Numri i rekateve në namazin e Teravisë

18.06.2015

Numri i rekateve në namazin e Teravisë


Numri i rekateve në namazin e Teravisë

Sa ishte numri i rekateve të Teravisë të cilën e fali profeti alejhi selam dhe të cilën e kanë falur shokët e tij-sahabët?A ka qenë ajo vetëm tetë rekate?Apo më shumë?A e ka falur profeti njëzet rekate?Po në kohën e sahabëve,si është falur ?

Fillimisht themi se çështja e namazit të Teravisë është mesele fikhu-prej degëve të dinit dhe jo mesele akaidore-prej bazave të fesë islame. Për këtë arsye, ndihemi keq pse disa grupe, sa herë që vjen muaji i Ramazanit qojnë pluhur pa nevojë dhe bëjnë përçarje në mesin e myslimanëve nëpër xhami dhe jashtë tyre, duke u hamendësuar se shtesa mbi tetë rekate është bidat, dhe kushdo që e vepron këtë bidat është novator dhe shpikës në fe, dhe do të hyjë në zjarr, sepse çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të çon në xhehenem!!!

 

Në këtë shkrimin tonë të ri, do ti përgjigjemi kësaj problematike dhe do të mundohemi që shkrimi të jetë sa më konciz dhe i shkurtër,pasi punimet e vërteta shkencore kanë tjetër metodologji.

 

1-Namazi i Teravisë është synet i fortë, që do të thotë se kush nuk e falë -edhe pse urrehet- mirëpo,si lënie nuk ka gjynah te Zoti. Një namaz farz, siç është përshembull ai i sabahut dy rekate, ka shumë më shumë vlerë sesa e gjithë Teravia. Gjynah është nëse numri i rekateve të Teravisë bëhet shkas i përçarjes mes myslimanëve dhe ngrihet potere nëpër shtëpitë e Allahut pa nevojë.

 

2-Janë pajtuar (kanë rënë në ujdi-ixhma) fukahatë dhe hadithologët se profeti as. e ka falur teravinë me sahabe tri apo katër net dhe nuk ka dalë në natën tjetër. Ai e ka sqaruar shkakun e ndërprerjes kur ka thënë:”U frikësova se mos po u behët obligim[1]”; pasi siç dihet vazhdueshmëria e tij në një vepër është shenjë e farzit.

 

3-Falja e Teravisë në xhematë është më mirësesa falja e saj vetëm. Ky mendimi i përzgjedhur është edhe mendimi i mazhoransës,për faktin se zotëria ynë Omer ibën Hatabi r. a i ka bashkuar myslimanët pas Ubej Ibën Kabit dhe është falur me ta, dhe se vet profeti e ka falur atë në xhemat, para se ta linte, siç sqaruam.

Ebu Jusufi, një mendim i Malikut[2]dhe disa shafij kanë thënë se falja e saj vetun në shtëpi është më e preferuarse sa në xhami, sikurse mbarë nafilet e tjera.

 

4-Nuk kemi argument të prerë që përcakton numrine rekateve që fali profeti.

Transmetimet në këtë pikë janë të ndryshme.

Ibën Tejmije;i cili konsiderohet mostra e selefive sot,edhe ai vet e ka pranuar  këtë dhe ka thënë:”Për rekatet e Teravisë nuk ka numër të prerë, sepse vet profeti nuk ka përcaktuar përto një numër të veçantë”[3]. Përfundoi fjala e tij. Teravia duhet të kuptohet si ngjallje e natës me namaz, sa më shumë që myslimani falet, aq më shumë i rritet shpërblimi dhe kështu ai e ka realizuar gjallërinë e netëve të Ramazanit.

 

5-Disa njerëz në krye me shejh Albanin, çuditërisht kanë pretenduar dhe vazhdojnë të pretendojnë se numri i rekateve të Teravisë është tetë rekate dhe shtesa mbi tetë konsiderohet bidat, që do të thotë se kush falë më shumë se tetë rekate taravij e meriton xhehenemin, sepse çdo risi në fe është devijim, e devijimi të futë në zjarr! Sipastij, shtesa në namazin e Teravisë është sikurse shtesa e një rekati në farzin e Ikindisë[4]!!!

