Teologët e traditës dhe interpretimi bashkëkohor i Kur’anit

21.09.2014

Teologët e traditës dhe interpretimi bashkëkohor i Kur’anit


Teologët e traditës dhe interpretimi bashkëkohor i Kur’anit

Profeti Muhamed a.s. është interpretuesi i parë i Kuranit dhe njëkohësisht burimi dhe esenca e tij, konkretizuar me një literaturë të gjerë që njihet me emrin “Hadith”. Pastaj e kanë vazhduar rrugën e shpjegimit shokët e tij të nderuar dhe dijetarët myslimanë që ndoqën rrugën e tyre. Në këtë mënyrë iu hap rruga e interpretimit të Kuranit, e cila u quajt metoda tradicionale, të cilën e sollën në vendin tonë teologët shqiptarë të arsimuar në Arabi e Turqi.

 Prej tyre veçojmë intelektualin dhe teologun e lartë Ismail Ndroqi, Drejtorin e Medresesë së Tiranës, Hafiz Izmet Dibra, mësuesin dhe teologun Hafiz Ali Korça, Ferit Vokopola, që hartoi kritere të përkthimit dhe komentet e Kuranit, Haxhi Mahmud Dashi, Hafiz Ali Kraja, Esat Myftiu, Haki Sharofi etj. Ndërta shquhet Hafiz Ibrahim Dalliu, mësuesi, poeti dhe teologu i shquar, njohësi i mirë i gjuhës dhe i gramatikës arabisht dhe shqip. Në interpretimin e tij krahas metodave tradicionale përdori edhe atë të arsyes, kryesisht në shpjegimin e verseteve që flasin për ligjet e natyrës, për botën bimore e shtazore, për ligjet kozmike, për të vërtetat shkencore, përmbajtja e të cilave është provuar më vonë nga shkenca. Hafiz Dalliu është përpiluesi i parë i tefsirit apo i interpretimit të Kuranit në gjuhën shqipe, që njihet me emrin “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit”, i cili u mbështet në metodën fillestare tradicionale, dhe pastaj ndoqi dhe drejtimin racional si nevojë e domosdoshme e kohës, diktuar nga rrethanat kulturore e shkencore të vendit tonë. Në studimin, përkthimin e komentimin që Dalliu i bën Kuranit, nxjerr konkluzione se në të trajtohen çështje të besimit, jepen udhëzime për njerëzit në Islam, i këshillon ata që nuk besojnë, jep paralajmërime, nxjerr përfundime për ngjarje historike të popujve të kaluar, etj.

Duke i studiuar këto në kushtet konkrete historike në të cilat punoi e jetoi, Hafizi krijoi metodën e tij të problemeve kulturore, të arsimimit në gjuhën shqipe, probleme politike, sociale e ekonomike, që myslimanët shqiptarë të përfitonin nga thesaret e çmuara që përmban Kurani.

