01.03.2014
El-Azizu (Fuqiploti)
Në këtë temë, do të trajtojmë emrin e Zotit, El-Azizu. Nëse e ndien dhe e përjeton si duhet këtë emër, padyshim që do të ndihesh i lumtur dhe i gëzuar në këtë botë, do të ndihesh i fuqishëm dhe plot energji. Është bërë zakon që kur dikush përballet me gjëra të vështira, të tjerët e urojnë: ”Zoti të dhëntë fuqi!” Kjo temë do të përbëhet nga pesë pika kryesore:
1. Hyrje.
2. Kuptimet e emrit El-Aziz.
3. Ndikimi dhe gjurmët që ka ky emër në gjithësi.
4. Si ta përjetojmë këtë emër në jetën tonë?
5. Kuptimi i katërt i emrit El-Aziz.
Hyrje
Këtë temë do e fillojmë me një pyetje, e cila do të jetë boshti i kësaj teme. Kjo pyetje është: ”A je ti rob i El-Azizit?” A e ndien se je rob dhe je në shërbim të Fuqiplotit? A je krenar që ke për Zot, Fuqiplotin?
Kuptimet e emrit El-Aziz
Emri El-Aziz nënkupton dikë që nuk ka shok dhe diçka që nuk gjendet dhe është e rrallë. Duket qartë se emri El-Aziz, i shkon përshtat vetë Krijuesit tonë, i Cili nuk ka shok dhe rival dhe është unik në qënien e Tij.
Kuptimi i dytë i emrit El-Aziz është fituesi dhe triumfatori që nuk mposhtet kurrë. Çdo njeri, sado i aftë të jetë, patjetër që ka pika të dobëta, ku mund të thyhet dhe të mposhtet. Sado fitimtar të jetë një komandant ushtarak, sado beteja të ketë fituar, në qoftë se humbet qoftë edhe një betejë, nuk mund të quhet El-Aziz. Kurse emri i Zotit, El-Aziz, nënkupton se Ai nuk mund të mposhtet dhe nuk mund të thyhet kurrë. Nuk ka gjë që mund t’i bëjë ballë dhe t’i rezistojë fuqisë së Tij. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Zoti do e bëjë të triumfojë çështjen e Tij, por shumë njerëz nuk e dinë.” (Jusuf: 21) Patjetër që All-llahu i Madhërishëm do e ndihmojë këtë umet të shtypur dhe të vuajtur, pasi Ai është El-Aziz.
Kuptimi i tretë i emrit El-Aziz është Ai që të jep forcë, të ndihmon dhe të përkrah të jesh krenar. Emri i Zotit El-Aziz është përmendur në Kur’an 95 herë. Kjo, pasi me këtë emër duhet të jetojë umeti, me këtë emër duhet të ndihen krenarë muslimanët. Kush prej nesh e adhuron Zotin duke i kërkuar t’i japë fuqi dhe ta bëjë krenar me fenë e Tij? O vëlla, a e ndien veten rob të El-Azizit? A je i kënaqur me gjendjen ku ndodhet umeti sot? Çfarë po bën ta nxjerrësh këtë umet nga ky qorsokak?
Emrat e tjerë me të cilët shoqërohet emri i Zotit, El-Aziz, janë katër:
1-) El-Hakim (i Urti), i cili përmendet 47 herë në Kur’an i shoqëruar me emrin El-Aziz. Kështu, All-llahu i Madhërishëm është i Fuqishëm, por fuqinë e Tij e përdor me Urtësi. Ti mund të jesh i fuqishëm, por kjo të bën të jesh i nxituar dhe merr vendime të nxituara.
2-) Err-Rrahim (Mëshirploti), i cili përmendet 14 herë i shoqëruar me emrin El-Aziz. Emri El-Aziz shoqërohet me emrin Err-Rrahim, për të treguar se All-llahu është Fuqiplotë, por është edhe Mëshirëplotë. Forca e Tij është e shoqëruar nga Mëshira e Tij. Shumë njerëz që janë të fuqishëm ekonomikisht, fizikisht apo nga posti që kanë, sillen ashpërsisht dhe me dhunë ndaj të tjerëve. Kurse All-llahu i Madhërishëm është dhe Fuqiplotë dhe i Mëshirshëm.
3-) El-Kavij (i Forti). Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Zoti do e ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, padyshim që Zoti është i Fortë dhe i Fuqishëm.”(El-Haxh: 40); “Zoti e ka caktuar: Do fitojmë Unë dhe profetët e Mi. Me të vërtetë që Zoti është i Fortë dhe i Fuqishëm.” (El-Muxhadele: 21)
4-) El-Alim (i Dituri). Fuqia e Zotit është e shoqëruar me Dijen e Tij.
Ndikimi dhe gjurmët që ka ky emër në gjithësi
Me qëllim që ta ndiejmë dhe ta kuptojmë më mirë fuqinë e El-Azizit, le ta shohim universin nga lart, nga galaktikat. Shkencëtarët pohojnë se numri i yjeve në qiell janë sa kokrizat e rërës në shkretëtirë. Si është e mundur që gjithë këto yje lëvizin dhe nuk përplasen me njëri-tjetrin? Si ka mundësi që toka nuk afrohet më shumë me diellin? Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Zoti i mban qiejt dhe tokën që të mos bien. Por dhe nëse bien, nuk ka kusht tjetër që t’i mbajë veç Tij.”(El-Fatir: 41)
Gjithçka në univers mbahet në bazë të forcës së tërheqjes. Është njëlloj sikur dikush të mbajë në largësi të caktuar disa sende, duke i lidhur me litarë.
