A ka dhe engjëj që s‘binden?

19.01.2014

A ka dhe engjëj që s‘binden?


A ka dhe engjëj që s‘binden?

“Asnjë nga engjëjt nuk është kryelartë. Ata të gjithë i nënshtrohen Allahut.” (16:49-50) Por ajeti 102 i sures Bekare tregon historinë e dy engjëjve që mëkatuan. Ajetet për t’u diskutuar:

16:49-50 “Dhe Allahut i nënshtrohet gjithçka në qiej e në tokë, krijesat e gjalla e edhe engjëjt dhe ata nuk janë kryelartë (pra adhurojnë Zotin e tyre të përulur). Ata i frikësohen Zotit, i Cili është mbi ta dhe veprojnë ashtu si urdhërohen”.

 2:102 (E hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që e thonin djajt në kohën e sundimit të Sulejmanit. Po Sulejmani nuk ishte i pafé, djajt ishin të pafé, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thonin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fé!” E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejën e All-llahut me atë askujt nuk mund t’i bënin dëm dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre. E ata (jehuditë) e kanë ditur se ai që (hodhi librin) e zgjodhi atë (magjinë), ai në botën tjetër nuk ka ndonjë të drejtë (në mëshirën e Zotit). Po ta dinin, ata se për ç’ka e shitën vetveten, ajo është shumë e keqe”.

 1. Thënia se dhe engjëjt mund të mos binden bazohet në keqkuptimin e ajetit 102 të sures Bekare dhe historisë rreth Harutit dhe Marutit. Shumë interpretime të rreme lidhur me ajetin e sipërpërmendur vijnë nga mitet dhe legjendat judaike dhe të krishtera, të cilat janë shënuar dhe në librat e tefsirit. Këto tregime njihen siIzraelijat, për të cilat myftiu Muhamed Shafi thotë:

Judaike apo Israilijet janë tregime, që na kanë mbërritur nëpërmjet çifutëve dhe të krishterëve. Duhet përmendur këtu se komentuesit e hershëm i shkruanin të gjithë llojet e transmetimeve që na vinin prej tyre nga një burim i identifikuar. Shumë prej tyre merreshin drejtpërdrejt nga judaikët. (Shafi, Mariful Kuran, Mektebe Darul Ulum 2003, vëll. 1, faq. 411)

 

Dijetarët që shkruajtën këto libra të tefsirit, shënuan dhe transmetime të tilla, me qëllim që të dhënat mbi një ajet të ishin sa më gjithëpërfshirëse, ku synimi i mëtejshëm ishte vëzhgimi dhe shqyrtimi i hollësishëm, për të vërtetuar saktësinë e tyre. Qëllimi i këtij artikulli është të diskutojë mbi këto ajete, bazuar në transmetimet e dobëta dhe të trilluara duke vazhduar më tej me interpretimin e saktë dhe të vërtetë bazuar në burime të sakta.

2. Lidhur me këto ajete janë transmetuar një seri fabulash absurde, por që të gjitha vërtiten rreth të njëjtës histori. Për t’i përmbledhur këto histori të rreme, engjëjt u tronditën nga veprat e mbrapshta të njerëzve mbi tokë dhe duke qenë se nuk mund ta kuptonin se si ata ishin kaq mëkatarë filluan t’i mallkonin. Sipas historisë, Zoti u tha engjëjve se dhe ata do të kishin mëkatuar, nëse do të ishin ne vend të njerëzve. Kësisoj, engjëjt zgjodhën Harutin dhe Marutin nga mesi i tyre dhe Zoti pasi i veshi ata me cilësi njerëzore i zbriti në tokë, duke i urdhëruar që t’i shmangeshin verës, idhujtarisë, imoralitetit dhe vrasjes. Megjithatë, Haruti dhe Maruti gradualisht iu nënshtruan epshit dhe i bënë të gjitha mëkatet e mësipërme. Për rrjedhojë, Zoti i ndëshkoi ngaqë i kaluan caqet.

