbeli për vendosjen e duarve në gjoks kishte thënë: “Urrehet veprimi i vendosjes së duarve në gjoks.”[24] Edhe pasuesit e tij me shumicë mendojnë se nuk pëlqehet vendosja e duarve në gjoks.[25] E, këtë mendim siç duket e përfaqëson edhe ibën Tejmije, i cili thotë: “Sa i përket vendosjes së duarve në gjoks, një gjë e tillë është e papëlqyer (يكره).[26] Fukahatë nuk pëlqenin vendosjen e duarve në gjoks, prandaj asnjëri nga shkollat juridike nuk kishte thënë që duart duhet të vendosën në gjoks. Shafiu kishte thënë se duart vendosen mbi kërthizë, nën gjoks. Madje katër shkollat e njohura juridike nuk mendojnë se duart duhet të ngriten në gjoks, e tërë polemika e tyre zhvillohet në pjesën prej poshtë kërthizës deri mbi kërthizë, por jo mbi gjoks.
Albani[27] është i mendimit se duart vendosën në gjoks duke marr për bazë hadithin në Sahihun e Ibën Huzejmes,[28] për të cilin do të flasim më gjerësisht, dhe duke u bazuar në veprimin e Is’hak ibën Rahevejh, që përcillet nga Merveziu.[29] Mirëpo, e vërteta është se Is’hak ibën Rahevejh ka tjetër mendim. Ai mendon se duart vendosën poshtë kërthizës, ky mendim, sipas tij, është më i fuqishëm duke u bazuar në hadith dhe është më afër me përulësinë dhe thjeshtësinë e robit në namaz karshi Zotit.[30] Kështu mendon edhe ibën Mundhiri që përcjell fjalët e Is’hak ibën Rahevejh-ut.[31] Po ashtu edhe njëri nga autorët më të njohur të shkollës hanbelite, Ibën Kudameh në librin e tij të njohur “el-Mugni”, përmend dijetarët që mendojnë se duart vendosën poshtë kërthizës, e në mesin e tyre e përmend edhe Is’hak-un.[32] Edhe Zejleiu thotë se është e njohur se Ishak ibën Rahevejh mendonte se duart vendosen nën kërthizë.[33]
Ata që mendojnë se duart vendosën në gjoks, bazohen në këtë hadith që është në koleksionin e Ibën Huzejmes:
أَخْبَرَنَا أَبُو طَاهِرٍ، نَا أَبُو بَكْرٍ، نَا أَبُو مُوسَى، نَا مُؤَمَّلٌ، نَا سُفْيَانُ، عَنْ عَاصِمِ بْنِ كُلَيْبٍ، عَنْ أَبِيهِ، عَنْ وَائِلِ بْنِ حُجْرٍ قَالَ: "صَلَّيْتُ مَعَ رَسُولِ اللَّهِ - صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ -، وَوَضَعَ يَدَهُ الْيُمْنَى عَلَى يَدِهِ الْيُسْرَى عَلَى صَدْرِهِ.
“Na ka treguar Ebu Tahir nga Ebu Bekër, ky nga Ebu Musa, ky nga Muemmel ibën Ismail, nga Asim ibën Kulejb, ky nga babai i tij e ky nga Vail ibën Huxhri i cili thotë: “Jam falur me të Dërguarin e Allahut, ai vendosi dorën e tij të djathtë mbi të majtën në gjoks.”[34]
Problematika në këtë hadith është në shprehjen e fundit “në gjoks”, sepse siç kanë thënë dijetarët më eminentë, kjo shprehje është e shtuar dhe nuk i atribuohet transmetuesit të hadithit (Vail-it). Ibën Kajjim el-Xhevzij për këtë hadith thotë: “Askush nuk ka thënë “në gjoks” përveç Muemmel ibën Ismail-it.”[35] Pra, kjo formë nuk ishte e njohur tek dijetarët, shtesa “në gjoks” nuk është e thënë nga transmetuesi Vail ibën Huxhri. Ibën Kajjimi më pas sjellë transmetimet tjera nga Vaili, ku në asnjërin prej tyre nuk përmendet shprehja në gjoks, por vetëm se dora e djathtë ishte mbi të majtën, dhe kjo është e vërteta në këtë kontekst.