Me qëllim që toka të mbahet, e tërheq forca e gravitetit që buron nga dielli. Me qëllim që dielli të mos e tërheqë dhe ta gllabërojë planetin tonë, toka rrotullohet rreth diellit, duke shmangur kështu afrimin dhe përplasjen me të. Kështu, toka nuk mund të largohet më shumë, pasi e tërheq dielli. Dhe diellin nuk mundet ta afrojë më shumë tokën, pasi ajo lëviz dhe rrotullohet. E njëjta gjë ndodh edhe me diellin dhe planetet e tjerë. Vetë dielli rrotullohet, me qëllim që të mos tërhiqet nga planetet që e rrethojnë. Nëse All-llahu i Madhërishëm do e largonte forcën tërheqëse, gjithçka do të përfshihej nga kolapsi dhe shkatërrimi.
Një herë, Musai [alejhis-selam] e pyeti Zotin: ”O Zot! Si ka mundësi që nuk fle fare?!” Zoti Madhërishëm i tha: ”Merri këto dy shishe dhe qëndro gjithë natën, duke i mbajtur në dorë!” Musai [alejhis-selam] i mori shishet dhe filloi t’i mbajë në duar. Pasi kaluan disa orë, atë filloi ta marrë gjumi, shishet i ranë përtokë dhe u thyen. Atëherë, Zoti i tha Musait [alejhis-selam]: ”Nëse do të më merrte gjumi, qielli dhe toka do të përplaseshin.”
Vallë, kush tjetër, përveç Zotit, i mban këto yje dhe planete që të mos përplasen? Si ka mundësi që njeriu e injoron gjithë universin dhe mohon Krijuesin dhe Fuqiplotin?
Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Dielli rend brenda kufijve të tij. Ai është caktimi i Fuqiplotit të Ditur.” (Ja Sin: 38) Gjithçka është krijuar dhe funksionon në bazë të fuqisë dhe dijes së All-llahut të Madhërishëm.
Toka rrotullohet rreth diellit në një orbitë vezake. Kështu, gjatë rrotullimit, ajo herë ndodhet më pranë diellit dhe herë të tjera më larg. Në rastet kur afrohet me diellin, është e mundur që dielli ta thithë dhe të djegë gjithçka mbi tokë. Por është e habitshme, pasi, kur toka afrohet me diellin, ajo shton shpejtësinë e rrotullimit, me qëllim që të reduktojë forcën tërheqëse të diellit. E kundërta ndodh kur toka largohet nga dielli. Në raste të tilla, forca tërheqëse pakësohet dhe ajo mund të dalë jashtë orbitës. Por, në raste të tilla, toka zvogëlon shpejtësinë e rrotullimit, me qëllim që ta ruajë ekuilibrin e forcës së tërheqjes. Më e veçantë se gjithçka sa përmendëm, është se kur toka ka nevojë të shtojë ose të reduktojë shpejtësinë e lëvizjes së saj, këtë e bën gradualisht, me qëllim që ne të mos e ndiejmë ndryshimin.
Gjithë këto yje dhe planete, edhe pse nuk janë të vetëdijshëm, nuk përplasen dhe të shkaktojnë kaos në univers.
Le ta lemë universin dhe le të zbresim në planetin tokë, e të shohim forcën e Fuqiplotit. Le të kthehemi pas në histori dhe të shohim në jetën e profetit Ibrahim [alejhis-selam]. Ai i kërkoi Zotit të Madhërishëm: ”Zoti im, më trego se si i ngjall të vdekurit! Ai (Zoti) tha: “A nuk e beson? Ai (Ibrahimi) tha: “Po, por desha të më qetësohet zemra! Ai (Zoti) tha: “Merri katër shpendë pranë vetes (theri e copëtoi), pastaj vendos në çdo kodër, pjesë të tyre! Më pas thirri dhe ata do të vijnë shpejt. Dije se Zoti është Fuqiplotë dhe i Urtë.” (El-Bekare: 260)
Përgjigjja e Zotit të Madhërishëm ndaj kërkesës të Ibrahimit [alejhis-selam] ishte që Ibrahimi [alejhis-selam] të marrë katër zogj, t’i therë, t’i përziejë puplat me mishin dhe gjakun, pasi të kishte veçuar kokat. Më pas, këtë përzierje mes mishit, gjakut, puplave dhe kockave, Ibrahimi [alejhis-selam] do e ndante në katër pjesë dhe çdo pjesë do e vendoste mbi një mal. Pas kësaj, Ibrahimi [alejhis-selam] do t’i thërriste të vinin. Në çast, pjesët e trupit të çdo zogu, filluan të bashkoheshin, vinin merrnin kokën tek Ibrahimi [alejhis-selam] dhe fluturonin larg.
Le t’i shohim tre kuptimet e emrit El-Aziz në jetën e profetit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:
Në betejën e Bedrit, ushtria muslimane përbëhej vetëm nga 313 luftëtarë, kurse Kurejshët prej 1000 luftëtarësh. Muslimanët kishin vetëm dy kalorës, kurse Kurejshët treqind. Pas përgatitjeve për luftë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu drejtua për ndihmë Fuqiplotit. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Dhe ushtarët e Zotit nuk i di kush tjetër përveç Atij.” (El-Mudethir: 31); “Zoti ka ushtarë të qiellit dhe të tokës dhe Zoti është Fuqiplotë, i Urtë.” (El-Fet’h: 4) Me këtë, Zoti i Madhërishëm na tregon se për të ndihmuar besimtarët dhe robërit e Tij, Ai përdor forca të ndryshme që nuk i shkojnë në mendje askujt.