 Tregime të tilla kaq qesharake janë mohuar nga të gjithë dijetarët me peshë të Islamit, pasi trillime të tilla nuk kanë vend në këtë fe. Shejh Abdul Hamid Kishk, në librin e tij mbi engjëjt i përmend dhe diskuton me detaje lidhur me këto tregime:

“Të gjitha janë mite dhe gënjeshtra të fisit të Izraelit, të cilat janë të papranueshme për intelektin, transmetimin dhe Sheriatin. Madje disa nga transmetuesit e këtyre trilleve përgënjeshtruese shkojnë aq larg, sa ia mveshin një gjë të tillë disa prej shokëve të Profetit (a.s) dhe duke vepruar kështu përfshihen në arenën e mëkatit dhe krimit të shëmtuar; në të njëjtën kohë gënjeshtrën e tyre e lidhin me Profetin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) duke ia mveshur atij trillimet e tyre. Madhështia të takon Ty, Zoti im, që je lart dhe larg këtyre gënjeshtrave të tmerrshme!

Imam Ebu Faxhar ibn Xheuzi dha një gjykim të tijin lidhur me këtë histori, ndërsa Shibab Iraku shkruan, se kushdo që beson se Haruti dhe Maruti ishin engjëj që u ndëshkuan për shkak se mëkatuan, ka mohuar Allahun e Plotfuqishëm. Kadi Ijadi ka thënë në veprën e tij Shifaja: “Ajo që thuhet në komentimet rreth historisë së Harutit dhe Marutit nuk lidhet me asgjë, qoftë e dobët apo e saktë, që mund të jetë transmetuar nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe asgjë që mund të merret nëpërmjet analogjisë”. Një gjykim të ngjashëm ka dhënë dhe Ibn Kethiri, duke u munduar ta lidhë brendësinë e kësaj historie gjer tek Profeti (a.s) dhe çfarëdo që nuk mbërrin tek ai, është e qartë se e ka origjinën në transmetimet judaike të marra nga Kabi dhe të tjerë. Kështu që, komentuesit e saktë, të cilët janë të mprehtë në njohjen e burimeve të fesë, i refuzojnë ata. Intelekti i tyre nuk mund t’i pranojë këto mite, ndryshe nga ç`vepron ai i disa të tjerëve si i Imam Raziut, Ebu Hajanit, Ebu Suudit, Alusit dhe të tjerëve.

Për më tepër, nisur dhe nga një këndvështrim racional, këto transmetime janë të pasakta.

Engjëjt janë të mbrojtur nga çdo veprim i gabuar. Ata lënë mënjanë ato gjëra që nuk do të dilnin as nga një qënie e ligë njerëzore. Allahu na informon, duke na thënë se engjëjt nuk ngrenë krye në asgjë që Ai i urdhëron dhe se gjithmonë përmbushin atë me të cilën ngarkohen,  siç u tha dhe më sipër.

Nisur nga ajo që tha dhe shejh Kishku, këto mite mohohen nga dijetarët e Islamit dhe nuk merren madje as si të mundshme. Siç e përmend dhe imam Abdullah Kurtubiu në tefsirin e tij: “Gjithçka është mëse e dobët dhe shumë larg fjalëve të Umerit dhe të tjerëve, pra asgjë nuk është e vërtetuar. Është një thënie që bie në kundërshti me kuptimin themelor të natyrës së engjëjve, që janë të dërguarit besnik të Allahut dhe ambasadorët e Allahut tek profetët dhe të dërguarit e tij. Allahu thotë:“Ata nuk e kundërshtojnë Allahun në atë që Ai i urdhëron dhe gjithmonë bëjnë siç urdhërohen”. (Tahrim: 6). Më tepër se kaq, Allahu thotë: “Jo, ata janë robër të ndershëm që nuk flasin para Tij dhe veprojnë me urdhrin e Tij”.(21:26-27)

