NGRITJA E DUARVE BËHET VETËM GJATË TEKBIRIT FILLESTAR!

21.11.2015

NGRITJA E DUARVE BËHET VETËM GJATË TEKBIRIT FILLESTAR!


NGRITJA E DUARVE BËHET VETËM GJATË TEKBIRIT FILLESTAR!

Mr. Ejup Haziri

Hyrje
Disa tema rradhazi ia kam kushtuar ngritjes së duarve gjatë tekbirit fillestar, duke përmendur opinionet e njohura dhe në këtë kontekst si formë përfundimtare ia kam kushtuar edhe një analizë të thuktë që shtjellon transmetimet e ndryshme të haditheve dhe përputhjen, gjegjësisht bashkimin e teksteve. Veç kam përmendur se nuk ka kontradikta mes transmetimeve, pasi që mund të bëhet një përputhje e teksteve dhe kështu mund të largohen edhe perceptimet e gabuara në lidhje me këtë çështje.
Një tjetër çështje e që prapë ndërlidhet me ngritjen e duarve, por jo se deri ku ngriten duart, mirëpo që konfirmon se duart ngriten vetëm gjatë tekbirit fillestar, e jo më tutje, do të jetë pjesë e zbërthimit dhe analizës sonë.

KUSH MENDON SE DUART NGRITEN VETËM GJATË TEKBIRIT FILLESTAR?
Në shkollën tonë juridike, duart ngriten vetëm gjatë tekbirit fillestar, por jo më, si gjatë shkuarjes në ruku apo ngritjes prej saj. Gjithashtu nuk ngriten duart as gjatë shkuarjes për në sexhde e as gjatë ngritjes për në rekatin vijues.
Ebu Jusufi në librin e tij “Athar” transmeton nga babai i tij i cili ka thënë: “Na ka informuar Ebu Hanifja nga Hamadi, e ky nga Ibrahim (Nehaiu), i cili ka thënë: “Gjatë tekbirit të parë në fillim të namazit ngriti duart, por mos i ngrit më duart në asnjë vend.” Ndërsa nxënësi tjetër i njohur i Ebu Hanifes, Muhamedi, thotë: “Ka thënë Ebu Hanife: “Kur njeriu hyn në namaz shqipton tekbirin dhe ngrit duart deri tek veshët e tij gjatë tekbirit fillestar, e më pastaj nuk i ngrit duart, përveçse gjatë tekbirit fillestar.” 
Medhhebi i Ebu Hanifes është medhhebi i sahabëve, sepse një numër i madh i tyre dhe pasuesve të tyre janë të mendimit se duart ngriten vetëm gjatë tekbirit fillestar, prej tyre ishte: Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Talha ibën Ubejdullah, Zubejr ibën el-Avvam, Sa’d ibën ebi Vekkas, Seid ibën Zejd, Abdurrahman ibën Avf, Ebu Ubejde Amir ibën Abdullah ibën el-Xherrah. Pastaj këtë mendim e kanë edhe Abdullah ibën Mesudi, Xhabir ibën Semre, el-Berra ibën Azib, Abdullah ibën Abbasi dhe Ebu Seid el-Hudriu. 
Përveç Ebu Hanifes, nxënësve të tij dhe pasuesve të shkollës së tij, këtë mendim e mbron edhe kolosi i madh në hadith Sufjan Thevriu dhe shumë nga tabiinët, si Ibrahim Nehaiu, ibën ebi Lejla, Alkame, Esvedi, Shabiu, Ebu Ishaku, Hujtheme, Kajsi, Maliku, ibën el-Kasimi, el-Mugir, Vekiu, Asim ibën Kulejbi dhe shumë të tjerë. Pra, njerëz të dëshmuar në dije që një shumicë e madhe nuk i takojnë shkollës hanefite.

