07.12.2013
Kushtetuta e bashkësisë islame të kosovës
Pejgamberi s.a.v.s., kur e dërgoi Muadh ibni Xhebelin në Jemen gjykatës, i tha: “Me se do të gjykosh?”. Ai i qe përgjigjur: “Me librin e All-llahut”, - e nëse nuk gjen zgjidhje”? - e pyeti Pejgamberi s.a.v.s. Ai tha: “Me Synnetin e të Dërguarit të Allahut”. “Po nëse edhe aty nuk gjen zgjidhje”? – “Do të gjykoj sipas mendimit tim” – iu përgjigj Muadhi. Me këtë rast Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Falëndërimi i qoftë Allahut , i cili e udhëzoi të dërguarin e të Dërguarit të Allahut në se kënaqet Allahu dhe i Dërguari i Tij”. Duke qenë se Islami është fe e Allahut, për të cilën imanente janë besimi, kultura, qytetërimi, paqja, tolerance dhe respektimi i lirive e të drejtave të njeriut, të cilat burimin e kanë në parimet e Kur’anit famëlartë dhe në Synnetin e Pejgamberit a.s Duke qenë e Islami në dimensionet e veta të pandara përmban qëndrimin aktiv ndaj jetës dhe ndaj veprimtarive shoqërore në përgjithësi, që janë drejtësia shoqërore dhe sfera ekonomike; Duke qenë se kemi fenë tonë, historinë tonë, kulturën tonë, dhe tokën tonë, vlera me të cilat nënkuptohet vetidentifikimi ynë, vetafirmimi ynë dhe filozofia jonë, nëpërmjet të cilave synohet arritja e mirëqenies në të gjitha sferat e jetës njerëzore; Duke qenë se është e drejtë e patjetërsueshme e myslimanëve që të organizohen në kuadër të Bashkësisë Islame dhe duke u mbështetur tek vullneti i shprehur vendosmërisht për një pozitë të re kushtetuese të Bashkësisë Islame të Kosovës.
KUVENDI I BASHKËSISË ISLAME TË KOSOVËS, SOLEMNISHT SHPALL KUSHTETUTËN E BASHKËSISË ISLAME TË KOSOVËS (TEKST I SPASTRUAR
I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Bashkësia Islame e Kosovës është Bashkësi e vetme dhe unike Islame e të gjithë pjesëtarëve të besimit Islam të regjionit të Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Preshevës dhe Gjakovës, si dhe të pjesëtarëve të Bashkësisë Islame që gjenden me punë dhe qëndrim në Botën e Jashtme dhe të tjerët që e njohin për të veten Bashkësinë Islame.
Regjionin e Prishtinës e përbëjnë: Këshilli i BI – së i Prishtinës, Podujevës (Besianës), Lipjanit dhe Gllogocit (Drenasit).
Regjionin e Gjilanit e përbëjnë: Këshilli i BI – së i Gjilanit, Kamenicës (Dardanës) dhe Vitisë.
Regjionin e Mitrovicës: Këshilli i BI – së i Mitrovicës, Vushtrisë dhe Skëndërajt.
Regjonin e Prizrenit e përbëjnë: Këshilli i BI – së i Prizrenit, Dragashit (Sharrit) dhe i Suharekës (Therandës).
Regjionin e Pejës e përbëjnë: Këshilli i BI – së i Pejës, Istogut (Burimit) dhe Deçanit.
Regjionin e Ferizajt e përbëjnë: Këshilli i BI – së i Ferizajt, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.
Regjionin e Preshevës e përbëjnë: Këshilli i BI – së i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Regjionin e Gjakovës e përbëjnë: Këshilli i BI – së i Gjakovës, Rahovecit dhe Malishevës.
Neni 2
Bashkësia Islame e Kosovës vepron në bazë të mësimeve të Kur’anit e të Synnetit, të rregullave të nxjerra prej tyre në bazë të shkollës juridike hanefite, të kësaj Kushtetute, si dhe bazë të ligjit.
Neni 3
Bashkësia Islame e Kosovës predikon dhe zbaton Islamin lirisht dhe publikisht.
Ruan besueshmërinë e normave Islame dhe siguron interpretimin dhe zbatimin e tyre.
Neni 4
Bashkësia Islame e Kosovës është e pavarur në rregullimin e veprimtarive të veta dhe në qeverisje në pronën e vet. Ajo, në përputhje me interesat e Islamit dhe të myslimanëve, i udhëheq dhe rregullon punët e veta në mënyrë të pavarur.
Bashkësia Islame e Kosovës me Bashkësinë më të gjerë Islame, ruan unitetin shpritëror, dhe raportet ndërmjet anëtarëve të Bashkësisë mbi parimet e autonomisë, të unitetit e të barazisë.
Bashkësia Islame, duke u mbështetur në kushtet nga alineja paraprake, mund të formojë union me bashkësitë e tjera Islame.
Neni 5
Qëllimi i Bashkësisë Islame është që të gjithë pjesëtarët e vet të jetojnë në përputhje më normat Islame, të ruajë dhe të zhvillojë vetëdijen Islame, jetën fetare të myslimanëve, dhe të punojë në ngritjen shpirtërore, kulturore, shkencore dhe social – ekonomike të myslimanëve.
Neni 6
Bashkësia Islame kujdeset për të drejtat e myslimanëve.
Në kuadër të mundësive të veta atyre u siguron kushte për realizimin e detyrave Islame.
Neni 7
Bashkësia Islame organizon veprimtari me të cilat krijohet, mbrohet dhe rritet prona e saj.
Bashkësia Islame organizon dhe ndihmon aktivitete me të cilat përmirësohen kushtet ekonomiko – shoqërore të jetës së myslimanëve.
Neni 8
Bashkësia Islame qëllimin e vet e realizon:
- me sigurimin e të mirave shpirtërore dhe materiale të myslimanëve,
- me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive, mesxhideve, mektebeve dhe qndrave Islame,
- me themelimin dhe me punën e institucioneve arsimore Islame,
- me themelimin dhe mirëmbajtjen e institucioneve për kulturën dhe shkencën Islame,
- me themelimin dhe veprimin e enteve përkatëse bamirëse dhe humanitare,
- me krijimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e pronës së Bashkësisë Islame,
- me organizimin e veprimtarisë botuese,
- me lidhjen e një bashkëpunimi të ngushtë dhe me kultivimin e lidhjeve tradicionale me bashkësitë islame fqinje,
- me vendosjen dhe mbajtjen e bashkëpunimit me bashkësitë Islame, institucionet dhe organizatat e tjera islame në botë,
- me bashkëpunimin me bashkësi dhe organizata të tjera fetare në veprimtaritë që kontribuojnë për paqen, drejtësinë dhe të mirën ndër njerëz,
- me çdo veprimtari tjetër të orientuar në ngritjen fetaro – arsimore e kulturore, shëndetësore dhe social – ekonomike të myslimanëve.
