Mesazhi universal i Profetit Muhamed a.s

16.04.2014

Mesazhi universal i Profetit Muhamed a.s


Mesazhi universal i Profetit Muhamed a.s

-Zeki Saritorpak

Duke argumentuar teologjikisht, universaliteti i mesazhit të Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, rrjedh nga koncepti i një Zoti i cili është Zoti i gjithçkaje, jo vetëm Zoti i myslimanëve. Zoti e përshkruan vetveten në kapitullin e parë të Kuranit, i cili recitohet nga të gjithë myslimanët në të gjithë botën në pesë faljet e tyre ditore; Ai është Zoti i të gjitha krijesave, ‘Rabbul-Alemin’. Pavarësisht se nëse njerëzit janë të ndërgjegjshëm ndaj këtij fakti apo jo, Zoti është Zoti i gjithë qenies njerëzore, i myslimanëve, kristianëve, ateistëve etj, pavarësisht ekzistencës së ndryshimeve në mes tyre. Zoti është krijues i gjithçkaje pa përjashtim. Kurani deklaron se një yll gjigant dhe një atom janë sup më sup në të adhuruarit e të njëjtit Zot; një mizë dhe një elefant janë vëlla e motër; të gjitha krijesat janë këtu për të na ndihmuar të kuptojmë domethënien dhe misterin e universit.

Para se të përcaktojmë universalitetin e mesazhit të Profetit Muhamed, është thelbësore që të fokusojmë vëmendjen tonë në epokën në të cilën mesazhi i tij u shfaq: 15 shekuj më parë në Arabinë para-islamike. Megjithatë, kishte disa karakteristika pozitive të arabëve para Islamit, të tilla si bujaria, kuraja dhe dinjiteti. Sistemi feudal i shoqërisë ishte kaq i vrazhdë, saqë të shtypurit nuk kishin të drejta. Skllevërit qenë të persekutuar, gratë shiteshin si pronë dhe foshnjat femra në më të shumtën e rasteve varroseshin të gjalla, si pjesë e një riti tradicional fisnor. Luftërat në mes fiseve ndodhnin në mënyrë të pakontrolluar. Njerëzit adhuronin idhuj dhe prodhonin zotat e tyre në bazë të dëshirave personale.

Në mesin e një kaosi të tillë, u lind Muhamedi më 571 (e.s) në ditën e 12-të të muajit të tretë të kalendarit arab Rebiul-Euel. Përgjatë moshës së tij madhore ai nuk ishte i kënaqur me traditat fisnore të shoqërisë së tij. Ai do të shkonte në izolim për të medituar për një kohë të gjatë, në mënyrë të veçantë gjatë gjithë muajit të Ramazanit. Në vitin 610, ai përjetoi shpalljen e parë e cila e ndryshoi atë dhe transformoi botën përgjithmonë. Shpallja që i erdhi Muhamedit përgjatë një harku prej 23 vitesh, formësoi Shkrimin e Shenjtë të Islamit, Kuranin, që i përkthyer fjalë për fjalë do të thotë recitim. Në një periudhë shumë të shkurtër kohe, pavarësisht reagimeve armiqësore ndaj mesazhit të tij, dashamirësia dhe butësia e Profetit, pati një ndikim në zemrat e shumë banorëve të qytetit të Mekës. Ai nuk e konsideroi veten hyjni e as pjesë e Zotit, por ai e konfiguroi veten e tij si i Dërguar i Zotit, i cili duhej të përcillte mesazhin e Zotit drejt botës.

Kurani flet për shumë profetë si Ibrahimi, Musai, Jahjai dhe Isai (Gjon Pagëzori dhe Jezusi). Ne kemi kapituj të Kuranit të emërtuar me emrat e disa profetëve. Ka gjithashtu vargje të veçanta lidhur me personalitetin e Profetit të Islamit. Në një varg, Kurani flet për të si ‘rahmeten lil alemin’, mëshirë për shumë mbretëri dhe botë.

