Manifestimi i Mevludit në Prishtinë, në vitin 1912

11.10.2023

Manifestimi i Mevludit në Prishtinë, në vitin 1912


Manifestimi i Mevludit në Prishtinë, në vitin 1912

www.kbi-bujanoc.com

Dihet mirëfilli se, poezia dhe poetët, përgjatë historisë kanë pasur një rol të veçantë në jetën shoqërore dhe në kulturën arabe. Janë të njohura garat e poetëve në Meke gjatë kohës së haxhit, ku poezitë e përzgjedhura vareshin në dyert e Qabesë së bekuar, dhe s’ka dyshim se ato kanë ndikuar në formimin e ideve, opinionit dhe të edukimit të shoqërisë. Kur lexojmë biografinë e të dashurit tonë Muhamedit a.s. gjejmë se Pejgamberi a.s. u kishte dhënë poetëve pozitën e tyre të merituar, duke i respektuar e duke i nderuar për poezitë që thurnin në lavdërim të fesë islame dhe të personalitetit të tij. Në to pasqyroheshin mirësitë e fesë islame dhe kundërshtoheshin poetët e tjerë jobesimtarë, të cilët thumbonin e mohonin fenë dhe misionin e ndritshëm të Muhamedit a.s.
Andaj, gjejmë edhe hadithe të Muhamedit a.s., kur i drejtohet Hasan ibën Thabitit (vd. 54/674), duke i thënë: “Thuaja poezisë o Hasan, se Xhibrili po të ndihmon”, e në nderim të tij, Muhamedi a.s. ia kishte shtruar xhyben e vet, që ai të ulet mbi të e t’ia thoshte poezisë: 

“Të bukur sikur ty, 
nuk më kanë parë sytë kurrë, 
sikur ti nuk ka lind nëna, 
je krijuar pa asnjë të metë, 
ashtu sikur do të dëshiroje vetë.” 