PËRSE NUK PREFEROHET NGRITJA E DUARVE PËRVEÇ GJATË TEKBIRIT FILLESTAR?
Muhamed ibën Haseni, nxënësi i njohur i Ebu Hanifes, i cili fikhun e kishte marrë nga dy imamët e mëdhenj; në Kufë nga Ebu Hanife dhe në Medine nga Maliku, thotë: “Është konfirmuar nga Ali ibën ebi Talibi dhe Abdullah ibën Mes’udi se ata dy nuk i ngritnin duart me përjashtim gjatë tekbirit fillestar. E këta dy padyshim që e njihnin më mirë të Dërguarin e Allahut sesa Abdullah ibën Omeri, sepse na është përcjellur përmes transmetimeve se i Dërguari i Allahut kur përfundonte ikameti për namaz, i porosiste ata që pas tij të jenë ata që ishin më të njohur dhe që kishin dije më shumë se të tjerët, e më pas vinin të tjerët, e kështu me radhë. A mendon ti se dikush do të dilte para atyre që ishin pjesëmarrës në luftën e Bedrit me të Dërguarin e Allahut? Këta të Bedrit sigurisht që ishin në safin e parë e të dytin dhe me ta sigurisht që ishin edhe ata që ishin të ngjashëm me ta, e Abdullah ibën Omeri dhe të tjerët ishin nga të rinjët që faleshin pas tyre. Aliu dhe ibën Mes’udi dhe të tjerët që i takonin kategorisë së tyre, pjesëmarrës të Bedrit, ishin më të diturit me namazin e të Dërguarit të Allahut, ngase ata ishin më së afërmi me të, më afër se të tjerët dhe ishin njohësit më të mirë të asaj se çfarë duhet vepruar e çfarë duhet lënë.” 
Autori i “el-Inajeh” që i bën shpjegim librit të mirënjohur “el-Bidajeh”, në lidhje me këtë çështje, thotë: “Ibën Omeri dhe Vail ibën Huxhri kanë qenë më larg pranë të të Dërguarit të Allahut, prandaj marrja e opinioneve nga ata që ishin më afër të Dërguarit të Allahut, është më parësore dhe apriore.” 
El-Kasani në librin e tij të jashtëzakonshëm “Bedaiu-s Sanaiu...”, në lidhje me këtë, thotë: “Transmetohet nga ibën Abasi i cili ka thënë: “Dhjetë personat që i Dërguari i Allahut i kishte përgëzuar me xhenet, nuk i ngritnin duart e tyre në namaz, me përjashtim gjatë tekbirit fillestar.” 
Kasani është i mendimit se hadithet që flasin për ngritjen e duarve, përveç tekbirit fillestar, janë shfuqizuar dhe ai argumentohet me transmetimin e Abdullah ibën Mes’udit i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut i ngriti duart, i ngritëm edhe ne, më pas ai nuk i ngriti e ashtu vepruam edhe ne.”