Neni 9
Bashkësia Islame në punën e vet do t’u përmbahet parimeve të unitetit, të barazisë, parimeve të zgjedhjes, ndërrimit të organeve dhe të funksionarëve, kufizimit të mandatit, përgjegjësisë dhe këshillimit në udhëheqjen e punëve.
Neni 10
Çdo pengim në punën e organeve, institucioneve dhe të kuadrit të Bashkësisë Islame, si dhe ndërhyrja në punët e brendshme të Bashkësisë Islame për arritjen e qëllimeve që bien ndesh me normat Islame dhe me dispozitat e kësaj Kushtetute, konsiderohen rrezikim dhe shkelje e të drejtave dhe lirive fetare.
Për çdo cenim të Kushtetutës, të ligjit ose të normave të tjera me të cilat rrezikohen interesat e myslimanëve dhe të Bashkësisë Islame, si dhe çdo cenim a përbuzje të institucioneve e të normave Islame, sipas të cilave udhëhiqet Bashkësia Islame, imami ose përfaqësuesi tjetër i Bashkësisë Islame në territorin e të cilit ka ndodhur, është i detyruar që menjëherë të njoftojë organin e Bashkësisë Islame me qëllim të hulumtimit të rastit tek organi competent.
Neni 11
Bashkësia Islame ka flamurin dhe shenjën e vet.
Flamuri i Bashkësisë Islame përmban karakteristika të emblemës së Bashkësisë Islame.
Gjatësia e flamurit është dy herë më e madhe se gjerësia.
Rregulloren mbi përdorimin e flamurit e miraton Kryesia e Bashkësisë Islame.
Neni 12
Emblema e Bashkësisë Islame është e rrumbullakët, disangjyrëshe, e rrethuar me mbishkrimin Bashkësia Islame e Kosovës në gjuhën shqipe, angleze dhe arabe. Në brendi të rrethit figurojnë 5 minare të improvizuara në mihrab të xhamisë.
Organet dhe institucionet e Bashkësisë Islame kanë vulën e rrubullakët me emblemën e Bashkësisë Islame me tekstin e shkruar në gjuhën shqie dhe angleze, kurse në disa rajone edhe në gjuhën e nacionaliteteve.
Neni 13
Organet dhe institucionet e Bashkësisë Islame kanë statusin e personit juridik.
Neni 14
Asnjë vend pune dhe asnjë funksion në Bashkësinë Islame nuk mund të plotësohet me persona që nuk i plotësojnë kushtet e parapara me ligj.
Askush nuk mund të kryejë shërbim të përhershëm fetar pa emërtim, dhe as të përkohshëm pa pëlqimin e organit competent të Bashkësisë Islame.
Plotësimi i vendeve të punës i nënshtrohet parimit të konkursit.
Neni 15
Kryesia e Bashkësisë Islame për kuadrot fetare, me rregullore të veçantë, cakton veshjen dhe simbolet e tjera.
II. TË DREJTAT DHE DETYRIMET E PJESËTARËVE TË BASHKËSISË ISLAME
Neni 16
Me këtë kushtetutë janë të barabartë të gjithë pjesëtarët e besimit Islam për të gjitha të drejtat dhe detyrimet pa dallim përkatësie nacionale, racore e gjinore.
Pjesëtarët e Bashkësisë Islame janë besimtarë të fesë Islame.
Pjesëtarët e fesë Islame kanë të drejtë:
- të shfaqin lirisht përkatësinë e vet Islame dhe t’i kryejnë detyrat Islame, të edukohen dhe të arsimohen në mënyrë Islame;
- për të kryer detyrat fetare dhe për të marrë arsimim fetar të shfrytëzojnë entet dhe institucionet fetare;
- të marrin pjesë në aktivitetet e përbashkëta në xhemat;
- të zgjedhin organet e Bashkësisë Islame dhe të zgjedhen në to;
- në kuadër të dispozitave përkatëse, të shfrytëzojnë pronën e Bashkësisë Islame;
- të informohen publikisht për punën e Bashkësisë Islame;
- për mbrojtjen e të drejtave të tyre fetare t’u drejtohen organeve të Bashkësisë Islame.
Pjesëtarët e Bashkësisë Islame janë të detyruar;
- të mbrojnë vlerat Islame;
- t’u përmbahen rregullave dhe traditave Islame;
- të ruajnë autoritetin dhe unitetin e Bashkësisë Islame, të organeve dhe të përfaqësuesve të saj si dhe të ruajnë interesat e Bashkësisë Islame;
- t’u përmbahen kushtetutës, rregullave dhe vendimeve të organeve të Bashkësisë Islame;
- të mbështetin moralisht e materialisht Bashkësinë Islame duke dhënë rregullisht kontributet dhe ndihma të tjera për nevojat e saj.
III. PRONA E BASHKËSISË ISLAME
Neni 17
Prona e Bashkësisë Islame është dhe realizohet prej:
- vakëfeve dhe pasurisë tjetër të luajtshme e të paluajtshme, që u takojnë organeve dhe institucioneve, si dhe të ardhurave nga kjo pasuri;
- zekatit, sadakul – fitrit dhe kurbanëve;
- anëtarësisë dhe donacioneve tjera të pjesëtarëve të Bashkësisë Islame;
- dhuratave dhe vasijeteve;
- aksioneve, fondeve dhe të ardhurave prej tyre;
- të ardhurave të organizatave dhe institucioneve të themeluara nga Bashkësia Islame, të cilat me veprimtarinë e tyre realizojnë fitime;
- të ardhurave prej shërbimeve dhe taksave fetare për kryerjen e shërbimeve administrative e të tjera;
- ndihmës që arrin nga organe dhe nga organizata Islame;
- ndihmës nga shteti dhe
- të ardhurave dhe ndihmave të tjera të ndryshme.
