Pasojat e terrorizmit tek muslimanët

12.01.2015

Pasojat e terrorizmit tek muslimanët


Pasojat e terrorizmit tek muslimanët

I- Definicion i terrorizmi Terrorizmi nuk është një fenomen i ri i shekullit XXI. Ky fenomen ka ekzistuar dhe mëparë në shtete të ndryshme. Ndër shtetet e para të cilat kanë ndjerë kërcënimin e terrorizmit si dhe përdorimin e fjalës “Terrorizëm” ështe Rusia, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Terrorizmi manifestohej në forma të ndryshme reagimi krysesisht dhune të drejtuara ndaj shtetit. Karakteri i terrorizmit ka qenë një karakter politiko-historik në të cilën manifestoheshin dhuna ndaj shtetit për arsye të bindjeve politike apo bindjeve kombëtare. Por në të njëjtën kohë teoria bashkëkohore njeh edhe terrorizmin shtetëror që është një formë tjetër e terrorizmit e njohur në të cilën shteti ushtron terror ndaj qytetarëve të tij, apo mbi popujt e tjerë jasht kufijve të vet, si rasti i ish Jugosllavisë- Serbisë, mbi popullin e Kosovës.

Nocioni i terrorizmit ka ndryshuar por thelbi mbetet i njëjtë “dhuna dhe terrori”. Sot veprat terroriste shoqërohen me dhunë drejtuar jo vetëm shtetit, por dhe grupeve të individëve apo institucioneve, duke shkatuar ndjenja frike, paniku, si dhe duke arritur negociata shtetërore apo institucionale nën presionin e kërcënimit, kanosjes, si dhe rrëmbimeve. Aktet terroriste përfundojnë në shumicën e rasteve me viktima të shumta. Shpesh herë synimi i tyre nuk është vetë viktima, por përfaqësimi që ka viktima/vendi/institucioni.

Kodi Penal i Francës e quan aktin e terrorizmit si “një akt i kryer nga një individ ose grup që përdor kanosjen ose terrorin për të prishur rendin publik”. Terrorizmi kërcënon shtetin në rradhë të parë dhe veprat terroriste konsiderohen si vepra të drejtuara shtetit apo institucionit përfaqësues.

II- Standarte të dyfishta në cilësimin e terrorizmit.

Vitet e fundit aktet terroriste kanë marë një tjetër identifikim. Ato shoqërohen me termin “islamik,- terrorizmi islamik”. Arsyeja përse e merr këtë emërtim është pasi disa personat që i kanë kryer këto vepra janë identifikuar si persona të besimit Islam. Në fakt vlen për të diskutuar çështjen e mendësisë dhe besimit të tyre, por nuk do të ndalemi në këtë pikë.

Propaganda mendiatike ka krijuar një sterotip të ri të nocionit terrorizëm duke e lidhur me një besim fetar që në vetvete është sinonim i Paqes “Islam, Selam, Paqe”. Ky sterotip i krijuar është shumë i rrezikshëm dhe diskriminues pasi për të njëjtën vepër penale siç është vrasja apo rrëmbimi, ka etiketim të ndryshëm. E thënë më thjeshtë: Nëse një shtetas amerikan ka vrarë 20 persona ai nëpër media trasmetohet si “ Shtetasi amerikan, psikopat (në shumë raste i justifikojnë duke i cilësuar si të sëmurë psiqik) vrau 20 persona”. Ky person jo vetëm që nuk dënohet nga

masa me të njëjtën urrejtje dhe me të njëjtën përcmim, por madje forma e prezantimit të tij si i sëmurë psiqik/ manjak/ herë herë të ngjall dhe mëshirë duke e justifikuar: ka qenë i sëmurë dhe i pa vetëdijshëm. Por në të njëjtën kohë nëse një shtetas që mund të ketë emrin musliman, apo vjen nga një shtet që praktikohet besimi islam, apo ka shenja dalluese islame, atëherë ai e humb dhe emrin e tij duke u kthyer në :Terroristi Musliman vrau X persona. Që të jemi të qartë, vepra e të dy personave të sipërpërmendur janë vepra penale ndaj të cilave duhen marr masa maksimale parandalimi si dhe dënimi, pasi rrëzikshmëria e tyre është shumë e lartë.

Kjo propagandë mediatike sjell dy problem kryesore : së pari, krijon një shqetësim për të gjithë individët që praktikojnë besimin Islam, pasi ndaj tyre është hedhur, është keqintepretuar çështja e besimit të tyre, dhe së dyti krijon një fenomen të rrezikshëm siç është islamofobia. Kjo fobi sjell pasoja të mëdha ndaj miliona qytetarë të botës që praktikojnë besimin islam dhe ato biejnë pre e diskriminimit dhe përçmimit të pjesës tjetër të cilët nuk arrijnë të ndajnë nocionin islam dhe terrorizëm.

