Vëllazëria në Islam

24.04.2014

Vëllazëria në Islam


Vëllazëria në Islam

Falënderimet tona të përzemërta dhe të panumërta i takojnë vetëm Allahut xh.sh, i takojnë Atij që na e mundësoi që të takohemi në emër të Tij, të duhemi dhe të e kemi preokupim njëra tjetrën vetëm në emër të Tij, falënderojmë Allahun xh.sh që na e ka mundësuar këtë takim dhe e lusim Allahun xh.sh që të e bëjë këtë takim të begatshëm duke e bërë prej veprave tona të mira në Ditën e Gjykimit dhe duke e bërë shkaktarë që të jemi të thirrur nën hijen e Tij atë ditë kur nuk ka hije pos hijes së Arshit të Allahut xh.sh.

Përshëndetjet tona të panumërta dhe të përzemërta qofshin çdo herë mbi vulën e Pejgamberisë, mbi mëshirën e gjithësisë dhe mësuesin e njerëzisë, e përshëndesim çdo herë të Dërguarin tonë i cili ishte, me lejen e Allahut xh.sh, udhëzues dhe udhërrëfyes për të gjithë ne. E si të mos e përshëndesim këtë dritë të syve tanë dhe gjallëri të shpirtrave tanë, kur ishte ai që nga mallëngjimi për ne qante edhe pse ishte në gjirin e tij familjarë dhe shoqërore.

O Allah, të lusim që të ia përcjellësh përshëndetjet tona të Dërguarit Tënd dhe tonit dhe të na e mundësosh që të jemi në shoqërimin e tij ditën e gjykimit dhe të na e mundësosh të pimë ujë prej duarve të tij të ndershme nga ku më nuk do të kemi etje.

Vëllezër të dashur në Islam, duke u nisur nga fakti që Kurani dhe Suneti në përgjithësi kur flasin rreth dispozitave dhe rreth rregullave flasin në gjininë mashkullore e që pa dyshim se përfshihet dhe gjinia femërore me përjashtim të disa rregullave dhe dispozitave specifike që janë të veçanta për njërën apo tjetrën gjini atëherë u drejtohet me gjininë përkatëse. Andaj edhe ne sot do të mundohemi që me lejen e Allahut xh.sh të flasim për vëllazërinë në Islam por duke e pas për qëllim edhe atë se si duhet të jenë motrat në Islam konformë dispozitave dhe rregullave të Islamit.

Së pari do të fillojmë me sqarimin e asaj se si janë të ndara lidhjet në mesin e njerëzve, por që nuk do të ndalemi shumë gjatë, e që të gjithë e dimë se lidhjet janë tri llojesh:

1- Lidhjet farefisnore, e që është për qëllim lidhjet të cilat janë të ndërtuara mbi bazën e farefisnisë apo mbi bazën e gjakut.

2- Lidhet vendase apo shtetërore, e që është për qëllim lidhjet të cilat janë të ndërtuara mbi bazën e lokacionit, vendit apo shtetit të cilit i përkasim. E nëse dëshirojmë që të e zgjerojmë edhe më shumë mund të themi edhe të kombit në përgjithësi.

3- Lidhjet fetare, e që është për qëllim lidhjet të cilat janë të ndërtuara mbi baza fetare e që është një prej lidhjeve më të forta dhe po ashtu është pjesë e ligjëratës tonë.

Çka nënkuptohet me “Vëllazërinë në Islam”:

Me vëllazërinë në Islame kemi për qëllim atë vëllazëri që është e lidhur për lidhjen më të fortë që ekziston në këtë kozmos, që është e lidhur për At që ishte i pa fillim dhe që është i pa mbarim, që është e lidhur për Allahun xh.sh krijuesin e tim dhe tëndin dhe të tërë kësaj gjithësie andaj edhe është lidhje mbi të gjitha lidhjet tjera. Myslimanët dhe myslimanet në Islam duhet të jenë si një shpirt i vetëm i shpërndarë në disa trupa apo si degët që dalin nga një trup i vetëm. Vëllazëria në Islam është prej lidhjeve më të forta, është burim të cilin e furnizon Allahu xh.sh me begatitë e Tij dhe ujë që ua shëron plagët besimtarëve të Tij.