Neni 18
Grumbullimin e anëtarësisë dhe të kontributeve të tjera për nevojat e Bashkësisë Islame, mund ta kryejnë vetëm këshillat e Bashkësisë Islame përmes personave të autorizuar.
Këshilli i Bashkësisë Islame, sipas nevojës edhe Kryesia e Bashkësisë Islame, ushtron kontrollin dhe evidencimin e grumbullimit të të mirave materiale nga alineja paraprake.
Neni 19
Secili person fizik dhe juridik mund të lërë vakëf sipas parimeve të Sheriatit.
Vendimi për themelimin e vakëfit është juridikisht i vlefshëm kur ta aprovojë Kryesia e Bashkësisë Islame.
Neni 20
Dispozitat e vakëfnamesë duhet të zbatohen sipas rregullave të Sheriatit.
Në rastet kur vakëfnameja ose ndonjë nga dispozitat e saj më nuk u shërbejnë qëllimeve të Bashkësisë Islame, kur pushon qëllimi i caktuar me vakëfname, ose kur shuhen mjetet materiale që shërbejnë si bazë për kryerjen e detyrimeve të parapara sipas vakëfnamesë, Kryesia e Bashkësisë Islame do të miratojë vendimin për ndërrimin e destinacionit ose pezullimin e vakëfit dhe përdorimin e pasurisë së tij në pajtim me rregullat e Sheriatit.
Në këtë mënyrë do të veprohet në premise të njejta edhe me vakëfet pa vakëfname, për të cilat vlejnë zakonet ekzistuese (teamuli kadim).
Të drejtat e fituara me vakëfname për shërbimet fetare dhe shërbime të tjera në Bashkësinë Islame, do të respektohen, po qe se bartësit e atyre të drejtave kanë kualitete përkatëse sipas dispozitave të Islamit dhe sipas dispozitave të veçanta të lëshuara nga organet kompetente të Bashkësisë Islame.
Neni 21
Prona Bashkësisë Islame i shërben për veprimtari me të cilat arrihet qëllimi i saj dhe nuk mund të përdoret për qëllime të tjera.
Prona është e pacenueshme dhe e patjetërsueshme. Mbrojtja e saj është detyrë e secilit pjesëtar të Bashkësisë Islame.
Neni 22
Shitblerja, dhurata, ndërrimi dhe tjetërsimi i pronës nuk mund të bëhet pa pëlqimin me shkrim të Kryesisë së Bashkësisë Islame.
Personi që vepron në kundërshtim me dispozitën nga alineja 1 e këtij neni, është përgjegjës dhe i detyruar të kompensojë tërë dëmin që është shkaktuar, kurse veprimi i tillë është i anulueshëm dhe për Bashkësinë Islame nuk sjell kurrfarë pasojash juridike.
Këshilli i Bashkësisë Islame mbanë evidencën e pronës dhe të gjitha sendeve të luajtshme e të paluajtshme në territorin e vet, kurse Kryesia e Bashkësisë Islame e mban për mbarë territorin.
Neni 23
Organet e Bashkësisë Islame kanë elaboratin e vet të të hyrave dhe të të dalave (buxhetin).
Institucionet e Bashkësisë Islame kanë parallogarinë e vet të të hyrave dhe të të dalave në kuadër të buxhetit të organit competent.
Neni 24
Buxhetin e Këshillit të BI-së e propozon Këshilli i BI-së, kurse e miraton Kryesia e BI-së.
Parallogarinë buxhetore të institucioneve të BI-së e lejon Kryesia e BI-së.
Buxhetin e Kryesisë së BI-së e miraton Kuvendi i Bashkësisë Islame.
Këshillat e BI-së, deri me miratimin e elaborative buxhetore, veprimtarinë finanaciare e kryejnë në bazë të vendimit mbi financimin e përkohshëm për periudhën janar – mars të vitit në vijim.
Vendimin mbi financimin e përkohshëm e nxjerr Kryesia e BI-së.
Urdhërdhënës për buxhetin e Këshillit të BI-së është kryetari i Këshillit.
Urdhërdhënës për buxhetin e Kryesisë është kryetari i Kryesisë, kurse për parallogarinë buxhetore të institucioneve - është drejtuesi i institucionit.
Urdhërdhënësi është përgjegjës për zbatimin e buxhetit.
Neni 25
Kuvendi i Bashkësisë Islame miraton normë të veçantë për mënyrën e qeverisjes së pasurisë së Bashkësisë Islame dhe të afarizmit materialo – financiar të organeve dhe të institucioneve të Bashkësisë Islame.
IV. OBJEKTET E BASHKËSISË ISLAME
Neni 26
Objekte të Bashkësisë Islame janë: xhamitë, mesxhidet, mektebet, ndërtesat arsimore – edukative, administrative, banesat, lokalet afariste, teqetë, tyrbet, hamamet, gasulhanet, varrezat e të tjera.
Neni 27
Xhamitë dhe mesxhidet janë institucione themelore që shërbejnë ër kryerjen e aktiviteteve fetare dhe ku kultivohet arsimimi fetar.
Në xhami dhe në mesxhide:
- falen namazet,
- bëhet arsimimi fetar,
- mbahen vaze, ligjerata, seminare dhe akademi,
- mbahen mevlude, tevhide, kurorëzime sipas Sheriatit dhe manifestime fetare të rastit,
- bëhet distribuimi dhe prezentimi i shtypit fetar, i librave, i publikimeve dhe i mjeteve audiovizuele për arsimimin fetar,
- kryhen edhe punë të tjera, të cilat shërbejnë për përparimin e jetës fetare dhe të Bashkësisë Islame.
Neni 28
Mektebet janë ente për arsimim fillestar dhe të përgjithshëm të myslimanëve.
Tyrbe konsiderohen objektet tradicionale, në të cilat, si rregull, janë varrosur figura të shquara të kulturës Islame.
Gusullhanet janë objekte në të cilat, sipas normave të Sheriatit, bëhet përgatitja e të vdekurve për varrim.
Varrezat janë vende ku varrosen të vdekurit mysliman.
Varrimi dhe shënimi i varrit nuk mund të bëhet në kundërshtim me normat Islame.
Neni 29
Ceremonitë fetare dhe arsimimi i myslimanëve bëhet në xhami, në mesxhide, në mektebe, në vendet tradicionale enkas për tubime fetare, në shtëpitë e myslimanëve dhe në objekte e institucione të tjera.
