12.02.2024
ISRAJA DHE MIRAXHI ( Mrekulli e analizave dhe mendjeve të mëdha )
www.kbi-bujanoc.com
Thotë Allahu i lartmadhëruar në Kuran:
“I pa të meta është, Ai i cili e barti robin e Tij (Muhamedin) natën, nga xhamia e shenjtë (Qabja) në xhaminë e largët (xhamia e kudsit në Palestinë), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për ti treguar atij disa nga mrekullitë tona. Ai (Allahu), me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë”. (Kaptina El israë – 1)
Israja është: Udhëtimi që iu bë Muhamedit s.a.v.s. nga xhamia e Qabes, deri në xhaminë e Kudsit në Palestinë.
Miraxhi është: Udhëtimi që i’u bë Muhamedit s.a.v.s. prej xhamisë së Kudsit, në shtatë qiellat e deri në sferat më të larta dhe deri te sidretul munteha (jashtë shtatë qiellave).
Ngjarja e Israsë dhe Miraxhit, llogaritet ndër tri ngjarjet më të rëndësishme në fenë islame. E ato janë: Shpallja e Kuranit, Israja dhe Miraxhi dhe Shpërngulja e Muhamedit s.a.v.s. prej Mekës në Medine.
Konsiderohet udhëtimi më madhështor në historinë e njerëzimit, që ka mundur ti ndodhë dikujt.
Ky udhëtim erdhi, pasi Muhamedit s.a.v.s. në këtë vit i vdiq axha i tij Ebu Talibi dhe gruaja e tij Hatixhja. E kur Muhamedi s.a.v.s. u dëshprua dhe u mërzit shumë, e pastaj tentoi të gjejë ndihmë jashtë Mekës dhe shkoi në qytetin e Taifit, ku edhe aty u refuzua, u keqtrajtua dhe u dëbua prej aty,, atij nuk i mbeti asgjë tjetër, vetëm se të mbështetet plotësisht te Zoti dhe të kërkojë ndihmë vetëm prej tij.
Dhe këtu vjen ndihma e Zotit. Ndihma e Zotit vjen te njeriu, vetëm kur ai i shfrytëzon të gjitha mundësitë njerëzore, dhe nuk ka sukses, e pastaj i mbështetet Zotit.
Muhamedi s.a.v.s. kur u kthye nga Taifi, i lodhur, i mërzitur, nuk kishte më ku të kërkonte ndihmë. Dhe deri sa kishte pushuar në gjumë, i vie meleku Xhibril dhe i thotë: Çohu o Muhamed, se do të jesh sonte mysafit i Allahut të madhëruar.
Muhamedi s.a.v.s. u ngrit, bëri një tavaf në qabe dhe bashkë me Xhibrilin, me kafshën e quajtur Burak, filluan udhëtimin drejt xhamisë së Kudsit. Aty u takua me të gjithë Pejgamberët dhe i fali dy rekate namaz duke u bërë imam i tyre.
Pas kësaj, bashkë me xhibrilin me kafshën Burak u drejtuan drejt qiellave. I vizituan çdo qiell veç e veç, dhe në secilen qiell u takuan me pjgamberë të ndryshëm.
E kur arritën në fund të qiellit të shtatë, xhibrili u ndal dhe i tha Muhamedit se unë nuk guxoj më tutje, kurse ti do të vazhdosh vetëm.
Muhamedi s.a.v.s. vazhdoi rrugën jashta sferave qiellore, dhe u takua me Allahun e madhëruar, pa përcaktuar formë dhe mënyrë të pamjes dhe takimit.
Në këtë udhëtim, Muhamedi s.a.v.s. e pa Allahun e madhëruar, e pa xhenetin dhe xhehenemin, i pa të shpërblyerit në xhenet dhe të dënuarit në xhehenem. E pa botën tjetër botën e pas vdekjes, e pa botën e melaqeve se si dhe sa e adhurojnë Zotin etj.
Pas këtij udhëtimi të programuar mirë nga ana e Allahut, Muhamedi s.a.v.s. u kthye në vendin e tij nga ku kishte filluar udhëtimin.
Kjo ishte një energji dhe përkrahje e madhe për të nga ana e Zotit për të vazhduar misionin e tij për përhapjen e islamit.
Këtu shtrohet një pyetje: Muhamedi s.a.v.s. ishte i gatshëm të takohet me Allahun, edhe pse erdhi papritmas ky udhëtim. Kurse ti o musliman: A je i gatshëm të takohesh me Allahun në çdo moment nëse ndodh ? A i rregulluar punët mirë me Zoti për çdo takim eventual ?! apo do të kërkosh kohë shtesë. dhe kur e dimë se exheli vjen vetëm në kohë të caktuar.
Ngjarja e Israsë dhe Miraxhit, vërtetohet me Kuran. E kur diçka vërtetohet me Kuran, për njeriun nuk mbetet tjetër veç se ta besojë atë sepse është nga Zoti.
Dhe kjo duhet të jetë kështu për muslimanin, për të gjitha porositë e Zotit.
Nuk mbetet për njeriun që të krahasojë ligjet e Zotit me ligjet e tokës. Sepse kjo ngjarje jep të kuptohet se ka shumë gjëra që janë mbi fuqinë dhe kapacitetin e mendjes njerëzore.
