29.12.2014
Çështjet thelbësore të mendimit akaidologjik të Ebu Hanifes – I
Mësimi i Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, në shkencën e akaidit, është fokusuar kryesisht rreth shtyllave dhe themeleve kryesore të besimit dhe, shikuar përmbledhurazi, i përfshinë këto çështje:
1. Uluhijjet-i
Allahu krijoi çdo gjë prej asgjësë, përkatësisht prej hiçit. Qiejt dhe tokën i krijoi në harmoninë më të përkryer, kurse krijesat i ndërron nga njëra formë në tjetrën, nga njëra gjendje në tjetrën, dhe bëri që njeriu, që nga mitra e nënës, të merr formën më të bukur, fakte të qarta këto, të cilat tregojnë për Madhështinë e Pronarit të diturisë.
Ashtu siç duket absurde që një anije, midis një stuhie të madhe, të gjej rrugën e saj pa udhëheqës, ashtu duket absurde edhe ekzistimi i universit pa fuqinë dhe diturinë e të Vetmit dhe Krijuesit të Plotfuqishëm. Çdo njeri, i cili mendon mbi këta fakte, ka mundësi që të arrijë deri te njohja e Allahut të Madhërishëm. Pra, çdo njeri i rritur, i logjikshëm dhe mendërisht i shëndosh e ka për obligim që, me anë të të menduarit, të arrijë deri tek njohja e ekzistencës së Allahut, madje edhe pa u takuar ndonjëherë me ndonjë bartës të mesazhit hyjnor (pejgamber). Këtij qëndrimi të Ebu Hanifes, dijetari boshnjak Ahmed Bejadiu nga shek. XVIII., do t’i kushtojë një hapësirë të gjërë në veprën e tij “Isharatu’l-meram min ‘ibarati’l-Imam.”[1]
Njerëzit, duke menduar mbi Qenien e Zotit, nuk mund t’i përshkruajnë emra dhe atribute, përpos atyre, me të cilat, vet Ai, veten e ka përshkruar dhe emërtuar. Atributet e Qenies së Tij: hajat, ‘ilm, iradet, kudret, kelam, sem’ dhe besar, si dhe atributetveprore: krijimi, furnizimi, dhënia e jetës, shkaktimi vdekjes, janë të pandara prej njëra-tjetrës. Çdo emër dhe atribut është i përhershëm (ﺃﺯلي) dhe janë të pa krijuar (ﺤﺎﺪﺛﺎ).[2] Bejadiu këtë qëndrim e promovon në kapitullin e dytë dhe të tretë nëIsharatin të tij, duke folur për atributet e Allahut të Madhërishëm si dhe duke afirmuar, kështu, mësimin e shkollës akaidologjike henefito-maturidite, e cila në mënyrë decide shpreh se atributet qeniesore (ﺃﻠﺫﺍﺗﻳﺔ) dhe veprore (ﺃﻠﻔﻌﻠﻳﺔ) të Allahut janë të amshueshme (ﻗﺪﻳﻤﺍ).[3]
Për dallim nga qëndrimi i përfaqësuesve të shkollës akaidologjike hanefito-maturidite, esh’aritët mendojnë që atributetqeniesore janë të përhershme, ndërsa veproret, të krijuara (ﺤﺎﺪﺛﺎ).[4] Dijetari i shquar hanefi dhe komentatori i veprave të Ebu Hanifes, Mulla ‘Ali El-Kariu, thekson se mohimi i amshueshmërisë së atributeve krijuese është sikur mohimi i tyre në përgjithësi, njejtë siç vepruan mu’tezilitët. Rreth kësaj, ky dijetar në Komentarin e tij ndaj Fikhu’l-ekber-it, zhvillon një diskutim konciz, ku mbronë pozicionin e mendimit të Ebu Hanifes.[5]