Autori i librit të njohur “Atharu-s Sunen”, thotë: “Shtesa: “në gjoks” nuk ishte e njohur e as e memorizuar nga hadithologët.”[36] Nuk ka dyshim se kjo shtesë është nga Muemmel ibën Ismail, por çfarë thanë dijetarët e njohur për të?
Dhehebiu për Muemmel ibën Ismail-in thotë: “Ishte i besueshëm, i ashpër në sunet, gabonte shpesh, dhe thuhet se ai kishte futur librat e tij në një gropë dhe fliste vetëm nga memorizimi, ndaj edhe gaboi shumë. Vdiq në vitin 206h.”[37] Ibën Haxheri në vlerësimin e tij, sjell mendimet e plejadës së ulemave, thotë ai: “Ebu Hatimi për të thotë: “I drejtë, por shpesh gabonte.” Buhariu thotë: “Refuzohen hadithet prej tij (munkerul-hadith).” Sulejman ibën Harb, tha: “Kërkohët nga dijetarët që të ndalen gjatë në hadithet e transmetuara prej tij, sepse ai transmeton menakir (المناكير) nga mësuesit e tij që ishin të besueshëm, e po të ishin këto menakire nga njerëz të dobët, do ta arsyetonim atë disi.” Muhamed ibën Nasër el-Mervezij ka thënë: “Kur Muemmeli veçohet me ndonjë transmetim prej tjerëve, duhet analizuar dhe verifikuar mirë, ngase ai për nga memorizimi ishte i dobët dhe shpesh gabonte.”[38]
Shtesa “në gjoks” nuk është transmetuar në asnjë prej transmetimeve tjera, ndonëse ky hadith transmetohet tek koleksionet tjera, ndërsa i njëjti transmetohet përmes rrugës së Alkames dhe të tjerëve, nga Vail ibën Huxhri, dhe nuk gjindet kjo shtesë, e kjo dëshmon se shtesa e përmendur ka qenë e panjohur dhe jo e memorizuar nga hadithologët. Po ashtu kur transmetuesi-edhe nëse është nga të besueshmit-, vie në kundërshtim me transmetuesit (të besueshmit tjerë) që janë më të besueshëm se ai, atëherë transmetimi i tij nuk pranohet dhe konsiderohet shadh (i parregullt). Prandaj, ky hadith me këtë shtesë konsiderohet shumë i dobët.[39]
Hafidh Zejleiu, njëri nga hadithologët më të mëdhenj që pati ky ummet, pasi që përmend këtë hadith dhe merret me shtesën e ardhur në të, thotë edhe këtë: “Njëri ndër transmetuesit në zinxhirin e senedit është edhe Sufjani, e ky është Sufjan Thevriu, e ai është padyshim nga dijetarët e Kufës dhe mendimi i tij në këtë çështje është sikurse mendimi i Ebu Hanifes...e po të ishte tek Sufjan Thevriu ky hadith me shtesën “në gjoks” i vërtetë, ai nuk do ta kundërshtonte e të vinte me mendim tjetër.”[40]
Edhe hadithologu i njohur shqiptar Shuajb el-Arnaut, është i mendimit sikurse me të tjerët, se hadithi i Vailit me shtesën “në gjoks” është i dobët.[41] Prandaj, s’ka dyshim se ky hadith është i dobët dhe nuk mund të jetë argumentues.