Megjithatë, nëse do ta linim intelektin të gjykonte, ai nuk do ta mohonte mundësinë e animit të engjëjve nga mosbindja dhe se mund të ketë prej tyre, që kundërshtojnë atë, për të cilën janë krijuar dhe ai (intelekti) mund të besojë, se tundimi është karakteristikë e lindur tek ta, përderisa Allahu ka mundësi të krijojë atë çka mendja nuk mund ta imagjinojë. Ndërsa përsa i përket çështjes në fjalë (rënia e Harutit dhe Marutit në mëkat) nuk mund të konsiderohet si rast i mundshëm, nëse nuk ka argument të qartë e të saktë dhe në të vërtetë nuk ekziston asgjë e vërtetuar… E ne i kemi paraqitur ata të lartë dhe ata janë në të vërtetë të lartë dhe të pastër nga çdo gjë, që u është mveshur nga interpretuesit e rremë. (Tefsiri i Kurtubiut)

Imam Kurtubiu transmeton, se nuk ka as edhe një transmetim të vetëm të saktë, që e mbështet këtë histori, prandaj dhe hidhet poshtë unanimisht nga të gjithë dijetarët muslimanë.

3. Kritikët citojnë transmetime nga Tebariu, me qëllim që ta mbështesin këtë trillim rreth Harutit dhe Marutit. Ata gjithashtu e projektojnë këtë histori si pikëpamje të vetë Imam Xharir Tebariut, një përgënjeshtrim i hapur siç do ta lexoni në citatin e mëposhtëm të ibn Kethirit rreth Tebariut:

“Ibn Xherir vazhdoi: “Nëse dikush pyet për domethënien e këtij ajeti në këtë mënyrë, ne i themi: “(Ata morën atë që u dha shejtani në kohën e Sulejmanit), d.m.th magjinë. As Sulejmani nuk mohoi, por as Allahu nuk dërgoi magjinë me dy engjëjt. Megjithatë djajtë mohuan dhe ua mësuan magjinë njerëzve në Babiloninë e Harutit dhe Marutit, duke nënkuptuar Xhibrilin dhe Mikailin, pasi burimet judaike pohuan se Allahu e dërgoi magjinë tek Sulejmani a.s, biri i Dautit a.s, nëpërmjet fjalëve të Xhibrilit dhe Mikailit. Allahu e mohoi këtë pohim të rremë dhe i shpalli profetit Muhamed (a.s), se Xhibrili dhe Mikaili nuk ishin dërguar me magji. Allahu gjithashtu shfajësoi Sulejmanin (a.s), se ai ishte larg magjisë, të cilën djajtë ua mësonin njerëzve të Babilonisë nëpërmjet duarve të dy njerëzve, Harutit dhe Marutit. Nga kjo mësojmë, se Haruti dhe Maruti ishin dy burra të thjeshtë (dhe jo engjëjt Xhibril dhe Mikail)”. (fn. Tebariu 2:419) (Tefsiri i ibn Kethirit, konspektim i Darusalam Publishers&distributors, 2000, vëll. 1, faq. 315)

Pra na bëhet e qartë, që Imam Tabariu nuk besonte, se Haruti dhe Maruti ishin engjëj që mëkatuan, por njerëz të thjeshtë që u mësonin të tjerëve magjinë. Kjo gjithashtu zgjidh kontraditën e supozuar, se njerëzit janë të prirur për të mëkatuar, ndërsa engjëjt jo. Megjithatë, Ibn Kethiri dhe dijetarë të tjerë ka thënë, se këndvështrimi i Tebariut është më i dobët se ai i shumicës së interpretuesve të tjerë. Gjithsesi kjo tregon se imam Tebariu nuk ishte me atë mendim që ia mveshëm kritikët gënjeshtarë. Sheh Abdul Aziz Harbi, profesor në Universitetin Ummul Kura e sqaron pikëpamjen e Tebariut si më poshtë:

“Një thënie tjetër tregon, se Haruti dhe Maruti ishin njerëz të zakonshëm që mbaheshin si të devotshëm në qytetin e Babilonisë. Kështu filluan t’u mësonin njerëzve magjinë. Njerëzit, në sajë të devotshmërisë, mendonin se ata janë engjëj të zbritur nga qielli.