Këta u argumentuan me hadithin që e transmeton Buhariu nga Ebu Seleme ibën Abdurrahmani se ai e ka pyetur Aishën r.a: Si ka qenë namazi i të dërguarit të Allahut r në Ramazan?Ajo ka thënë: Pejgamberi r as në Ramazan e as jashtë Ramazanit nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate[5].

 

Në anën tjetër, shumica dërrmuese e dijetarëve në krye me katër medh’hebet, mendojnë se Teravia ka njëzetë rekate. Këtë mendim e kishin edhe shumë muxhtehid tjerë të gjeneratave të hershme, prej tyre Sufjan Theuria dhe Davud Dhahiria.

 

Ata (xhumhuri) kanë argumentuar me shumë argumente, e unë këtu do ti veçoj vetëm disa prej tyre:

 

1-Atë që ka transmetuar imam Bejhekiu dhe të tjerët, me zinxhirë transmetimi të saktë, nga Saib ibën Jezidi r. a i cili kathënë:”Në kohën e Omerit në Ramazan sahabët i falnin nga njëzet rekate dhe i këndonin nga dyqind ajete”. [6]Këtë hadith e ka saktësuar hafëz Neveviu, Ibën Abdulberri, Irakiu, Subkiu, Sujutiu, Mulla Alij Kariu, etj.

 

2-Atë që ka përmendur Ibën Haxheri nëlibrin e tij Fet’hul Bari nga Abdurrezaku e ky nga Muhamed ibën Jusufi i cilika thënë:”Taravia i ka njëzet e një rekat”.

Transmetimi është i saktë. Disa kanë folurpër Abdurrezakun, mirëpo hafiz Ibën Haxheri në Hedju Sari për të deklaron:”Ai ka qenë njëri prej imamëve të besueshëm, e cilësuan të saktë të gjithë dijetarët (e shkencës së Xherhit) dhe nuk pa përfolur kundër tij përpos Abas ibën Abdulhalim Anberiut askush”.

 

3-Atë që ka shënuar Ibën Ebi Shejbe, se Ibën Mulejke në Ramazan falte nga njëzet rekate. Zinxhiri i haberit është i saktë[7].

 

4-Ibën Ebi Shejbe përmend gjithashtu se Buhteriu e falte Taravinë njëzet rekate me pesë pushime dhe në fund e falte Vitrin tri rekate. Njëjtë përcjell edhe prej Alij ibën Rebisë, dhe zinxhiri i këtyre transmetimeve është i saktë[8].

 

5-Transmeton imam Maliku në Muveta, nga Jezid ibën Rumani se ka thënë:”Njerëzit në kohën e Omerit I kanë falur nga njëzet e tri rekate (dmth. Bashkë me vitër)[9].

 

 6-Ataja (nxënësi i Ibën Abasit) thotë:”I kam parë njerëzit duke falur njëzet e tre rekate Taravi dhe vitër”[10].

 

Zinxhiri I dy habereve të fundit është I fortë siç ka thënë Seharenfuri në Bedhlul Mexhhud.

 

Ka është shumë transmetime tjerë nga selefi që dëshmojnë se ata i falnin nga njëzet rekate. të tjerat prej tyre, edhe nëse kanë dobësi në zinxhirin e tyre, ato përforcohen me këto që përmendëm dhe kështu ngrihen në rangun e transmetimeve të mira (hasen li gajrihi).

 

 

Pseudoargumentit të atyre që thanë se Taravija i ka vetëm tetë rekate, do t’i përgjigjemi me 20 përgjigje:

 

1-Pyetja që Ebu Seleme ia parashtroi Aishës kishte për qëllim të hetonte se profeti përgjatë Ramazanit a e shtoi tempon e namazeve, pasi siç dihet në Ramazan shpërblimet shumëfishohen,apo jo?Aisha e njoftoi se profeti nuk shtonte numrin e rekateve të namazit të natës. Ky hadith s’ka të bëj me namazin e Teravisë[11].