ARGUMENTET PËR NGRITJEN E DUARVE VETËM GJATË TEKBIRIT FILLESTAR

Kur jemi tek çështja e ngritjes së duarve vetëm gjatë tekbirit fillestar, do t’i sjellim dy hadithe që flasin për këtë tematikë, ku do të ndalemi pak më tepër në këtë çështje, sepse kjo çështje ka qenë arenë beteje mes hanefitëve dhe kundërshtarëve të tyre dhe ka krijuar një situatë konfliktuoze mes dy taborëve. Sidomos, pas vlerësimit të haditheve me tendenca. Madje, çuditërisht, disa prej dijetarëve i kanë klasifikuar si të dobët këto hadithe, që thuajse janë të ngjashme njëra me tjetrën dhe përcjellin mesazh të njëjtë dhe unik. 
Hadithi i parë është në koleksionin e Tirmidhiut, përderisa i dyti në koleksionin e Ebu Davudit. I pari ka këtë përmbajtje dhe këtë rrugë transmetimi:
حَدَّثَنَا هَنَّادٌ حَدَّثَنَا وَكِيعٌ عَنْ سُفْيَانَ عَنْ عَاصِمِ بْنِ كُلَيْبٍ عَنْ عَبْدِ الرَّحْمَنِ بْنِ الْأَسْوَدِ عَنْ عَلْقَمَةَ قَالَ قَالَ عَبْدُ اللَّهِ بْنُ مَسْعُودٍ أَلَا أُصَلِّي بِكُمْ صَلَاةَ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَصَلَّى فَلَمْ يَرْفَعْ يَدَيْهِ إِلَّا فِي أَوَّلِ مَرَّةٍ
Na ka treguar Hennad i cili ka thënë: Na ka treguar Vekiu, nga Sufjani, nga Asim ibën Kulejb, nga Abdurrahman ibën el-Esved, nga Alkame, i cili thotë: “Abdullah ibën Mesudi tha: “A doni të demonstroj pranë jush namazin e të Dërguarit të Allahut–salAllahu alejhi ve sel-lem-? Ai u fal dhe duart nuk i ngriti përveç se në herën e parë (në tekbirin fillestar).” 
Hadithi pra është nga koleksioni i Tirmidhiut, i cili në fund të transmetimit thotë: “Hadithi i Ibën Mes’udit është i mirë (hasen) dhe ngjashëm me të (thënien e tij) thonë një pjesë e ulemave nga shokët e të Dërguarit të Allahut dhe nga tabiinët. Njëherazi ky është edhe opinioni i Sufjan Thevriut dhe banorëve të Kufës.” 
Ahmed Shakir, njëri prej atyre që është marrë me klasifikimin dhe verifikimin e Sunenit të Tirmidhiut, i njohur në këtë çështje, kur vjen tek ky hadith thotë: “Ky është hadith autentik (sahih) dhe ajo çfarë kanë thënë ata për të (hadithin) se ka dobësi, (e vërteta është se) nuk ka ndonjë dobësi (defekt).” 
Një tjetër verifikues i haditheve të sunenit të Tirmidhiut është Albani, i cili këtë hadith e klasifikon në gradën më të besueshme, ndaj edhe për të, thotë: “Autentik (sahih).” Tirmidhiu, siç potencuam, këtë hadith e konsideron të mirë, ndërsa ibën Hazmi si autentik.
Në transmetimin tjetër me një ndryshim shumë të vogël e që përcillet nga koleksioni i Ebu Davudit, ka ardhur:
حَدَّثَنَا عُثْمَانُ بْنُ أَبِي شَيْبَةَ حَدَّثَنَا وَكِيعٌ عَنْ سُفْيَانَ عَنْ عَاصِمٍ يَعْنِي ابْنَ كُلَيْبٍ عَنْ عَبْدِ الرَّحْمَنِ بْنِ الْأَسْوَدِ عَنْ عَلْقَمَةَ قَالَ قَالَ عَبْدُ اللَّهِ بْنُ مَسْعُودٍ أَلَا أُصَلِّي بِكُمْ صَلَاةَ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ فَصَلَّى فَلَمْ يَرْفَعْ يَدَيْهِ إِلَّا مَرَّةً
Na ka treguar Othman ibën ebi Shejbe i cili ka thënë: Na ka treguar Vekiu, nga Sufjani, nga Asim ibën Kulejb, nga Abdurrahman ibën el-Esved, nga Alkame, i cili thotë: “Abdullah ibën Mesudi tha: “A doni të demonstroj pranë jush namazin e të Dërguarit të Allahut–salAllahu alejhi ve sel-lem-? Ai u fal dhe duart nuk i ngriti përveç se një herë (në tekbirin fillestar).” 