Dinakëria e tyre ishte aq finoke, sa kur e panë se njerëzit u bindën se ata ishin të devotshëm, filluan t’ia mësonin magjinë kujtdo që dëshironte ta mësonte atë: “Vërtet që ne jemi vetëm sprovë, prandaj mos u bëni jobesimtar”. (2:102)

Këtë e bënin, për t’u treguar njerëzve, se dija e tyre frymëzohej nga ana hyjnore dhe se kërkonin vetëm të mirën, ashtu siç pretendojnë dëshmitarët e çdo kohe.

Ata u cilësuan si engjëj, sepse njerëzit i thërrisnin kështu. Në një pasazh tjetër të el-Hasanit quhen mbretër.

Muhamed Asad jep gjithashtu të njëjtin sqarim në komentin e tij kuranor:

Përsa i përket përcaktimit të Harutit dhe Marutit, në shumicën e leximeve kuranore gjejmë formën malekein (dy engjëjt); por është shënuar vërtetësisht (shih Tabarin, Zamakshauin, Bagauin, Razan etj) se sahabi i njohur ibn Abasi dhe shumë të ditur nga brezi i dytë- si Hasan Basriu, Dhehekiu dhe Ebu Asuadi- e lexojnë atë si melikejn (dy mbretërit). Unë personalisht jam me leximin e këtyre të fundit; por duke qenë se tjetri është më i pranuar e kam përshtatur këtu. Shumë nga komentuesit e Kuranit janë të mendimit, se pavarësisht se cili nga këto lexime ndiqet, ai duhet marrë metaforikisht, pra “dy njerëzit mbretëror” apo “dy njerëzit engjëllor”: për këtë ata mbështeten në një thënie të ibn Abasit (r.a), se Haruti dhe Maruti ishin “dy burra që ushtronin magjinë në Babiloni” (Bagauvi: shih gjithashtu Menar I, 402). Sidoqoftë është e sigurt, se që në kohët e hershme Babilonia njihej si çerdhe e artit të magjisë- e simbolizuar tek njerëzit legjendarë- ndoshta mbretër- si Haruti dhe Maruti; dhe është kjo legjenda, të cilës i referohet Kurani për të ndaluar çdo lloj përpjekjeje për magji dhe shtrigëri dhe çdo lloj tentative për shkencat e mistershme në përgjithësi. (Asad, Mesazhi i Kuranit, botim i Book Foundation 2003)

Prandaj dhe dijetarët që mbështesnin këtë interpretim, nuk ishin të mendimit se Haruti dhe Maruti ishin engjëj, por njerëz të zakonshëm që u mësonin magjinë të tjerëve dhe që pretendonin të ishin engjëj.

4. Përsa i përket interpretimit më të saktë dhe më të pranuar të këtij ajeti, dijetarët janë pajtuar në disa aspekte dhe kanë ndryshuar në disa detaje të vogla. Dijetarët kanë rënë dakord, se Haruti dhe Maruti ishin dy engjëj, që Allahu i dërgoi tek banorët e Babilonisë për të provuar besimin e tyre dhe këta engjëj nuk bënë ndonjë mëkat, madje as gabimin më të vogël, pasi zbatuan thjesht urdhrin e Allahut. Megjithatë, dijetarët ndryshojnë në bindjet e tyre për sa i përket natyrës së sprovës. Siç thotë dhe Sejid Kutub në tefsirin e tij të famshëm, Nën hijen e Kuranit:

Kurani më tej mohon qëndrimin, se dy engjëjt Haruti dhe Maruti ishin magjistarë apo mësonin magjinë. Ai pohon se ata po provonin besimin e njerëzve, për një qëllim që nuk është identifikuar. Por duke e lidhur magjinë, magjinë e zezë dhe shtrigërinë me mosbesim në Allah, Kurani i shfajëson dy engjëjt, duke thënë se ata ua sqaronin njerëzve natyrën e asaj që po bënin dhe se i kishin paralajmëruar, pavarësisht nga fakti se disa njerëz vazhduan në mësimin dhe ushtrimin e magjisë, duke rënë në tundim dhe duke u sjellë dëm të tjerëve”.