Dijetarët myslimanë kërkojnë prej nesh që të mendojmë, në mënyrë që të kuptojmë domethënien e të qenurit i mëshirshëm ndaj krijesave, të mendojmë rreth shtypjes që ndodhte në botë gjatë epokës që u lind Muhamedi dhe ndaj transformimit që solli mesazhi i tij.

Megjithëse mesazhi i Muhamedit iu adresua arabëve së pari, si audienca më e afërt e tij, kjo nuk kufizoi mesazhin ndaj kombeve arabe dhe për këtë arsye ndaj asnjë vendi. Shumë vargje Kuranore kapërcejnë lokalitetet, besimet, etnitë duke filluar me thirrjen ‘O njerëz’ ose ‘O popull’.

Mesazhi i Profetit na sjell idenë se në krijim, çdo gjë është një adhurues i gjallë, i palodhur dhe i bindur i Zotit, pavarësisht nëse ato janë njerëz, kafshë apo krijesa të tjera.

Bediuzaman Said Nursi komenton vargun e mëposhtëm kuranor: “Çdo gjë në qiej e në tokë lavdëron Allahun, edhe pse ju nuk e kuptoni adhurimin e tyre.”(Isra, 17:44) duke ftuar lexuesin të futet në botën në të cilën Kurani u shpall dhe të shikojë errësirën që e dominonte atë. Në Arabi, përpara ardhjes së Profetit, kuptimi i krijesave nuk ishte i njohur. Shpallja e Kuranit i dha frymë jete botës së natyrës dhe na mësoi se krijesat përreth nesh nuk janë materiale të vdekura dhe të pakuptimta. Përkundrazi, të gjitha ato e lavdëronin Zotin me gëzim të madh përmes gjuhës së tyre. Të njëjtët dijetarë myslimanë e ftojnë audiencën të ngasë mjetin e historisë dhe të udhëtojë në tokën e Arabisë për të parë situatën e atjeshme para dhe pas shfaqjes së Islamit. Secili duhet të ketë parasysh se të ndryshosh një ves të vogël, si p.sh ndonjë traditë jo të pëlqyeshme, është mjaft e vështirë, jo më të ndryshosh mendjen dhe zemrat e një shoqërie të tërë, ashtu siç bëri Profeti.

Madje edhe në botën tonë moderne, në sajë të një krahasimi të bërë nga i njëjti dijetar, nëse 100 filozofë me të gjithë dijen e tyre të shkonin në Arabi dhe të punonin atje për 100 vjet, nuk do të ishin në gjendje të bënin ndryshimet që Muhamedi bëri në 23 vjet. Ai transformoi suksesshëm këtë shoqëri të egër në një komunitet të civilizuar dhe përgatiti liderë për një civilizim të ri.

Nëse ndonjëri dëshiron të shikojë fuqinë e transformimit të Muhamedit, mjafton vetëm të shihet figura e Omerit, e kalifit të dytë: Omeri para Islamit dhe Omeri pas Islamit. Omeri vetë thotë se mban mend dy gjëra nga jeta e tij para islame; për njërën do të qante dhe për tjetrën do të qeshte. Do të qante për varrosjen e bijës së vet prej së gjalli, ndërsa ai akoma dëgjonte zërin e saj duke e thirrur atë. Do të qeshte për bërjen e zotave prej brumi mielli, të cilët njerëzit i hanin kur ishin të uritur. Omeri ‘i ri’ u bë simboli i drejtësisë për të gjithë botën. Omeri pas Islamit gjatë kalifatit të tij, njihet për deklaratat e tij të mëposhtme: “Nëse një ujk sulmon një qengj në brigjet e Eufratit, jam i frikësuar se Zoti do më kërkojë llogari mua, se përse nuk e mbrojta qengjin nga ujku.”

Plot dhembshuri ai do të dilte natën përmes shtëpive për të parë nëse ka nevojtarë për bukë, dhe do t’i ushqente ata njerëz në mënyrë anonime. Ishte mesazhi universal i Muhamedit që e transformoi Omerin në një personalitet kaq të lartë të njerëzimit.