Ceremonitë fetare të varrimit kryhen në gasulhane, në varreza, në shtëpitë e myslimanëve dhe në vende të tjera të përshtatshme.
Ceremonitë fetare dhe shërbimet lidhur me xhenazet, i kryejnë nëpunësit e emëruar ose persona të autorizuar në pajtim me normat e Bashkësisë Islame.
Neni 30
Arsimimi fetar i myslimanëve bëhet edhe nëpër shkollat e përgjithshme fillore dhe të mesme, me aplikimin e lëndës së fesë në bazë të teksteve dhe të kuadrit të caktuar nga Bashkësia Islame.
Neni 31
Teqetë janë objekte në të cilat mund të kryhen ceremoni fetare të tarikatit përkatës, në pajtim me normat Islame.
Rendet e dervishëve, mësimi dhe praktika e të cilëve është në harmoni me normat e Sheriatit, në kuadër të Bashkësisë Islame organizohen sipas rregullave të tarikatit dhe nën mbikëqyrjen e Këshillit të Bashkësisë Islame.
Shejhlerët e rendeve të dervishëve mund t’i kryejnë ceremonitë dhe aktivitetet fetare, nëse zgjedhjen e tyre e ka vërtetuar Kryesia e Bashkësisë Islame.
V.ORGANIZIMI I BASHKËSISË ISLAME
Neni 32
Bashkësia Islame detyrat e veta i kryen nëpërmjet organeve, institucioneve dhe kuadrove të saj.
Neni 33
Organet e Bashkësisë Islame janë:
- Këshillat e Bashkësisë Islame,
- Kryesia e Bashkësisë Islame dhe
- Kuvendi i Bashkësisë Islame.
Organet e Bashkësisë Islame punojnë në mbledhje dhe për çështje të ndryshme mund të vendosin, në qoftë se në mbledhje janë të pranishëm së paku 2/3 e anëtarëve, kurse vendimet i marrin me shumicën e votive të numrit të përgjithshëm të anëtarëve.
Neni 34
Institucionet e Bashkësisë Islame janë:
- Fakulteti i Studimeve Islame,
- Shkollat e mesme islame (medresetë),
- Institutet islame,
- Bibliotekat,
- Arkivat,
- Muzetë,
- Institucionet bamirëse, humanitare, etj.
Neni 35
Kuadrot e Bashkësisë Islame janë personat që ushtrojnë punë dhe detyra fetare, fetoro – arsimore, administrative, profesionale, educative, mësimore – shkencore, e të tjera.
VI.ORGANET E BASHKËSISË ISLAME
1.Këshilli i Bashkësisë Islame
Neni 36
Këshilli i Bashkësisë Islame është organ themelor i Bashkësisë Islame në territorin e vet.
Ai kujdeset për të gjitha çështjet e jetës fetare dhe për të gjitha nevojat e tjera të Bashkësisë Islame dhe të xhematit.
XHEMATI është grup myslimanësh në një territor të ngushtë, në kuadër të të cilit kryhen detyrat e përbashkëta fetare, mirëmbahen xhamitë, pronat, varrezat, grumbullohen anëtarësia, të ardhura dhe contribute për nevoja të Bashkësisë Islame, si dhe kryhen punë të tjera, të cilat i caktojnë organet më të larta të Bashkësisë Islame.
Xhematin e udhëheqë këshilli i xhematit, të cilin e përbëjnë imami si autoritet fetar, muteveliu dhe tre anëtarë të zgjedhur të xhematit.
Muteveliu dhe anëtarët e këshillit të xhematit i zgjedhin drejtpërdrejt xhematlinjtë, kurse verifikimin e bën Këshilli i Bashkësisë Islame.
Muteveliu është kryetar i këshillit të xhematit dhe i përgjigjet drejtpërdrejt Këshillit të Bashkësisë Islame, të cilit i jep llogari për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me udhëheqjen e vakëfeve dhe të pronës tjetër të Bashkësisë Islame në territorin e xhematit.
Këshilli i xhematit është trup ndihmës i Këshillit të Bashkësisë Islame.
Neni 37
Personaliteti kryesor fetar në territorin e Këshillit është kryeimami.
Personi që është emëruar kryeimam, sipas pozitës është edhe anëtarë i Këshillit.
Neni 38
Këshilli Bashkësisë Islame:
1.-organizon kryerjen e ceremonive fetare dhe mësimin fetar;
2.-kujdeset për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive, mesxhideve, mektebeve, bibliotekave, etj.
3.-kujdeset për ruajtjen e varrezave, tyrbeve, përmendoreve të kulturës Islame dhe pronës tjetër të Bashkësisë Islame, si dhe për përdorimin e drejtë të tyre;
4.-siguron mjete për funksionimin e Bashkësisë Islame duke grumbulluar anëtarësinë, kontributet dhe të ardhura të tjera;
5.-bën llogaritjen dhe pagesën e rregullt të të ardhurave personale dhe kontributet e kuadrove në territorin e vet;
6.-qeverisë vakëfet dhe pronën tjetër;
7.-ekzekuton vendimet dhe sugjerimet e organeve më të larta;
8.-u ofron ndihmë këshillave të xhematit dhe mbikëqyrë punën e tyre;
9.-i propozon Kryesisë emërimin, shkarkimin dhe transferimin e kuadrove të Këshillit;
10.-propozon buxhetin dhe llogarinë përfundimtare, të cilën ia dërgon Kryesisë për miratim;
11.-kryen me kohë detyrimet e veta materiale ndaj Kryesisë dhe i dërgon raport për punën e vet njëvjeçare;
12.-ofron ndihmë dhe drejtpërdrejt mbikëqyr punën e kuadrit të vet;
13.-formon komisionin disiplinor dhe komisione të tjera;
14.-organizon jetën e gjithmbarshme fetare, organizon solemnitetet fetare, si dhe ndihmon organizimin e haxhit dhe të umrës;
15.-me lejen e Kryesisë së BI-së kryen veprime botuese;
16.-i propozon Kryesisë shitblerjen dhe ndërrimin e pasurisë së paluajtshme të Bashkësisë Islame;
17.-nëpërmjet kuvendeve të xhematit informon pjesëtarët e Bashkësisë Islame për punën e Këshillit;
18.-mban evidencën e pronës së Bashkësisë Islame si dhe evidencat tjera ër nevojat e Bashkësisë Islame;
19.-mbikëqyr punën e rendeve të dervishëve;
20.-kryen edhe punë të tjera të parapara me aktet e përgjithshme dhe me vendime të organeve më të larta të Bashkësisë Islame.