Ndihma dhe ushtria e parë me të cilën Zoti i Madhërishëm i ndihmoi muslimanët në Bedr, ishte gjumi: “Kujtoni kur ju mori gjumi si qetësi për ju.” (El-Enfal: 11)Para betejës, të gjithë muslimanët i zuri gjumi. Një nga muslimanët tregon: ”Mua më la Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të bëj roje. Për Zotin, atë natë më ra shpata nga dora shtatë herë. Sa herë që zgjohesha, shihja muslimanët duke fjetur dhe duke gërhitur.” Kjo ishte për t’i qetësuar dhe forcuar për betejën e nesërme.
Forca dhe ushtria e dytë, me të cilën Zoti i Madhërishëm i ndihmoi muslimanët në këtë betejë, ishte ëndrra që Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] pa atë natë. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ” Dhe (kujto) kur All-llahu t’i tregoi në ëndërr të paktë në numër. Sikur të t’i tregonte shumë, ju do të dobësoheshit e do të grindeshit për çështjen (e luftës), por All-llahu ju shpëtoi.” (El-Enfal: 43)
Forca dhe ushtria e tretë ishte shiu që zbriti para betejës: “Kujtoni kur u mori gjumi si qetësi për ju dhe zbriti shi nga qielli për ju me qëllim që t’ju pastrojë.”(El-Enfal: 11)
Dikush që i duhet të punojë rëndë, para se të shkojë në punë, fle dhe qetësohet dhe më pas bën edhe një dush. Kjo, me qëllim që të jetë i freskët dhe i gatshëm për punën e rëndë dhe të gjatë që e pret. E njëjta gjë ndodhi edhe me Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe muslimanët në Bedr. Madje, shiu që ra tek muslimanët ishte i lehtë, kurse tek Kurejshët ra shi me shumicë. Kjo bëri që toka tek muslimanët të ishte e fortë, kurse tek Kurejshët u bë baltë, e cila u vështirësonte lëvizjen.
Një ushtri tjetër që erdhi për të ndihmuar muslimanët ishte edhe ushtria e melekëve të zbritur posaçërisht për këtë qëllim: “Kujtoni kur i kërkuat ndihmë Zotit tuaj dhe Ai u përgjigj. Unë do u ndihmoj me një mijë melekë njëri pas tjetrit.” (El-Enfal: 9)
Teksa Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lutej, shikon nga besimtarët dhe u thotë: ”All-llahu është më i Madhi. Po shoh Xhibrilin [alejhis-selam] që udhëheq një mijë melekë.” Një nga muslimanët, pas betejës tregon: ”Ngrita shpatën t’i pres kokën një armiku, por pashë që koka i fluturoi para se ta pres unë me shpatë.”
Pas përfundimit të kësaj beteje, All-llahu i Madhërishëm thotë: ”All-llahu nuk e bëri atë (ndihmën) për gjë tjetër, vetëm që t’ju gëzojë dhe për t’u qetësuar me të zemrat tuaja. Ndihma në realitet është vetëm prej All-llahut. All-llahu është Fuqiplotë dhe i Urtë.” (El-Enfal: 10)
O vëlla dhe o motër, a nuk është turp për ju të mos e njihni Fuqiplotin? Si është e mundur të lexosh dhe të studiosh mbi universin dhe të mos njohësh Fuqiplotin që e krijoi?!
Kjo ishte ndihma dhe ushtarët që Zoti i Madhërishëm dërgoi për të ndihmuar muslimanët në betejën e Bedrit. Kurse në betejën e Hendekut shohim se ushtarët dhe ndihma ishte krejtësisht e ndryshme. Ushtria armike në këtë betejë përbëhej nga dhjetë mijë luftëtarë, të cilët rrethuan Medinen. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an, rreth kësaj beteje: ”Kujtoni kur u erdhën nga sipër dhe nga poshtë, u zbardhën sytë dhe zemrat arritën fytin dhe hamendësonit për Zotin lloj-lloj mendimesh. Atëherë u sprovuan besimtarët dhe u tronditën shumë. Munafikët dhe ata që kishin zemra të sëmura thoshin: Zoti dhe i Dërguari i Tij na premtuan vetëm mashtrim.” (El-Ahzab: 10)
Gjatë shtatë ditëve, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] vetëm lutej duke thënë: ”O Zot që vë në lëvizje retë, që sjell ndëshkimin, që vendos llogarinë..., të lutem t’i mposhtësh dhe të na ndihmosh....”
Ushtria dhe ndihma që Zoti i Madhërishëm dërgoi për besimtarët këtë radhë ishte i ftohti që i detyronte të mos qëndrojnë gjatë. Kur të vjen ndihma e Zotit, të vjen me gjëra të dobëta dhe të paparashikueshme. Ajo që kërkohet prej teje është të qëndrosh si burrë para sprovave, pasi ndihma do të vijë.
Ndihma tjetër ishte erë që nuk u la çadër të ngritur jomuslimanëve: “O ju që keni besuar! Kujtojini mirësitë e Zotit ndaj jush, kur u erdhën ushtarë. Ne u dërguam një stuhi dhe ushtarë që nuk i patë. Ai i ktheu jobesimtarët me mllefin e tyre, pa marrë gjë të mirë. Dhe i ruajti besimtarët nga lufta. Zoti është i Fortë dhe Fuqiplotë.” (El-Ahzab: 25) Çdo fitore dhe triumf përfundon me emrin e Zotit, Fuqiplot.
Era ishte aq e fuqishme saqë ua përmbyste enët me ushqim mbi zjarr. Ajo ua prishte edhe çadrat në të cilat flinin.