Shejh Salih Feuzani i përgjigjet si vijon pyetjes së mëposhtme:

“Si mund të ndodhë që engjëjt t’ua mësojnë magjinë të tjerëve, kur ajo është formë mosbesimi?”

Përgjigja: “Kjo ishte një sprovë, për të testuar se cili do të vazhdonte të besonte e cili do të zhytej në mosbesim. Pra Allahu i dërgoi ata dy engjëj, për të testuar besimin dhe mosbesimin e njerëzve dhe se ata nuk ua mësonin njerëzve një gjë të tillë pa u thënë: “Vërtet në jemi vetëm sprovë, prandaj mos u bëj jobesimtar”. (2:102)

Kështu ata do ta këshillonin nxënësin e tyre ta braktiste mësimin e magjisë dhe t’i sqaronin, se të ushtruarit e saj është mosbesim. Ata nuk ua mësonin atyre magjinë duke fshehur domethënien e saj, por përkundrazi i këshillonin, se magjia ishte mosbesim. Prandaj kur dikush e zgjidhte me dëshirën dhe vullnetin e vet, kthehej në jobesimtar.

Pra Allahu i dërgoi këta dy engjëj si sprovë për ta, jo se magjia është e pranuar dhe e lejuar. Dërgimi i tyre ishte thjeshtë, për të dalluar ata që do të mohonin dhe ata që do ta pranonin këshillën”.

Pra kur engjëjt filluan ta mësojnë magjinë, djajtë i përhapën furishëm këto mësime tek të tjerët dhe i shtynin të bëheshin pjesë e këtyre praktikave djallëzore. Siç komenton dhe shejh Abdurrahman Seidi në komentimin e tij rreth Kuranit:

(djajtë mohuan duke u mësuar njerëzve magjinë) dhe vazhduan me mashtrimet dhe hilet e tyre të devijojnë bijtë e Ademit, prej të cilëve ishin çifutët ata, që e pasuan magjinë që Allahu solli nëpërmjet dy engjëjve të tij (Harutit dhe Marutit) në Babiloni. Magjia erdhi si një sprovë dhe test nga ana e Allahut për robërit e tij”. 

Megjithatë qarkullojnë dhe disa mendime, se Zoti i dërgoi engjëjt si tundim për njerëzimin, duke u dhënë atyre leksione rreth magjisë dhe duke i paralajmëruar për dënimin që i priste ata, që do ta ushtronin atë. Pavarësisht nga kjo njerëzit nuk i kushtuan rëndësi këtij kërcënimi dhe vazhduan ta praktikonin magjinë. Disa dijetarë të tjerë thonë, se engjëjt u dërguan të maskuar si njerëz, për t’u mësuar magjinë dhe për t’i kapur ata që e pranonin atë ofertë. Shejh Ebu Ala Meududi del në këtë përfundim lidhur me ajetin:

“Në kohën kur i gjithë populli i Izraelit ishte zhytur në skllavëri dhe robëri, Zoti dërgoi dy engjëj në formë njeriu, për t’i provuar çifutët. Këta engjëj filluan menjëherë me veprat e tyre magjike, por duke i paralajmëruar njerëzit, se prania e tyre aty ishte testim për ta dhe se nuk duhet të këmbenin botën tjetër me ushtrimin e magjisë. Pavarësisht nga ky qortim, duket se izraelitët ishin tërhequr aq shumë pas ushtrimit të magjisë sa vazhduan t’i përmbaheshin asaj… Tani dikush mund të pyesë se si ka mundësi, që engjëjt t’ua mësojnë njerëzve magjinë që mbi të gjitha është e ligë në vetvete. Që ta kuptojmë këtë, le të sjellim kujtojmë se natyra e detyrës së tyre nuk ndryshon shumë nga ajo e një agjenti sekret, i cili i jep ryshfet një zyrtari të korruptuar, për ta kapur me presh në duar. (Meududi, Drejt kuptimit të Kuranit, The Islamic Foundation, vëll. 1, faq.97) 