Mbinatyrshmërinë e Kuranit, Hafizi e sheh në retorikën, stilistikën, vargjet, fjalën dhe shprehjen. Ai është dhe tematik se përmban lloje të ndryshme të udhëzimeve, mençurive dhe këshillave për reforma edukative, ligjore e arsimore. Po kështu ai përmban fakte shkencore që janë vërtetuar nga shkenca moderne. Konceptime të tilla të Dalliut për kohën ishin përparimtare. Duke vërtetuar se Kurani është libër i fundit dhe i përhershëm, Hafiz Dalliu theksoi se ai është për të gjitha kohërat, e jo për kulturën e një shekulli apo e një gjenerate të caktuar. Kulturat zhvillohen e përparojnë, idetë ndryshojnë, shekujt kalojnë por Kurani mbetet i pandryshuar dhe i përgjigjet të gjitha etapave të zhvillimit deri në fund të kësaj bote. Dalliu si autor i përkthimit të Kuranit, mbart vlera të veçanta, sepse e botoi në një kohë kur ndjehesh mungesa e një përkthimi zyrtar të Kuranit. Ai e gjen edhe miratimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar të asaj kohe ku thuhet: “U lexu, u shqyrtue e u pëlqye prej këshillit të naltë të Sheriatit”, dhe u botua në shtypshkronjën “Ora” të Shkodrës në vitin 1929. H. Dalliu si teolog i mirëfilltë, e bëri përkthimin nga origjinali arabisht. Në parathënien e përkthimit dhe interpretimit të Kuranit, nëpërmjet të tjerash Dalliu thotë se do ta ndërrojë metodën e përkthimit vetëm për hir të atyre myslimanëve shqiptarë, të cilët nuk i dinë shkronjat e gjuhës arabe, ashtu që edhe ata të mos mbeten “Gojëthatë”, duke filluar të japë dhe transkriptimin e ajeteve me germa shqipe. Për këtë ai përpiloi dhe njëlloj tabele se si lexohen shkronjat kuranore në shqip.

H. Dalliu merr përsipër përkthimin dhe komentimin e Kuranit, ku bëhet vepra e parë e këtij lloji në hapësirën shqiptare. Sipas tij, është detyrë fetare që Kurani t’i përkthehet secilit në gjuhën që flet. Kjo ka qenë e lejuar qysh në kohën e Profetit, bazuar në Kuran e deri në komentet e tij që i bënte vetë i dërguari i Allahut, që është Hadithi i tij apo Suneti siç quhet sot. Kurani nuk përkthehet fjalë për fjalë sepse secila fjalë ka kuptimet e veta të brendshme, si alegori, aludime dhe sinjalizime. Ka fjalë të përbashkëta që kanë shumë kuptime, por përgjithësisht fjalët kuranore përmbajnë mrekulli. Mbi këto baza H. Dalliu ka bërë përkthime dhe interpretimin duke krahasuar kohën në të cilën jetoi me të shkuarën e largët, për të bërë të mundur aktualizimin e problemeve. Ai e kaparaqitur komentin e Kuranit në bazë të thellimit të problematikës sipas përvojës dhe traditës, t’i përgjigjet logjikës dhe të jetë universale në të vërteta që përfaqëson historia e interpretimit të Kuranit. Imam Aliu shprehet: “Feja është mendje dhe mendja është fe”, domethënë nuk është fe ajo që nuk e pranon mendja, dhe s’ështëmendje ajo që s’e pranon fenë”.

Prandaj nuk mund të ketë kundërshtim ndërmjet Fjalës Hyjnore dhe botës ku ajo zbatohet e shndërrohet në veprim. H. Dalliu dialogun mes Zotit dhe njeriut e sheh si të gjallë, ai nuk e sheh shkrimin hyjnor vetëm si shkronja të vdekura, por si fjalë e gjallë e cila përmban në vetvete udhëzime dhe urtësi.