Dallimi mes këtij hadithi dhe atij paraprak është në zingjirin transmetues (sened) dhe shprehja e fundit në tekst (metn). Ebu Davudi për këtë hadith thotë: “Kjo është një pëmbledhje e shkurtuar nga hadithi i gjatë, dhe se në këtë formë të ardhur nuk është autentik.” Imam Albani që ka verifikuar dhe klasifikuar Sunenin e Ebu Davudit, kur vjen tek ky hadith jep këtë shpjegim: “Unë them se zinxhiri transmetues (senedi) është autentik (sahih) sipas kushtit të Muslimit. Tirmidhiu e ka klasifikuar si të mirë këtë hadith e Ibën Hazmi ka thënë se është autentik. Si autentik e kanë llogaritur edhe ibën Dekik el-Id, Zejleiu, Turkmani... Autori (Ebu Davudi), Allahu e mëshiroftë, i ka gjetur të meta, e për këtë edhe disa janë pajtuar, mirëpo në fjalët e tyre nuk mund të gjesh diç që e bën këtë hadith të dobët. E vërteta është se ky hadith është autentik (sahih)”,-kështu e sqaron Albani problematikën e krijuar rreth këtij hadithi, e më pas rreth thënies së Ebu Davudit: “Kjo është një pëmbledhje e shkurtuar nga hadithi i gjatë...”, përgjigjet: “Ndoshta autori (Ebu Davudi) sinjalizon me shprehjen “hadithi i gjatë” në hadithin që përcillet nga Abdullah ibën Idrisi, nga Asim ibën Kulejb, e që në të nuk është shprehja “përveç se një herë. ” 
Që të gjithë transmetuesit në këtë hadith janë vlerësuar nga hadithologët në vlerësimin më të lartë dhe më të besueshëm. El-Abad-i, në komentin që i bëri Sunenit të Ebu Davudit, kur vjen tek ky hadith thotë: “Më i dobëti nga transmetuesit e tillë është Asim ibën Kulejbi, e që tek hadithologët është i besueshëm (صدوق), prandaj edhe grada më e ultë që mund të ketë hadithi është i mirë (hasen).”
Kundërshtarët janë munduar të gjejnë dobësi tek ky hadith, duke thënë se Asim ibën Kulejbi është i dobët, mirëpo kolosët e hadithit, si Jahja ibën Mein dhe të tjerët e kanë konsideruar të besueshëm (ثقة), kanë transmetuar prej tij dhe janë argumentuar prej tij, e prej tyre që e konsiderojnë të besueshëm është edhe Shu’beh, Ebu Hatimi dhe të tjerët, prandaj një akuzë e tillë është plotësisht e pabazë. Pastaj janë munduar të gjejnë shkëputje mes Abdurrahman ibën el-Esved-it dhe Alkames, si Mundhiriu dhe disa tjerë, që pretenduan se Abdurrahmani nuk kishte dëgjuar nga Alkame, e këtë pretendim, njohësi i mirë i këtyre çështjeve, ibën Turkmani, e sheh shumë të çuditshëm dhe se realiteti duket krejt ndryshe nga ajo çfarë pretendohet, ngase Abdurrahmani, siç thotë Ibën Hibbani në librin “Eth-Thikat”, vdiç në vitin 99 (hixhrij) dhe mosha e tij ishte e ngjashme me moshën e Ibrahim Nehaiut, e nëse ishte moshatar me Nehaiun dhe Nehaiu -me konsensus- kishte dëgjuar prej Alkames, atëherë çfarë pengese do të kishte Abdurrahmani që të mos dëgjonte prej Alkames? Në këtë kontekst Hatib el-Bagdadiu në librin e tij “El-muttefak ve-l Mufterak”, për biografinë e Abdurrahman ibën el-Esvedit, mes tjerash thotë: “Është nga Kufa, e vizitoi Aishen kur ishte i vogël, dëgjoi nga babai i tij dhe nga Alkame ibën Kajs...” Një gjë të tillë e pohon edhe autori i librit “el-Kemal” dhe ibën ebi Hatim në librin “el-Xherhu vet-Ta’dil.” Prandaj, ai i cili e arriti dhe u takua me Aishen, do të ishte më parësore ta arrinte Alkamen dhe të takohej me të, e sidomos kur kihet parasysh që të dy këta dijetar i takojnë një vendi (Kufës). 
Rreth kësaj çështjeje për ata që janë munduar të gjejnë ndonjë dobësi që e rrëzon edhe mendimin e hanefitëve në lidhje me mosngritjen e duarve, përveç tekbirit fillestar, Albani pasi që kundërshton pretendimet e tyre, në fund shprehet: “Nuk dëshiroj t’i nxiej fletat e librit me tregime dhe kundër reagime të tilla, për shkak se janë të pavlefshme.”

