Hatixhja, modeli i gruas muslimane

01.01.2015

Hatixhja, modeli i gruas muslimane


Hatixhja, modeli i gruas muslimane

Nadia LIKA Karakteri dhe mbështetja ndaj Profetit

Bashkëshortja e Profetit, shoqja e jetës dhe ditëve të tij më të vështira, ishte një grua e bukur dhe me moral të lartë, e cila rridhte nga një familje e respektuar, me tradita dhe njohuri fetare. Ajo njihej për karakterin e saj të fortë, ndershmërinë dhe drejtësinë, virtyte këto të cilat e bënë të respektuar në Mekën e asaj kohe.

Duke qenë një nga personazhet më dinamike dhe vitale të historisë islame, jeta e pashembullt e Hatixhes, ka qenë një burim frymëzimi dhe inkurajimi, duke luajtur një rol model, për të gjithë ata që aspirojnë një shërbim aktiv, me jetën dhe pasurinë e tyre, në rrugën e Allahut dhe të Profetit a.s. Jeta e saj përbën një shembull me ato që arriti si grua, megjithëse jetoi në një kohë kur të qenët grua ishte një disavantazh dhe mangësi. Hatixhja është një ndër katër gratë më të mira në historinë e njerëzimit, krahas Mejremes, nënës së Isait a.s., Asijes, gruas së faraonit, dhe Fatimes, vajzës së Profetit, fakt ky të cilin e ka pranuar vetë Profeti Ynë.

Në Mekë, ku besimi, sakrifica dhe trimëria ishin aq të nevojshme, Allahu i dha Profetit Hatixhen. Ajo ishte asokohe ndoshta gruaja më e guximshme e Mekës, e cila i siguroi mbështetje të palëkundur të Dërguarit të Allahut, gjatë ditëve më të vështira, kur problemet ishin në kulmin e tyre, dhe pasonin njëri- tjetrin. Hatixhja ishte myslimania e parë, që besoi në të Dërguarin e Zotit, kur ai kishte më shumë nevojë për të, dhe kjo nënkuptonte se ajo zinte një vend të veçantë te Profeti ynë.

Hatixhja ishte e dashura e rinisë së tij, këshilltarja dhe partnerja e tij besnike, përgjatë pesëmbëdhjetë viteve që ata kaluan së bashku përpara shpalljes apo dhe në mjedisin kaotik të shpalljeve të para, si një grua e fortë dhe e palëkundur. Kur ai filloi të thërriste njerëzit në Islam, ajo u bë përkrahësja e tij më e madhe, si materialisht ashtu dhe shpirtërisht. Kur sulmet e idhujtarëve bëheshin të padurueshme ai gjente prehjen pranë saj dhe kur ata e kërcënuan me jetë, ai gjeti tek ajo siguri. Si në fjalën ashtu dhe në heshtjen e saj fshihej dituria. Në ngazëllimin e saj mund të dalloje kurajë dhe forcë.

Si bashkëshorte e robit më të dashur të Allahut, ajo do të merrte titullin “nëna e besimtarëve”, një titull i dhënë nga Zoti i Plotfuqishëm.

Mbështetja ndaj Profetit tonë duket qartë edhe në fjalët e saj: “Mos u frikëso! Allahu padyshim do të të mbrojë. Ti je i tillë që ruan lidhjet farefisnore, ndihmon të dobëtit dhe ushqen të varfrit. Ti je gjithmonë mikpritës me mysafirin. Ti vazhdimisht kërkon të vërtetën, duke iu përkushtuar rrugës së drejtë….” si dhe “Me siguri që Allahu nuk do të të braktisë ty dhe nuk do të lejojë që asgjë e keqe të të ndodhë, sepse në çdo fjalë, ti thua të vërtetën, je i besueshëm me gjithçka që të besohet ty dhe ti je që kujdesesh për ata që ke nën mbikëqyrje”, fjalë këto të cilat do t’i jepnin një kurajë të madhe Profetit të Dhembshurisë.

