Besimi tek profetët dhe të dërguarit e Zotit

15.01.2014

Besimi tek profetët dhe të dërguarit e Zotit


Besimi tek profetët dhe të dërguarit e Zotit

Besimi në profetët dhe të dërguarit e Zotit, është të pohosh, miratosh dhe besosh pa fije dyshimi, se Zoti ka dërguar profetë dhe të dërguar, misioni i të cilëve është rregullimi i jetës së njeriut, sipas vullnetit dhe porosive të Zotit. Në një hadith, profeti Muhamed (a.s) thotë: ”Zoti ka dërguar mbi treqind të dërguar dhe njëzet e katër mijë profetë.

Në një hadith, profeti Muhamed (a.s) thotë: ”Zoti ka dërguar mbi treqind të dërguar dhe njëzet e katër mijë profetë.

Profetët janë ata njerëz, të cilëve u ka ardhur shpallje prej Zotit (vahj). Kjo shpallje realizohet nëpërmjet një meleku të vetëm, që është Xhibrili (a.s). Kështu kujtdo që i shfaqet Xhibrili (a.s), i jep shpalljen e Zotit dhe i tregon, se Zoti e ka zgjedhur profet, pra ai bëhet profet. Por jo kushdo, që e sheh Xhibrilin (a.s), e takon dhe bisedon me të, konsiderohet profet.

Profetët janë njerëz të zgjedhur prej Zotit. Askush tjetër nuk ka rol në përzgjedhjen e tyre si profetë. Madje nuk ekzistojnë as kritere, që mund t’i përmbushë dikush dhe të presë profecinë.

Ashtu siç Zoti ka zgjedhur ata që do të jenë profetë, Ai zgjedh dhe cakton, se cilat nga vendet do të jenë të shenjta për besimtarët. Ai ka zgjedhur si vende të shenjta, Qaben, Medinen dhe xhaminë Aksa.

 

Dallimi mes profetit dhe të dërguarit

Profeti është ai person, të cilit i shfaqet Xhibrili (a.s), i tregon se është zgjedhur nga Zoti si profet dhe urdhërohet të ftojë njerëzit në monoteizëm, por duke zbatuar ligje e dispozita të një të dërguari të mëparshëm. Pra profetët nuk kanë libra, që përmbajnë ligje, pra ndalesa dhe urdhëresa të ndryshme nga ligjet e mëparshme. Profeti Muhamed (a.s) ishte i dërguar, pasi solli ligje të reja dhe të ndryshme nga ligjet e Musait (a.s) dhe të Isait (a.s).

I dërguari është ai person, i cili vjen me ligje të reja, të cilat përmbajnë urdhëresa e ndalesa të reja. Çdo i dërguar është profet, por jo çdo profet është i dërguar. Ibrahimi (a.s) kishte fletët e tij, të cilat përmbanin ligje të reja. Po ashtu, Musai (a.s) kishte Teuratin, Daudi (a.s) kishte Zeburin, Isai (a.s) kishte Ungjillin dhe profetit Muhamed (a.s) i zbriti Kurani etj…

 

Mesazhi i të gjithë profetëve ishte i përbashkët:

La ilahe il-la Allah (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut).

Askush tjetër nuk duhej të besohej dhe adhurohej përveç Allahut. Ky ishte thelbi i të gjithë profetëve dhe të dërguarve, atyre që sollën libra të shenjtë dhe atyre, që nuk sollën libra të shenjtë.

 

Disa profetë dhe të dërguar, janë më të mirë se të tjerë

Përsa i përket mesazhit të profetëve dhe të dërguarve, ai është i përbashkët. Për këtë arsye nuk na lejohet të bëjmë dallime mes tyre. Zoti thotë në Kuran: “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. (Bekare, 285)

Por lidhur me personalitetin e tyre, ka profetë dhe të dërguar, që janë më të mirë dhe më të privilegjuar tek Zoti se të tjerët. Kështu, të dërguarit janë më të mirë se profetët. Mes vetë të dërguarve, pesë janë më të privilegjuarit, të cilët njihen si të dërguarit e vendosur.

“Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain...”

Nga këta të pestë, padyshim që më i privilegjuari dhe më i miri është profeti Muhamed (a.s), vula e të gjithë profetëve.

 

Përse njerëzimi ka nevojë për profetë dhe të dërguar?

Zoti i lartësuar ka krijuar universin i cili funksionon në mënyrë perfekte, për të treguar fuqinë e Krijuesit dhe pushtetin e Tij të pafund. Allahu e ka pajisur njeriun me instinkte, të cilat e udhëheqin për ta shprehur besimin e tij në një Zot të vetëm, Krijues dhe të Gjithëpushtetshëm. Por përveç kësaj ndjenje dhe instinkti, Zoti e ka pajisur njeriun edhe me prirjen për të bërë keq.

“Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë(me punë të këqija), do të dështojë”. (Shems, 7-10)

Prandaj, njeriu, ashtu siç është i prirur për të bërë mirë, është i prirur për të vepruar keq. Vetë njeriu është ai, që zgjedh njërën nga këto dy rrugë, të mirën apo të keqen, rrugën e drejtë apo të shtrembër.