Zoti i Madhërishëm dërgonte ushtarët dhe ndihmën e Tij edhe gjatë emgrimit të Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për në Medine. Kur Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] ishin fshehur në shpellën Theur, Kurejshët vajtën deri tek shpella, por nuk i panë. Në këtë rast, ushtarët dhe ndihma e Zotit të Madhërishëm ishte në sytë e vetë armiqve të Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ata, edhe pse u lodhën duke u ngjitur malit, nuk tentuan të përkulen dhe të shohin çfarë ka brenda shpellës. Ebu Bekri [radijall-llahu anhu], teksa shihte këmbët e tyre, i thoshte Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”O i Dërguari i Zotit, nëse ndonjëri prej tyre do të shihte poshtë këmbëve të tij, do na dallonte.” Kurse Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ia kthente: ”O Ebu Bekr, ç’mendon për dy vetë që kanë të tretë Zotin?”
“Nëse ju nuk e ndihmoni, atë e ka ndihmuar Zoti kur e nxorën ata që nuk besojnë. Kur të dy ishin në shpellë dhe shokut të tij i thoshte: “Mos u mërzit se Zoti është me ne.” Zoti ia çoi qetësinë atij dhe e përkrahu me ushtarë që nuk i patë. Ai e bëri të ulët fjalën e atyre që nuk besuan dhe fjala e Zotit është më e larta. Zoti është Fuqiplotë dhe i Urtë.” (Et-Teube: 40)
Në çdo ajet që përmendet emri i Zotit El-Aziz, patjetër që aty flitet mbi triumfin e të vërtetës dhe ndihmën e All-llahut të Madhërishëm.
Ajo që kërkohet prej teje është të jesh rob i Fuqiplotit dhe të punosh për çështjen Islame. O vëlla dhe o motër, është turp për ju të qëndroni pasivë. Është turp për ju që Ditën e Kijametit të dilni para Zotit dhe të mos dini çfarë t’i thoni.
A ke menduar se çfarë do t’i thuash Zotit, kur të të pyesë: ”A e ke lexuar librin Tim, Kur’anin? A e lexove se Unë jam Fuqiploti? Përse nuk u përpoqe për përhapjen e fesë Time?
O vëlla, me këto që themi ne nuk bëjmë thirrje për dhunë dhe terror, por duam të vihesh në lëvzje. Duam të lodhesh për këtë fe. Duam të përgatitesh, të pajisesh me dije dhe eksperienca dhe të japësh kontributin tënd për zhvillimin e vendit dhe të umetit. Ne duam të themi dhe të sigurojmë se ndihma dhe përkrahja e Fuqiplotit nuk do të mungojë.
Kushdo që ka dashur të sfidojë Zotin e Madhërishëm, Ai është hakmarrë ndaj tij. Faraoni i Egjiptit tha: ”A nuk kam pushtetin e Egjiptit dhe këto lumenj që lëvizin poshtë këmbëve të mia.” (Ez-Zuhruf: 51) Zoti i Madhërishëm bëri që ujrat e lumenjve dhe të detit të lëvzin sipër kokës së tij. Atij i erdhi shkatërrimi, me atë që deshi të sfidojë Zotin.
Ai më parë thoshte: ”Unë jam zoti juaj më i lartë.” (En-Naziat: 24) Kurse teksa vdiste thoshte: ”Besoj që nuk ka zot tjetër veç Zotit që besojnë hebrenjtë.”(Junus: 90)
E kundërta ndodh me njerëzit që i nënshtroheshin fuqisë së El-Azizit. Jusufi [alejhis-selam] hyri në Egjipt dhe në pallatin e padronit të tij si skllav. Hera e parë që doli nga ky pallat, doli për të hyrë në burg. Por, për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Fuqiplotit, ai u kthye përsëri në këtë pallat, këtë herë si ministri i thesareve dhe i pasurive të Egjiptit.
Kuptimi i katërt i emrit El-Aziz
Kuptimi i katërt i emrit El-Aziz është Ai që nuk pranon nënshtrimin, poshtërimin dhe përbuzjen për robërit e Tij. Ai nuk mund të pranojë që robërit e Tij të jenë të poshtëruar, pasi janë krijesat e vetme që i krijoi me duart e Tij fisnike. Ai nuk mund ta pranojë nënshtrimin dhe përbuzjen për robërit e Tij, të cilët deshi të mos ecin si shumë krijesa të tjera me këmbë dhe duar, por caktoi të ecin kryelartë dhe krenarë. Në çdo lëvizje gjatë namazit, besimtari thotë: “All-llahu Ekber (All-llhu është më i Madhi)”, përveç kur çohet nga rukuja, ku pasi thotë: ”SemiAll-llahu limen hamide!” thotë: ”Rabbena ue lekel hamd!” (O Zot, Ty të takon falënderimi). Ky falënderim është për Atë që na ka dhënë fizik të drejtë dhe nuk ecim këmbadorasi. O Zot, Ty të falënderojmë që na ke drejtuar.
