18.08.2015
Largimi i fatkeqësive të dunjasë
Ibni Abbasi r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Allahu xh.sh. i largon dhe ndalon edhe fatkeqësitë nga ummeti im për shkak të atij që falet, nga ai që nuk falet. Sikur të gjithë ta lënë namazin, atëherë Allahu xh.sh. as që do t’i shikonte.
Ai i ndalon fatkeqësitë nga ummeti im edhe për ata që e japin zekatin, nga ata që nuk e japin. Sikur të largoheshin të gjithë nga dhënia e zekatit, All-llahu xh.sh. as që do t’i shikonte. Allahu xh.sh. i largon dhe ndalon belatë e fatkeqësitë nga ummeti im për ata që agjërojnë, nga ata që nuk agjërojnë. Sikur të gjithë ta lënë agjërimin, Allahu xh.sh. as që do t’i shikonte ata. Allahu xh.sh. i largon dhe ndalon belatë dhe fatkeqësitë nga ummeti im për ata që kryejnë haxhxhin, nga ata që s’e kryejnë. Sikur të gjithë ta lënë kryerjen e haxhxhit, All-llahu xh.sh. as që do t’i shikonte. Allahu xh.sh. i largon dhe i ndalon belatë dhe fatkeqësitë nga ummeti im për ata që e falin namazin e xhumasë, nga ata që nuk e falin. Sikur të gjithë ta lëshojnë namazin e xhumasë, All-llahu xh.sh. as që do t’i shikonte. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Dhe sikur All-llahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po Allahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit” (Bekare, 251), me çka i shprehu falje, amnisti, me atë që falet, atij që nuk falet nga ummeti im”.
Autori me këtë hadith sjell tregimin ku thuhet: Tregohet se Fudajl b. Ajadi, Allahu e mëshiroftë, ishte një hajdut dhe i ndërronte territoret, kështu që njëherë shkonte në një territor, e herën tjetër në tjetrin. Në të gjitha rrugët vente prita dhe njerëzve ua grabiste pasurinë e tyre. Një natë u strehua në shtëpinë e shërbëtorit të tij, kur u paraqit një karvan. Deri sa karvani i afrohej shtëpisë së atij djaloshi, shërbëtorit të Fudajlit, karvanxhitë erdhën në përfundim se aty mund të jetë Fudajli me shokët e tij. U ndalën dhe filluan të mendojnë se çka do të bëjnë. Njëri prej tre karvanxhive tha: Ta hedhim një shigjetë drejt tij dhe nëse e godet ne do të kalojmë, nëse jo, do të kthehemi”. Njëri prej tyre e hodhi shigjetën, duke lexuar fjalët kuranore të Allahut xh.sh.: “A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kur’an)” (El-Hadid, 16).
Fudajli kur i dëgjoi këto fjalë kuranore bërtiti shumë dhe i ra të fikët, e shërbëtori i tij mendoi se e goditi shigjeta dhe e shikoi trupin e tij. Në atë çast ai erdhi në vete dhe tha: “Mua më goditi shigjeta e All-llahut”. Karvanxhiu i dytë e hodhi shigjetën, duke i lexuar fjalët kuranore të Allahut: “Pra, ikni e mbështetuni tek Allahu, unë prej Tij jam një qortues i hapët” (Dharijat, 50). Fudajli kur e dëgjoi edhe këtë ajet kuranor bërtiti edhe më fuqishëm se herën e parë, dhe shërbëtori përsëri filloi ta shikojë trupin e tij si herën tjetër, duke menduar se e goditi shigjeta. Fudajli tha: “O djalosh, mua më goditi shigjeta e Allahut”.
Karvanxhiu i tretë e hodhi shigjetën duke lexuar ajetin kur’anor: “Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përuluni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj s’do të ketë kush t’ju ndihmojë” (Zumer, 54) Fudajli bërtiti edhe më fuqishëm se herën e parë dhe të dytë. Pastaj i tha djaloshit dhe shërbëtorëve të vet: “Ju të gjithë kthehuni. Unë pendohem për shkak të teprimit tim. Në zemrën time ka hyrë devotshmëria dhe unë heq dorë nga ajo që kam punuar deri më tash”. Pastaj u nis në drejtim të Mekës, e jo larg vendit Nehrevan, e takoi Harun Er-Rashidi dhe i tha: “O Fudajl, kam parë në ëndërr, sikur lajmëtari me zë të lartë thërriste dhe thoshte: “Me të vërtetë Fudajli e ka frikë Allahun dhe ka vendosur t’i shërbejë, andaj përgjigju thirrjes”. Fudajli tha: “O Allahu im, me Fisnikërinë tënde dhe me Madhërinë tënde, Ti e do robin-njeriun mëkatar, që ka ikur prej teje rreth 40 vjet”
Burimi: 40 hadithe me komentim (Muhamed bin Ebi Bekr, botues Brezi i Ri)./KBI-Bujanoc.com/
3699 Shikime