Një autor inteligjent dhe i arsimuar si Dalliu, shkruan me një stil të lartë, që me shpjegimet shtojcë e bën më të lehtë dhe më të saktë për lexuesin. Mjafton të përmendim shprehjen kuranore “Me emrin e Allahut”, që myslimanët duhet ta përdorin para fillimit të çdo pune. H. Dalliu me shpjegimin e tij gjuhësor tregon një mprehtësi origjinale intelektuale “Për atë se ç’është qenia dhe qenësia, për atë se ç’është Zoti e ç’është krijesa e Tij”. Sipas tij, realiteti nëpër të cilën lëviz jeta jonë dhe nëpër të cilën kryhet veprimtaria e shpirtit tonë është më i ndërlikuar. Fjala “Allah” është një nga emrat e bukur të Zotit. Me këtë emër thirret vetëm i adhuruari me të drejtë, që është Zoti, ekzistenca e të cilit është e domosdoshme. Allah nuk quhet tjetërkush veç Zotit. Ajo që përbën thelbin e logjikës së Dalliut si interpretues i Kuranit, është hapja e hapësirës për çdo përmbajtje të mundshme, çlirim për çdo gjë burimore në pamje historike. Kurani është kushtetutë universale dhe sqarim për gjithçka. Në Kuran thuhet: “Ne ty të shpallëm Librin sqarues për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët.” (Nahl, 89). Ai i drejtohet qenies njerëzore, mendjes, vetëdijes dhe shpirtit të tij. Në dispozitat e tij është se vëzhgimi me mendje është rruga e vetëdijes deri tek e vërteta. Ai që kërkon të vërtetën racionale do ta gjejë në Kuran dhe në logjikë. Për këtë mjafton t’i referohemi fjalës kuranore “Akl” (mendje), që përmendet 70 herë; fjala “Elbab” (intelekt) 16 herë e tëtjera apo fjalët e prejardhura si shikim, të menduar, të kuptuar, fakt, argument, zgjuarësi, që gjurmojnë hulumtuesit e të vërtetave racionale. Po kështu ndodh dhe me etikën që këshillon për punë të mira siç thuhet: “Bëni punë të mira (të dobishme) se do të gjeni shpëtim.” (Haxh, 77). H. Dalliu shkruan se “ky logos i shpalljes” pa zë e pa shkronja nuk është kronikë e vazhdimësisë së ngjarjeve, e me këtë edhe e përparimeve kulturore e të traditës, por e fshehtësive trans-historike të Zotit dhe ndërhyrjeve të Tij historike, që nga mjegullat e hershme të zanafillës e deri te përfundimi i kësaj bote. Lëvizja islame në kohëne Dalliut pati një gjallërim. Ai veçanërisht me idenë e një dijetari të kompletuar, me durimin prej misionari, me qëndrueshmërinë për përballimin e sfidave të kohës, botoi veprën më të madhe të tij Tefsirin e Kuranit, që solli evoluimin e Islamit në Shqipëri me ide dhe raportet e veta. Vepra e Dalliut “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit”, është thesar i historisë së Islamit në vendin tonë. Besimtarët myslimanë duhet të çlirohen nga indiferentizmi, të shfrytëzojnë shanset që hapi demokracia, të bëjnë punë me nivel të kohës për të tashmen dhe të ardhmen si punoi H. Dalliu. Për të ishte mashtrim i vërtetë, po të supozoje se është e mundur historia e komentimit apo interpretimit Kuranit pa interpretimin e vet personal. Ai përgatitej dhe informonte pasuesit e tij që luftonin për shkollën shqipe dhe pavarësinë e vendit pa dallim feje, veçanërisht myslimanët, për t’ua mbushur shpirtin me kurajë e guxim, për të luftuar dobësitë morale që ndesheshin në shoqëritë e kohës. Në këtë mënyrë H. Dalliu ushqeu shpirtin e myslimanëve shqiptarë me qëndrueshmëri dhe me besimin e patundur tek Allahu, që lëvizja islame në Shqipëri të ruante zhvillimin dhe shpirtin e tij të vërtetë ndaj atdheut. Dhe sot kjo thirrje është aktuale. Në komentin e verseteve që kërkohet “Vëllazërim”, ai vë theksin se qëllimi kryesor i myslimanëve duhet të jetë bashkimi, bashkëpunimi, bashkimi i zemrave me njëri-tjetrin, të forcohet uniteti e të zbatohet porosia e Profetit a.s. që iu drejtua besimtarëve me thirrjen: “O besimtarë! Mbështetjuni Zotit!” Në Kuran, sure “Al’Imran”, ajeti 105, Zoti thotë: “Mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patëm zbritur argumentet. Ata do të pësojnë një dënim të madh.”