III- Pasojat e terrorizmit tek muslimanët

Të shumtë janë ato që vuajnë nga pasojat e terrorizmit. Viktimat e terrorizmit si dhe familjarët e tyre janë kategoria e parë e cila vuan në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga këto akte. Së dyti shteti është ai që vuan nga veprat e tyre pasi terrorizmi kërcënon sigurinë kombëtare dhe krijon një gjendje kaosi si dhe frike. Së treti dhe më së shumti janë vetë muslimanët, qytetarët e botës, që sipas statistikave numërohen rreth 1.570 000000 konkretisht 22% (përqindje në rritje) duke qenë besimtarë të fesë me përhapje të dytë më të madhe në botë. Konkretisht pasojat janë të tilla:

a. Njësimi i terrorizmit me Islamin; të paktë janë ata analistë apo individ që si pasojë e promovimit keqëdashës të islamit, arrijnë të ndajnë dhe të bëjnë dallimin e qartë mes islamit dhe terrorizmit. Feja islame është feja e dytë më e madhe në botë, dhe feja islame sikurse janë të tre fetë hyjnore në origjinën e tyre, ato promovojnë paqe dhe dashuri, dhe kurrsesi dhunë dhe gjak.

b. Çdo praktikant musliman identifikohet si terrorist; dëshmitar për këtë janë sulmet e shumta të cilave i janë bërë vajzave me shami nëpër rrugë të europës por jo vetëm, duke i dhunuar dhe duke i akuzuar si terroriste, bombarduese, etj.

c. Legjitimimi i ndërhyrjes së focave ushtarake ndërkombëtarë në çështjet kombëtare të vendeve të luftës; Të gjithë jemi dëshmitar që menjëherë pas një “sulmi terrorist” forcat ushtarake shkojnë në vendet e lindjes (kryesisht në vendin e lindjes të atentatorëve, me arsyetimin e kontrollimit dhe sigurimit dhe më arsyetimin që shkelja e të drejtave të njeriut duan një stabilizator ndërkombëtar. Rastet e shteteve të lindjes duke filluar nga Afganistani, Egjipti, Libia, Siria, etj ndërhyrjet ndërkombëtare kanë sjell një ndryshim të sistemit, një rrëzim të qeverisë në emër të paqes duke sjell më shumë viktima sesa ndonjëherë tjetër në historinë e tyre shtetërore.

d. Bojkot i produkteve islame; Urrejtja e krijuar krijuar ka nxitur individ, shoqëri, dhe institucione të bëjnë bojkot të produkteve “Hallall”, duke tentuar të sjellin përveç tjerave dhe një humbje ekonomike.

e. Sjell diskriminim në jetën e përditshme; propaganda mediatike ka krijuar një mendim që muslimani/e praktikant është një individ i paaftë për punësim, i rrezikshëm për shoqërim dhe që ndaj tij/saj duhet mbajtur një qëndrim diferencues. Kjo ka sjell pasoja në fushën e punësimit, ku vajzat me shami janë më të paktat të punësuarat pavarsisht se mund të kenë dyfishin e kualifikimeve të kërkuara. Ato janë trajtuar si persona dyshues dhe të rrezikshëm nëpër aeroporte duke ju nënshtruar një kontrrolli të imtësishëm nga një grupi i posaçëm në ambjente të posaçme për personat e dyshuar( nëpër dhoma të sigurisë specifike). Gjithashtu ky trjatim dyshues dhe përbuzës është përjetuar nëpër auditore studimesh, ku gjithmon ndaj vajzave me shami veçanërisht dhe prakitaktëve fetar në përgjithësi ka pasur një ndjenjë frike, refuzimi, dhe përbuzje.

f. Për botëkuptimin Islam nuk ka vënd në Europë- Është artikulli i një profesori në një nga universitetet më të mira në Shqipëri, një nga universitetet që është krenuar më politikat antidiskriminuese dhe ndalimin e përjashtimit të tjetrit, sado ndryshe që mund të jetë. Profesori në fjalë, i cili unë dhe shumë student/e të tjerë jemi hasur në ambjent të përbashkët të universitetit, që jemi përshëndetur, ky profesor mendon që një student/e apo një qytetar si unë dhe si shumë praktikantë të tjerë, nuk kanë vend në këtë shoqëri. Nësë ne që jemi taksapaguese të këtij shtetit, jemi qytetarë që zbatojmë më përpikmëri të gjitha detyrimet tona, dhe që përfundojmë studimet me rezultate maksimale, si dhe paguajmë një kuotë maksimale arsimi, prej të cilës përfitojnë shumë, mes tyre dhe vetë profesori në fjalë; nëse për ne nuk ka vend në Europë atëherë për kë ka? Atëherë ku duhet të jemi? Europa nuk duhet të bëjë ndarje mes muslimanëve apo jo muslimanëve, por ndarja e të gjithë qytetarëve duhet të jetë legjitime në bazë të veprave tona, në bazë të qëndrimeve tona, në bazë të qytetarisë që tregohet, në bazë të së drejtës. Politikat përjashtuesë janë të rrezikshme, janë të padrejta, janë të dëmshme, prandaj bëj thirrje që të përjashtohen këto mendime nga çdo qytetar, nga çdo akademik, nga politikanët, nga udhëheqësit shtetëror, nga mediat dhe përfaqësues të mediave, nga të gjithë ne dhe të gjithë ju, largohuni nga idet përjashtuese nga qëndrimet urryese, pasi në këtë kohë ajo që më së shumti kemi nevojë është për paqe, për mirëkuptim, për stabilitet, dhe për dashuri.

Si përfundim mund të analizojmë që përderisa aktet terroriste më shumë se këdo tjetër diskriminojnë, dënojnë, dhe lëndojnë muslimanët, dhe ka kaq kosto të rëndë tek ta, atëherë kjo logjikë kurrsesi nuk mund të mendohet dhe të besohet që ajo është vepër që ka lidhje me islamin. Aktet terroriste dëmtojnë rëndë muslimanët kudo që janë në botë, dëmtojnë integritetin e tyre, dëmtojnë arsimimin, punësimin, prespektivat dhe i bëjnë ata që të jenë viktima të shoqërisë islamofobe që nuk dijnë të dënojnë vetëm terrorizmin, por dënojnë dhe muslimanët padrejtësisht.

Autori: Msc. Rovena Tujani Klinaku ./KBI-Bujanoc.com/

3579 Shikime