Si duhet të jenë duart?

E rëndësishme është sipas shkollës sonë që dora e djathtë të jetë mbi të majtën dhe duart të jenë poshtë kërthizës. Dijetarët e hershëm të shkollës sonë nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi kësaj çështje se si duhet të jetë shuplaka e dorës së djathtë mbi të majtën dhe si duhet të jenë gishtërinjët. Ndërsa dijetarët e mëvonshëm kanë dhënë mendime se si duhet të jetë dora e djathtë mbi të majtën, ku duhet të lidhet ajo dhe si të jenë gishtërinjët?
Njëri mendim thotë se pjesa e brendshme e shuplakës së dorës së djathtë duhet të jetë pikërisht mbi kyqin e dorës së majtë. Këtë mendim e ka nxënësi i Ebu Hanifes, Muhamedi, i cili mendon se shuplaka e dorës së djathtë duhet ka kapë kyqin e dorës së majtë, dhe se kyqi i dorës së majtë duhet të jetë pikërisht në mes të shuplakës së dorës së djathtë.[42] Edhe Ebu Jusufi mendon se me dorën e djathtë duhet të kapet kyqi i dorës së majtë.[43] Gishtërinjët e shuplakës së dorës së majtë sipas Ebu Jusufit dhe Muhamedit (në njërin prej transmetimeve të tyre) duhet të jenë të shtrirë njësoj, e jo gishti i madh e i vogël ta (kapin) përshkojnë kyqin.[44] Përderisa mendimi tjetër brenda shkollës hanefite zakonisht jepet në këtë formë; pjesa e brendshme e shuplakës së dorës së djathtë duhet të jetë mbi shpinën e dorës së majtë, gishti i madh dhe i vogli duhet të jenë pikërisht në kyqin ku përfundon shuplaka dhe të përshkojë atë pjesë aq sa gati këta dy gishtërinj dëshirojnë takimin mes vete, kurse tre gishtërinjët tjerë të jenë të shtrirë drejt pozicionit. E, shumë prej dijetarëve të shkollës sonë i kanë bashkuar këto dy mendime për të ardhur deri tek mendimi përfundimtar se “shuplaka e dorës së djathtë të jetë mbi të majtën, gishti i vogël ta rrumbullaksojë kyqin e gishti i madh të jetë pikërisht mbi kyq.[45] Autori i librit të mirënjohur “el-Ihtijar”, thotë: “Dora e djathtë mbi të majtën në kyq, nën kërthizë.”[46]
Mirëpo në librat e mëvonshme të hanefitëve shumica e autorëve e preferojnë që lidhja e duarve të jetë në këtë mënyrë; shuplaka e dorës së djathtë të jetë mbi shpinën e shuplakës së majtë, gishti i madh dhe i vogël ta kapin kyqin, e të tjerët të jenë të shtrirë mbi dorën e majtë.[47] Madje shumë prej tyre mendojnë se ky është mendimi i zgjedhur në shkollën tonë juridike.[48]


Urtësia e vendosjes së duarve nën kërthizë

Kjo tregon për përulësinë e robit, thjeshtësinë dhe modestinë e tij. Nënkupton frikërespektin ndaj Zotit. Shfaq robin e përulur ndaj Krijuesit të tij dhe lutësin që i lutet zotërisë së tij. Lidhja e duarve poshtë kërthizës tregon shumë më tepër përulësi dhe modesti para Krijuesit sesa lidhja e duarve mbi kërthizë. Juristët kanë bërë edhe një krahasim interesant në këtë çështje, ku thonë se lidhja e duarve poshtë kërthizës tregon për frikërespektin maksimal ndaj Zotit, ashtu siç njerëzit qëndrojnë para mbretërve të tyre, në shenjë respekti e nderimi.


Përfundim

Siç kam potencuar, hadithet rreth vendosjes së duarve në namaz janë të përgjithshme, pa precizuar se ku të vendosen ato. Thuajse të gjitha hadithet që flasin se duart duhet të vendosën poshtë kërthizës, mbi kërthizë apo në gjoks, janë të dobëta. Mirëpo praktika, siç ka thënë edhe Tirmidhiu është ajo që myslimanët kanë praktikuar vendosjen e duarve nën kërthizë apo mbi kërthizë, pa ndonjë problem apo pengesë.

