Besimtari i vërtetë është sikur pema e mirë

27.01.2014

Besimtari i vërtetë është sikur pema e mirë


Besimtari i vërtetë është sikur pema e mirë

Jeta jonë është një udhëtim i ndryshueshëm. Asgjë që përjetojmë në jetë nuk është e përhershme, por çdo situatë është e përkohshme dhe thjeshtë transformohet në tjetër gjë. Këto përvoja janë përkujtuese të kalueshmërisë së jetës – se gjithçka në jetë (në këtë botë, për dallim nga bota tjetër), sipas natyrës së tyre, është e ndryshueshme. Çdo vështirësi apo lumturi me të cilat përballemi nuk zgjat përgjithmonë, Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ato ditë  (fitoreje dhe humbje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve…” (Ali Imran, 140)

Nëse mendojmë për të vërtetën e thellë që shihet në këtë ajet, do të gjejmë se kjo në të vërtetë është realiteti që përballemi çdo ditë. Allahu i Madhërishëm na tregon se përgjatë jetës sonë do të përjetojmë situata që do të paraqesin sfida, që do të na ndryshojnë, ndërsa përgjigjja jonë ndaj tyre do të pasqyrojë veten tonë. Për shkak të drejtësisë së Allahut, këto gjendje do të ndryshojnë mes njerëzve, kështu që asnjë njeri nuk do të jetë gjithmonë i lumtur e as dikush nuk do të jetoj gjithmonë në situata të vështira dhe pikëllim.

Të qenit i vetëdijshëm për ndryshimin e këtyre gjendjeve në jetë dhe të pasurit një qëndrim ndaj tyre është edhe një imperativ më i madh për besimtarin, që përfundimisht të përfitojë nga çdo situatë me qëllim fitimin e kënaqësisë së Allahut. Pra, si do të ishte sjellja e besimtarit nëpërmjet këtij udhëtimi të ndryshueshëm të jetës.

 “A nuk e kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë  (në tokë) e degët e saj janë lartë, e që me vullnetin e Zotit, ajo jep frutin në çdo kohë. Allahu, pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. (Ibrahim,  24-25)

Allahu i Madhërishëm na e jep shembullin e “fjalës së mirë” e cila është shtyllë e islamit (dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij) sikur “pema e mirë” e cila ka kualitetet e saja. Sipas shumicës së komentuesve të Kur’anit, “pema e mirë”  i referohet besimtarit që vërteton shehadetin. Transmetohet nga ibn Omeri r.a se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mes pemëve ekziston edhe një pemë e ngjashme me myslimanin, ndërsa ajo pemë  është hurma.”(Buhariu).

Allahu i Madhërishëm na porosit se kjo pemë nuk është e thjeshtë; ajo është e fortë, e qëndrueshme, rrënjët e së cilës janë thellë në tokë. Si edhe pema, besimtari duhet të mundohet që rrënjët e tij të jenë të thellë dhe të qëndrueshëm dhe atë në lidhje të fortë me Allahun. Namazi, leximi dhe meditimi rreth ajeteve kuranore, kërkimi i udhëzimit nëpërmjet haditheve të pejgamberit a.s janë mënyra më e mirë për të forcuar rrënjët tona. Degët e kësaj peme janë shumë të larta dhe hapen drejt qiellit. Përparësia e këtyre degëve është se ata u ofrojnë hyje atyre që janë nën to, por edhe besimtarit.

Duhet të përmendim se pema me kualitetet e përmendura më lartë duhet të jetë e pjekur, të ketë kaluar një proces të rritjes dhe zhvillimit për të arritur atë lartësi dhe bazament të fortë. Kështu është edhe besimtari – imani i tij nuk e arrin qëndrueshmërinë e tij për një natë. Ai kalon nëpërmjet një procesi të zhvillimit të imanit të tij dhe pak nga pak përfundimisht bëhet i qëndrueshëm.  Ashtu siç pemës i duhet shi i përhershëm për t’u rritur dhe zhvilluar, kështu edhe besimtarit i duhet një ujitje e përhershme e zemrës së tij që imani i tij të forcohet dhe të behet i qëndrueshëm. Ashtu siç pema rritet vetëm me ujë të pastër, ashtu edhe zemra e besimtarit kërkon prodhime të pastra për një ushqim të shëndetshëm.

Përfundimisht, kjo pemë nuk është e thatë pa ndonjë dobi, siç thotë edhe Allahu i Madhërishëm. Ajo frytet i jep në periudhën që Allahu ia cakton, pa marrë parasysh kohën apo sezonin. Kështu edhe besimtari i cili forcon rrënjët e tij dhe e zhvillon imanin e tij bëhet i dobishëm për të gjithë rreth tij në çdo kohë. Pema jep frytet e saj gjithmonë – edhe në shi edhe në diell, edhe dimrit edhe verës. Ekzistenca dhe durimi nëpërmjet të gjitha periudhave dhe situatave me të cilat përballet gjatë kohës së ekzistencës së saj rezulton me arritjen e kualitetit. Kjo është edhe qëllimi i besimtarit: që në çdo periudhë të jetë i lidhur me Allahun.

Duke u kthyer përsëri në faktin se jetët tona gjithmonë kalojnë situata të ndryshme, tani mund ti përgjigjemi pyetjes në fillim të tekstit: si do të ishte sjellja e besimtarit nëpërmjet këtij udhëtimi të ndryshueshëm të jetës?  Besimtari patjetër të ketë rrënjë të forta dhe të qëndroj lartë, ai duhet të jetë në kërkim të përhershëm të pastërtisë me të cilën do ta ujis zemrën e tij për shkak të forcimit të rrënjëve të tij dhe shpirtit, dhe përfundimisht, duhet të mundohet të jetë në dobi të përhershme për rrethin ku jeton. Nëse mundohemi të ndërtojmë këto kualitete në veten tonë, ndryshimet e përhershme në jetën tonë nuk do të jenë më burim i streseve dhe anktheve por burim i qëndrueshmërisë dhe do të na ofrojnë tek Allahu i Madhërishëm, ashtu siç thotë edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s: “është për tu çuditur me besimtarin! Çfarë ti ndodh është e mirë për të. Kjo nuk vlen për askënd përveç se për besimtarin. Nëse i ndodh një e mirë, ai falënderon Allahun dhe i shkruhet sevape, ndërsa nëse i ndodhë ndonjë sprovë ai duron dhe përsëri i shkruhet sevap. (Muslimi)./KBI-Bujanoc.com/

2485 Shikime