Kuptimi i emrit El-Aziz shfaqet në fjalët e para me të cilat bëhesh pjesëtar i fesë së Zotit, fesë Islame: ”La ilahe il-lall-llah” (Nuk pranoj t’i përulem zoti tjetër përveç All-llahut). Përulja, nënshtrimi dhe adhurimi i përket vetëm Zotit, Fuqiplotë. El-Aziz është Ai që nuk pranon të shohë kokulur kurrë. Imagjino sikur babai të viziton papritur në shtëpi, pasi je martuar. Ai të gjeti në një moment kur po bëje fjalë me gruan tënde, para së cilës ke qenë gjithmonë kokulur. Kurrë nuk ke mundur t’i thuash jo dhe ta kundërshtosh. Është ajo që urdhëron në shtëpi. Babai ishte dëshmitar dhe e përjetoi nënshtrimin dhe përuljen tënde para gruas. Në ato çaste do të dëshiroje të hapej toka dhe të përpijë më mirë. Ti kishe vite që jetoje në atë gjendje nënshtrimi dhe përulje para gruas, por nuk do të dëshiroje të shikonte babai. Imagjinoje sikur babai të vizitojë në vendin e punës dhe rastis në një çast kur drejtori po të flet rëndë, me përbuzje dhe me tallje. Ti, edhe pse je i pafajshëm, ke ulur kokën dhe nuk flet. Në çaste të tilla, të bie vlera para syve të babait dhe e zhgënjen atë me qëndrime të tilla.
Nëse nuk pranon që babai yt të shohë në gjendje nënshtrimi, përuljeje dhe përbuzjeje, si pranon të që shohë Fuqiploti?!
Ata njerëz që pranojë të veprojnë gjëra ilegale, me pretekst se kanë familje për të ushqyer, a e ndiejnë veten robër të Fuqiplotit?! Ata policë që torturojnë padrejtësisht njerëzit, duke u justifikuar se kështu e kërkon detyra, a e ndiejnë veten robër të El-Azizit?! Ata mësues dhe profesorë që pranojnë para nga nxënësit, me qëllim që t’i kalojnë, përse pranojnë ta ulin veten kaq poshtë, në një kohë që janë robër të Fuqiplotit?! Ato gra që pranojnë të jetojnë të përbuzura me pretekstin se nuk kanë ç’të bëjnë, a e ndiejnë veten robër të Fuqiplotit?! Ata që e shohin umetin musliman në këtë gjendje të nderë dhe nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar gjendjen, me pretekstin se nuk kanë ç’të bëjnë, a e ndiejnë veten robër të Fuqiplotit?! Ata të rinj që shkojnë në Perëndim dhe martohen me vajza, me qëllim që të fitojnë nënshtetësinë, pranojnë ofendimet dhe të sharat e këtyre grave, a e ndiejnë veten robër të Fuqiplotit?! Kush do e bëjë të ndihet krenar, nënshtetësia që do të përfitojë duke qenë i nënshtruar dhe i poshtëruar, apo Zoti Fuqiplotë?
Të gjithë ata njerëz të tjerë që e pranojnë nënshtrimin, poshtërimin dhe përbuzjen, a e ndiejnë veten robër të Fuqiplotit?!
Ato vajza që kanë rënë pre e joshjeve dhe të fjalëve të bukura të një djali, pranojnë çdo poshtërim, nënshtrim dhe përbuzje, vetëm se ato që ka vepruar të mbeten sekret dhe të mos i marrë vesh kush tjetër. Ato bien pre e presioneve të djemve dhe plotësojnë çdo dëshirë të tyre. Ata njerëz që u janë nënshtruar epsheve dhe kënaqësive haram, a e ndiejnë veten robër të Fuqiplotit?! Përse e pranojnë njerëzit nënshtrimin dhe poshtërimin?
Të gjithë ata që i nënshtrohen pasurisë, të gjithë ata që i nënshtrohen epshit, të gjithë ata që i nënshtrohen eprorëve... janë të përulur dhe të poshtëruar.
Nga dita që të ka krijuar, All-llahu i Madhërishëm të ka bërë krenar dhe kokëlartë. Diçka të tillë Ai e ka vendosur edhe në natyrën tënde. Fjalët: “Nuk ka zot tjetër përveç All-llahut!” të bëjnë të jesh krenar dhe kokëlartë, para krijesave të Zotit.
Zoti i Madhërishëm betohet në shumë ajete dhe hadithe kudsij mbi Krenarinë, Fuqinë dhe Madhështinë e Tij.
Thotë All-llahu i Madhërishëm në një ajet: ”Ata që i kanë bërë padrejtësi vetes, melekët shkojnë për t’u marrë shpirtin, u thonë: ”Ku keni qenë dhe si?” Ata thonë: “Kemi qenë të poshtëruar dhe të nënshtruar në tokë.” Ata u thonë: “A nuk ishte toka e Zotit e madhe që të emigronit?” (En-Nisa: 97)
Nuk është e mundur të jesh rob i El-Azizit dhe të jesh i poshtëruar dhe i nënshtruar ndaj krijesave.
Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Kush kërkon krenarinë, ta dijë se krenaria i përket vetëm Zotit (dhe vetëm prej Tij duhet ta kërkojë).” (El-Fatir: 10) Ashtu si dielli është burim energjie për tokën, ashtu si Nili është burim uji për Egjiptin, ashtu si Eufrati dhe Tigri janë burime uji për Irakun..., ashtu edhe burimi i vetëm i krenarisë në të gjithë universin, është All-llahu i Madhërishëm, El-Azizu. Nëse krenarinë e kërkon në rrugë të tjera, veç rrugës së Zotit, nëse krenarinë e kërkon në numrin e shumtë të të dashurave, nëse krenarinë e kërkon në dyfytyrësinë dhe servilizmin ndaj eprorëve..., atë kurrë nuk mund ta gjesh, përveçse tek El-Azizi, i Cili ka krijuar gjithësinë.
“A kërkojnë krenarinë tek ata, duke ditur se krenaria i përket vetëm Zotit?!”(En-Nisa: 139)
O vëlla dhe o motër, kurrë mos prano t’i nënshtrohesh kujt, duke qenë rob i Krenarit Suprem.