Dijetarë të tjerë janë të mendimit, se ka shumë gjasa që Haruti dhe Maruti t’ua kenë mësuar njerëzve magjinë për arsye shkollimi, që njerëzit të dallonin simptomat e saj, veçoritë dhe efektet dhe ta shmangnin atë. Siç sqaron dhe shejh Abdul Hamid Kishk:

“Me ‘atë që ka zbritur’ Ai nënkupton shkencën e magjisë, e cila zbriti në mënyrë që ata ta mësonin dhe të ruheshin prej saj. Arsyeja se përse ata të dy u sollën në tokë, ishte që t’u mësonin njerëzve, se ç‘ishte magjia që ata ta dinin dallimin mes magjisë dhe profecisë dhe për të vërtetuar se Sulejmani nuk ishte magjistar. Kjo u bë, për të mundësuar një qartësim të tërësishëm.

Ata në asnjë mënyrë nuk ia mësonin magjinë askujt pa i thënë: “Ne jemi vetëm sprovë, prandaj mos bjer në mosbesim duke e mësuar dhe ushtruar atë”.Pjesë e qëllimit të këtij mësimi ishte, që t’i paralajmëronin njerëzit kundër saj dhe t’u mësonin njerëzve dallimin që ekziston mes saj, profecisë dhe mrekullive profetike”. 

Sharik Kan shkruan:

“Imam Lakani përmend në abetaren e tij rreth besimeve islame, se profetët dhe engjëjt janë të mbrojtur nga mëkatimi. Prandaj ka rënë në mëkat ai, që beson se engjëjt mëkatojnë. Haruti dhe Maruti ishin dy engjëj, që ua mësuan njerëzve magjinë. Historia e tyre përmendet në ajetin 102 të sures Bekare. Ndërsa dijetarët çifutë i kanë quajtur engjëjt mëkatarë (shih Midrashin). Ne besojmë, se ata u urdhëruan nga Allahu, t’ua mësonin njerëzve magjinë dhe nuk mund quhen mëkatarë, duke qenë se kanë përmbushur thjesht një urdhër të Allahut. Engjëjt thanë: “Ne jemi vetëm sprovë, prandaj mos bini në mosbesim”. (2:102)

Mendimi i dytë se përse u dërguan engjëjt, sqarohet nga shejh Sabuni në veprën e tij Safuat el-Tefesir. Ai thotë se në kohën e tyre ekzistonin shumë magjistarë, që pretendonin për profetësi dhe njerëzit kishin nevojë të bënin dallimin mes mrekullisë së profetëve dhe magjisë së magjistarëve. Magjia që ata mësuan mund të jetë për këtë arsye, por mund të jetë përdorur dhe për ligësi.   

Edhe myftiu Muhamed Shafi bën pak a shumë të njëjtin koment:

Allahu dërgoi në Babiloni dy engjëj, Harutin dhe Marutin, për t’i njohur njerëzit me natyrën e vërtetë të magjisë dhe format e saj të ndryshme, që të arrinin të bënin dallimin mes mrekullive të profetëve dhe të largoheshin nga ndjekja e magjistarëve dhe ushtrimi i magjisë nga vetë ata.

…Thënë me pak fjalë, të dy engjëjt erdhën në Babiloni dhe nisën të kryenin detyrën që u ishte ngarkuar – pra t’i sqaronin njerëzit rreth parimeve të magjisë dhe më pas t’ua kthenin mendjen, që të mos përziheshin në të tilla pazare dhe të mos ngatërroheshin me magjistarë. Puna e tyre ishte tamam si ajo e një dijetari, që pasi ka parë se njerëzit e paditur bien në nivelin e fjalëve heretike, prandaj i duhet që në shkrimet e tij të përfshijë të gjitha ato fjalë dhe fraza, që kanë marrë dhenë dhe t’ua bëjë të ditur njerëzve, se duhet t’i shmangin me kujdes.