Rëndësia e tij është shumë e madhe, si nga ana shoqërore e po ashtu edhe nga ajo individuale. Nga ana shoqërore rëndësinë e saj e shohim tek hixhreti i të Dërguarit s.a.v.s e i cili e kishte parë si hapin e parë të ndërtimit të shtetit në Medine pikërisht vëllazërimin në mes të Muhaxhirinëve të Mekës dhe Ensarëve të Medinës e që e dimë fare mirë se Ensarët ishin ata që çdo gjë e ndanin në dy më vëllezërit e tyre Muhaxhir duke filluar nga familja, shtëpia e deri tek pasuria në përgjithësi. Andaj, më qe ky ishte hapi i parë drejt ndërtimit të shtetit, pas besimit në Allahun xh.sh dhe në të dërguarin e Tij, pa dyshim se ky edhe është gjëja më e rëndësishme për një shtet të ngritur mbi baza të forta dhe për një shoqëri të shëndosh e që rezultatet e kësaj shoqërie janë dëshmuar historikisht kur për një kohë mjaftë të shkurtër arritën që të e mbizotërojnë botën. Ndërsa në aspektin e rëndësisë individuale të kësaj vëllazërie mund të cekim thënien profetike të cilën e transmeton Imam Muslimi nga Ebu Hurejra ku i Dërguari s.a.v.s thotë se:’’ Myslimani është vëlla i myslimanit, as nuk e dëmton atë, e as nuk e poshtëron atë, e as nuk e tradhton atë ‘’ pastaj vazhdon duke thënë se ‘’ Çdo mysliman e ka të ndaluar nga myslimani tjetër, gjakun e tij, pasurin e tij dhe nderin e tij ‘’.

Obligimet ndaj vëllait/ motrës tënde:

Obligimet që ka vëllai ndaj vëllait të tij dhe motra ndaj motrës së saj në Islam janë të shumta, andaj ne do të përmendim vetëm disa që sipas nesh janë më të rëndësishmet, e prej tyre po veçojmë:

1- Obligimi i parë dhe më i rëndësishëm në sferën e vëllazërisë në Islam , pa dyshim se është të duash vëllain/ motrën tënde për hir të Allahut xh.sh dhe të urresh tek ai çdo gjë që e urren Allahu xh.sh. Këtë mund ta kuptojmë më së miri nga thënia profetike të cilën e transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre e që thotë i Dërguari s.a.v.s se shtatë grupe të njerëzve do të jenë nën hijen e Allahut xh.sh në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij e një prej këtyre grupeve e përmend edhe ata që duhen për hir të Allahut xh.sh.

Po ashtu ne e dimë fare mirë se çdo takim që bëhet jashtë atyre që janë për hir të Allahut xh.sh janë takime afatshkurtra sepse janë të ngritura mbi bazën e interesave dhe që padyshim se do të përfundojnë me përfundimin e atyre interesave. Ndërsa në një citat tjetër që e transmeton Imam Maliku në Muvatan e tij thuhet se Muadh Ibn Xhebeli i kishte thënë një njeriut i cili i

kishte thënë Muadh Ibn Xhebelit se e donte për hir të Allahut xh.sh, se ai ( Muadh Ibn Xhebeli ) e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut xh.sh duke thënë se:’’ Ka thënë Allahu xh.sh ia kam bërë obligim vetës të i dua ata dy që duhen për hir Timin, rrinë apo ulën për hir Timin, që vizitohen për hir Timin dhe që shpenzojnë për hir Timin’’. Andaj motra të dashura, a thua ka nderë më të madh për ne sesa të jemi të thirrura që të qëndrojmë nën hijen e Allahut xh.sh në Ditën e Gjykimit dhe të bie mbi ne dashuria e Allahut xh.sh ngase duhemi për hir të Tij, takohemi për hir të Tij, vizitohemi për hir të Tij dhe rrimë ulur në ligjëratat tona vetëm për hir të Tij ?.

2- Obligimi i dytë është që myslimani nuk guxon të mbaj inati, smire apo xhelozi ndaj vëllait të vetë mysliman, dhe këtë e kuptojmë fare mirë nga thënia profetike në të cilën i Dërguari s.a.v.s thotë se:’’ Mos e urreni njëri tjetrin, e as mos ia ktheni shpinën njëri tjetrit e as mos bëni konkurrencë mbi njëri tjetrin, jini rob të Allahut xh.sh dhe jini vëllezër ‘’. Këtë thënie e transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi nga Enesi r.a.

3- Obligimi i tretë, është që myslimani duhet të e pastrojë zemrën dhe vetën e tij, dhe këtë e kuptojmë më së miri nga thënia e të Dërguarit s.a.v.s e që e transmeton Imam Ahmedi në Musnedine tij nga Jahja Ibn Rashid, e në të cilin i Dërguari s.a.v.s. thotë se:’’ Kush thotë diçka për vëllain e tij mysliman nga ajo që nuk është, do ta ulë atë Allahu xh.sh në një shtrydhëse të xhehenemit derisa të e paguan atë që e ka thënë ‘’.