Atributet e Allahut janë të përhershme, kurse gjërat e ndodhura, qofshin të botës së dukshme apo të padukshme, dhe gjithë ajo që ka të bëj me këtë, janë kalimtare. Allahu i Madhërishëm nuk është i krijuar, as që është i kufizuar; si Ai nuk ka të ngjashëm; Ai nuk ka partner; është Një dhe i Vetëm. Me atributet, me të cilat karakterizohet, nuk i përngjanë asnjë krijese. Të gjitha atributet e Tij janë të përkryera (ﺼﻓﺎﺕ ﺃﻟﻟﻪ ﻜﻟﻬﻢ ﻜﺎﻤﻠﺔ) dhe do të ishte në kundërshtim me Kur’anin dhe Sunnetin në qoftë se atributet e Tij qenësore dhe veprore do t’i trajtonim ndryshe. Ai veten e përkshroi me atribute të përkryera, sikur që është të Folurit e Allahut (الله كلام), ndërsa në fjalimin e Tij fisnik, idhujt, të cilëve iu drejtohen për lutje paganët, nuk i ka përshkruar me artibutin e të folurit, e as që kanë mundësi që njerëzve t’ju sjellin gjera të dobishme apo të dëmshme, e që, megjithatë, është një argument se asnjë idhull nuk mund të jetë Allahu.[6] Kjo është treguar, në mënyrën më të qartë, në suren kuranore El-Ihlas. Kurse në pjesë të tjera të Kur’anit fisnik, si dhe në hadithet e Pejgamberit a.s., assesi nuk mund të përfytyrohen, duke u dhënë formë, atributet e Allahut, siç janë: Dora (اليد)[7], Nefs (النفس)[8], Fytyra (وجهة)[9] dhe Zbritja(نزول)[10]
Tiparet dhe atributet nuk mund të shpjegohen, dhe as që munden të krahasohen me emërtime të ngjashme të njerëzve. Shpjegimi i atributit Jedun (يد) me atributin tjetër Kudretun (قدرة), dhe komentimi i tyre në këtë formë, i veçon ato nga atributet e Allahut, ashtu që lihet të kuptohet se ato nuk janë të Tij. Allahu i ka bërë isteva Arshit (العرش على الإستوا), por Ai nuk ka pasur nevojë për Arshin dhe as që është i varur prej tij.[11] Allahu i Madhërishëm nuk ka nevojë që, me Qenien e Tij, të gjendet në secilin moment në çdo vend të caktuar. Ai te krijesat e Tij, me diturinë e gjithëdishme dhe të gjithanshme, është i pranishëm gjithandej dhe në çdo moment.
Allahu xh.sh. do t’ju paraqitet besimtarëve në Xhennet ashtu siç Atij i ka hije, me dëshirën dhe me caktimin e Tij, me Paraqitjen dhe me Pamjen e Tij, me një formë dhe mënyrë të panjohur për ne (بلا كيف), andaj dhe mbi këtë nuk preferohet diskutimi.
Të shikuarit e Allahut nuk mund të mendohet me konceptin e afërsisë dhe të largësisë, siç ofrojnë këto shprehje, dhe as me atë të gjatësisë së hapësirës apo të ngushtësisë së saj, por në kuptim të nderimit dhe shprehjes së kujdesit dhe respektit ndaj asaj që i takon vetëm hirësisë së Qenies së Tij të Lartësuar.[12]
Në disa burime të rralla shënohet se Ebu Hanife, në traktatet e tij, të ketë folur për disa partikularitete mbi Allahun, por, megjithatë, kush ka njohuri mbi përmbajtjen e shënimeve të tij, do të bindet se kjo nuk është aspak e vërtetë.[13]
-VIJON-
(Në pjesën tjetër të radhës do të lexoni se cili është qëndrimi i Imamit mbi Kur’anin, a është i krijuar ai apo jo. A është e vërtetë se Imami mendon se Kur’ani është i krijuar, etj.)