 

2- Hadithi i Aishes r. a. nuk ka të bëjë me namazin e teravisë,porse me namazin e vitrit ose tehexhudit (namazit të natës),e mes tyre ka disa dallime.

 

3- Nëse themi se ky hadith ka të bëjë me përcaktimin e numrit të rekatëve të namazit të teravisë, siç pretendojnë disa vehabij, atëherë vetvetiu lind pyetja: Pse Aisheja me vite të tëra ka heshtur? Pse nuk ka reaguar kur ka parë se sahabet kanë falur njëzet rekatë teravi? Pse nuk i ka përmirësuar ata? A thua Aisheja, nëna e besimtarëve, do t’i linte në lajthitje ata dhe të gjithë pas tyre?!!!

 

4- Edhe nëse hadithi i Aishes r. a. përkufizon numrin e rekatëve të namazit të teravisë në tetë apo njëmbëdhjetë, ai kundërshton koncenzusin e sahabëve dhe dijetarëve islam dhe kur hadithi Ahad (haberi i vetmuar)bie ndeshë me konsensusin e dijetarëve, atëherë nuk merret për argument.

 

5-Ka mundësi që profeti të ketë shtuar apo pakësuar këtë numër kur banonte në shtëpinë e grave të tjera.Aisha kishte njoftuar vetëm atë që kishte parë në dhomën e saj. Këtë shpjegim e kanë theksuar shumica e dijetarëve.

 

6-Fjala se mbi njëmbëdhjetë rekate natën (tetë taravij dhe tri vitër) është bidat, kundërshton hadithin tjetër që transmeton Imam Buhariu nga Ibën Abasi se “profeti ka falur trembëdhjetë rekate namaz, dmth natën[12].

 

7-Ky hadith kundërshton transmetimet e tjera të sakta që thonë se selefi prej sahabëve dhe tabeinëve falnin më shumëse tetë rekate. Sikur tetë të ishte përcaktim prej profetit, ata nuk do të shtonin mbi tetë, dhe asnjëherë nuk do ta kundërshtonin synetin e tij.

 

8-Mohimi i shtimit kundërshton atë që është transmetuar nga profeti as. se kur hynte dhjetëshja e fundit e Ramazanit, e forconte rripin, zgjonte familjen e tij dhe e ngjallte gjithë natën e tij me namaz. Nëse nuk do të falte më shumë sesa netëve tjera, atëherë nuk do të kishte nevojë ta forconte rripin e tij. Ngjallja e natës me namaz nënkupton edhe shtimin e rekateve në krahasim me netët e tjera.

 

9-Profeti për namazin nafile të natës ka thënë:”Namazi i natës është nga dy, nga dy(rekate)[13].

 

10-Rrabije ibën Kabi ka kërkuar prej profetit r që te jetë shoqëruesi i tij në xhenet, e ai ka thënë:”Atëherë ndihmomë me sexhde shumë, sepse çdo sexhde që e bën për Allahun, Ai ta ngritëme të një shkallë në xhenet dhe ta fshinë me të një gjynah[14].

 

Pretendimi se namazi i natës është vetëm tetë rekate dhe se shtesa na qenka bidat, i kundërshton qartazi edhe këto dy hadithe të sakta.Këto hadithe nuk e kanë përkufizuar numrin.Mendoje!

 

11-Vallë a mund të thotë dikush se Omer Ibën Hatabi, Ali ibën Ebi Talib, Ibën Mesudi[15], Ubej Ibën Kabi,sahabët e tjerë dhe tabëinët që erdhën pas tyre do ta linin synetin e tete rekateve dhe do ti falnin nga njëzet rekate pa kurrfarë argumenti?!!! Kurrë, dhe as që mund të paramendohet.

 

12-Ne jemi urdhëruar të kapemi pas Hulefa Rrashidinëve, e Omeri ishte prej tyre. Profeti në një hadith ka thënë:”Keni kujdes ndaj sunnetit tim dhe sunnetit të Hulefai Rashidinëve pas meje”.