Dikush mund të mendojë se filani, edhe pse ndoqi rrugë jo të ndershme, edhe pse e kërkoi pasurinë në rrugë haram, edhe pse veproi..., të gjithë njerëzit e respektojnë dhe ndihet në kulmin e krenarisë, respektit, vlerësimit dhe mbrojtjes.
Betohem në All-llahun e Madhërishëm se një njeri i tillë është i poshtëruar dhe kurrë nuk mund të ndihet krenar dhe i respektuar. Ai mund të jetë i nënshtruar dhe i përbuzur në shtëpinë e tij. Mund të jetë i përbuzur nga fëmijët e tij. Ne ndoshta nuk i shohim gjëra të tilla, pasi është sprovë për të gjithë, por nga brenda ai është njeriu më i poshtëruar dhe më i përbuzur. Le të përmendim për këtë një shembull, i cili tregon se burimi i vetëm i krenarisë është All-llahu i Madhërishëm.
Padroni që bleu Jusufin [alejhis-selam] ishte ministër i thesareve dhe i financave të gjithë Egjiptit. Në Egjipt ishte zakon që kushdo që ngjiste shkallët e karrierës dhe posteve të lartë, quhej “Aziz” (krenar, kokëlartë). Zoti i Madhërishëm në Kur’an, me qëllim e ka përmendur me këtë emër dhe jo me emrin e tij, me qëllim që ti, o vëlla, ta shohësh nëse është me të vërtetë krenar apo i poshtëruar. Sipas standardeve dhe kritereve që e bëjnë një njeri të ndihet krenar në këtë botë, ai ishte i tillë. Edhe vetë Kur’ani e përmend me këtë emër. Por, a ishte krenar ky njeri? Jo, për Zotin! Një njeri i tillë ishte njeriu më i poshtëruar dhe më i nënshtruar. Ai ishte një burrë, të cilin dëshironte ta tradhëtojë gruaja. Madje, ajo e deklaronte hapur diçka të tillë. Si mund të ndihet krenar një njeri i tillë? Jo vetëm kaq, por, pas skandalit, ai vajti tek Jusufi [alejhis-selam] dhe i kërkoi të mos ia tregojë askujt atë që kishte ndodhur. Këtë e bënte pasi kishte frikë se mos humbiste prestigjin dhe postin e lartë. E kërkonte krenarinë dhe prestigjin, vetëm nga posti. Kjo e poshtëroi dhe e bëri të nënshtruar dhe të poshtëruar.
Vetë gruaja e Azizit, ishte në kulmin e bukurisë, e pasur, i përkiste një shtrese të lartë të shoqërisë, organizonte ceremoni dhe ballo me gratë e qytetit..., megjithatë ishte e poshtëruar dhe e nënshtruar. Ajo vetë pranon para grave të tjera: ”Unë e josha atë, por ai u mbrojt fort.” (Jusuf: 32) Ajo ishte e poshtëruar, edhe pse jetonte në luks, kurse Jusufi [alejhis-selam] ishte krenar dhe dinjitoz, edhe pse ishte skllav.
Por, edhe nëse dikush që ndjek rrugët haram, për të arritur qëllimet dhe një jetë luksoze, duket se është i gëzuar dhe krenar, nuk i dihet se si do të përfundojë jeta e tij. Shpeshherë ndodh që poshtërimi dhe nënshtrimi i një çasti, i humbet dhjetra vite lumturi dhe gëzim.
Teksa mbreti i fundit musliman në Andaluzi, po largohej prej saj, filloi të qajë. Nëna e tij që quhej Aishe, i tha: ”Qaj! Qaj si grua për pushtetin që nuk e mbrojte si burrë!” Imagjinoji këto çaste poshtërimi dhe nënshtrimi për këtë mbret. Çfarë vlere kishin për të njëzet vitet që jetoi në luks dhe në pushtet?
“Kush kërkon krenarinë, ta dijë se krenaria i përket vetëm Zotit.” (El-Fatir: 10)
Nuk ka burim tjetër të krenarisë, përveç Zotit të Madhërishëm. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Krenaria i përket Zotit, të Dërguarit dhe besimtarëve.” (El-Fatir: 10)
O vëlla, kurrë mos prano të jetosh i poshtëruar dhe i nënshtruar! Nëse refuzon krenarinë dhe pranon poshtërimin, dije se je larguar nga All-llahu i Madhërishëm, nga Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe ke dalë jashtë rrethit të besimtarëve. Ti mund të thuash se je musliman dhe të falesh, por nuk qëndron në krahun e besimtarëve. Falu dhe qaj në namaz sa të duash, por nëse nuk i nënshtrohesh dhe përulesh vetëm Zotit dhe askujt tjetër, nuk të bën dobi. El-Azizi kërkon t’i përulesh vetëm Atij dhe jo njerëzve.
Unë kam frikë se gjendja në të cilën ndodhet umeti musliman sot, është për shkak të humbjes së një cilësie të tillë. Historia islame është e mbushur me krenari dhe lavdi. Vetë Kur’ani ynë na këshillon të jemi krenarë. Lexoje historinë e Jusufit [alejhis-selam] me qëllim që të mësosh krenarinë.