ARGUMENTE QË SAHABËT NUK I NGRITNIN DUART
Përveç haditheve, ka shumë transmetime të ndryshme që sinjalizojnë se sahabët e zgjedhur dhe ata që i takonin shkallës më të lartë të njohjes së fesë, nuk i ngritnin duart, përveç gjatë tekbirit fillestar.

Tahaviu dhe ibën ebi Shejbe transmetojnë se Omeri i kishte ngritur duart vetëm gjatë tekbirit fillestar. Transmetimi që përcjell Tahaviu është ky:
كَمَا حَدَّثَنَا ابْنُ أَبِي دَاوُدَ, قَالَ: ثنا الْحِمَّانِيُّ, قَالَ: ثنا يَحْيَى بْنُ آدَمَ, عَنِ الْحَسَنِ بْنِ عَيَّاشٍ, عَنْ عَبْدِ الْمَلِكِ بْنِ أَبْجَرَ, عَنِ الزُّبَيْرِ بْنِ عَدِيٍّ, عَنْ إِبْرَاهِيمَ, عَنِ الْأَسْوَدِ, قَالَ: رَأَيْتُ عُمَرَ بْنَ الْخَطَّابِ رَضِيَ اللهُ عَنْهُ يَرْفَعُ يَدَيْهِ فِي أَوَّلِ تَكْبِيرَةٍ, ثُمَّ لَا يَعُودُ
Na ka treguar ibën ebi Davudi i cili thotë: “Na ka treguar el-Himmaniju nga Jahja ibën Ademi, ky Hasen ibën Ajjashi, ky nga AbdulMelik ibën Ebxher, ky nga Zubejr ibën Adijji, ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi, i cili thotë: “E kam parë Omer ibën Hattabin i ngriti duart në fillim të tekbirit, e më pas nuk i ngriti.” 
Po ashtu edhe Ibrahim Nehaiu dhe Shabiu kishin vepruar kështu, duke ngritur duart vetëm gjatë tekbirit fillestar. Tahaviu në këtë kontekst shprehet: “Hadithi është i vërtetë dhe Omeri nuk ngriste duart e tij, përveç gjatë tekbirit fillestar.” 
Ngashëm transmetohet se kështu vepronte edhe Aliu dhe se për këtë arsye Tahaviu mendon se ky është argument i qartë dhe se Aliu nuk do të vepronte kështu sikur mos ta kishte parë të Dërguarin e Allahut. 
Ibën ebi Shejbe në Musannefin e tij sjell një kapitull ku njerëz të njohur nuk ngritnin duart me përjashtim gjatë tekbirit fillestar:
حَدَّثَنَا وَكِيعٌ ، عَنْ أَبِي بَكْرِ بْنِ عَبْدِ اللهِ بْنِ قِطَافٍ النَّهْشَلِيِّ ، عَنْ عَاصِمِ بْنِ كُلَيْبٍ ، عَنْ أَبِيهِ ؛ أَنَّ عَلِيًّا كَانَ يَرْفَعُ يَدَيْهِ إذَا افْتَتَحَ الصَّلاَةَ ، ثُمَّ لاَ يَعُودُ.
“Na ka treguar Vekiu nga Ebi Bekr ibën Abdullah ibën Kitaf en-Nehshelij, ky nga Asim ibën Kulejbi, e ky nga babai i tij, se Aliu i ngriste duart gjatë tekbirit fillestar, e më nuk i ngriste.” 
حَدَّثَنَا وَكِيعٌ، عَنْ مِسْعَرٍ، عَنْ أَبِي مَعْشَرٍ، عَنْ إِبْرَاهِيمَ، عَن عَبْدِ اللهِ؛ أَنَّهُ كَانَ يَرْفَعُ يَدَيْهِ فِي أَوَّلِ مَا يَفْتَتِحُ، ثُمَّ لاَ يَرْفَعُهُمَا.
“Na ka treguar Vekiu nga Mis’ari, e ky nga ebi Ma’sheri, , e ky nga Ibrahimi nga Abdullahu se ai i ngriste duart vetëm kur ia fillonte namazit, e më pas duart nuk i ngriste.” 
حَدَّثَنَا ابْنُ مُبَارَكٍ، عَنْ أَشْعَثَ، عَنِ الشَّعْبِيِّ؛ أَنَّهُ كَانَ يَرْفَعُ يَدَيْهِ فِي أَوَّلِ التَّكْبِيرَةِ، ثُمَّ لاَ يَرْفَعُهُمَا.
“Na ka treguar Ibën Mubareku nga Esh’athi e ky nga Sha’biu se ai i ngriste duart gjatë tekbirit fillestar, e më pas nuk i ngriste.” 
حَدَّثَنَا هُشَيْمٌ، قَالَ: أَخْبَرَنَا حُصَيْنٌ وَمُغِيرَةُ، عَنْ إبْرَاهِيمَ؛ أَنَّهُ كَانَ يَقُولُ: إذَا كَبَّرْتَ فِي فَاتِحَةِ الصَّلاَةِ فَارْفَعْ يَدَيْك، ثُمَّ لاَ تَرْفَعْهُمَا فِيمَا بَقِيَ.
“Na ka treguar Hushejmi i cili thotë: “Na ka informuar Husajni dhe Mugire nga Ibrahimi, i cili thoshte: “Kur shqipton tekbirin në hyrje të namazit, ngriti duart, por më pas mos i ngrit ato në pjesën e mbetur (të namazit).” 
حَدَّثَنَا وَكِيعٌ، وَأَبُو أُسَامَةَ، عَنْ شُعْبَةَ، عَنْ أَبِي إِسْحَاقَ، قَالَ: كَانَ أَصْحَابُ عَبْدِ اللهِ، وَأَصْحَابُ عَلِيٍّ، لاَ يَرْفَعُونَ أَيْدِيَهُمْ إِلاَّ فِي افْتِتَاحِ الصَّلاَةِ، قَالَ وَكِيعٌ: ثُمَّ لاَ يَعُودُونَ.
“Na ka treguar Vekiu dhe ebu Usame nga Shu’be, e ky nga ebu Is’haku, i cili ka thënë: “Nxënësit dhe pasuesit e Abdullah ibën Mes’udit dhe Aliut nuk i ngrisnin duart me përjashtim gjatë tekbirit fillestar. E, Vekiu shtoi: “E më pas nuk i ngritnin duart.” 
Shejbani në këtë kontekst shprehet: “Kanë ardhur transmetime të vërtetuara se Ali ibën ebi Talibi dhe Abdullah ibën Mes’udi nuk u ngritnin duart, me përjashtim të tekbirit fillestar.”      VAZHDON

/KBI-Bujanoc.com/

 

3262 Shikime