Pas vdekjes së Muhamedit a.s., në botë u krijuan shumë vepra letrare e artistike në fusha të ndryshme, me qëllim të lavdërimit të figurës së Pejgamberit a.s. Një ndër krijimtaritë letrare e artistike me të përhapura në botën islame, që lavdëron të Dërguarin e Zotit, Muhamedin a.s., është mevludi.(1)
Mevludi, si një krijimtari letrare e artistike, që për trajtim ka lindjen e Muhamedit a.s. dhe si një traditë festimi, zë një vend të rëndësishëm, si në letërsi ashtu edhe në jetën kulturore të shoqërive, të cilat janë të nderuara me pranimin e fesë islame. Manifestimi i mevludit në botën islame ka filluar në shekullin X në Egjipt, përgjatë kohës së sundimit të Fatimive. Në fillimin e tij, mevludi nuk u pranua sa duhet nga myslimanët për shkak të mënyrës së manifestimit.(2) Manifestimi në mënyrë të organizuar e masive i mevludit përsëritet në mbarim të shek. XII dhe në fillim të shek. XIII. Ky manifestim u organizua nga sundimtari i atëhershëm i Erbilit (qytet në veri të Irakut), mbreti Muzafer Kevkeburi, i cili ishte një nga sundimtarët e famshëm, bujar dhe humanist i madh, njëherësh ai ishte dhëndër i Salaudin Ejubit. Në këtë mënyrë është shkruar edhe mevludi i parë “Kitabu’t-Tenvir fi Mevlidi’s-Siraxhi’l-Munir” nga Ebu’l- Hafiz Hattab b. Dihje el- Endelusi. Sulltan Kevkeburi e shpërbleu autorin për këtë vepër me 1.000 dinarë. Pas kësaj, tradita e festimit të mevludit u përhap në tërë botën islame.(3) Edhe në protokollin e sarajit osman shihet se mevludi është festuar në mënyrë zyrtare, por nuk ka informacione të sigurta se prej kur ka filluar të festohet mevludi tek osmanët. Në bazë të disa regjistrave, në disa vakëfname, shihet se fillimi i traditës së festimit të mevludit daton që nga koha e Osman Gazit. Ndërsa në disa burime historike shihet se, në periudhën e Sulltan Selimit të Dytë ka filluar tradita e zbukurimit të xhamive me kandila në ditët e netët e mëdha, si dhe organizimi i manifestimeve. Këto manifestime janë bërë në mënyrë të rregullt tek në kohën e Sulltan Ahmetit të Parë. Mendimi më i pranuar është se, nga viti 1558, në kohën e Sulltan Muratit të Tretë, mevludi është festuar në mënyrë zyrtare në protokollin e shtetit osman dhe se me kalimin e kohës ka filluar të përhapet edhe në masë të gjerë, te popullata.(4)
Mevludi në Ballkan, i cili është i ndikuar plotësisht nga tradita osmane, ka fituar një kuptim të gjerë, veçanërisht me rastin e ditëlindjes së të Dërguarit të Zotit, Muhamedit a.s., si dhe me rastin e disa ngjarjeve që kanë karakter fetar. Në bazë të të dhënave, mevludi në Ballkan ka filluar të festohet në mënyrë jozyrtare, më 12 Rebiul evel, datë e cila është e pranuar si ditëlindja e Muhamedit a.s. P.sh. në vakëfnamenë e Xhamisë Gazi Hysrev Beg në Sarajevë, të vitit 1531, është e shënuar se janë ndarë për mevlud 300 dërhem. Kjo datë tregon se, ceremonia e mevludit u mbajt 68 vjet më pas, pasi që Fatih Sulltan Mehmeti pushtoi Bosnjën (1463).(5) Të dhëna të ngjashme gjenden edhe në vakëfnametë e xhamive të tjera të rajonit, si dhe në testamentet personale. P.sh. në vakëfnamenë e Xhamisë Jashar Pasha të Prishtinës, të vitit 1836, është kushtëzuar që çdo vit të ndahen 500 grosh nga qiraja e mullirit të fshatit Lluzhan për këndimin e mevludit.(6)
I pari që filloi praktikën e ndezjes së kandilave në minaret e xhamive gjatë këndimit të mevludit ishte Shejh Nexhmeddin Hasan, i cili ishte ndihmës i Bali Efendiut nga Sofja, e ky i fundit ka qenë nxënës i Shejhul islam Shejhi Efendiut. Një praktikë e tillë i pëlqeu shumë Sulltan Muradit të Tretë, kështu që ai më 10 shkurt 1588, urdhëroi që të ndizen kandilat në të gjitha minaret e xhamive, me rastin e ditëlindjes së të Dërguarit të Zotit, Muhamedit a.s., si dhe të këndohet mevludi në xhami dhe në mesxhide. Nga kjo datë, mevludi filloi të festohet edhe zyrtarisht në Ballkan.(7)

Manifestimi i Mevludit te shqiptarët

Mevludi në trojet shqiptare është festuar duke organizuar ceremoni të ndryshme. Kjo ngase, populli shqiptar me pranimin e fesë islame mbolli dashuri të madhe në zemrat e tyre për Islamin dhe për Pejgamberin e Allahut, Muhamedin a.s. Këtë dashuri të madhe për Muhamedin a.s. e dëshmon edhe përkthimi dhe shkrimi me mjeshtëri dhe në mënyrë artistike i shumë mevludeve në gjuhën shqipe nga personalitet të njohura shqiptare. Ndër më të njohurit janë Hasan Zyko Kamberi, Ismail Flloqi, Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Tahir efendi Popova etj.(8)