Të gjithë profetët që janë dërguar tek popujt e tyre, janë dërguar për t’u mësuar ekzistencën e All-llahut të Madhërishëm. Kurse Musai [alejhis-selam] u dërgua tek hebrenjtë, jo për t’u mësuar mbi ekzistencën e Zotit, pasi ata ishin besimtarë, por për t’u mësuar krenarinë, pasi deri atëherë jetonin të nënshtruar dhe të poshtëruar. Ai kërkonte t’i shpëtojë hebrenjtë nga poshtërimi i Faraonit. Këtë fakt, e përmend vetë Kur’ani, ku thotë: “Shkoni dhe i thoni Faraonit: “Ne jemi të dërguar nga Zoti i të gjitha botëve. T’i lejosh Beni Israilët të vijnë me ne!” (Esh-Shuara: 16-17)
Historia e Musait [alejhis-selam] përmendet shpesh në Kur’an, me qëllim që të edukojë krenarinë tek lexuesit. Ajo na mëson se kur krenaria i hiqet njeriu, kthehet në një krijesë pa vlerë. Kthehen në njerëz që nuk munden ta çojnë vendin drejt zhvillimit dhe civilizimit.
Për shkak se populli i Musait [alejhis-selam] ishin mësuar me poshtërimin dhe nënshtrimin, ata refuzuan të luftonin për të marrë Jeruzalemin. Për këtë, ata jetuan dyzet vite të humbur në shkretëtirë, derisa lindi një brez i ri, i edukuar me krenari, larg poshtërimit.
Dijetarët pohojnë se një nga shkaqet që Zoti zgjodhi Gadishullin Arabik si vend nga ku do të dërgohej Profeti i fundit, është se banorët e tij ndiheshin krenarë dhe dinjitozë.
Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e pyeti një ditë Aishen [radijall-llahu anha]: ”O Aishe, a e di përse populli yt e kanë ngritur derën e Qabesë? E kanë bërë me qëllim që të mos hyjë brenda vetëm njerëzit që duan.”
Vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u urdhërua të emigrojë nga Meka për në Medine, pasi ishte periudha që poshtërimet, keqtrajtimet, përbuzja u shtuan tej mase dhe rrezikonte personalitetin e tij.
Nëse fruti i mollës nuk këputet në kohën e tij, por lihet për një kohë të gjatë, kokrat fillojnë të kalben. Për të vjelë fruta molle, duhet të presim vitin tjetër. Kalbësia e këtij umeti sot është nënshtrimi dhe përulja ku jeton.
Ne e duam Umer ibnul Hatabin [radijall-llahu anhu], pasi ai është simboli i krenarisë së umetit musliman. Ne e duam atë dhe emrin e tij ua vëmë fëmijëve tanë. Tregon një prej sahabëve: ”Vazhduam të ndihemi krenarë prej ditës që pranoi Islamin Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu].”
Kur fiset arabe braktisën fenë gjatë Kalifatit të Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu], ai tha fjalën e tij të njohur: ”Si mund të dobësohet feja, duke qenë unë gjallë?!”
Vetë vajza e Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu], Esmaja [radijall-llahu anha], ishte e tillë dhe nuk pranonte përuljen dhe nënshtrimin. Kur Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe babai i saj qëndronin të fshehur në shpellën Theur, Ebu Xhehli vajti në shtëpinë e saj dhe e pyeti për vendodhjen e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe të Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu]. Edhe pse Ebu Xhehli e qëlloi dhe i doli gjak, ajo nuk nxori asnjë fjalë.
Diçka e tillë ndodhte në rininë e saj. Një qëndrim i tillë, ndodhi edhe në pleqërinë e saj. Djalin e saj, Abdull-llah ibn Zubejrin [radijall-llahu anhu], do e vriste Haxhaxh ibnu Jusufi. Djali i saj, Abdull-llahu, i thotë i frikësuar: ”O nënë, kam frikë se mos e gjymtojnë kufomën time!” Por ajo ia kthen me krenari: ”Çfarë dhembjesh ndien qengji, teksa e rrjepin, pasi e kanë therrur?!”
Pasi e vret Haxhaxhi, shkon tek ajo dhe i thotë: ”A e pe se çfarë i bëra djalit tënd?” - “Po, – i thotë ajo, – i shkatërrove jetën në këtë botë, por ai të shkatërroi jetën e botës tjetër.”
Historia jonë është dëshmitare e pushtetarëve të tillë si Mu’tesimi. Kur një gruaje muslimane iu bë padrejtësi nga romakët, ajo thirri: ”O Mu’tesim!” Me t’i vajtur ky lajm Mu’tesimit, ai i dërgoi letër mbretit romak, ku i thoshte: ”Ma dërgo menjëherë gruan muslimane me nderime, përndryshe të dërgova një ushtri, fillimi i së cilës është tek ty dhe fundi këtu tek unë.” Perandori romak u detyrua ta dërgojë gruan muslimane me nderime dhe respekt.
Historia jonë përmban modele krenarie si dijetari Izz ibn Abdusselam. Ai vajti tek guvernatori i Kairos dhe i tha: ”O prijësi ynë! Kije frikë Zotin dhe tregohu i drejtë me popullin!” Guvernatori i premtoi bindje dhe drejtësi. Vajza e Izz ibnu Abdusselam e pyeti të atin: ”O baba! Si nuk pate frikë nga guvernatori kur i the ato fjalë?!” Ai ia ktheu: ”O bija ime! Në ato çaste kujtova Krenarinë dhe Madhështinë e Zotit dhe guvernatori m’u zvogëlua para syve dhe më dukej sa një mace.”
Historia jonë dëshmon edhe ankesën e një të krishteri në Egjipt, i cili ishte goditur nga djali i guvernatorit musliman, për shkak se kishte fituar garën e kuajve. I krishteri mori rrugën për në Medine dhe u ankua tek Halifeja Umer ibnul Hattab [radijall-llahu anhu]. Menjëherë Umeri [radijall-llahu anhu] i dërgoi fjalë Amr ibnul Asit dhe, kur erdhi, urdhëroi të krishterin të hakmerret dhe të godasë djalin e guveratorit.
