Besimi në caktimin e Zotit

08.01.2014

Besimi në caktimin e Zotit


Besimi në caktimin e Zotit

Jeta e njeriut është e mbushur me të papritura, vështirësi dhe probleme. Gjatë gjithë jetës, njeriu përballet me lloj-lloj hallesh dhe sfidash. Ka gra shumë të mira të cilat divorcohen, ndërkohë që shumë të tjera që nuk i gëzojnë këto cilësi jetojnë të lumtura me burrat e tyre. Ka bashkëshorte, të cilat nuk mund të lindin fëmijë dhe të bëhen nëna, ndërkohë që të tjera pasi lindin i braktisin fëmijët e tyre në spitale, apo në shtëpitë e fëmijës.

 Ka njerëz të ndershëm dhe të mirë, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme, ndërkohë që shumë të tjerë të shthurur dhe të korruptuar gëzojnë shëndet të plotë. Një bujk ka nëntë fëmijë, të cilët mezi i ushqen me qumështin e lopës së vetme, ndërkohë që komshiu i tij ka nëntëdhjetë e nëntë lopë, por që nuk ka asnjë fëmijë. Dikush ka vetëm një fëmijë, i cili i vdes dhe e lë qyqe të vetëm, ndërkohë që dikush tjetër ka me dhjetëra fëmijë, por i ka braktisur dhe nuk do t’ia dijë për ta.

Njoh një nënë, e cila ka pasur tre vajza. E para, i vdiq si pasojë e një sëmundjeje vdekjeprurëse. Një javë më pas, i vdiq dhe vajza e dytë. Përse kjo o Zot? Ku qëndron urtësia dhe sekreti i këtyre halleve dhe vuajtjeve? Përse kjo botë është e mbushur me vështirësi, lëngata e brenga? Përse gjithë këto tërmete, stuhi shkatërruese dhe vullkane? Nga cunami që ndodhi në Indonezi dhe Katrina në Amerikë, pamë që shumë fëmijë kishin vdekur, ndërkohë që prindërit madje dhe gjyshërit ishin akoma gjallë! Përse kjo o Zot?!

Historia e Musait (a.s.) me Hidrin, flet mbi një nga shtyllat e besimit islam. Shtyllat e besimit janë: Besimi te Zoti, melekët e Tij, librat, të dërguarit, Ditën e Ringjalljes dhe besimi në caktimin e Zotit, i mirë qoftë apo i keq. Besimtari nuk e ka besimin të plotë, derisa të besojë dhe ta pranojë caktimin e Zotit sido që t’i vijë.

Është e vështirë ta pranosh caktimin e Zotit dhe të jesh i kënaqur me të, pa njohur dhe pa i përjetuar tre nga emrat dhe cilësitë e Zotit. Këto tre emra dhe cilësi janë: El-alim (I Gjithëdituri), El-hakim (I Urti) dhe Er-rehim (I Gjithëmëshirshmi). Aq sa ta kesh besimin në këto tre emra dhe cilësi të Zotit, aq do jesh i kënaqur me caktimin dhe kaderin e Zotit. Sa më shumë t’i ndjesh këto tre cilësi të Zotit, aq më shumë do ta pranosh me kënaqësi caktimin e Tij.

Ibnul Kajjim ka thënë: “Të kënaqurit me caktimin e Zotit, është porta më e madhe që të çon drejt Zotit. Ai është vendpushimi i adhuruesve dhe xheneti i dynjasë.”

El-alim (I Gjithëdituri) e di se çfarë ka ndodhur, çfarë do të ndodhë dhe ajo që nuk ka ndodhur sikur të ndodhte si do të ndodhë. Edhe një kokërr rërë nëse lëviz nga njëri vend në tjetrin, do të lëvizë sipas një urtësie dhe qëllimi të caktuar. Edhe një gjethe peme kur bie, do të bjerë sipas një caktimi dhe urtësie.

“Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di çfarë ka në tokë dhe në det; asnjë gjethe nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (En’am, 59)

Nëse kërkon të jetosh i kënaqur, duhet të kesh besim tek El-alimi. Që ta pranosh caktimin e Zotit me kënaqësi, duhet të kesh besim të patundur tek El-hakimi (I urti), çdo vepër e të cilit është gjithë urtësi. Që të jetosh i lumtur dhe i kënaqur, duhet të kesh besim tek Er-rehimi (I gjithëmëshirshmi). Ti, o vëlla dhe oj motër, duhet të jesh i bindur që Zoti nuk mund t’i bëjë keq robit të Tij dhe as që ia do të keqen atij. Zoti i Gjithëmëshirshëm dhe i Dhembshur nuk do veçse më të mirën për robërit e Tij.

Ditën që profetit Muhamed (a.s.) i vdiq djali, Ibrahimi, u pa duke qarë me lot. Megjithatë, ai ngriti sytë drejt qiellit dhe tha: “Syri loton, zemra hidhërohet dhe për ndarjen tënde o Ibrahim jemi pikëlluar shumë. Megjithatë, nuk themi veçse gjëra që kënaqin Zotin.”

Kjo, edhe pse Ibrahimi vdiq ndërkohë që Profeti (a.s.) ishte gjashtëdhjetë e një vjeç, dy vite para se të ndërrojë jetë. Jo vetëm kaq, por Profetit (a.s.) i kishin vdekur shtatë fëmijë të tjerë më parë. Kur hyri në shtëpi pasi kishte marrë vesh për vdekjen e Ibrahimit, Profeti (a.s.) tha: “Ty të përgjigjem me kënaqësi o Zot! E gjithë e mira buron vetëm prej Teje, ndërkohë që e liga nuk vjen kurrë prej Teje!”

Para betejës së Bedrit, Profeti (a.s.) qëndroi në mes të luftëtarëve myslimanë dhe u tha: “Kushdo që përballet në luftë me Abas ibnul Mutalib të mos e vrasë! Kushdo që përballet në luftë me Abasin, xhaxhain e Profetit, të mos e vrasë!”

Xhaxhai i tij Abasi, kishte pranuar Islamin në fshehtësi, gjë të cilën e dinte vetëm Profeti (a.s.). Ai kishte dalë bashkë me mekasit e tjerë, me qëllim që t’i demoralizonte dhe t’i bënte të ktheheshin pa luftuar me myslimanët. Këtë fakt, nuk e dinte tjetër kush përveç Profetit (a.s.). Nëse Profeti (a.s.) do t’u tregonte që Abasi ishte mysliman, lajmi do të përhapej dhe kjo përbënte rrezik për Abasin.

Një nga luftëtarët myslimanë, kur dëgjoi Profetin (a.s.) që po i urdhëronte të mos e vrisnin Abasin, u ngrit dhe tha: “Çfarë qenka kjo?! Të vrasim etërit dhe vëllezërit tanë në betejë dhe të lëmë Abasin, sepse është xhaxhai i Profetit?! Për Zotin nëse me del para do ta vras!”.

Profeti Muhamed (a.s.), edhe pse është njeri, kishte një informacion që nuk e kishin të tjerët. Ai i urdhëroi mbi bazë të një urtësie dhe nuk donte veçse të mirën.

Kur luftëtarit mysliman iu bë e qartë urtësia e urdhrit të Profetit (a.s.), i shpërthyen lotët dhe iu lut ta falte për gabimin. Nëse kjo ndodh me njerëzit, çfarë mendoni për Zotin e njerëzve?!

A je i kënaqur me caktimin e Zotit, o vëlla? Sa pikë i jep vetes nga dhjetë, lidhur me pranimin e caktimit të Zotit?

Në udhëtimin me Hidrin, Musai (a.s.) do të mësonte mbi urtësinë e Zotit në univers, rëndësinë e besimit në caktimin e Zotit, si dhe se caktimi i Zotit nuk mund të jetë veçse në interesin e njeriut, sado i lodhshëm të jetë. Kjo, edhe pse në pamje të parë, veprimet e Hidrit dukeshin shumë negative. Në këtë ndodhi, Hidri mishëron caktimin e Zotit. Ai përfaqëson të padukshme, botën egajbit.