Mëshira dhe dhembshuria përbën themelin e mesazhit të Profetit. Në deklaratën e fillimit që vendoset para 113 kapitujve të Kuranit, të quajtur Besmele, Zoti përshkruhet si i tillë me dy atribute. “Mëshiruesi dhe Mëshirëbërësi”. Ky postulat është bërë simboli i Islamit. Vargjet Kuranore thonë: “Muhamed, ne të kemi dërguar ty mëshirë për të gjitha botët (rahmeten lil alemin)”. (Enbija, 21:10).

Jeta personale e Muhamedit u bë një pasqyrim i këtij vargu Kuranor, të qenurit i mëshirshëm ndaj të gjitha krijesave. Në marrëdhëniet me njerëzit, ai gjithmonë qeshte dhe asnjëri nuk dëgjoi një herë një fjalë të keqe nga goja e tij. Në jetën e tij familjare, ai tregoi të njëjtën mëshirë ndaj grave të veta. Shoku i tij, Enes ibn Malik, që me besnikëri i shërbeu atij për 10 vjet, u bë dëshmitar i kësaj mëshire, duke thënë që kurrë nuk mori ndonjë qortim për shërbimin, pavarësisht gabimeve të tij.

Profeti gjithashtu ishte shumë i ndjeshëm ndaj vuajtjeve njerëzore. Kur dëgjoi për një skllav që po torturohej, ai urdhëroi një prej shokëve të tij që të blinte lirinë e atij skllavi. Hadithi i tij i famshëm mbi trajtimin e skllevërve, është një shembull madhështor për mësimet e tij universale. Ai ka thënë: “Ata janë vëllezërit tuaj, jepuni atyre të hanë çfarë ju hani dhe jepuni atyre të veshin çfarë ju vishni”. Skllevërit treguan një dashuri të madhe ndaj Muhamedit. Në një rast, i kërkoi Zejd bin Harithes, skllavit të liruar prej tij vetë, nëse dëshironte të kthehej tek familja e tij, por Zejdi nuk zgjodhi të shkonte me babain e tij i cili kishte ardhur ta merrte atë, por preferoi të qëndronte pranë Profetit.

Predikimi i tij i Lamtumirës në fushën e Arafatit, ka gjithashtu një aspekt të mrekullueshëm të universalitetit të këtij mesazhi. Në këtë predikim ai foli për gratë, marrëdhëniet mes racave, për skllevërit. Rreth këtyre të fundit ai tha: “Kini frikë Allahun në marrëdhëniet tuaja me skllevërit.” Në fakt, në sajë të mesazhit të Muhamedit, në harkun e 30 viteve pas vdekjes së tij, ishte e vështirë të gjeje një skllav në Arabi. Vargjet Kuranore qartësisht theksojnë: “O njerëz! Ne ju kemi krijuar ju nga një mashkull dhe një femër dhe ju ndamë në fise e kombe që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri mes jush është ai më i devotshmi.” (Huxhurat, 49:13). Në predikimin e tij të fundit, ai e theksoi këtë aspekt të mesazhit të tij. Ai tha se i gjithë njerëzimi vjen nga Ademi dhe Havaja, një arab nuk ka epërsi ndaj një joarabi, dhe një joarab nuk ka epërsi ndaj një arabi. Gjithashtu një i bardhë nuk ka epërsi mbi një të zi dhe një i zi nuk ka epërsi ndaj një të bardhi. Për më tepër, në lidhje me femrat ai tha: “Është e vërtetë që ju keni disa të drejta ndaj grave tuaja, por ata gjithashtu kanë të drejta ndaj jush.” Në mënyrë të suksesshme Profeti përcaktoi një ndjenjë përgjegjësie dhe ndërgjegjeje në mendjet dhe zemrat e njerëzve të tij.

