Bariu

29.04.2014

Bariu


Bariu

Rrefim Islam Na ishte njëherë një plak që jetonte në Basra, puna e vetme e të cilit ishte përkujdesja dhe dashuria ndaj djalit të tij të vetëm, i cili ishte një djalosh shumë i mrekullueshëm. Plaku i investoi të gjitha paratë e tij në arsimimin e djalit të vet. Djaloshi u largua nga shtëpia disa vite dhe shkoi e përfitoi një arsimim dhe edukim tek një universitet i mirënjohur nën përkujdesjen e dijetarëve të mirënjohur të asaj kohe.

Dita që të kthehej djaloshi nga studimet erdhi dhe plaku po e priste birin e tij tek dera e shtëpisë. Kur djaloshi erdhi dhe u takuan babë e bir, babai e shikoi në sy dhe ndjeu një zhgënjim të madh dhe e pyeti djaloshin: “Çfarë ke mësuar biri im?” “Kam mësuar çdo gjë që duhej mësuar babai im i dashur.”, u përgjigj djaloshi. “Por, a e ke mësuar atë që nuk mund të mësohet?”, e pyeti babai. Djaloshi iu përgjigj se jo, andaj plaku i tha që të kthehej sërish dhe të mësonte atë që nuk mund të mësohej.

Djaloshi sërish u kthye tek shejhu i tij kryesor dhe kërkoi nga ai që t’ia mësonte atë gjë që nuk mund të mësohej.

“Shko në male së bashku me këto 400 dele dhe kthehu kur të bëhen 1000!”, i tha mësusi.

Djaloshi shkoi në male dhe u bë bari. Atje për herë të parë u ballafaqua me qetësinë. S’kishte më kë të fliste. Delet nuk e kuptonin gjuhën e tij. Në dëshpërimin e tij, ai do t’iu fliste atyre, mirëpo ato do ta shikonin sikur donin t’i thonin se mos je çmendur. Dalë nga dalë por me siguri ai filloi ta harronte të gjithë dynjanë e tij, egon dhe krenarinë e tij, si dhe u bë i qetë sikurse delet, ku u mbush me urtësi dhe përulësi të madhe.

Në pëfundim të dy viteve në male, kur delet u shumuan dhe u bënë 1000 copë, djaloshi u kthye tek mësuesi i tij dhe ra tek këmbët e tija. “Tani ke mësuar atë që nuk mund të mësohet.”, i tha mësuesi.

P.S. Është interesante të kemi parasysh faktin që pejgamberët e Allahut xh.sh. gjatë jetës së tyre për disa kohë, zakonisht para pejgamberisë, ishin barinj, pra kujdesëshin për dele dhe të ngjashme.

Përktheu: Daim Abazi  /KBI-Bujanoc.com/

1921 Shikime