Shpenzimi i pasurisë në rrugën e Allahut

Hatixhja ishte e pasur, por pasuria nuk mund të sigurojë paqe, as nuk mund të përmbushë nevojat shpirtërore të njeriut. Ajo merr vlerë kur fitohet dhe shpenzohet për një qëllim të denjë dhe, për më tepër, në këtë mënyrë, kthehet në një thesar të përjetshëm që ndriçon botën e përtejme. Për këtë, Hatixhja donte që jeta dhe pasuria e saj të bëheshin të përjetshme, duke i përdorur ato në shërbim të Profetit dhe kauzës së tij.

Ajo la mënjanë të gjitha dëshirat personale dhe punoi ditë e natë për ta ndihmuar profetin në përhapjen e mesazhit islam dhe do të trokiste shumë herë, derë më derë, duke shpresuar se të paktën një zemër më shumë, do të shijonte besimin. Ajo u zgjati dorën atyre që kishin nevojë dhe sakrifikoi të gjithë pasurinë e saj në rrugën e Allahut, në mënyrë që zemra të tjera të mbusheshin me bukurinë e besimit.

Vetëm disa vite pasi kishte ardhur Shpallja në shpellën Hira, Hatixhja nuk kishte më asgjë nga pasuria e saj dhe ishte në gjendje nevoje. Nëse do të kishte dashur, do të kishte pasur një jetë të rehatshme, në vend të vuajtjes së agonisë. Ajo kishte një karakter dhe besim aq të fortë, saqë nuk do ta linte në baltë atë të cilin e kishte besuar si profet, që ditën e parë të profetësisë. Ashtu siç kishte kaluar ditë të bukura me të, ashtu do të kalonte edhe të hidhurat. Kështu që ajo zgjodhi urinë dhe etjen mbi shtratin e ngrohtë të shtëpisë në Mekë, në kohën kur Profeti do të kishte më shumë se kurrë nevojë për të.

Shtrati i saj vdekjes nuk ishte tjetër veçse një dyshek i improvizuar në një tendë.

Shenjat e ndarjes kishin mbërritur. Tashmë ishte koha të shkonte në botën e përtejme, në krahët e këtij burri për të cilin kishte sakrifikuar gjithë pasurinë dhe jetën e saj. Një jetë që filloi në natën e Kadrit, gjithashtu u mbyll po në natën e Kadrit, në moshën 65 vjeçare.

Ky ishte fundi i vuajtjeve me uri dhe dhimbje për Hatixhen. Ajo kishte qenë një nga gratë më të pasura të Mekës dhe po largohej në botën tjetër si një grua në mërgim dhe mes një bashkësie të uriturish. Do të largohej me trup, por zemra dhe shpirti i saj ishin me Profetin dhe jetimët që po linte nën kujdesin e tij. Ajo kishte lindur shpejt, ishte prezantuar shpejt me të vërtetën dhe tani po ikte shpejt.

Dashuria e Profetit për Hatixhen

I Dërguari i Allahut nuk e harroi kurrë Hatixhen me të cilën ai kaloi ditët më të trazuara. Dashuria dhe besnikëria e tij për të vazhduan deri në vdekje. Në çdo rast që i jepej, Profeti e kthente bisedën nga Hatixhja, madje edhe gjatë momenteve kritike.

Hatixhja kishte lënë një përshtypje dhe paqe aq të madhe në zemrën e bashkëshortit të saj, saqë ai i vizitonte shpesh të afërmit dhe miqtë e saj të vjetër dhe përpiqej të mbante gjallë kujtimin e saj. Askush nuk mund të zinte vendin e kësaj gruaje të paarritshme, e cila përveçse ishte ndër të parat pioniere të besimit, qëndroi patundshmërisht besnike deri në ditën që do të ndërronte jetë. E si mund të harrohej një besnikëri e tillë?

Kur i vinte ndonjë dhuratë, Profeti do t’ia dërgonte së pari të afërmve të Hatixhes. Ai i nderonte dhe tregonte shumë respekt për ta, duke iu dhënë madje edhe jastëkun në të cilin ulej. Kur dikush e pyeti për këtë sjellje, ai tha: “Unë i dua ata të cilët i ka dashur edhe ajo”.