Këndimi i Mevludit në Prishtinë, në vitin 1912

Në bazë të dokumenteve arkivore ormanë që i kemi hasur gjatë hulumtimeve, shohim se në Prishtinë, në vitin 1912, me urdhrin e Sulltanit është festuar mevludi dhe është bërë duaja e hatmes në mënyrë zyrtare. Kjo ceremoni është bërë me datën 12 Rebiul Evel të vitit 1330 (01.03.1912), në ditën e xhuma, në Xhaminë Sulltan Mehmet Fatih (Xhamia e Madhe) dhe në Xhaminë Sulltan Murad (Xhamisë e Çarshisë). Në bazë të dokumenteve osmane që kemi siguruar ne, vërejmë se manifestimi i mevludit që ishte planifikuar të mbahej në Xhaminë e Madhe, u detyrua të mbahej edhe në Xhaminë e Çarshisë, për shkak të pjesëmarrjes së mijëra njerëzve, që ishin përmalluar e mallëngjyer për Pejgamberin a.s.(9)
Në një dokument tjetër shihet se zyrtari i ngarkuar për organizimin e ceremonisë së manifestimit të mevludit, e njofton valiun e Kosovës (në dokumentin në fjalë nuk ceket emri i valiut të Kosovës dhe as emri i zyrtarit) për përgatitjet e ceremonisë. Ai po ashtu e njofton se numri i pjesëmarrësve do të jetë i madh, e për këtë arsye duhet që sasia e gjërave të porositura të rritet më shumë dhe të jenë në Prishtinë dy ditë para ceremonisë, përkatësisht më 10 Rebiul Evel 1330 (28.02.1912).(10)
Në traditën osmane, gjatë ceremonisë së këndimit të mevludit janë shpërndarë sheqerka, sherbet e dhurata të ndryshme. Këtë traditë e shohim edhe të vakëfnameja e Jashar Pashës, ku për gjëra të tilla është ndarë shuma prej 500 groshësh. Në të thuhet: “Të shpenzohen 500 grosh për parfum trëndafili që t’ju shpërndahet xhematit në fillim të ceremonisë, për ndezjen e vajrave aromatike, si dhe për shërbim të sherbetit pasi që të ulen në xhami, kur ata të ngrihen në këmbë në shenjë respekti në momentin kur të përmendet lindja e Pejgamberit a.s., e që është një traditë e mirë, në xhaminë e lartpërmendur (Jashar Pashës), në ditën e 12 të muajit Rebiul Evel.”(11)
Ceremonia ka filluar me duanë e hatmes para namazit të xhumasë, ndërsa pas namazit është kënduar mevludi.


Faksimile e vakëfnames së Jashar Pashës

Këndimi i Mevludit në Xhaminë Sulltan Mehmet Fatih (Xhaminë e Madhe)

Ata që kënduan hatme në këtë xhami ishin:
Hafëz Sulejman Efendiu; Imam, hafëz Rexhep Efendiu; Mualim, hafëz Rexhep Efendiu; Imam, hafëz Jusuf Efendiu; Myezin, hafëz Xhemal Efendiu; Myezin, hafëz Jusuf Efendiu;
Hafëz Jahja Efendiu;
Hafëz Sait Efendiu;
Hafëz Besim Efendiu;
Hafëz Jasin Efendiu;
Hafëz Mahmut Efendiu;
Hafëz Jusuf Efendiu, prej Medresesë;
Hafëz Islam Efendiu, prej Medresesë;
Muhaxhir Hafëz Osman Efendiu.
Ndërsa ata që e kanë kënduar mevludin kanë qenë:
Imami i Topçive, hafëz Mehmet Efendiu;
Hafëz Tevfik Efendiu;
Hafëz Sait Efendiu;
Hafëz Mahmut Efendiu; Kujdestari i xhamisë, hafëz Tevfik Efendiu. 
Duanë e ka bërë Myfti Efendiu. Personeli i kësaj xhamie ishte i përbërë nga vaiz, myderriz Nazif Efendiu, imam Jusuf Efendiu, myezin, hafëz Jusuf Efendiu, myezin, hafëz Xhemal Efendiu dhe kujdestari i xhamisë Osman Efendiu. 12

Këndimi i Mevludit në Xhaminë e Sulltan Muratit (Xhaminë e Çarshisë)

