18.10.2023
Junusi a.s., simbol i dënimit dhe i faljes hyjnore
www.kbi-bujanoc.com
Junusi a.s. rrjedh prej familjes së profetit Ibrahim a.s.. Emri i tij është Junus ibnu Meta. Tregimi i tij përmendet në disa sure të Kuranit, siç janë: El-Enam, Junus, El-Enbija, Safat. Ai ishte dërguar te populli Nejneva, në njërën prej regjioneve të Mosulit, në veri të Irakut të sotëm.
Lidhur me profetësinë e tij, Zoti në Kuran ka thënë: "Junusi ka qenë gjithashtu njëri nga të dërguarit."(1)
Banorët e Nejnevas ishin të shumtë në numër, gjë e cila ceket dhe në një ajet të Kuranit: "Pastaj e dërguam atë te njëqindmijë e më tepër njerëz."(2)
Edhe Junusi a.s., si të gjithë profetët, ishte një njeri i zgjedhur i Zotit. Ai, e këshillonte popullin e tij ditë e natë, duke i ftuar në rrugën e drejtë. Iu kujtonte atyre Ditën e Gjykimit, u tregonte sa vend i keq është Xhehenemi për ata që nuk besojnë e bëjnë vepra të këqija, u shpjegonte për mrekullitë e Xhenetit, të cilat i presin besimtarët e sinqertë dhe të drejtë, i ftonte pa pushim për të bërë vepra të mira dhe ua përsëriste shumë e shumë herë se duhej t’i besonin Një Zoti të vetëm, Zotit të gjithësisë. Po gjithë ky mund që bëri për popullin e tij, ishte i kotë. As edhe një person i vetëm nga populli i tij nuk e besonte.
Junusi a.s. i paralajmëroi se ndëshkimin i Zotit, kishte për të qenë i vështirë. Ndërkaq, ata duke qeshur e duke u tallur me këtë paralajmërim i thanë: “Po që se do të na vjen ndëshkimi për hatër të një njeriu e do të na shkatërrojë, urdhëro, le të na vjen!”(3)
Junusi a.s. u hidhërua shumë për këtë kokëfortësi të popullit të tij në mohim dhe u largua nga populli i tij. Zoti i kishte dhënë leje që t'ju tregonte mbi afatin tre ditorë, por nuk i kishte dhënë leje të largohej nga qyteti. Zoti në Kuran ka thënë: "(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar..."(4)
Pendimi dhe falja
Ndërkohë, shenjat e para të ndëshkimit filluan të shfaqeshin në Nejneva. Një re e madhe dhe e zezë plot me shkreptima filloi t'u afrohej banorëve të qytetit. Kur e panë renë në ditën e parë, banorët e kuptuan se po u afrohej ndëshkimi, ashtu siç i kishte paralajmëruar Junusi a.s.. Duke qenë se ishin afër popullit të Lutit, ata e dinin se çfarë i kishte ngjarë atij populli. Të frikësuar, paria e Nejnevasë u mblodhën të diskutojnë mbi hapat e mëtejshëm. Ata vendosën që t’i mblidhnin të gjithë njerëzit e qytetit dhe u thanë: "Kjo që po na ndodh është pikërisht paralajmërimi i Junusit a.s.. Sot nuk kemi shpëtim tjetër veçse të pendohemi dhe të pranojmë fenë e Junusit a.s.." Kështu të gjithë banorët e qytetit, njëqind e njëzet mijë, pranuan besimin monoteist, ndërkohë që Junusi a.s. nuk ndodhej aty. Veç kësaj, ata veshën rroba plot arna, si shenjë përuljeje ndaj Zotit, i ndanë nënat nga foshnjat e tyre që të qajnë të dyja palët, u ngjitën në kodra dhe filluan të luteshin dhe të përgjëroheshin. Kjo ndodhi, derisa reja e zezë ende po qëndronte sipër kokave të tyre. Për tre ditë ata u lutën me përgjërim, derisa Zoti ua pranoi lutjet dhe e largoi ndëshkimin e Tij. Zoti në Kuran thotë: "Përse nuk pati ndonjë qytet, banorët e të cilit të besonin e t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin e poshtërimit në jetën e kësaj bote dhe i lamë të kënaqeshin edhe njëfarë kohe."(5)
I vetmi popull që ka shpëtuar pasi është penduar, megjithëse e ka bërë hak ndëshkimin për shkak të mosbesimit është populli i Junusit a.s.. Ibnu Kethiri ka thënë: "Vetë ajeti tregon se nuk ekziston fshat dhe qytet tjetër që të kenë besuar të gjithë siç besoi populli i Junusit a.s.." Në çdo fshat dhe qytet, do të gjesh besimtarë dhe jobesimtarë, kurse populli i Junusit a.s. të gjithë, pa përjashtim, përqafuan fenë e vërtetë, Islamin.