Neni 39
Numri i anëtarëve të Këshillit caktohet sipas numrit të pjesëtarëve të Bashkësisë Islame në territorin e Këshillit dhe nuk mund të jetë më i vogël se 7 e as më i madh se 13 anëtarë.
Numrin e anëtarëve për secilin këshill e cakton Kryesia.
Anëtarët e Këshillit i zgjedh kuvendi zgjedhor, të cilin e përbëjnë imami dhe dy delegatë të xhematit.
Së paku 1 e anëtarëve duhet të jenë imamë.
Punën e Këshillit e udhëheq kryetari, të cilin e zgjedh Kryesia e Bashkësisë Islame nga radha e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit.
Në rast të mungesës së kryetarit, Këshilli cakton zëvendëskryetarin.
Mandate i kryetarit dhe i anëtarëve të Këshillit zgjat 4 (katër) vjet.
Neni 40
Themelimin, bashkimin dhe suprimimin e Këshillit, si dhe caktimin e selisë të territorit, me propozimin e Kryesisë, e cakton Kuvendi i Bashkësisë Islame.
Neni 41
Funksioni i kryetarit dhe i anëtarëve të Këshillit është funksion nderi.
Kryetarit, në qoftë se është i angazhuar shumë me punë të Këshillit, mund t’i caktohet kompensim për punë.
Vendimin nga alineja paraprake e merr Këshilli.
Neni 42
Këshilli vendimet i merr në mbledhje.
Mbledhjet janë të rregullta dhe të jashtëzakonshme.
Mbledhjet e rregullta mbahen sipas nevojës, të paktën një herë në dy muaj.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit konvokohet nëse e kërkojnë së paku ? e anëtarëve të Këshillit ose organi më i lartë.
Mbledhjen e konvokon dhe e udhëheqë kryetari, dhe, në rast mungese ose pengese, zëvendëskryetari.
Kryetari i nënshkruan të gjitha aktet e Këshillit, kujdeset për zbatimin e vendimeve të tij, për afarizmin materialo – finaciar, përfaqëson Këshillin dhe mbron interesat e tij para organeve shtetërore, institucioneve dhe organizatave të tjera.
2.Kryesia e Bashkësisë Islame
Neni 43
Kryesia e Bashkësisë Islame është organ ekzekutiv i Kuvendit të Bashkësisë Islame dhe organi më i lartë për çështjet fetare, fetaro – arsimore, administrative, pronësore e të tjera në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Selia e Kryesisë është në Prishtinë.
Neni 44
Kryesinë e përbëjnë kryetari i Kryesisë dhe tetë anëtarë.
Së paku 1 e anëtarëve duhet të kenë arsimim universitar islam.
Kryetarin dhe anëtarët e Kryesisë i zgjedh trupi zgjedhor, të cilin e përbëjnë anëtarët e Kuvendit të Bashkësisë Islame, kryetarët e këshillave të Bashkësisë Islame dhe udhëheqësit e institucioneve të Bashkësisë Islame.
Anëtarët e Kryesisë i propozon kryetari i Kryesisë.
Mandati i kryetarit dhe i anëtarëve të Kryesisë zgjat 5 (pesë) vjet.
Funksioni i anëtarëve të Kryesisë është funksion nderi.
Mbledhjet e Kryesisë i konvokon dhe i udhëheqë kryetari i Kryesisë.
Në rast mungese ose pengese, kryetari cakton zëvendëskryetarin.
Puna dhe aktiviteti i Kryesisë mund t’i nënshtrohen votëbesimit nga ana e Kuvendit të Bashkësisë Islame.
Në mbledhjet e Kryesisë ftohen kryetari i Kuvendit, dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, drejtori i medresesë dhe sipas nevojës, edhe drejtuesit e shërbimeve profesionale të Kryesisë.
Neni 45
Kryesia e Bashkësisë Islame kryen këto punë dhe detyra:
1.-udhëheq dhe orienton punët e Bashkësisë Islame;
2.-ekzekuton vendimet e Kuvendit dhe përgatit mbledhjet e tij;
3.-bën mbikëqyrjen e punës së organeve dhe të institucioneve në territorin e vet;
4.-kujdeset për organizimin e mësimit fetar dhe arsimimit të përgjithshëm Islam;
5.-organizon grumbullimin e mjeteve të zekatit, sadakatul – fitrit dhe të ardhuarve nga kurbanët dhe të mirave të tjera materiale;
6.-organizon haxhin dhe umrën;
7.-i propozon Kuvendit planin financiar dhe llogarinë përfundimtare (buxhetin);
8.-emëron komisionin disiplinor për shqyrtim dhe vendosje të lëndëve disiplinore në shkallë të parë për të gjithë të punësuarit në territorin e vet;
9.-vendos lidhur me ankesat ndaj vendimeve të organeve më të ulëta;
10.-lejon ndërtimin, meremetimin, ndërrimin e destinimit si dhe rrënimin eventual të objekteve të vjetëruara të Bashkësisë Islame;
11.-miraton vendime për regjistrimin e vakëfeve dhe për ndryshimin e destinimit të tyre;
12.-miraton rregulloren për përdorimin e flamurit të Bashkësisë Islame, cakton tekstin e vulvae të organeve dhe të institucioneve të Bashkësisë Islame dhe cakton veshjen e simbolet e tjera të kuadrit fetar;
13.-miraton rregulloren për veprimtarinë botuese;
14.-emëron komisione të përhershme e të përkohshme;
15.-mbikëqyr punën rreth qeverisjes së pronës dhe pasurisë së Bashkësisë Islame;
16.-vendos për çdo lloj shitblerjeje ose për ndërrimin e pronës së paluajtshme të Bashkësisë Islame;
17.-emëron, sistemon dhe shkarkon kuadrin e Kryesisë, dhe, me propozimin e këshillave e të institucioneve të Bashkësisë Islame edhe kuadrin e tyre;
18.-emëron dhe shkarkon udhëheqësit e institucioneve të Bashkësisë Islame në periudhë prej 4 vjetësh. Pas skadimit të këtij afati, i njëjti person mund të emërohet sërish udhëheqës i institucionit, po qe se është treguar i suksesshëm në punë;
19.-verifikon zgjedhjen e anëtarëve të këshillave të Bashkësisë Islame dhe emëron kryetarët e tyre;
20.-i paraqet raportin vjetor me shkrim për punën e vet Kuvendit të Bashkësisë Islame;
21.-nëpërmjet forumit të caktuar bën interpretimin autentik për çështje fetare;
22.-kryen edhe punë të tjera në pajtim me kompetencat e veta.