Në vitet e mëvonshme Profeti shkonte shpesh të vizitonte varrin e gruas së tij të dashur dhe lutej për një kohë të gjatë mbi të.

Hatixhja u njoh nga umeti i Profeti Muhamed a.s., për shkak të kureshtjes së Aishes, pasi ishte ajo e cila pyeste vazhdimisht për të. Pyetjes së saj, se cila është arsyeja e vëmendjes së Profetit për këtë grua, Krenaria e Njerëzimit do t’i përgjigjej: “A ka pasur ndonjë tjetër si ajo? Betohem në Allah se Ai kurrë nuk më ka dhënë ndonjë më të mirë se ajo! Kur njerëzit ngulnin këmbë në mosbesim, ajo erdhi te unë dhe besoi. Kur njerëzit më akuzuan për gënjeshtar, ajo konfirmoi ato që unë thosha. Kur njerëzit m’i morën pronat, ajo më solli gjithçka kishte dhe m’i fali mua. Dhe Allahu nuk më dha fëmijë me asnjërën përveç saj.”

Vite më vonë, Aishja, një tjetër shembull i besnikërisë, tregonte se i Dërguari i Allahut e përmendte aq shpesh dhe fliste për të kaherë me dashuri dhe admirim. “Megjithëse nuk e kam takuar kurrë, nuk kam qenë asnjëherë aq xheloze për ndjenjat e Profetit kundrejt një gruaje tjetër siç jam ndjerë për Hatixhen. Ai e përmend shpesh atë dhe e mban në konsideratë aq të lartë, saqë sa herë që ther ndonjë bagëti dhe e ndan, i dërgon të afërmve të Hatixhes pjesën e tyre”, – do të thoshte Aishja.

Kështu pra, Hatixhja zinte një vend të veçantë në krah të të Dërguarit të Allahut. Zoti e bekoi atë me një lloj dashurie, të cilën asnjëra nuk mundi ta fitonte kurrë. Veprimet e tij ndaj bashkëshortes, ishin një përmendore besnikërie.

Të gjitha këto cilësi dhe virtyte që, për fat të keq, nuk i gjen as sot ndër njerëz, e jo më në kohën e injorancës, e bënë atë më të dashurën për Profetin, njëkohësisht modelin dhe shembullin më të shkëlqyer të femrës si nënë dhe si bashkëshorte; modelin e gruas së moralshme, të virtytshme, të guximshme dhe të zgjuar, model të cilin të gjitha ne, duhet ta ndjekim.

Kjo ishte Hatixhja dhe jeta e saj e pashembullt, vendi i saj tek Allahu dhe Profeti është më se i qartë, por këtë vend ajo e fitoi, nuk iu dhurua. Padyshim se askush nuk mund të arrijë fitore të tilla pa kaluar pengesat dhe sprovat që mund të sjellë jeta.

Njerëzit fitojnë merita përmes sakrificave që bëjnë. Ata tregojnë ngjyrat e tyre të vërteta në përballje me fatkeqësinë, në kurajën dhe vendosmërinë për të vazhduar përpara pa u lëkundur.

Çdo kohë e vështirë gjatë historisë ka prodhuar heronjtë e vet e Hatixhja ishte një nga heronjtë e ditëve të para të Islamit, por edhe sot, ajo është një heroinë, për vetë modelin që la pas, duke arritur majat e virtytit dhe fisnikërisë në shpirt.

Askush nuk mund të krahasohej me të në bujari dhe bamirësi. Sa njerëz të pasur janë gati sot të japin çdo gjë të tyren në rrugën e Allahut deri në pikën ku të vuajnë vetë për bukën e gojës?A ka qëndruar dikush ndonjëherë më lart se Hatixhja? A ka parë bota të ngjashme me të? Historia tregon se përgjigja është JO.

Zoti e zgjodhi atë si myslimanen e parë; e zgjodhi si bashkëshorten ideale të Profetit të mbarë njerëzimit; e zgjodhi si model të gruas në Islam.

/KBI-Bujanoc/

3921 Shikime