 

 

--------------------------------------------------------------------------------

[1] Si Ibën Mundhiri, Ibën Kajjim el-Xhevziu, Neveviu dhe shumë të tjerë.
[2] Ky është mendimi i shumicës (xhumhurit), ndërsa Hasen el-Basriu, ibën Zubejri dhe Maliku sipas transmetimit më të njohur dhe më të popullarizuar, janë të mendimit se duart duhet të jenë të shtrira për trupi, e jo të lidhura.
[3] Taberaniu në Mu’xhemu-l Kebir, nr. 11485.
[4] Muslimi në Sahih, nr. 608; Ahmedi në Musned, nr.18866. Shuajb Arnauti në vlerësimin që i bën Musnedit të Ahmedit, për këtë hadith thotë: “S’ka dyshim se senedi i këtij hadithi është autentik, sipas kushteve të Muslimit.”
[5] Albani, Irvau-l Galil fi tahrixh Ehadith Menaru-s Sebil, nr. 352.
[6] Ebu Davudi në Sunen, nr. 755. Albani thotë se hadithi është hasen-i mirë; Bejhekiu në Sunen el-Kubra, nr. 2327.
[7] Tirmidhiu në Sunen, v.I, f.426.
[8] Ebu-l Hasen Alij ibën el-Husejn ibën Muhamed es-Sugdi, En-Netfu fi-l Fetava, bot.II-të, Muesesetu-rr Rrisaletu, 1404-1984, v.I, f.71.
[9] Abdullah ibën Mahmud ibën Mevdud el-Mevsilij, El-Ihtijar lita’li-l Muhtar, Matbeatu-l Halebij, Kairo-Egjipt, 1356-1937, v.I, f.49.
[10] Muhamed Hashim es-Sindij, Dirhemu-s Surreh fi Vad’i-l Jedejni tahte-s Surreti –me terdiu-d duureti ala dirhemi-s surreti, përgatiti Abdulfetah ebu Guddeh, bot.I-rë, Idaretu-l Kur’an ve-l ulum el-islamijeh, Karaqi-Pakistan, 1414, f.22-23.
[11] Muhamed ibën el-Hasen, el-Athar, me recenzurë nga Ebu-l Vefa el-Afganij, Daru-l Kutub el-Ilmijeh, Bejrut, v.I, f.322.
[12] Alaudin Samerkandi, Tuhfetu-l Fukaha, v.I, f.126.
[13] Ibën Kudameh el-Makdisij, El-Mugni, Mektebetu-l Kahiretu, 1388-1968, v.I, f. 341.
[14] Ky hadith në koleksionin e Ebu Davudit gjindet vetëm në transmetimet e përcjellura nga Ebu Seid ibën el-A’rabiut dhe Ebu-l Hasen ibën el-Abd, apo në transmetimin e Ibën Daseh, por jo në atë të Lu’luit. Shih Sunenin e Ebu Davudit me recenzurë nga Shuajb el-Arnaut-it, bot.I-rë, Daru-rr Rrisaleh el-Alemijeh, 1430-2009, v.II, f.69 (fusnotë).
[15] Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh, v.I, f.314.
[16] Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh, v.I, f.313-314; Tehanevi, I’lau-s Sunen, v.II, f.193.
[17] Ebu Davudi në Sunen, nr.758. Albani dhe shumë të tjerë e konsiderojnë të dobët.
[18] Ibën Ebi Shejbe në Musannef, nr. 3942. Edhe ky hadith është sikurse ai paraprak.
[19] Ibën Kudameh el-Makdisij, El-Mugni, Mektebetu-l Kahiretu, 1388-1968, v.I, f. 341 dhe v.II, f.6. Kështu mendon edhe Uthejmini se ky mendim është legjitim i medhhebit (hanbelit), ndonëse vet ka qëndrimin se duart duhet të vendosën në gjoks. Shih: Uthejmin, Esh-Sherhu-l Mumti’ ala Zadi-l Mustakni’, bot.II-të, Dar ibën el-Xhevzi, 1428, v.III, f.36.