Ajo që kërkohet nga ne është:
1 – Kurrë mos e prano nënshtrimin dhe poshtërimin. Për këtë të duhet të planifikosh si të shpëtosh nga padrejtësitë. Nëse një grua poshtërohet nga i shoqi, le të përpiqet ta ndryshojë këtë gjendje dhe të mos e pranojë poshtërimin. Për këtë, le të mësojë një zanat, le të kërkojë një punë dhe le t’i mbështetet Fuqiplotit Krenar. All-llahu i Madhërishëm ka në dorë ushtarët e qiellit dhe të tokës, por Ai kërkon të ndërmarrësh hapin e parë.
Nëse planifikon dhe punon për njëzet vite se si të dalësh nga ky poshtërim, dije se je krenar dhe kryelartë, edhe nëse vdes mes poshtërimit dhe përbuzjes.
Ebu Xhehli e vrau Sumejen [radijall-llahu anha], për shkak se ajo nuk pranoi ta braktisë fenë. Por i poshtëruar është Ebu Xhehli dhe jo Sumeja [radijall-llahu anha]. Ai nuk arriti ta bindë dhe ta detyrojë të ndryshojë mendimin dhe idetë e saj. Ashtu si vdiq Sumeja, vdiq edhe Ebu Xhehli, por Sumeja vdiq krenare, kurse Ebu Xhehli vdiq i poshtëruar.
Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Kush i nënshtrohet një të pasuri, për shkak të pasurisë së tij, ka humbur një të tretën e fesë së tij.”
Kërkojeni zgjidhjen e halleve me krenari, pasi ato vijnë sipas caktimit të All-llahut të Madhërishëm.
2 – Bëji të tjerët të ndihen krenarë. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:”Nëse një besimtar poshtërohet në prezencën e një besimtari tjetër, që ka mundësi ta ndihmojë, por nuk e bën, Zoti do e poshtërojë para gjithë krijesave Ditën e Kijametit.”
Nëse një grua e ve, nëse një jetim, nëse një fukara... poshtërohet në prezencën tënde dhe ti ke mundësi t’i ndihmosh, por nuk i ndihmon, dije se do të poshtërohesh para gjithë krijesave Ditën e Kijametit. Por kjo duhet bërë me urtësi dhe me mëshirë.
Nëse Zoti i Madhërishëm poshtëron dikë që nuk përkrah një të vobekët, çfarë mund t’i bëjë dikujt që nuk përkrah Islamin? Përse nuk vepron diçka të mirë? Përse i sheh jetimët të vuajnë dhe nuk u zgjat dorën?
Hasan el Basriu thotë: ”Ditën e Kijametit do të vijë Islami dhe do të shohë në fytyrat e muslimanëve. Duke kaluar tek secili do të thotë: ”O Zot! Ky më ka përkrahur. O Zot! Ky më ka zhgënjyer dhe lënë pas dore...”, derisa të arrijë tek Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu]. Do e kapë për dore dhe do të thotë: ”O Zot! Kam qenë i panjohur dhe i huaj, derisa pranoi Islamin ky burrë.”
3 – Trego përulje, përkushtim dhe nënshtrim vetëm ndaj Zotit tënd. Tregoji dobësinë tënde, të pajisë me fuqinë e Tij. Shfaqi përuljen, të pajisë me krenari.
Imam Ahmedi tregon se një herë, tek po bënte tavaf rreth Qabes, dëgjon një burrë që lutej: “O Zot, unë jam i paaftë, siç e sheh, gruaja ime është e dobët, siç e sheh, vajza ime është e dobët, siç e sheh, rrobat e mia janë të vjetra, siç i sheh Ti vetë. O Ti që na shikon dhe nuk shikohesh, na ndihmo!” Imam Ahmedi nxori ca para dhe ia zgjati, por ai ia ktheu: “Çfarë janë këto?” - “Dëgjova problemet e tua dhe po t’i jap që të ndihmoj.” - “Jo, - ia ktheu, - unë nuk kam asgjë nga ato që dëgjove, madje jam i pasur, por thjesht desha t’i nënshtrohesha All-llahut të Madhërishëm, pasi Ai pëlqen që të jemi të nënshtruar dhe të shfaqim nevojën tonë ndaj Tij.”
Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”E pashë Xhibrilin [alejhis-selam] natën e Miraxhit dhe dukej si pupël e lagur, nga përkushtimi dhe përulja ndaj Zotit.”
Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur lutej, ngrinte duart, ulte kokën dhe me përkushtim lutej: “O Zot, unë jam robi yt, i biri i robit Tënd dhe i robëreshës Tënde. Gjithçka e imja është në dorën Tënde. Gjykimin Tënd e pranoj dhe është i drejtë ….”
Një i ditur thotë: ”Trokita në të gjitha dyert e Zotit, në çdo derë që trokisja gjeja me mijëra njerëz që hynin. Trokita në derën e namazit, agjërimit, zekatit, haxhit etj... dhe të gjitha i gjeta të mbushura me njerëz. Më pas trokita në derën e nënshtrimit dhe të përuljes, të cilën e gjeta bosh. Hyra tek ajo dhe u thashë edhe juve ejani.”
Një filozof romak, para se të bjerë Roma, mori kandilin dhe në mes të ditës doli jashtë dhe bënte sikur kërkonte dikë me kandil në dorë. Njerëzit të çuditur e pyesnin: ”Kë po kërkon me kandil, në mes të ditës?” Ai u përgjigjej: ”Po kërkoj një burrë që ndihet krenar.” Pas pesë viteve, perandoria romake ra./KBI-Bujanoc.com/
3447 Shikime