Musai (a.s.) e shoqëroi Hidrin në tre udhëtime, një udhëtim detar, një tokësor dhe një në fshat. Në udhëtimin e parë, u shoqëruan me njerëz të varfër, në të dytin me të rinj dhe në të tretin me shtresa të ndryshme të shoqërisë. Kuptohet qartë që një mesazh tjetër i kësaj historie është që ftuesit myslimanë të depërtojnë në të gjithë shtresat e shoqërisë. Të tria këto ndodhi, flasin për tre çështje që kanë të bëjnë me caktimin e Zotit. E para, ka të bëjë me sigurimin e jetesës, e dyta me fatkeqësinë më të madhe për prindërit, humbjen e fëmijës. E treta flet mbi vonesën e riskut. Në pamje të parë, të tria këto ndodhi interpretohen si fatkeqësi. Është Hidri, ai i cili në këtë histori mishëron caktimin e Zotit, ai që na zbulon urtësinë dhe pasojat.

Në këtë rast, Kurani fisnik përdor historitë me qëllim që të forcojë dhe të konsolidojë besimin në caktimin e Zotit.

Tregohet që në kohët e lashta se një mbret kishte një vezir shumë të zgjuar dhe të mençur. E meta e vetme e këtij veziri ishte se në çdo situatë dhe ndodhi, përsëriste fjalët: “E hajrit qoftë!” Kjo ishte diçka e pranueshme në raste triumfi dhe fitoreje, por në rast humbjesh dhe disfatash, e xhindoste mbretin. Një ditë, mbreti doli për gjah dhe me hark në dorë i vihet pas presë. Në kohën kur ishte gati që ta goditur prenë, ai e tërhoqi fort litarin e harkut, por iu ngatërrua gishti tregues dhe nga forca iu këput në mes. Veziri, sipas zakonit, e ngushëlloi me fjalët: “E hajrit qoftë!” Mbreti, sa nga dhimbjet e gishtit sa nga fjalët e vezirit urdhëroi që ta burgosnin menjëherë. Veziri e pa në fytyrë dhe duke qeshur i tha: “E hairit qoftë!” dhe niset për në qeli.

Disa kohë më vonë, mbreti doli sërish për gjah. Gjatë ndjekjes së presë, kali i mbretit tërbohet dhe merr arratinë duke kaluar kufirin e mbretërisë. Në mbretërinë tjetër, mbretin e kapin disa idhujtarë, të cilët po i gëzoheshin festës së idhullit të tyre. Ishte pikërisht dita kur ata i ofronin idhullit të tyre një kurban. Meqë gjetën një burrë të huaj, ata vendosën ta flijojnë. Në çastin kur u bënë gati ta thernin, njëri prej tyre dalloi gishtin e prerë të mbretit dhe thirri: “Kurbani duhet të mos ketë asnjë të metë, ndërkohë që ky paska gishtin e prerë.” Atëherë e lanë të lirë mbretin, i cili u nis menjëherë për në pallatin e tij. Gjatë rrugës, ai u mendua gjatë për atë që i kishte ndodhur. Nëse nuk do ta kishte këputur gishtin, do ta kishin flijuar për idhullin e tyre. Pra, këputja e gishtit paska qenë diçka e hajrit, ashtu siç ishte uruar nga veziri. Kur arriti në pallat, e nxori menjëherë vezirin nga qelia dhe i rrëfeu gjithçka që i kishte ndodhur. Në fund i tha: “Fakti që unë këputa gishtin, ishte e hajrit, siç dhe u pa. Po që ti hyre në burg, çfarë hajri ke parë?” Veziri u përgjigj: “Nëse nuk do të kisha përfunduar në burg, unë do të kisha dalë në shoqërimin tënd ditën e gjahut. Idhujtarët do të të falnin ty për të metën fizike që kishe dhe do të më  kishin flijuar mua për idhullin e tyre, pasi nuk kisha të meta.”