[20] Ibën Tejmije, Sherhu-l Umdeh (kitab sifetu-salati min sherhi-l umdeti lil imam Muvefikudin ibën Kudameh), bot.I-rë, Daru-l Asimeh, Rijad, 1429-2008, f.67.
[21] Nuk kam hulumtuar shumë për këtë se a është mendim i tij apo vetëm dikush ia ka atribuuar, mirëpo kam lexuar komente që të tjerët i kanë bërë librit të tij “Zadu-l Mead”, ku dikush e ka “arsyetuar” atë se kinse nuk i kanë arritur hadithet që sinjalizojnë për vendosjen e duarve në gjoks, e dikush tjetër edhe ka mohuar këtë pjesë që tregon mendimin e tij për vendosjen e duarve nën kërthizë, siç është Muhamed ibën AbdulVehabi, i cili ka bërë përmbledhjen e Zadu-l Mead-it në formë të shkurtuar, kur vjen te kjo çështje, thotë: “Kjo pjesë (vendosja e duarve poshtë kërthizës ) nuk është prej tij, mirëpo është “vërtetuar” se duart duhet të vendosën në gjoks.” Muhamed ibën AbdulVehab, Muhtesar Zadu-l Mead, bot.II-të, Daru-rr Rrejan li-t turath, Kairo, 1407-1987, f. 11.
[22] Nevevi, el-Mexhmu Sherhu-l Muhedhdheb, Daru-l Fikr, Bejrut, v.III, f.313; 
[23] Bedrudin el-Ajni, El-Binajetu Sherhi-l Hidajeh, v.II, f.183.
[24] Ebu Davud Sulejman el-Ezedij es-Sixhistanij, Mesailu-l Imam Ahmed Rivajetu Ebi Davud es-Sixhistani, bot. I-rë, Mektebetu ibën Tejmije, 1420-1999, f.48.
[25] Ibën Muflah, El-Mubdi’ fi Sherhi-l Mukni’, bot.I-rë, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut, 1418-1997, v. I, f.381.
[26] Ibën Tejmije, Sherhu-l Umdeh (kitab sifetu-salati min sherhi-l umdeti lil imam Muvefikudin ibën Kudameh), bot.I-rë, Daru-l Asimeh, Rijad, 1429-2008, f.69.
[27] I këtij mendimi është Muhamed ibën AbdulVehabi dhe shumica e dijetarëve të Arabisë Saudite të kohës aktuale. Zoti e di më së miri, por si mendim nuk gjen shumë përkrahje nga fekihët.
[28] Ndonëse edhe Albani hadithin në fjalë e bën të dobët, por mundohet ta përforcojë me rrugët tjera të transmetimit në bazë të kuptimit. E vërteta është siç ka thënë Ibën Kajjimi se askush nuk ka thënë “në gjoks” përveç Muemmelit. Dhe se nuk ka ndonjë rrugë që mund ta përforcojë këtë hadith.
[29] Albani, Forma e namazit të Pejgamberit-e përshkruar prej fillimit deri në fund, sikur të ishit duke e parë, f.44-45.
[30] Ebu Davud Sulejman el-Ezedij es-Sixhistanij, Mesailu-l Imam Ahmed Rivajetu Ebi Davud es-Sixhistani, bot. I-rë, Mektebetu ibën Tejmije, 1420-1999, f.48.
[31] Nevevi, Sherh Muslim, v.IV, f.114; Ibën Kudame, el-Mugni, v.I, f.472; el-Mexhmu’, v.III, f.271, Kurtubi, El-Xhami’ Liahkami-l Kur’an, v.XX, f.221.
[32] Ibën Kudameh el-Makdisij, El-Mugni, Mektebetu-l Kahiretu, 1388-1968, v.I, f. 341.
[33] Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh, v.I, f.316.