Neni 46
Kryesia ka të drejtë të revokojë anëtarë të caktuar të Këshillit ose krejt Këshillin e Bashkësisë Islame në rast se veprojnë në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës dhe me rregulloret e tjera të Bashkësisë Islame. Në rast revokimi të krejt Këshillit, Kryesia emëron Këshillin e përkohshëm prej 3 vetash, i cili do t’i kryejë punët e Këshillit deri në zgjedhjet e reja.
Në rast se revokohet më shumë se gjysma e anëtarëve ose funksioni i tyre pushon nga arsye të tjera, Kryesia do të ndërmarrë masa të menjëhershme për emërimin e anëtarëve të rinj me përparësi në listën e kandidatëve të zgjedhur për anëtarë të Këshillit.
Kryesia ka të drejtë të pezullojë nga ekzekutimi çdo vendim të organeve më të ulëta dhe të institucioneve në territorin e vet, për të cilin vlerëson se është në kundërshtim me Sheriatin dhe me dispozitat juridike të Bashkësisë Islame.
Në rast kontestimi, arsyeshmërinë e vendimit të këtill e vlerëson Kuvendi i Bashkësisë Islame në mbledhjen e parë të rregullt.
Neni 47
Punët e rregullta nga kompetenca e Kryesisë, në harmoni me Kushtetutën, i kryen kryetari. Përjashtimisht, në rastet e ngutshme, kryetari mund të marrë vendim edhe për çështje të tjera nga kompetenca e Kryesisë, me kusht që këtë t’ia paraqesë Kryesisë për miratim në mbledhjen e parë vijuese.
Lidhur me çështje të ndryshme profesionale, Kryesia mund të formojë komisione të ndryshme.
Punët administrative dhe juridike të Kryesisë i udhëheq sekretari.
Punët fetaro – arsimore të Kryesisë i udhëheq referenti fetaro – arsimor.
Punët financiaro – ekonomike të Kryesisë i udhëheq referenti financiar.
Punët e shtypit dhe të veprimtarisë botuese i udhëheq referenti i veprimtarisë botuese të Kryesisë.
Mjetet për mbulimin e shpenzimeve të Kuvendit, të Kryesisë dhe të institucioneve të tyre i sigurojnë këshillat e Bashkësisë Islame.
Me akt të veçantë Kuvendi normon kriteret e financimit.
Neni 48
Kryetar Kryesie mund të zgjidhet personi, që ka mbaruar medresenë dhe arsimimin universitar Islam, që është në marrëdhënje pune në Bashkësinë Islame së paku 10 vjet, që gëzon autoritet e besim tek myslimanët dhe që ka aftësi organizative.
Zgjedhja e kryetarit të Kryesisë bëhet me vota të fshehta dhe me më shumë kandidatë.
Kandidatët për kryetar të Kryesisë i propozojnë këshillat e Bashkësisë Islame, Fakulteti i Studimeve Islame dhe medresetë.
Kandidatët për kryetar të Kryesisë nuk mund të jenë më të rinj se 40 vjeç.
Neni 49
Kryetari i Kryesisë është njëherësh edhe myfti i Bashkësisë Islame.
Kryetar i Kryesisë nuk mund të jetë i njejti person më shumë se dy mandate.
Neni 50
Kryetari i Kryesisë:
- përfaqëson Bashkësinë Islame në vend dhe në Botën e jashtme;
- konvokon dhe kryeson mbledhjet e Kryesisë dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të Kryesisë e nënshkruan aktet e Kryesisë;
- organizon dhe mbikëqyr punën e shërbimeve profesionale të Kryesisë;
- u lëshon murasele (autorizime) hatibëve për xhuma dhe bajram;
- mbron interesat e Bashkësisë Islame dhe të myslimanëve tek organet dhe institucionet shtetërore.
Neni 51
Në Bashkësinë Islame kryhen veprimtari educative, fetaro – arsimore, profesionale dhe shkencore për përkujdesjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë Islame përmes Fakultetit, medreseve, institutive Islame, bibliotekave, arkivave dhe muzeve.
Neni 52
Fakulteti i Studimeve Islame është institucioni më i lartë arsimor në Bashkësinë Islame për aftësimin universitar të kuadrove, për kryerjen e detyrave profesionale në Bashkësinë Islame.
Neni 53
Medresetë janë shkolla të mesme ër aftësimin professional të kuadrove për punë në Bashkësinë Islame.
Neni 54
Institutet Islame janë qendra për veprimtari profesionale dhe për hulumtime shkencore në kuadër të Bashkësisë Islame.
Neni 55
Bibliotekat, arkivat dhe muzetë janë institucione, ku ruhen dhe prezantohen veprat me vlera islame, historike dhe kulturore.
Neni 56
Fakulteti i Studimeve Islame, medresetë dhe institucionet tjera gëzojnë autonomi mësimore, akademike, administrative dhe financiare.
Këto udhëhiqen nga drejtues të cilët i emëron Kryesia e Bashkësisë Islame.
Mbikëqyrjen e punës së tyre dhe financimin e bën Kryesia e Bashkësisë Islame. Mjetet për financimin e këtyre institucioneve sigurohen prej këshillave të Bashkësisë Islame dhe prej “Bejtul - malit”.
3. Kuvendi i Bashkësisë Islame
Neni 57
Kuvendi i Bashkësisë Islame është organi më i lartë përfaqësues dhe ligjdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës.
Selia e Kuvendit të Bashkësisë Islame është në Prishtinë.
Neni 58
Kuvendi ka aq anëtarë, sa është numri i këshillave të Bashkësisë Islame në territorin e tij.
Anëtarët e Kuvendit zgjidhen dhe mund të revokohen nga Këshillat e Bashkësisë Islame.
Fakulteti i Studimeve Islame dhe medresetë përfaqësohen në Kuvend me nga një anëtar të zgjedhur.
Mandati i anëtarëve të Kuvendit zgjat 5 (pesë) vjet.