 

13-Sikur falja e njëzet rekateve të ishte bidat, si ka mundësi që sahabët të heshtnin nga kundërshtimi i bidatit, pasi dihet se kush heshtë nga mëkati është një shejtan i heshtur! Moskundërshtimi i tyre tregon se ajo që veproi Omeri kishte bazë dhe përkonte me synetin e profetit.

 

14-Transmetimet e sahabëve dhe tabeinëve përforcohen edhe me një hadithin profetik. Ka përmendur Tabaraniu, Ibën Ebi Shejbe dhe Bejhekiu nga Ibën Abasi se ka thënë:”Pejgamberi as. në Ramazan pos vitrit i ka falur njëzet rekate[16]”.

 

15-Profeti as. në hadithet e tjera ka nxitur të pasohet Omeri dhe ka thënë se vërteta (hakku) është në gjuhën dhe zemrën e tij.

 

16-Fjala e Albanit se shtesa mbi tetë është bidat kundërshton gjithë ymetin, sepse askush para tij se ka thënë këtë gjë[17],e Allahu xh. sh. thotë: {Kush i kundërvihet të dërguarit, pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që e ka zgjedhur (në dynja) dhe e fusim në xhehenem. Përfundim i keq është ai} (Nisa,115).

 

17-Aisha r. a vet për hadithin e saj nuk ka thënë se shtesa është bidat,dhe nuk e ka kuptuar ashtu siç ka pretenduar shejh Albani.

 

18-Ymeti gjithashtu ka koncenzus së kjo nuk është bidat, por e lejuar, bile e preferuar[18].Pejgamberi r ka thënë: “Nuk bashkohet ummeti im në të pa vërtetën (dalalet)[19]”.

 

19-Edhe nësethemi se tetëshja ishte adet i profetit, kjo nuk tregon ndalesën e pakësimit apo shtimit të numrit.

Profeti, paqjaqoftë mbi të, nuk tha se shtesa është bidat.

Shembull: Nëse ai ipte sadaka me grurë, kjo nuk presupozon që është haram të japim sadakanë në para,sepse sadakaja si sadaka ka bazë në sheriat, dhe nuk është e përcaktuar forma.Prandaj, konsiderimi bidat i asaj që profeti se ka konsideruar bidat, është bidati vet.

 

20-Veprimi i Omerit, kur ai i mblodhi sahabëtnë njëzet rekate, nuk kishte mundësi të ishte ixhtihad i lirë nga koka e tij, sepse ixhtihadi i tillë nuk ka mundësi të hyj në ibadete të tilla.

 

Në librin Ihtijar li Talilil Muhtar përmendet se Ebu Jusufi e ka pyetur Ebu Hanifen për namazin e teravisë dhe veprimin e Omeritr. a. e ai është përgjigjur:”Teravitë janë synet i fortë (mueked). Atë nuk e nxori Omeri prej xhepit të tij, ai nuk ishte risimtar për to dhe nuk do ti kishte urdhëruar njerëzit pa ndonjë bazë dhe premtim nga i dërguari i Allahut”.

 

Pa u zgjuar shumë, konkludojmë se popullit i duhet tërhequr vërejtja ndaj pikëpamjeve të tilla inovative që dalin nga njerëz të cilët pretendojnë se kanë dituri, e ndërsa refuzojnë ta ndjekin rrugën e sahabëve dhe të ymetit në përgjithësi.  

Shijat ishin ata që thanë se:Taravija është bidat që e ka shpikur Omer Ibën Hatabi, sahabët dhe katër medh’hebet e synive!

Selefitë në krye me Albanin në anën tjetër deklarojnë se: Kapja për synetin e profetit , sipas tyre (8 rekate) është më e mirë sesa për veprën e Omer Ibën Hatabit dhe sahabëve tjerë (20 rekate) , ndërsa katër medh’hebet kanë gabuar në këtë çështje!

Këtu shohim se këto dy grupe janë bashkuar në një pikë e cila është:Shpallja e sahabëve të devijuar, pretendimi se 98 % të dijetarëve të ymetit kanë kundërshtuar synetin e profetit dhe se ata po e kuptojkan fenë e Allahut më mirë sesa mbarë ymeti!!!