Junusi a.s. i hidhëruar nga populli i tij shkoi drejt brigjeve të lumit Tigër për t’u larguar nga populli i tij dhe hipi mbi një anije që ishte me njerëz dhe mallra. Për këtë, Zoti në Kuran ka thënë: "Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot."(6)
Gjatë lundrimit, filloi një stuhi e madhe, e cila rrezikonte anijen bashkë me njerëzit. Të frikësuar nga mundësia e mbytjes, njerëzit filluan të hidhnin në det të gjithë ngarkesën e anijes, por dallgët e detit nuk u ndalën dhe filluan polemikat ndërmjet njerëzve se cili nga këta është mëkatarë. Ata ranë dakord që të hidhnin short, kujtdo që i binte shorti që të hidhej në det, do të hidhej derisa të lehtësohej anija. Kur hodhën shortin, të parit që të hidhej në det i qëlloi Junusit a.s.. Të tjerët thanë: "Jo, ky është një djalë i ri dhe ka shenja ndershmërie. Le ta falim këtë herë dhe të hedhim sërish short." Edhe për herën e dytë, shorti i ra Junusit a.s.. Po ashtu edhe herën e tretë. Zoti në Kuran thotë: “...dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe Junusi humbi.”(7)
Atëherë të gjithë ranë dakord që ta hidhnin në det. Me të hedhur në det Junusin a.s., stuhia pushoi dhe deti u qetësua. Kështu që balena e gëlltiti Junusin a.s.. Zoti në Kuran thotë: "Pastaj atë e gëlltiti një balenë, se ai kishte bërë diçka të gabuar."(8)
Zoti e urdhëroi balenën që të mos ia thyente eshtrat dhe që mos t’ia dëmtonte mishin. Junusi a.s. e kuptoi se kjo i ndodhi për shkak se u largua nga populli i tij pa lejen e Zotit. Sipas disa transmetimeve, thuhet se Junusi a.s. qëndroi në barkun e balenës për tri ditë. Ndërkohë që në disa transmetime të tjera thuhet se qëndroi dyzet ditë.
Ndërkohë që Junusi a.s. ndodhej në errësirën e barkut të balenës, errësirën e detit dhe të natës, ai vazhdoi të shprehte pendesë e të lutej. Kur engjëjt e morën vesh gjendjen e tij, ndërhyn te Zoti për falje për të. Pas përsëritjes së shumtë të shprehjes pendestare nga Junusi a.s., ai i vetëm në barkun e balenës, filloi të lutej me përgjërim.
Zoti në Kuran thotë: “Andaj thërriti nga errësirat: “S’ka Zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (9)
Po ashtu, Zoti ka thënë: "Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët."(10)
Në një hadith të transmetuar nga Imam Ahmedi, Nesaiu, Tirmidhiu dhe të tjerë Pejgamberi Muhamed a.s. ka thënë: "Lutja e Dhununit (Junusit) në barkun e balenës ishte: "S’ka Zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” Nuk ka besimtar që e lut Zotin me këtë lutje, veçse Ai do t’ia pranojë lutjen."
Pasi Zoti ia pranoi lutjen, balena e afroi pranë bregut dhe e nxori jashtë. Zoti në Kuran thotë: "Por Ne e hodhëm atë në një breg të shkretë, duke qenë i sëmurë."(11)
Vendi ku e nxori balena ishte një vend i shkretë pa bimë dhe pemë dhe nuk kishte asgjë për t’u ushqyer, e as rroba për ta mbuluar trupin e tij. Në këtë çast ndodhi një mrekulli tjetër, ku pranë tij mbin një kungull, gjethet e të cilit janë të mëdha dhe bëjnë hije. Zoti në Kuran ka thënë: “Dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungull."
Historia e Junusit a.s. është një mësim për të gjithë ata që ftojnë njerëzit në rrugën e Zotit, që të mos i humbasin shpresat. Në çastin që Junusi a.s. i këputi shpresat ndaj popullit të tij dhe u largua, ata besuan. Sikur Junusi a.s. të mos kishte qenë një rob që përmendte e i lutej Zotit, ai do rrinte në barkun e balenës deri në Ditën e Mbramë.
_________
1. Es-Safat, 139.
2. Es-Safat, 147.
3. Osman Nuri Topbash “Vargu i profetëve”, Stamboll, 2005, f. 135.
4. El-Enbija, 87.
5. Junus, 98.
6. Es-Safat, 140.
7. Es-Safat, 141.
8. Es-Safat, 142.
9. El-Enbija, 87.
10. El-Enbija, 88.
11. El-Safat, 145.
Ibrahim Iljazi
253 Shikime