Autor:
Dr. Muharem Omerdiq
Përktheu nga boshnjakishtja:
Mehas Alija
_________________________
[1] Ahmed Bejadi-zade, Isharetu’l-meram min ‘ibarati’l-Imam, Gazi Husrev-begova biblioteka, Sarajevo, rukopis, br. 3999, fol. 44a.
[2] Lejohet përmendja e emrave dhe atributeve të Allahut vetëm sipas asaj që thotë Kur’ani dhe Sunneti. Emrat e Tij janë më të bukurit (al-esma’ul-husna), ndërsa atributet më të lartat (al-sifatu’l-ula). Në përkryershmërinë e tyre është i domosdosshëm besimi. Imam ‘Azami thotë: “Nuk është e tolerueshme që Allahu të përshkruhet me atributet e njerëzve”, ose “Qenies së Allahut nuk duhet t’i caktohen karaktere; Ai është i tillë, siç vetë Ai ka folur për Veten e Tij.” (Krahaso: Dr. Muhammed ibn ‘Abdurrahman al-Humayyis, ‘Aqidatu’l-Imam Abu Hanifa al-Nu’man, Daru Tayyiba, Rijad, 1998., 5.)
[3] Bejadi-Zade, ‘Isharatu’l-meram, Al-Babu’t-tani: Fi sifati’dh-dhatiyyje…, ibid., fol.54a-II6b; Al-Babu’th-Thalith: Fi bayani sifatihi al-fi’liyya, ibid. Fol., II6b-177b.
[4] Wahbi Sulayman Gawaği al-Albani, ‘Abu Hanifa al-Nu’man, “’Aqidatu’l-Imam”, Damas, 1407.h/1987., 293.
[5] Nuruddin Mulla ‘Ali Muhammed Al-Qari, Shar ‘ala’l-Fiqhi’l-akbar, Maktaba wa matba’a Mustafa al-Babi al-Halabi, Kajro, 1375./1956., 21-23. Ky ka qenë një dijetarë specialistë në shumë diciplina shkencore. Ka shkruar një numër të madh veprash, në mesin e tyre edhe: Mirqat al-mefatih li mishkat al-mesabih. Vdiq në vitin 1014 h. (Shih: ‘Umar al-Kahhala,Mu’ğamu’l-muallifin, II, Damask, pa datë dhe vit botimi, 446.)
[6] Dr. Muhammed al-Humayyis, Usulu’d-Din ‘inda’l-Imam Abi Hanifa, Daru’l-Samay’i, Rijad, 1416. H. 1996., 292.
[7] Al-Fat’h, 10.
[8] Al-An’am, 12.
[9] Al-Baqara, 115.
[10] ‘Abdu’aziz al-Muhammed a-Salman, Al-Kawashifu’l-ğaliyya ‘an ma’ani al-Wasitiyya, Muassasa Makka li’t-taba’a wa’l-i’lam, Mekka al-mukarrama, pa vit dhe datë botimi, 61-65.
[11] Bejadi-zade, ‘Isharatu’l-meram, ibid., fol., IIIa. Për më gjerësisht shih trajtesën: Dr. Mustafa Hilmi, Manhağu ‘ulema’i-l-hadith ëe sunna fi ‘usuli’d-din, Kajro, 1996., 138-140.
[12] Bejadi-zade, Al-Usulu’l-munifa li’l-Imam Abi Hanifa, Suleymaniye kutuphanesi, Shehid Ali Pasha, Istambull, Nr. 1705, fol 5a.; Tahir ‘Abdulmağid, Taqribu’l-‘aqaidi’n-nasafiyya, Kajro, 1967., 54.
[13] Saduddin Mas’ud ibn Umar al-Taftazani, Sharhu’l-maqasid, I, Istambull, 1277 h., 84-85. Këto pohime mund të verifikohen duke i lexuar traktatet e Ebu Hanifes në shkencën e akaidit, e sidomos komentarët e tyre të shumtë./KBI-Bujanoc.com/
3547 Shikime