H. Dalliu e përdori interpretimin e Kuranit si burim bazë të shkencave islame ku botoi mbi 15 vepra. Ashtu siç thuhet në Kuran, sure “Hud”, ajeti 1, ku shprehet: “…i dobishëm i të gjitha çështjeve në hollësi”. Nisur nga ky ajet, H. Dalliu përcaktoi se cilësitë e Kuranit janë në qartësinë e ideve dhe evidentimin e problemeve. Ai përdori gjithmonë në komentin e tij mendime të argumentuara dhe të vërtetuara. H. Dalliu përcaktoi se shkenca më e rëndësishme e Kuranit është komenti i tij, me të cilin kuptojmë qëllimet që ka shtruar Allahu në fjalën e Tij, sipas aftësisë dhe intelektit njerëzor. Ai është konsultuar me disa vepra të komentimit të Kuranit bazuar nga dijetarë arabë, disa prej të cilave mbështeten në transmetim, dhe janë quajtur tradicionale, disa janë mbështetur në të kuptuarit dhe janë quajtur racional, ku dominon më shumë vula personale e autorit dhe mbart me vete karakteristikat e kohës, kulturës dhe masës së madhe të orientimit. Edhe komenti apo interpretimi i Dalliut ka specifikën e tij, i cili me personalitetin e gjerë kulturor ka bërë përpjekje për të sqaruar qëllimin e të folurit të Allahut. Te H. Dalliu ndjenjat dhe emocionet nuk u bënë dirigjues të veprimeve të tij, apo dominuese mbi të menduarit dhe sjelljen; përkundrazi ato iu nënshtruan logjikës së shëndoshë të tij si në fjalë, qëndrime e interpretime në veprat që përktheu. Ai gjithmonë i kushtonte kujdes aktualitetit në të cilin jetonte. E studioi me kujdes, u bë pjesëmarrës aktiv në lëvizjen për mësimin në gjuhën shqipe dhe mbrojtjen e pavarësisë së atdheut.

Brezi i dijetarëve të kohës së H. Dalliut, me orientim fetar e moral kuranor, me mendime e ndjenja islame kontribuoi shumë në fushën e arsimit dhe pavarësinë e vendit e dha dëshmorët e tij, krahas atdhetarëve të tjerë pa dallim feje e krahine. H. Dalliu esencën e tolerancës, e bashkëpunimit me të tjerët e shikon si burim nga idetë të cilat Islami i mbolli në mendjet dhe zemrat e myslimanëve. Ai punoi që të rrënjosi besim dhe bindje islame për vlerat e njeriut, pa dallim feje, ngjyre, prejardhjeje apo përkatësie.

Te H. Dalliu kishte shndritur drita e mësimeve tëKuranit, drita e njohurisë së sigurt, zëri i së vërtetës ku shkonte derë më derë me libra në krah dhe ua shpërndante falas besimtarëve myslimanë. Ai u drejtohesh besimtarëve me fjalën e Allahut: “O njeri, a dëshiron t’i shtrish duart nga paqja, kah shpëtimi dhe lumturia? A don tëpërpiqesh tëbëhesh plotësisht njeri i drejtë? Merri dhuratë këto libra e lexoi sepse Zoti thotë: “Ka shpëtuar ai që pastroi veten e ka dështuar ai që poshtëroi veten. Nxirr mësime nga këto libra fetarë…”

Në këtë mënyrë shprehej dashuria e pakufishme e H. Dalliut për Zotin, nga frymëzimi i tëcilit rrjedh humanizmi i tij, ndjenja e dashurisë së pastër për njeriun dhe kombin e tij, si dhe urrejtja kundër padrejtësisë.

H. Dalliu diti të interpretojë Kuranin – Fjalën e Allahut dhe Hadithin e Profetit a.s., si dy burime themelore të fesë Islame, që kanë qenë, janë e do tëjenë bazat e besimit për myslimanët në mbarë botën.

/Xhemal Balla – Drita Islame/KBI-Bujanoc.com/

3726 Shikime