13.09.2014
Lufta kunder ISIS, Kerry ne Turqi

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u ka bërë thirrje udhëheqësve turq që të mbështesin aksionet ushtarake kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Irak dhe Siri.
Vizita e shefit të diplomacisë amerikane në Turqi vjen pasi ky vend refuzoi të lejonte përdorimin e bazave të tij ajrore për të kryer sulme ndaj grupit xhihadist.
Zoti Kerry ka zhvilluar në Ankara bisedime me presidentin Recep Tayip Erdogan dhe kryeministrin Ahmet Davutoglu, në përpjekje për të siguruar më shumë bashkëpunim nga qeveria turke.
Ditën e enjte Kerry u takua me përfaqësuesit e 10 shteteve arabe në Xhedah të Arabisë Saudite, të cilët ranë dakord për të luajtur një rol në luftën gjithëpërfshirëse kundër ISIS-it.
Turqia ishte e përfaqësuar në këtë takim, por edhe pse një vend anëtar i NATO-s, ajo nuk e firmosi marrëveshjen e arritur.
Një zëdhënës i Pentagonit deklaroi se Uashingtoni po përgatiste një fushatë ajrore më “agresive”, përmes disa avionëve që do të nisen nga baza ajrore në Irbil.
Një nga arsyet e kësaj, thotë korrespondenti i BBC në Arbil, është se qeveria turke ka refuzuar lejimin e misioneve të tilla nga bazat e saj në jug të vendit.
“Kjo, sepse druhet për jetën e rreth 50 pengjeve turq që po mbahen nga militantët, disa prej të cilëve janë punonjës të konsullatës turke në Mosul”, thotë Jim Muir.
Më herët zoti Kerry njoftoi krijimin e një pakete ndihmash me vlerë 500 milionë dollarë për popujt dhe vendet e prekura nga konflikti sirian, 250 milionë prej të cilave do të shkojnë për refugjatët e strehuar në vendet fqinje./KBI-Bujanoc.com/
1001 Shikime