Universaliteti i mesazhit të Profetit nuk përfshin vetëm qenien njerëzore, por gjithashtu edhe kafshët. Në mes të mrekullive të treguara në koleksionin e haditheve, ka një histori të një deveje e cila erdhi tek Muhamedi, u gjunjëzua përballë tij sikur ta përshëndeste dhe i foli atij. Duke ju referuar disa tregimeve të tjera, kjo deve u egërsua dhe do të sulmonte këdo që mund t’i afrohej asaj. Kur erdhi Profeti, ajo iu afrua atij, u gjunjëzua si shenjë respekti dhe u përkul në krah të tij, duke i lejuar Muhamedit që të mund të vendoste një kapistër tek ajo. Më pas, deveja iu ankua Profetit, “ata më shfrytëzuan mua në punët më të rënda dhe tani duan të më therin.” Muhamedi iu drejtua pronarit të saj, “Është e vërtetë?”, “Po” tha ai. Muhamedi i tha shokëve të vet, “Këto kafshë janë bashkësi si puna juaj. Jini të dhembshur ndaj tyre.”

Në lidhje me ndonjërin që e mbingarkonte gomarin e tij, Profeti tha, “Mos i bëni karrige shpinat e kafshëve tuaja”, e në një rast tjetër, Profeti pa një gomar në rrugë me një damkë në fytyrë dhe tha: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi atë që e ka damkosur atë!”

Mëshira e Profetit u shtri deri tek armiqtë e tij, ai kurrë nuk kërkoi hakmarrje. Transmetohet në koleksionin e haditheve që në betejën e Gatafanit dhe Enmarit, kryetari i guximshëm i një fisi i quajtur Guras, tinëzisht iu qas Profetit dhe duke mbajtur shpatën e tij mbi kokën e Profetit i tha: “Kush do të të shpëtojë ty prej meje?” Muhamedi iu përgjigj, “Allahu!” dhe u lut “O Allah, më forco mua ndaj tij.” Sa hap e mbyll sytë, Guras u përplas në tokë nga një valë misterioze që e goditi atë ne mes të shpatullave dhe shpata e tij i rrëshqiti nga duart. Profeti mori shpatën dhe e pyeti atë, “Tani kush do të të shpëtojë ty prej meje?”. Por Profeti e fali atë dhe e lejoi që të kthehej tek fisi i tij. Njerëzit e tij qenë të habitur se si një njeri kaq i guximshëm nuk kishte qenë në gjendje të bënte asgjë ndaj Profetit. Ata e pyetën, “Çfarë të ndodhi ty, nuk munde të bësh asgjë?” Ai u tregoi atyre se çfarë kishte ndodhur dhe shtoi, “Vij nga prania e më të mirit të njerëzve.”

Në mënyrë të ngjashme me këtë ngjarje, në betejën e Bedrit, një hipokrit nga njerëzit e tij, në të njëjtën mënyrë iu qas Muhamedit. Ai sapo kishte nxjerrë shpatën kur Muhamedi u kthye duke i hedhur një shikim vezullues atij dhe i shkaktoi të dridhura, e për pasojë hodhi shpatën. Përsëri Profeti nuk u hakmor ndaj tij.

Poeti i famshëm mistik Rumi shkruan:

Dritë e Muhamedit në miliona copëza u shpërnda,

Dhe të gjithë botën mbështolli.

Profeti si vezullimi i asaj drite ishte,

Që kur rreh, të gjitha perdet e mosbesimit griste

Dhe drejt Muhamedit mijëra murgj të ndikuar vrapojnë

Fjalët e tij, nga oqeani i realitetit të gjitha perla janë

Sepse zemra e tij dhe oqeani i së vërtetës të pleksura janë.

 

Nëse madhështia e qëllimit, thjeshtësia e mjeteve dhe

 rezultatet befasuese janë tre kriteret e gjeniut njerëzor,

 cili do të mund të guxonte të krahasojë ndonjë njeri të madh

 në historinë njerëzore me Muhamedin?

/KBI-Bujanoc.com/

1921 Shikime