Nëse kërkon të jetosh në paqe dhe i lumtur në tokën e Zotit, ji i kënaqur me caktimin e Tij.

 

Ndodhia e anijes

Pasi Hidri pranoi që Musai (a.s.) ta shoqëronte, u nisën për tek porti. Me të mbërritur, Hidri i bëri me shenjë një anijeje që po nisej dhe ata e pritën. Personat që punonin në anije, ishin njerëz fukarenj, të cilët ushqeheshin me ato që fitonin nga transporti i njerëzve. Duke qenë se e njihnin Hidrin, ata nuk pranuan t’i merrnin të holla në këmbim të transportit. Pasi nisën lundrimin, Hidri zbriti poshtë dhe me një hekur bëri një të çarë në anije. Musai (a.s.) reagoi menjëherë ndaj këtij akti, i cili do t’u shkaktonte dëme të konsiderueshme atyre që ishin treguar bujarë dhe dashamirës me ta.

“Dhe kështu, u nisën. Kur hipën në një anije, ai (Hidri) hapi një vrimë poshtë. (Musai) tha: “Mos vallë, e hape vrimën për t’i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë të shumë të keqe.” (Kehf, 71)

Kurse Hidri ia ktheu me qetësi:

(Hidri) i tha: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?” (Kehf, 72)

Hidri nuk fliste shumë dhe kishte karakter të fortë. Ai vetëm i tha fjalët e lartpërmendura, pa e justifikuar aktin e tij dhe zbritën nga anija.

Musai (a.s.), edhe pse kishte qenë dëshmitar i një akti të lig, e mbajti veten dhe i tha:

“Ai u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!” (Kehf, 73)

 

Vrasja e djaloshit

Hidri dhe Musai (a.s.) vazhduan rrugën, derisa mbërritën në një fshat, ku u gjendën mes disa djelmoshave të rinj. Hidri filloi të hetojë mes tyre, sikur kërkonte një person të caktuar. Mandej hyri mes djelmoshave dhe njërin prej tyre e vrau. Kjo e xhindosi fare Musain (a.s.) dhe menjëherë ndërhyri duke e kritikuar.

“Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau. Tha(Musai): “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme!” (Kehf, 74)

Hidri nuk i ktheu asnjë përgjigje Musait (a.s.) dhe nuk i dha asnjë justifikim për atë që bëri, ashtu siç ndodh me fatin dhe caktimin në përgjithësi. Fjalët e vetme që i tha Musait (a.s.) ishin: “Ai u përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?” (Kehf, 75)

I lodhur dhe i sfilitur nga ngjarjet e tmerrshme që kishte parë, Musai (a.s.) iu përgjigj:

(Musai) tha: “Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t’u ndarë prej meje)!” (Kehf, 76)

 

Muri i dy jetimëve

Pas një rruge të gjatë, Musai (a.s.) dhe Hidri mbërrijnë te një fshat. Të dy ishin të lodhur dhe të uritur, kështu u kërkuan banorëve t’u jepnin diçka për të ngrënë. Mesa duket, banorët karakterizoheshin nga një koprraci e skajshme, pasi të gjithë refuzuan t’i ushqejnë dhe t’i pranojnë në shtëpi. Teksa ecnin mes fshatit, Hidri sikur kërkonte diçka me sy. Me të mbërritur pranë një muri që ishte gati në të shembur, Hidri menjëherë filloi ta rindërtonte atë. Musai (a.s.) nuk i kuptonte këto kontradikta të Hidrit. Atyre njerëzve të mirë që i transportuan falas, Hidri u çau anijen, kurse këtyre që nuk pranuan t’i ushqejnë u ndërtoi shtëpitë! I tillë është kaderi dhe caktimi i Zotit, plot kontradikta dhe mistere të pakuptueshme. Duke mos duruar nga ajo që i shihnin sytë, Musai (a.s.) ndërhyri për të tretën herë.

“Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi. (Musai) tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë.” (Kehf, 77)

Duke qenë se dy herët e para, Hidri kishte vepruar diçka të ligë, Musai (a.s.) priste që edhe akti i radhës të ishte i tillë. Kur pa që Hidri u bëri mirë disa njerëzve koprracë, Musai (a.s.) nuk u përmbajt.

Hidri iu përgjigj duke i kumtuar ndarjen mes të dyve, pasi Musai (a.s.) nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes.

“Ai tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do të t’i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh.” (Kehf, 78)

Të gjithë ne, e shohim caktimin e Zotit ashtu siç i pa Musai (a.s.) këto tre ndodhi të çuditshme, pa e kuptuar dot urtësinë. Dy aktet e parë të Hidrit, Musai (a.s.) i gjykoi si akte tejet të shëmtuara dhe të padrejta. Ndërkohë që aktin e tretë, e gjykoi si një të mirë në vendin e gabuar. Të tria këto ndodhi mishërojnë kaderin e Zotit dhe fatin tonë në jetën e përditshme. Ato i gjen të pranishme në çdo shtëpi dhe familje. Interpretimi që u bëri Hidri akteve të tij, na bën të kuptojmë se çdo gjë që ndodh në jetën tonë, patjetër që është në të mirën dhe interesin tonë. Me aftësitë dhe kapacitetin tonë arsyetues, ne e kemi të pamundur ta kuptojmë urtësinë. Historia e Hidrit me Musain (a.s.) janë mesazh që i drejtohet secilit prej nesh, që të pranojmë fatin dhe caktimin e Zotit me kënaqësi.

 

Sa i përket anijes

“Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, të cilët punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret, i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë.”(Kehf, 79).

Ishte caktimi i Zotit, i mishëruar në aktin e Hidrit, i cili shkaktoi një të çarë në anije, ai që e shpëtoi anijen nga duart e mbretit tiran. Anija u përkiste disa fukarenjve, të cilët nxirrnin bukën e gojës me atë anije. Nëse anija nuk do të ishte çarë, patjetër që do të ishte konfiskuar nga mbreti zullumqar, duke lënë në mëshirë të fatit pronarët e saj dhe marinarët e tjerë. Madje, nëse pronarët do ta kundërshtonin mbretin, mund të vriteshin dhe t’i linin fëmijët jetimë. Për të shmangur një fatkeqësi kaq të madhe, ndërhyn kaderi i Zotit me një fatkeqësi më të vogël. Vallë sa herë në jetë na ndodhin ngjarje kaq të ngjashme! Sa herë stresohemi dhe dëshpërohemi për ngjarje tronditëse, por që pa e ditur ne, kanë shmangur katastrofa dhe gjëma të rënda!

Ulu dhe shkruaj tre arritjet më të mëdha në jetën tënde. Pas kësaj, reflekto pak mbi periudhën para se të korrësh këto suksese. Jam i sigurt se ato nuk kanë ardhur, veçse pas vuajtjesh dhe fatkeqësish, që të kishin rënë mbi kokë. Këtë e kam nga përvoja ime personale.

Nëse vëllezërit e profetit Jusuf (a.s.) nuk do ta kishin hedhur atë në pus, i gjithë Egjipti do të kishte vuajtur nga pasojat e zisë dhe të thatësirës. Nëse Ibrahimi (a.s.) nuk do ta kishte braktisur djalin e tij Ismailin dhe gruan Haxheren në luginën e Mekës, nuk do të buronte uji i zemzemit nga i cili vazhdojmë të pimë. Nëse Ibrahimi (a.s.) nuk do të kishte pranuar ta thertë djalin e tij Ismailin (a.s.), sot nuk do të therte askush kurbanë, me të cilët ushqehen me miliona të varfër. Luftërat e Ebu Bekrit për t’i kthyer fiset arabe sërish ne Islam, shërbyen si eksperiencë për myslimanet, ne përballjen e tyre me persët dhe bizantët më vonë.