Veç nefsit negativ, i cili përbën një faktor të brendshëm, ekziston dhe shejtani, faktori i jashtëm, objektivi kryesor i të cilit është, që ta çojë njeriun drejt humnerës dhe humbëtirës. Duke qenë se Zoti është i drejtë dhe i dhembshur me njeriun, nuk e la të vetëm para këtyre dy armiqve. Ai dërgoi njerëz të mirë, profetët dhe të dërguarit, të cilët e udhëzojnë dhe orientojnë njeriun drejt udhës së mbarë.

Prandaj njerëzit kanë nevojë për profetët dhe të dërguarit, që ata t’u ndriçojnë rrugën drejt Zotit dhe mirësisë. Ata i udhëzojnë njerëzit, që të mos devijojnë në fenë e tyre, të mos e përshkruajnë Zotin me cilësi që nuk i shkojnë për shtat, u mësojnë njerëzve gjëra të cilat e kanë të pamundur t’i mësojnë pa profetë, si ekzistenca e xhenetit dhe xhehenemit. Profetët dhe të dërguarit kanë ardhur si përgëzues me xhenet, për ata që i binden Zotit dhe me xhehenem, për ata që refuzojnë Zotin.

Duke dërguar profetë dhe të dërguar, njerëzit kanë një model të mirë që duhet të ndjekin.

Një arsye tjetër për dërgimin e profetëve dhe të dërguarve, është që të dëshmojnë për njerëzimin. Siç e dimë, disa njerëz i besuan profetët dhe të dërguarit e Zotit, ndërkohë që disa të tjerë i përgënjeshtruan dhe i refuzuan. Ditën e Kijametit, Zoti do të sjellë profetët dhe të dërguarit që të dëshmojnë në favor të atyre, që i besuan dhe në disfavor të atyre që i përgënjeshtruan.

“që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.”(Bekare, 143)

(Përcjellim mesazhin e Zotit, udhëzojnë njerëzit në rrugë të drejtë, argument në disfavor të mohuesve, model për njerëzit).

 

Kur duhet besuar një profet apo i dërguar?

Besimi është i domosdoshëm dhe i kërkuar kur ai sjell fakte dhe argumente. Si ndodh kjo?

Profeti Muhamed (a.s) solli disa fakte dhe argumente, për të bindur popullin e tij. Ndër këto fakte dhe argumente ishin:

Kurani fisnik, i cili përbënte dhe argumentin më të madh. Zoti i lartësuar i sfidoi arabët të hartojnë një Kuran të ngjashëm, meqë pretendonin, se nuk kishte burim hyjnor, por ishte i përpiluar nga Muhamedi a.s. Ai thotë: “Nëse ata thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kuranin)”, thuaju: “Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të.” (Junus, 38)

Një ndër kushtet thelbësore të një profeti apo të dërguari, është të sjellë një mrekulli, e cila është diçka e pazakontë. Ne jemi mësuar, që zjarri të djeg nëse kontakton lëkurën tonë. Nëse ai nuk e djeg dikë, siç ndodhi me Ibrahimin (a.s), kjo është një mrekulli, diçka e pazakontë. Thika ka veti prerëse, por nëse ajo nuk e pret një person, atëherë kjo konsiderohet mrekulli. Nëse dikush ka vdekur dhe jemi të sigurt për këtë, pastaj vjen një person, i cili e kthen sërish në jetë, kjo është mrekulli. Nëse një person i lindur i verbër, preket nga një tjetër dhe i kthehet shikimi, atëherë kjo është mrekulli. Një bastun që shndërrohet në gjarpër, është mrekulli. Një dorë zeshkane që futet nën sqetull dhe që andej del si drita e diellit, është mrekulli. Një deve që del nga çarja e një shkëmbi është mrekulli.

Si të gjithë profetët e tjerë, edhe profetit Muhamed (a.s) u pajis me mrekulli, ku më tipikja ishte Kurani fisnik. Veç Kuranit, Profetit (a.s) iu mundësua të çajë më dysh hënën. “U afrua Ora dhe u ça Hëna!” (Kamer, 1)

Kurejshët i thanë profetit Muhamed (a.s): ”Nuk të besojmë derisa të na tregosh një mrekulli”. Profeti (a.s) u përgjigj:”A më besoni nëse e çaj hënën më dysh?” Ata u përgjigjën:”Po.” Të gjithë kurejshët u mblodhën një natë me hënë të plotë dhe në një çast, hëna ndahet më dysh, ku mali përballë ndodhej mes dy pjesëve.  Thotë Ibnu Kethiri:”Këtë ndodhi e panë kurejshët por edhe njerëzit e tjerë. Madje në Indi kjo datë u përdor si referencë”.

Siç e cekëm më lart, mrekullia më e madhe, ishte vetë Libri. që iu shpall profetit (a.s), pra Kurani fisnik./KBI-Bujanoc.com/

2273 Shikime