Sot vizita historike e Ramës në Beograd e Preshevë

10.11.2014

Sot vizita historike e Ramës në Beograd e Preshevë


Sot vizita historike e Ramës në Beograd e Preshevë

Sot është dita e shumëpritur e vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi. Kjo është vizita e parë e një kryeministri shqiptar, që pas asaj të 68 viteve më parë të liderit komunist Enver Hoxha në Jugosllavi

Rëndësia e kësaj vizite është rritur, sidomos pas ndeshjes kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë, ku tifozët serbë hynë në fushë dhe dhunuan ekipin e kombëtares shqiptare. Pikërisht për këtë incident, vizita që ishte parashikuar për në 22 tetor, u shty për në datën 10 nëntor. Këtë fundjavë është bërë publike edhe agjenda e kreut të qeverisë shqiptare në Beograd.

 

Kryeministri dhe delegacioni shqiptar do të nisen nga aeroporti “Nënë Tereza” në orën 8.30, dhe pas një ore pritet të mbërrijë në aeroportin e Beogradit. Më pas Rama do të zhvillojë takimin e parë në orën 11:00 me homologun serb, Aleksandër Vuçiq dhe pas 10 minutash, dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim kokë më kokë.

 

Në 12 e 15 minuta, do të mbahet konferenca për shtyp e kreut të qeverisë së Tiranës dhe Beogradit. Axhenda vijon më tej me një takim të shefit të qeverisë shqiptare në orën 16:00 me gazetarët. Pasditja rezervon gjithashtu axhendë të ngjeshur, ku Rama do të jetë i pranishëm në forumin e biznesit serbo-shqiptar dhe ora 18:00 e zhvendos kryeministrin në Bashkinë e Beogradit.

 

Por edhe pse është diskutuar shumë, në agjendë nuk përfshihet ecja në këmbë e kryeministrit Rama në rrugët e Beogradit. Ajo që mësohet është gjithashtu se, Rama nuk do të takohet me presidentin Timosllav Nikoliç.

 

Vizita në Presheve pritet të kryhet ditën e martë. Nisja për në Presheve do të bëhet në orën 05:00 të mëngjesit. Pas mbërritjes në Preshevë, agjenda përcakton se në orën 11.00, kryeministri Rama do të takojë kryetarin e komunës. Presheva ka nisur përgatitjet që mëngjesin e sotëm, për pritjen e kryeministrit shqiptar. Ditën e diel, qytetarët e Preshevës u zgjuan me përgatitje për vizitën e kryeministrit Edi Rama.

 

Postera dhe pankarta që i urojnë mirëseardhjen kreut të qeverisë shqiptare, janë vendosur në rrugë. “Mirë se vjen kryeministër” shkruajnë banerat, e vendosura në prag të vizitës së Ramës në Serbi këtë të hënë.  /KBI-Bujanoc.com/

1576 Shikime