Allahu përmes kësaj ngjarje dhe të tjera, i sfidon fuqitë mendore të njerëzve, dhe të gjitha zbulimet shkencore bashkohore.
Kurani tregon se ky udhëtim u bë natën. Pse u bë natën? Sepse nata është kohë me vlerë të madhe, është kohë e cila: Njerëzit e devotshëm, adhuruesit e Zotit në pjesën e tretë të natës, shkenctarët, dijetarët, etj. e shfrytëzojnë frymëzimin dhe qetësinë e natës për arritjen e synimeve të tyre.
Kurse njerëzit e lig, hajnat, mëkatarët, kriminelët etj. e shfrytëzojnë për fshehje të krimeve të tyre gjatë natës.
Kjo jep sinjal, se nata është kohë shumë me vlerë për arritjen e synimeve dhe suksesve tona në jetë, dhe që të afrohemi sa më shumë te Zoti përmes namazit të natës, adhurimeve, kërkimfaljes, lutjeve tona për nevojat e kësaj bote dhe botës tjetë, të rregullojmë sa më mirë jetën tonë etj.
Israja dhe Miraxhi, konsiderohet ngjarje mrekulli për mendje të mëdha, dhe jo për mendje me kapacitet të kufizuar logjik.
BESIMI NË PADUKSHMËRI DHE NË BOTËN TJETËR
Israja dhe Miraxhi, është argument i madh për ekzistencën e Zotit, sepse dikush e ka pa Zotin dhe është takuar me të, dhe ai është Muhamedi s.a.v.s.
Është argument për jetën e pas vdekjes,, për jetën e varrit,, për jetën e xhenetit dhe dënimet në xhehenem, sepse dikush i ka parë këto, dhe ai është Muhamedi s.a.v.s.
Është argumet për ekzistencën e shtatë qiellave, dhe hapsirës jashtëqiellore, sepse Muhamedi s.a.v.s. i ka parë ato.
Është argumet për shumë e shumë gjëra që ne i besojmë dhe nuk i kemi pa.
Të gjitha këto, Allahu ia mundësoi Muhamedit s.a.v.s. që ti sheh, e pastaj të na tregon neve, dhe ne ti besojmë me bindje.
Andaj, çdo kush që na thotë se: A mos është kthyer dikush që të na tregon për botën tjetër, për dënimet dhe shpërblimet..? I themi se po. I ka pa të gjitha këto Muhamedi s.a.v.s. dhe na ka treguar neve.
E nëse shtrohet pyetja: Pse të mos i shohim edhe ne këto: Sepse mendja e njeriut nuk ka fuqi dhe kapacitet që ti përballon këtyre pamjeve, por i mjafton që na ka treguar Zoti me Kuran. Pastaj i ka parë dikush, që të na tregon neve, dhe ne ti besojmë me bindje të plotë.
Gjithashtu na tregon për raportin qiell-tokë, përmes xhibrilit përfaqësues nga ana e Zotit, dhe përmes Muhamedit përfaqësues nga ana e njerëzve.
E gjitha kjo për të mirën e njerëzimit.
PAMJET QË I PA MUHAMEDI GJATË KËTIJ UDHËTIMI
I pa, melaqet të panumërta që bënin adhurim Zotit në qiellën e shtatë në Bejtul Ma’mur (një qabe aty).
I pa, dëshmorët duke jetuar shpërblimin e punës së tyre që kishin dhënë jetën për hirë të Allahut.
E pa, shërbëtoren e vajzës së Faraonit në qiell, e cila kishte flijuar 4 fëmijët e saj dhe veten, duke u djegur nga Faraoni, dhe nuk e pranoi se Faraoni është Zot, por i tha atij në sy: Ti nuk je Zot.. Zoti im dhe i yti është Allahu. Faraoni e djegi atë dhe 4 fëmijët e saj, por ajo nuk u lëkund nga bindja ndaj Zotit, as edhe para Faraonit. Për këtë ajo u shpërblye me dëshmorët në qeill.
E Pa xheneti, dhe si shpërblehen njerëzit aty.
E pa xhehenemin dhe se si dënohen njerëzit aty.
I pa si dënohen njerëzit e prostitucionit (zinasë)
I pa ata që dënohen për përgojimet e njerëzve dhe nderin e tyre.
I pa dënuesit e mosfaljes së namazit, duke u goditur me kokën në guri të zjarrtë me gjemba etj. etj.
OBLIGIMI I NAMAZIT NË KËTË NATË
Në takimin e Muhamedit s.a.v.s. me Allahun, Allahu atij ia dha 50 namaze brenda natës dhe ditës. Por Muhamedi s.a.v.s. me propozimin e Pejgamberit Musa a.s. kërkoi te Zoti që ti lehtësojë këto 50 namaze, dhe Allahu ia lehtësoi në 5 namaze në vepër por ia la 50 në shpërblim.
Dhe për hirë të namazit, edhe veprat e mira që i bëjmë, për çdo vepër shpërblehemi me 10 sevape.
Kjo mënyrë e obligimit të namazit tregon për madhështinë dhe rëndësinë e namazit, dhe se asnjë musliman nuk guxon kurrë ta lë as vetëm një namaz pa arsye.
RAGMI DESTANI
338 Shikime