Ebu Hanifeja, Allahu e mëshiroftë, meselën e taravisë po për këtë shkak e ka futur në librat e akides që ti tregojë botës mbarë se taravija që fali Omeri, Othmani, Aliu dhe sahabët e tjerë nuk ishte devijim por synet, dhetë devijuar janë ata që dyshojnë në besnikërinë dhe drejtësinë e ixhmasë sëmuslimanëve.

Mos të harrojmë pa përmendur se këta që po e urrejnë shtesën,mu këta janë që në dhjetë ditshin e fundit të Ramazanit i shtojnë tetë rekatëshit të tyre edhe njëmbëdhjetë rekate tjera,gjë të cilën nuk ka vepruar profeti.Atëherë pse ata e bëjnë këtë gjë?!!!

 

Allahu na udhëzoftë në rrugën e Tij të drejtë dhe na bashkoftë rreth të vërtetës,amin!

 

 

 

------------------------------------------

[1] Buhariu (924), Muslimi (761), etj.

[2] Në shkurtesën kryesore të malikive, tëquajtur “Muhtesar Halil”thuhet se Maliku ka marrë për bazë transmetimi e njëzetrekateve. Në librin “Mudevene” të malikive thuhet se:Me këtë mendim kanë punuare dhe banorët e Medinës. Ibën Abdil Berri thotë:Mendimi njëzet është përzgjedhjae shumicës dërrmuese të dijetarëve dhe këtë mendim e kemi përzgjedhur edhe neve(malikitë).

[3]Mexhmuul Fetava, vëll.22, fq. 272.

[4] Një krahasim I tillë pa dyshim se ështëI kotë,pasi që namazet farze dhe disa nafile janë të përcaktuara nga profeti në mënyrë të qartë,për dallim nga numri I rekateve të Teravisë,siç do ta shohim nëvijim.

[5] Buhariu (1147), Muslimi (738), etj.

[6] Bejhekiu në Kubra (4393).

ImamTirmidhiu në Sunenin e tij ka deklaruar: “Shumica e muxhtehidëve kanë zgjedhur njëzet rekatshin, siç është transmetuar nga Sejidina Aliu r. a dhe Sejidina Umeri r. a dhe sahabë të tjerë veç këtyre dyve”.

[7] Ibën Ebi Shejbe (7683).

[8] Ibën Ebi Shejbe (7686).

[9] Vërejtje:Transmetimiqë thotë se në kohën e Omerit janë falur tetë rekate, nuk e kundërshton transmetimin tonë, pasi ka mundësi të bashkohet dhe të thuhet se:Kjo ka qenë nëfillim të sundimit të Omerit, pastaj janë falur njëzet.

[10] Ibën Ebi Shejbe.

[11] Hadithii transmetuar nga Aisheja r. a. nuk është argument bindës se namazi i teravisë është tetë rekate, për arsye se hadithi në fjalë ka të bëjë me namazin e vitrite jo me namazin e teravisë. Argumenti se ky hadith ka të bëjë me namazin e vitrit e jo me namazin e teravisë është vetë teksti i hadithit ku thotë: “as në Ramazan e as jashtë Ramazanit” sepse namazi i teravisë është specifikë e muajit të Ramazanit dhe nuk falet jashtë Ramazanit, e namazi që falet jashtë Ramazanit është namazi i vitrit. Nga kjo nënkuptohet se sikur hadithi të bënte fjalë për namazin e teravisë, atëherë kynamaz do duhej falur edhe pas Ramazanit, e këtë nuk e ka thënë e as pranuar askush nga muslimanët. Në anën tjetër asnjëherë, asnjëri nga dijetarët emëdhenj islam, muxhtehidët nuk e ka përdorur këtë hadith si argument për të vërtetuar numrin e rekatëve të namazit të teravisë. Përkundrazi, shumicae dijetarëve eminent islam kanë thënë se qëllimi i këtij hadithi është namazi i vitrit e jo namazi i teravisë. 

Imam Neveviju me këtë hadith argumentonse maksimumi i namazit të vitrit, si gjatë Ramazanit ashtu edhe jashtë Ramazanit është njëmbëdhjetë reqate. Gjithashtu edhe fukahatë islam duke ubazuar në këtë hadith vërtetuan se maksimumi i namazit të vitrit është njëmbëdhjetë rekate. 