Punën e Kuvendit e udhëheq kryetari i Kuvendit.
Kuvendi ka nënkryetarin, i cili në raste të sëmundjes, mungesës zyrtare ose për çfarëdo pengese, e zëvendëson kryetarin.
Kryetarin dhe nënkryetarin i zgjedh Kuvendi në mbledhjen e parë konstituive nga radha e anëtarëve të Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit konvokon dhe udhëheq mbledhjet e Kuvendit, nënshkruan të gjitha aktet e Kuvendit, përfaqëson Kuvendin; kryen edhe punë të tjera të parapara me Kushtetutë dhe me rregullore të punës.
Punët administrativo – teknike të Kuvendit i kryen sekretari i Kryesisë.
Neni 59
Kuvendi në kuadër të kompetencave të veta:
1. miraton Kushtetutën e Bashkësisë Islame dhe aktet e tjera të përgjithshme;
2. miraton Rregulloren e punës së vet;
3. cakton kahjet për punën e të gjitha organeve e të institucioneve të Bashkësisë Islame dhe ndjek realizimin dhe ligjshmërinë e tyre;
4. revokon kryetarin dhe anëtarët e Kryesisë;
5. vendos të hyjë në union me bashkësi të tjera Islame dhe për largimin prej tij;
6. me propozimin e Kryesisë, vendos për themelimin, bashkimin dhe suprimimin e këshillave të Bashkësisë Islame;
7. me propozimin e Kryesisë, themelon institucione të Bashkësisë Islame;
8. shqyrton dhe miraton raportin vjetor të punës së Kryesisë;
9. miraton planin financiar dhe llogarinë përfundimtare të Kryesisë.
10. miraton rregulloren për qeverisjen e vakëfeve;
11. miraton aktin për sigurimin e mjeteve për mbulimin e shpenzimeve të Kuvendit, të Kryesisë dhe të institucioneve të tyre;
12. emëron komisione të përkohshme dhe të përhershme;
13. miraton rregullore për taksa për shërbime të ndryshme administrative në Bashkësinë Islame;
14. nëpërmjet Komisionit për parashtresa dhe ankesa, vendos lidhur me ankesat ndaj vendimeve të Kryesisë;
15. emëron komisionin disiplinor të shkallës së dytë prej 5 (pesë) anëtarësh, të cilët nga radha e tyre zgjedhin kryetarin. Ky komision vendos lidhur me lëndët e shkallës së parë të Komisonit disiplinor të Kryesisë;
16. miraton Rregulloren mbi organizimin e Haxhit dhe të Umrës;
17. debaton dhe vendos për çështje të tjera me interes për Bashkësinë Islame.
Neni 60
Mbledhjet e Kuvendit janë të rregullta dhe të jashtëzakonshme.
Mbledhja e rregullt e Kuvendit konvokohet një herë në vit.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit konvokohet kur do të paraqitet nevoja, në bazë të kërkesës së arsyetuar me shkrim të së paku 1/3 të anëtarëve të Kuvendit ose të Kryesisë.
Mbledhjen e konvokon kryetari i Kuvendit.
VII. KUADROT E BASHKËSISË ISLAME
Neni 61
Punët fetare dhe fetaro – arsimore në kuadër të këshillave të Bashkësisë Islame i kryejnë:
- kryeimamët,
- imamët,
- hatibët,
- vaizët,
- mual – limët dhe
- myezinët e xhamive.
Neni 62
Kryeimami është autoritet fetar në territorin e Këshillit të Bashkësisë Islame, i cili ka për detyrë të harmonizojë dhe të koordinojë punën e imamëve, të organizojë jetën fetare dhe të kujdeset ër zbatimin e drejtë të normave të Sheriatit dhe të Bashkësisë Islame në territorin e vet.
Imami është personalitet fetar, i cili në territorin e xhematit të caktuar udhëheq ceremonitë e përbashkëta fetare, organizon aktivitete të ndryshme fetare dhe, si personalitet fetar, kultivon moralin Islam ndër myslimanët.
Hatibi është personaliteti fetar që posedon autorizimin (muraselen) për të mbajtur hytbe të xhumave dhe bajrameve.
Vaizi është personalitet i autorizuar, i cili përmes ligjeratave shpjegon parimet Islame.
Mualimi është personalitet fetar, i cili kryen arsimimin fetar të myslimanëve.
Myezini, i cili i plotëson kushtet e parapara, është punonjës fetar që ndihmon imamin në kryerjen e ibadeteve në grupe dhe në punë të tjera fetare, që kryhen në xhami dhe jashtë saj.
Neni 63
Punët administrative dhe profesionale i kryejnë kuadrot që punojnë në organet dhe institucionet e Bashkësisë Islame.
Neni 64
Punët arsimore – shkencore dhe edukative i kryejnë kuadrot që punojnë në institucionet e Bashkësisë Islame.
Neni 65
Përgjegjësi disiplinore të kuadrove të Bashkësisë Islame ka nëse:
- cenohen normat e sjelljes Islame dhe rregullat e parapara të Bashkësisë Islame;
- nuk kryhen dhe kryhen me parregullësi detyrimet e punës.
Përgjegjësi materiale ka nëse dëmi është shkaktuar me qëllim ose nga pakujdesia.
Procedura për vërtetimin e përgjegjësisë disiplinore dhe materiale rregullohet me akte të posaçme.
VIII. SISTEMI I ZGJEDHJEVE
Neni 66
Pjesëtari i Bashkësisë Islame, që ka mbushur 18 vjeç, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet dhe forumet e Bashkësisë Islame.
Të gjitha zgjedhjet bëhen me vota të fshehta dhe me më shumë kandidatë.
Neni 67
Zgjedhjet i udhëheq Kryesia, kurse i mbikëqyr komisioni kryesor i zgjedhjeve.
Komisioni i zgjedhjeve ka 8 (tetë) anëtarë.
Komisioni kryesor i zgjedhjeve emërohet së paku 8 (tetë) ditë pas shpalljes së zgjedhjeve.
Komisionin kryesor të zgjedhjeve e emëron Kryesia.
Neni 68
Shpalljen, datën dhe vendin e zgjedhjeve i cakton Kryesia.
Zgjedhjet shpallen më së paku 30 (tridhjetë) ditë para skadimit të mandatit.
Zgjedhjet duhet të mbahen në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e shpalljes së zgjedhjeve.