Ndëra tek engjëjt erdhën lloj lloj njerëzish për t’u njohur me natyrën dhe formulat specifike të magjisë, në mënyrë që nga padija të mos binin në gabim, si në çështje të doktrinave ashtu dhe në ato të veprave. Për t’u dhënë atyre mësimin e duhur lidhur me çështjen si dhe për t’i mbrojtur njerëzit nga rënia në gabim, engjëjt ishin aq të zgjuar sa t’i paralajmëronin për rreziqet e mundshme, që mund të lindnin nga dhënia e këtij informacioni. Ata insistonin për t’ua bërë njerëzve të qartë se me këtë Allahu kërkonte t’i provonte robërit e tij, pasi Ai do të shihte se kush e përdor këtë dije për të ruajtur besimin e vet, duke e dalluar të keqen dhe duke iu shmangur asaj dhe kush bie në devijim duke e marrë atë të ligë, për të cilën i është thënë se është e ligë. Engjëjt i këshillonin vazhdimisht, që këtë informacion ta kërkonin për një qëllim të mirë dhe jo ta keqpërdornin duke u bërë kështu pjesë e vuajtjeve të përjetshme.  

S‘kishte si të kishte çiltërsi dhe besnikëri më të madhe se kjo. Kështu ata ua sqaruan parimet bazë të magjisë, madje dhe me detaje, të gjithë atyre që ishin të gatshëm të jepnin besën se do të mbeteshin të qëndrueshëm në besimin e tyre. Nëse ndokush do ta thyente besën, do t’i kalonte caqet dhe do të tradhëtonte, fenë për të; engjëjt nuk ishin përgjegjës për qëndrimin e tyre. Disa e mbajtën premtimin e disa të tjerë jo dhe e kthyen këtë dije që morën në mjet për të dëmtuar të tjerët- që në vetvete është mëkat dhe kalim kufijsh; ndërkohë ka asi magjish që janë kufër i gjallë. Prandaj, duke e keqpërdorur diturinë, që morën mbi magjinë, disa u kthyen në mëkatarë e disa të tjerë në mosbesimtarë.

Le ta përsërisim dhe një herë se engjëjt e mësonin magjinë, me qëllim për t’i informuar njerëzit dhe për t’i ndihmuar që t’i përmbaheshin rrugës së drejtë.  Ata që i keqpërdorën mësimet e tyre, vepruan kështu në sajë të perversitetit të tyre.(Shafi, Mariful Kuran, Mektebeh Darul Ulum, Karachi 2003, vëll.1 faq. 266-268) 

Ky citim i gjatë, demonstron një sërë çështjesh. Para së gjithash ai sqaron idenë e engjëjve, që ua mësojnë të tjerëve magjinë, me qëllimin për t’i informuar me këtë punë të ligë dhe për t’i ndihmuar që t’i shmangen. Ai gjithashtu përmend, se engjëjt u dërguan për të testuar njerëzit që të dalloheshin ata që bien pre e tundimit dhe ata që e frenojnë veten nga ligësia. Prandaj ka shumë mundësi, që engjëjt të jenë dërguar me të gjitha qëllimet e sipërpërmendura nga dijetarët, duke përfshirë përpjekjen për të zënë ata që e praktikonin magjinë, si një provë për njerëzit dhe me qëllimin formues për të dalluar të mirën nga e keqja.

 

Nga diskutimi i mësipërm shihet qartë, se engjëjt vepronin si shërbëtorë të Allahut dhe thjesht përmbushnin misionin që u kishte ngarkuar Allahu. Çështja e mosbindjes as që hyn fare këtu, dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë kundërthënie mes këtij ajeti dhe atij, që pohon se engjëjt përherë i binden Allahut.   

Autori do të dëshironte të falenderonte Ebu Abdullah Kauaitin për kontributin që dha në shkrimin e këtij artikulli. Allahu e begatoftë me të mira. /KBI-Bujanoc.com/

2114 Shikime