Pranojeni caktimin e Zotit me kënaqësi, që të jetoni të lumtur, pa stres dhe pa ilaçe qetësuese. Pas çdo fatkeqësie, patjetër që fshihet një e mirë. Nëse jeton me këtë logjikë, dije se do të jetosh i lumtur, edhe sikur e gjithë bota të jetë vënë kundër teje. Para çdo fatkeqësie, thuaj i bindur dhe i sigurt: “E hajrit qoftë!”.

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush thotë sa gdhihet dhe ngryset “Jam i kënaqur me Allahun si Zoti im, me Muhamedin si profeti im dhe Islamin si feja ime”, është obligim i Zotit që ta kënaqë për atë ditë.”

Në një hadith tjetër, Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush thotë sa herë dëgjon ezanin “Jam i kënaqur me Allahun si Zoti im, me Muhamedin si profeti im dhe Islamin si feja ime” është obligim i Zotit që ta kënaqë për atë ditë”, i falen gjynahet”.

Ideja është që duke e shqipëruar sa më shpesh fjalën kënaqësi, të kultivohet dhe të rrënjoset në zemër, dhe kjo të reflektojë në jetën e përditshme.

Një ditë Umeri (r.a.) takon një njeri, të cilin e pyet: “Si u gdhive o filan?”

Ai i përgjigjet: “Mirë o prijës i besimtarëve”

Umeri e pyet përsëri: “Si u gdhive?”

Ai përsëri i thotë: “Mirë, o prijës i besimtarëve”.

Umeri e pyet për të tretën herë: “Të pyeta si u gdhive?”

“Falënderoj Zotin, mirë o prijës i besimtarëve”, i tha herën e tretë.

“Këtë desha të dëgjoj”, i tha Umeri.

Të jesh i kënaqur me caktimin e Zotit, do të thotë të mos e akuzosh Zotin dhe të mos i qahesh për veprat e Tij.

 

Sa për djaloshin

“Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim, dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm.” (Kehf, 80-81)

Veçse ishte një djalosh, ai kishte edhe dy prindër besimtarë. Por në dijen e Zotit, ky djalosh do të bëhej shumë i lig, tiran dhe zullumqar. Kurani përdor termin “tagije”, i cili përfshin cilësitë më të skajshme të tiranisë dhe shtypjes. Nëse ky djalë do të rritej, do të jetonte si tiran dhe i dhunshëm me shoqërinë. Kjo gjë pa dyshim do t’i lëndonte prindërit e tij të ndershëm dhe të mirë. Ishte mëshira dhe dhembshuria e Zotit për dy prindërit e këtij djaloshi, ajo që e morën në moshë të njomë, me qëllim që as ata dhe as shoqëria të mos vuajnë. Si kompensim, Zoti i nderon prindërit e tij me status të veçantë dhe shpërblime të pafundme në xhenet. Veç kësaj, edhe vetë djaloshi është nga banorët e xhenetit, pasi vdiq në moshë të re, pa arritur pjekurinë seksuale.

Dikush mund të pyesë: Nëse duhej të vdiste patjetër ky djalosh, përse Zoti e solli në jetë? Përse duhej të ngjizej dhe të lindte?!

Urtësinë e kësaj e di më së miri vetë Zoti i lartësuar. Por, nëse nuk do të kishte lindur ky fëmijë, dy prindërit besimtarë nuk do ta fitonin gradën e lartë në xhenet, që ua caktoi Zoti pas vdekjes së tij. Një urtësi tjetër, është që të rinjtë e të rejat e moshës së tij, të ndërgjegjësohen se vdekja i korr të gjitha moshat.

Ky djalosh dhe të tjerë që kanë vdekur në moshën e tij, do t’i presin prindërit e tyre dhe së bashku të kapur për dore do të hyjnë në xhenet.

Si kompensim, Zoti u dha prindërve të djaloshit një fëmijë tjetër që i respektonte, i donte dhe përkujdesej për ta.