[34] Ibën Huzejme në Sahih, nr. 479. Sipas disa dorëshkrimeve të sahihut të Ibën Huzejmes, i njëjti hadith vjen me shprehjen në fund të tij: “nën kërthizë”, që është e kundërt me këtë që është transmetuar këtu. Dijetari i njohur Kasim ibën Kutlubuga në nxjerrjen e haditheve të librit të njohur “el-Ihtijar”, mendon se hadithi me këtë shprehjen e fundit është me sened të mirë e të pranuar. Në kopjen e Sahihut të ibën ebi Shejbe-s të cilën e ka bartur hadithologu i Egjiptit, Kasim ibën el-Kutlubuga, qëndron shprehja “nën kërthizë”. Po ashtu edhe sipas kopjes së Muhamed Ekrem en-Nasr Buri në Sind, sikurse edhe në kopjen e bartur tek AbdulKadir myftiut të Mekkës që qëndron shprehja “nën kërthizë”. Shih më tepër: Muhamed Hashim es-Sindij, Dirhemu-s Surreh fi Vad’i-l Jedejni tahte-s Surreti –mea terdiu-d duureti ala dirhemi-s surreti, f.7.
[35] Ibën Kajjim el-Xhevzij, I’lamu-l Muvekkiine an Rabbi-l alemine, bot.I-rë, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut, 1411-1991, v.II, f.289.
[36] Muhamed ibën Ali en-Nejmevij, Atharu-s Sunen mea-t ta’liki-l hasen, bot.I-rë, mektebetu-l bushra, Karaçi-Pakistan, f.105.
[37] Shemsudin edh-Dhehebij, El-Kashifu fi Ma’rifeti men lehu rivajetun fi-l kutubi-s sitteti, bot.I-rë, Daru-l Kibleti li-th thekafeti-l islamijeti, Xhidde, 1413-1992, v.II, f.309.
[38] Ibën Haxher el-Askalani, Tehdhibu-t Tehdhib, bot.I-rë, Matbeatu Dairetu-l Mearif en-Nidhamijeh, Indi, 1326, v.X, f.380-381.
[39] Muhamed ibën Ali en-Nejmevij, Atharu-s Sunen mea-t ta’liki-l hasen, f.105.
[40] Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh, v.I, f.316.
[41] Abdullah ibën Mahmud ibën Mevdud el-Mevsilij, El-Ihtijar lita’li-l Muhtar, v.I, f.164.
[42] Muhamed ibën el-Hasen, el-Athar, me recenzurë nga Ebu-l Vefa el-Afganij, Daru-l Kutub el-Ilmijeh, Bejrut, v.I, f.319
[43] Bedrudin el-Ajni, Umdetu-l Kari Sherh Sahihi-l Buhari, Dar Ihjau-t Turath el-arebij, Bejrut, v.V, f.279.
[44] Bedrudin el-Ajni, El-Binajetu Sherhi-l Hidajeh, bot.I-rë, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 1420-2000, v.II, f.181.
[45] Bedrudin el-Ajni, El-Binajetu Sherhi-l Hidajeh, bot.I-rë, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 1420-2000, v.II, f.181.
[46] Abdullah ibën Mahmud el-Mevsilij, El-Ihtijar li-t Ta’lili-l Muhtar, me recenzurë nga Shuajb el-Arnaut, bot.I-rë, Daru-rr Rrisaleh el-Alemijeh, Damask, 1430-2009, v.I, f.163
[47] Hasen ibën Amar ibën Alij Shurunubali, Meraki-l Felah Sherh Metni Nuri-l Idah, bot.I-rë, el-Mektebetu-l Asrijetu, 1425-2005, v. I, f.97; Ahmed ibën Ismail Et-Tahtavi, Hashijetu-t Tahtavi ala Meraki-l Felah Sherh Nuru-l Idah, bot.I-rë, Daru-l Kutub el-ilmijetu, Bejrut, 1418-1997, f. 258.
[48] Ahmed ibën Ismail Et-Tahtavi, Hashijetu-t Tahtavi ala Meraki-l Felah Sherh Nuru-l Idah, f. 258; Tehanevi, I’lau-s Sunen, v.II, f.191.

/KBI-Bujanoc.com/

4225 Shikime