Neni 69
Mandati i organeve të Bashkësisë Islame që skadon në kushte të luftës, vazhdon deri sa të mbarojë lufta.
Për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës së organeve dhe të institucioneve të Bashkësisë Islame në kushte të luftës, përgjegjës janë kryetarët e organeve dhe drejtuesit e institucioneve.
Neni 70
Në raste të pamundësisë së funksionimit të Kuvendit dhe të Kryesisë së Bashkësisë Islame, të drejtat dhe detyrimet e Kuvendit dhe të Kryesisë barten në forumin e veçantë, të cilin e përbëjnë:
- kryetari i Kuvendit,
- kryetari i Kryesisë,
- sekretari i Kryesisë, dhe
- kryetarët e këshillave të Bashkësisë Islame, të cilët mund të marrin pjesë në punën e forumit.
Neni 71
Funksionari i zgjedhur në organet e Bashkësisë Islame për punën e vet përgjigjet para organit që e ka zgjedhur, respektivisht e ka emëruar.
Secili anëtar dhe funksionar mund të japër dorëheqje.
Funksionet në organet përfaqësuese dhe në ato ekzekutive të Bashkësisë Islame, janë të papajtueshme – anëtarëve të Kryesisë të zgjedhur nga radha e anëtarëve të Kuvendit u pushon mandate në Kuvend.
Udhëheqësit e institucioneve të Bashkësisë Islame nuk mund të jenë njëherësh edhe anëtarë të Kuvendit.
Neni 72
Dorëheqja ose shkarkimi i kryetarit të Kryesisë shkakton shkarkimin e tërë anëtarëve të Kryesisë.
Personave me përgjegjësi të veçanta me marrëdhënie pune në Bashkësinë Islame, të cilëve u skadon mandate ose japin dorëheqje, do t’u sigurohen në Bashkësinë Islame vende pune që i përgjigjen përgatitjes së tyre profesionale.
Neni 73
Secili funksionar ose anëtar i organit të Bashkësisë Islame mund të revokohet, nëse konstatohet se:
- nuk i kryen detyrat për të cilat është zgjedhur;
- qëndrimi, jeta dhe puna e tij janë në kundërshtim me Sheriatin dhe me dispozitat e Bashkësisë Islame;
- e keqpërdor pozitën e vet në dëm të interesit të Bashkësisë Islame dhe të atdheut;
- është i paaftë për t’i kryer detyrat e punës.
Vendimin për revokim e aprovon forumi zgjedhor competent me propozimin e së paku 1 të anëtarëve të vet ose organi që e ka emëruar.
Nëse organi ekzekutiv, përkatësisht funksionari, jep dorëheqje, dhe në raste të tjera kur skadon mandate, aim und të mbetet në detyrë derisa të zgjidhet organi i ri ekzekutiv, përkatësisht funksionari, por jo më shumë se 3 (tre) muaj, po qe se dorëheqja ose revokimi nuk është bërë për shkak të keqpërdorimit të pozitës.
Neni 74
Kryetari dhe anëtarët e Kryesisë, kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit, pas zgjedhjes, japin betimin.
Betimin e japin para forumit të vet zgjedhor.
Tekstin e betimit e cakton Kuvendi.
Neni 75
Mënyra e zgjedhjes dhe e shkarkimit të të gjitha organeve të Bashkësisë Islame përcaktohet me Rregulloren mbi zgjedhjet.
Këtë rregullore, me propozimin e Komisionit të Kuvendit, e miraton Kuvendi.
IX. NDËRRIMI I KUSHTETUTËS
Neni 76
Nxjerrjen dhe ndryshimin e Kushtetutës e miraton Kuvendi me procedurën e paraparë me këtë Kushtetutë.
Propozimin për ndërrimin e Kushtetutës e inicon Kryesia, 1/3 e anëtarëve të Kuvendit ose së paku 5 këshilla të Bashkësisë Islame.
Kushtetuta e Bashkësisë Islame mund të ndërrohet në tërësi ose me amendamente kushtetutare.
Propozimi për ndërrimin e Kushtetutës përmban dispozitat, ndërrimi i të cilave kërkon edhe arsyetimin përkatës me shkrim.
Nëse inicimi për ndërrimin e Kushtetutës nuk miratohet, për të njëjtën çështje nuk mund të vendoset sërish para se të kalojë një vit prej ditës kur është refuzuar propozimi.
Neni 77
Paraprojekti për ndërrimin e Kushtetutës hartohet nga Komisioni kushtetues i Kuvendit.
Paraprojekti për ndërrimin e Kushtetutës vihet në diskutim public, i cili nuk mund të jetë më i shkurtër se 30 (tridhjetë) ditë.
Pas diskutimit public, Komisioni kushtetues konfirmon projektin për ndërrimin e Kushtetutës dhe ia paraqet Kuvendit për miratim.
Ndërrimi i Kushtetutës miratohet nëse për të votojnë ? e anëtarëve të Kuvendit.
Miratimin e ndërrimit të Kushtetutës e shpall Kuvendi me vendim.
X. DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 78
Interpretimin autentik të dispozitave të kësaj Kushtetute e bën Komisioni kushtetues i Kuvendit.
Neni 79
Kryesia e Bashkësisë Islame boton gazetën e vet.
Neni 80
Të gjitha aktet e përgjithshme të Bashkësisë Islame duhet të harmonizohen me dispozitat e kësaj Kushtetute në afat prej 6 (gjashtë) muajsh pas shpalljes së saj.
Neni 81
Menjëherë pas shpalljes së Kushtetutës, e më së voni brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh, do të shpallen zgjedhjet e reja për të gjitha organet e Bashkësisë Islame.
Zgjedhjet do të kryhen sipas parimeve dhe sipas procedurës së zgjedhjeve që përmban kjo Kushtetutë.
Konstituimi i organeve të Bashkësisë Islame do të kryhet brenda afatit prej 2 (dy) muajsh prej ditës së zgjedhjes.
Neni 82
Me konsultimin e organeve të zgjedhura në pajtim me këtë Kushtetutë, pushon mandati i organeve të deritashme.
Neni 83
Kjo Kushtetutë hyn në fuqi ditën e shpalljes. /KBI-Bujanoc.com/
Qershor, 2002
KRYETARI I KUVENDIT TË
BASHKËSIË ISLAME TË KOSOVËS
Prof. Naim ef. Tërnava
5796 Shikime