Ata që kënduan hatme në këtë xhami ishin:
Hafëz Abdullah Efendiu; Hafëz Sherif Efendiu; Haxhi Junus Efendiu;
Hafëz Ali Efendiu, nga Medreseja; Vëllai i hafëz Ali Efendiut, nga Medreseja;
Vëllai tjetër i hafëz Ali Efendiut, nga Medreseja;
Hafëz Osman Efendiu;
Hafëz Ishak Efendiu; Hafëz Hasani, i biri i Sadik Efendiut;
Hafëz Ismail Efendiu, nga Medreseja;
Hafëz Sait Sidki Efendiu;
Hafëz Rifat Efendiu;
Hafëz Mehmet Efendiu;
Hafëz Iljas Efendiu.
Ndërsa ata që e kanë kënduar mevludin kanë qenë:
Mulla Abdullah Efendiu; Muhaxher, hafëz Mahmut Efendiu;
Hafëz Abdurrahim Efendiu;
Hafëz Osman Efendiu;
Hafëz Ahmet Efendiu, nga Dobërçani.
Duanë e ka bërë Omer Efendiu. Personeli i kësaj xhamie ishte i përbërë nga Imam, hafëz Osman Efendiu, myezin Ismail Efendiu, myezin Zahit Efendiu dhe kujdestari i xhamisë, Mulla Emini.(13)
Shpenzimet e këtij manifestimi për të dyja xhamitë kanë pasur koston 4960 grosh, apo 40 lira, të cilat janë mbuluar nga shteti.
Në një dokument të datës 14.03.1330/03.03.1912 thuhet se, ministri i jashtëm Haci Adil Efendiu, i cili ka qenë në Prishtinë, është njoftuar se Sulltani (Sulltan Reshati) ka qenë i kënaqur me manifestimin e mevludit në Prishtinë. (14)
Nga dokumentet e kohës, shohim se tradita e këndimit të mevludit ka qenë e kahershme dhe fatmirësisht kjo traditë ende edhe sot e kësaj dite vazhdon të praktikohet në xhamitë qendrore të Kosovës.


_____________________________
1. Isa Onay, “Mevlitlerde ve Naatlarda Hz. Peygamber’in Efdaliyetine Iliskin Tasavvurun Dini Referanslar Aç?s?ndan Degeri”, Marife Dini Ara?tirmalar Dergisi 19/2, 2019, fq. 493-494. 
2. Mehmet Seker, “Osmanlilarda Mevlid Alayi”, Diyanet Ilmi Dergi 35/1 (1999), fq. 28. 
3. Ali Ihsan Karatas, “Osmanli Toplumunda Hz. Peygamber Sevgisinin Tezahuru Olarak Kurulan Mevlid Vak?flar?”, Istem 11/6 (2008), fq. 50-51. 
4. ?eker, po aty, fq. 29. 
5. Muhammed Aruçi, Balkanlar’da Mevlid Gelenegi, Din ve Hayat: Istanbul Muftulugu Dergisi 1 (2007), fq. 68-69. 
6. BOA, EV.VKF., 25/8, 29.12.1202 / 30.0.1788, fq. 10. 
7. Aruçi, po aty, fq. 69. 
8. Ramadan Shkodra, “Manifestimi i Mevludit në Kosovë (dikur dhe sot)”, Përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor (Prishtine, 22 Prill 2009), Prishtinë, 2010. 
9. BOA, DH.MU?., 153/49, h. 12.03.1330 /m. 01.03.1912.
10. BOA, DH.MU?., 153/16, h. 05.03.1330 /m. 23.02.1912. 
11. BOA, EV.VKF., po aty, fq. 10. 
12. BOA, HSDHADB, 4/33, 18.12.1327/02.03.1912, fq. 2. 
13. BOA, HSDHADB, po aty, fq. 2. 
14. BOA, MB.I…, 159/59, 14.03.1330/03.03.1912.



PhD (c) Besir Neziri
Dituria Islame 359

255 Shikime