4- Obligimi i katërt është, që myslimani të i dalë në ndihmë vëllait të vetë, e në lidhje me këtë në një thënie profetike të cilën e transmeton Imam Albani në Sahihun e tij nga Abdullah Ibn Omeri, e që i Dërguari s.a.v.s ka thënë:’’ Njeriu më i dashur tek Allahu xh.sh është ai që është më i dobishëm për njerëzit, ndërsa prej veprave më të dashura tek Allahu xh.sh është të e bësh një mysliman të lumtur apo të ia lehtësosh një breng që e ka, apo të ia paguash një borxh, apo të ia largosh urinë, dhe që të eci në nevojën e një myslimani është më e dashur për mua sesa të bëjë itikafë një muaj’’. Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet se:’’ Kush ia largon një breng vëllai të tij do të ia largoj atij Allahu një brengë prej brengave të Ditës së Gjykimit, e kush ia lehtëson një problem do të ia lehtësoj atij Allahu një problem prej problemeve të Ditës së Gjykimit, e kush ia mbulon një të metë do të ia mbuloje atij Allahu xh.sh të metat e tij në këtë botë dhe në botën tjetër e kush i del në ndihmë vëllait të tij Allahu xh.sh do të jetë në ndihmën e tij përderisa ai është në ndihmën e vëllai të tij ‘’. Këtë e transmeton Imam Muslimi nga Ebu Hurejre r.a.

5- Obligimi i pestë është të këshilluarit me sinqeritet dhe besnikëri, e shembull për këtë kemi fjalën e të Dërguarit s.a.v.s ku thotë se:’’ Feja është këshillë ?’’, e kur u pyet se për kënd ? I Dërguari s.v.a.s tha:’’ Për Allahun xh,sh, për librin e Tij, të Dërguarin e Tij,udhëheqësit e myslimanëve dhe myslimanët në përgjithësi ‘’, këtë e transmeton Imam Muslimi nga Temim Ed-Dari.

Kushtet që duhet të plotësohen për të qenë vëllazëria për hir të Allahut xh.sh janë tri:

1- Të jetë vetëm për hir të Allahut xh,sh

2- Të jetë e ndërlidhur me besimin në Allahun xh.sh dhe me devotshmërinë ndaj tij.

3- Të jetë sipas metodologjisë së Kuranit dhe Sunetit.

Mënyrat e thëllimi të vëllazërisë janë të shumta por që ne do ti përmendim vetëm disa, e prej tyre po cekim:

1- Prej metodave që të e shtojmë dhe të e thellojmë sa më shumë dashurinë në mes të vëllezërve dhe të motrave në Islam është edhe të shprehurit e kësaj dashurie që e kemi ndaj njëri tjetrit. Dhe këtë duke u bazuar në thënien e të Dërguarit s.a.v.s ku thotë se:’’ Nëse një besimtarë e donë një besimtarë tjetër për hir të Allahut xh.sh atëherë le të ia thotë këtë ‘’. Këtë e transmeton Imam Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

2- Të kërkuarit e lutjes në vetmi nga vëllai/ motra jote, dhe këtë duke u bazuar në thënien profetike që e transmeton Tirmidhiu nga Omeri r.a që kur i kishte kërkuar leje të Dërguarit s.a.v.s që të shkonte në Umerh, i Dërguari s.a.v.s e kishte lejuar dhe me këtë rast i kishte kërkuar që të mos e harronte nga lutjet e tij.

3- Të buzëqeshurit në fytyrën e vëllait/ motrës tënde, dhe si argument për këtë kemi thënien e të Dërguarit s.a.v.s ku thotë se të buzëqeshurit në fytyrën e vëllai tënd është sadaka.

4- Të përshëndetur me dorë ngase i Dërguari s.a.v.s thotë se:’’ Nuk ndodhë që dy mysliman të takohen dhe të përshëndetën me dorë e të mos iu falën mëkatet derisa të mos ndahen ‘’.

5- Dhënia e dhuratave, ngase i Dërguari s.a.v.s thotë:’’ Jepni dhurata se do të duheni ‘’.

6- Të jetë në ndihmën e tij sa herë që të ketë nevoje dhe sipas mundësive të tua, ndërsa këtë e bazojmë në thënien e të Dërguarit s.a.v.s ku thotë se:’’ Allahu xh.sh është në ndihmën e robit të Tij derisa ai të jetë në ndihmën e vëllait të tij ‘’.

Dhe krejt për fund e lus Allahun xh.sh që të na bëjë të duhemi për hir të Tij, të na bëjë të ia japim hakun vëllazërisë për hir të Tij, të e bëjë që ky takimi i yni të jetë për hir të Tij dhe të jetë argument për ne dhe jo kundra nesh në Ditën e Llogarisë.

Dhe lutjet tona të fundit janë falënderime ndaj Allahut xh.sh dhe po ashtu kërkojmë falje nga Allahu për lëshimet tona duke e ditur se tërë ajo që ishte e qëlluar ishte nga Allahu ndërsa gabimet janë nga ne dhe nga nxitjet e shejtanit.

Shkruan Artan Musliu ./KBI-Bujanoc.com/

996 Shikime