Pra të gjitha këto janë argumente që vërtetojnë se hadithii Aishes r. a. flet për namazin e vitrit e jo për namazin e teravisë, andaj nuk është argument i fuqishëm për vërtetimin e rekateve të namazit të teravisë portë vitrit. (Huazim nga një punim i profesor Jusuf Zimerit-Allahu e ruajtë).

[12] Njëjt përmendet edhe në Muveta dhe Muslim, ngahadithi I Zejd ibën Halidit. Këtu në këto dy hadithe qartë thuhet se profeti natën I ka falur 13 rekate. Interpretimi i Albanit këtu se këto dy rekatet e13-shes kanë për qëllim dy rekatet synet pas jacisë është një interpretim i kotëdhe i pa bazë.

[13] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[14] Transmeton Muslimi.

[15] Imam Bejhakiu përmend disa transmetime nga Aliu, Allahuia fisnikëroftë fytyrën se ai po ashtu e ka vazhduar praktikën e faljes sënjëzet rekateve në namazin e taravisë në kohën sa ishte kalif. Njëjt e përcjell edhe nga Ibën Mesudi. Këta dy sahabinj ishin ajka e dijetarëve të gjeneratës së parë.

Ameshi thoshte:Ibën Mesudi Ifalte njëzet rekate Taravij dhe tri rekate vitër.Për më tepër shiko librin e Muhamed ibën Nasër Merveziut.

[16] Zinxhiri i këtij transmetimi është i dobët, mirëpo është rregull e mirënjohur në shkencëne hadithit dhe fikhut se nëse një hadith përmban sinxhir të dobët, por është imbështetur nga praktia e përgjithshme e Ummetit në epokën e Sahabëve dhe të Tabiinëve, atëher ai hadith merret si autentik. Kështu jep shenjë edhe vet Ibën Ebi Shejbe, ku pasi shënon hadithin e lartëpërmendur, e pason atë me një mori transmetimesh nga sahabët dhe tabëinët që e vërtetojnë se Taravija ka njëzet rekate.

[17] Mevlana Habiburrahman Adhami, përkitazi me këtë ka thënë: “Nga pas kohës së Sejidina Umerit r.a, e deri nga fund i shekullit të 13-të hixhrij, nuk gjenë ndonjë shembull ku përmendet falja e namazit të taravisë me tetë rekate. Ai po ashtu ka dëshmuar se praktikimi i namazit të taravisë me njëzet rekate, ka mbetur praktik e Ummetit deri në ditën e sotme. Shembull paraqet atë që është vepruar vazhdimisht në Mekke dhe Medine dhe për këtë argumentohet dhe me fjalët e Shafiut i cili ka thënë se:"I kam lënë banorët e Mekës dhe ata vazhdonin tifalnin nga 20 rekate"...

Thashë:Njëzet rekate faleshin edhe në Medinë në kohën e Malikut, bile edhe më shumë se kaq. Ibën Tejmija për atë kohë ka deklaruar dhe ka thënë:"Deri në kohën e Malikut nuk është njohur që në Medine të futeshin bidatet".

[18] Për njëzetrekatshin është cituar edhe Ixhmaja.

Hafiz Ibn Abduberri (malikij) thotë: “Sahabët nuk kishin asnjë kundërshtim lidhur me këtë”.

Alame Ibn Kudame (hanbelij) thotë: “ Sahabët, lidhurme këtë çështje kan bërë Ixhma në kohën e Sejidina Umerit r. a”.

Hafiz Ebu Zur’ah Irakiu (shafij) thotë: “Ata (ulematë),miratimin e dhënë nga Sahabët (për 20 rekatëshin) e kan konsideruar si ixhma.

Mulla Ali Kariu (hanefij) ka deklaruar se ka ixhma lidhur me praktikimin e njëzet rekatëve.

[19] Tirmidhiu.

Përgatiti hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

Ramazan,2015

/KBI-Bujanoc.com/

4085 Shikime