Unë e di që fatkeqësia më e madhe për një nënë dhe prind, është vdekja e fëmijës. Shumë prindërve u kanë vdekur fëmijë në moshë të re, në aksidente rrugore, sëmundje etj... Duke qenë se këta fëmijë kanë vdekur të rinj, prindërit, vëllezërit e motrat nuk i harrojnë kurrë. Ata luten për këta të vdekur, japin sadaka për shpirtrat e tyre, shkojnë në haxh dhe umre për ta etj... Nëse nuk do të kishin vdekur, nuk do ta kishin fituar këtë sevap dhe shpërblim kaq të madh. Këto sevape i përfitojnë dhe të gjallët që ua dhuruan të vdekurve të tyre.

 

E, sa i përket murit...

“E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt.” (Kehf, 82)

Babai i këtyre dy jetimëve, para se të vdiste, kishte fshehur një thesar në themelet e murit të shtëpisë. Ai e kishte fshehur thesarin dhe nuk ua tregoi dy fëmijëve të tij të vegjël, pasi shpresonte që ta gjenin pasi të kishin mbushur moshën e pjekurisë, me qëllim që njerëzit e tjerë të mos abuzonin me pasurinë e tyre.

Kur Hidri dhe Musai (a.s.) kaluan pranë shtëpisë së tyre, Hidri pa që muri ku ishte fshehur thesari gati sa nuk po shembej. Nëse do të shembej, fshatarët do ua merrnin thesarin fëmijëve jetimë. Menjëherë Hidri i hyri punës dhe e rindërtoi murin e dëmtuar, me qëllim që vetëm pasi të rriteshin dy jetimët, ta gjenin dhe të përfitonin prej tij. Ishte më mirë që dy jetimët e vegjël të vuanin tani në vegjëli dhe kur të rriteshin ta gjenin thesarin dhe të jetonin të lumtur, sesa ta gjenin që atëherë dhe t’jua merrnin fshatarët koprracë dhe lakmitarë.

Unë dua t’u them të gjitha atyre motrave, të cilave u është vonuar martesa, që të durojnë, pasi vetëm Zoti e di se çfarë ka fshehur për të ardhmen e tyre. Ata të varfër, të cilët përpiqen me të gjitha forcat për të siguruar jetesën, megjithatë vazhdojnë në vuajtje dhe dëshpërim, veç Zoti e di çfarë ka rezervuar për të ardhmen e tyre. Kjo nuk do të thotë që të flesh dhe të presin çfarë të të vijë në të ardhmen. Kjo do të thotë të shfrytëzojnë të gjithë mundësitë dhe në fund ta pranosh caktimin e Zotit ashtu si të vijë.

Pasi të lexosh këtë temë, merre Kuranin dhe rilexoje suren Kehf, duke përjetuar konceptet dhe vlerat për të cilat kemi folur. Nëse e ke kuptuar siç duhet thelbin e tre historive, krahasoji me gjithë jetën tënde praktike.

Profeti Musa (a.s.) mësoi nga Hidri një mësim tepër të vyer: Ji i kënaqur me caktimin e Zotit! Nëse e pranon caktimin e Zotit me kënaqësi, dije se do të jetosh i lumtur në këtë botë, do t’i mbyllësh sytë në mbrëmje i qetë, pasi çështjet dhe problemet e tua, ia ke dorëzuar Zotit fuqiplotë. Mos e akuzo Zotin për ato që të ndodhin në jetë! Mos iu qaj Atij për problemet dhe hallet që të bien mbi kokë! Zoti është i Gjithëditur, Mishirëplotë dhe i Urtë, për atë që bën.

Profeti (a.s.) lutej: “Të përgjigjem me gëzim o Zot! Prej Teje pritet vetëm e mira, ndërkohë që e liga nuk e ka burimin prej Teje!”

Në fund të kësaj teme, le ta lusim Zotin me zemër që ta pranojmë caktimin e Tij me kënaqësi. Le ta përsërisim dhe njëherë formulën: “Jam i kënaqur me Allahun si Zoti im, me Muhamedin si profeti im dhe Islamin si feja ime.” /KBI-Bujanoci.com/

2167 Shikime