Mevludin shënoje, sunetin gjallëroje!

06.10.2023

Mevludin shënoje, sunetin gjallëroje!


Mevludin shënoje, sunetin gjallëroje!

www.kbi-bujanoc.com

Jemi në muajin rebiu-l-evel, në muajin e mevludit, muaji në të cilin është lindur i dashuri i Allahut, mëshira e botëve, Muhamedi (a.s.).

Në mbarë vendin tonë, por edhe në mbarë botën islame do të organizohen programe të ndryshme, të cilat do ta shënojnë ditëlindjen e Pejgamberit, do ta shënojnë mevludin. Ato programe, mevlude janë traditë e jona prej së cilës nuk duhet, më mirë të themi, nuk guxojmë të heqim dorë. Në përmbajtjen e tyre e kanë edhe dhikrin, edhe salavatin, janë përplot me mesazhe, të cilat janë të rëndësishme për jetën tonë në të dy botët. Megjithatë, duhet të thuhet qartë, duhet të theksohet, se ne në Ditën e gjykimit nuk do të pyetemi: a e kemi shënuar ditëlindjen e Pejgamberit, sepse kjo nuk bën pjesë në detyrat obligative, por do të pyetemi: a e kemi pasuar Pejgamberin. Pasimi i Pejgamberit është rruga e cila na sjell fat dhe shpëtim, fatin e dynjasë dhe shpëtimin e ahiretit.

Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Të gjithë pasuesit e mi do të hyjnë në xhenet, përveç atyre që refuzojnë.” E pyetën: ‘Kush refuzon, o i Dërguari i Allahut?’ Tha: “Kush më pason, kush më bindet, do të hyjë në xhenet! Kush më kundërshton, kush nuk më pason, ai refuzon.”

Muhamedi (savs) është lindur në Mekë, kur banorët e Gadishullit arabik ishin të ndarë në fise dhe ashpër e kundërshtonin njëri-tjetrin, kur i dobëti shtypej, kur fëmija femër konsiderohej turp dhe të gjallë e varrosnin në rërë, kur njerëzit e atëhershëm ishin të bindur – e dinin plotësisht, kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, por megjithatë, iu luteshin idhujve.

Ja, në një ambient të tillë, u lind i dashuri i Zotit. Eminja, nëna e tij, ka treguar se duke e lindur e ka parë një dritë, e cila i ka ndriçuar viset e largëta. Historianët kanë shënuar se në Persi, zjarri i cili adhurohej me mijëra vjet është fikur. Pallatet e Kisrasë së fuqishëm janë rrënuar. Ishte e qartë se atë natë ndodhi një ngjarje tepër e jashtëzakonshme, e paralajmëruar në shpalljet e mëparshme, e përshkruar në Tevrat në detaje të tilla, sa që hebrenjtë e Mekës nëpër rrugë bërtisnin: ‘Sonte lindi pejgamberi i Allahut!’  

Këtë djalosh, të cilin Allahu e emëroi me emrin Ahmed, Muhamed, Ai edhe e edukoi, andaj edukimi i tij ishte më i bukuri, siç e përshkruan Allahu i Plotfuqishëm në Kuran: و انك لعلى خلق عظيم  – “Ti je në shkallën më të lartë të moralit!”

Në rini do të bëhet ‘el-emin’, kurse në njërën nga të hënat e zgjedhura, do të bëhet pejgamber, i dërguar i Allahut, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Të hënën jam lindur, të hënën jam dërguar (pejgamber).”

U dërgua me detyrë të qartë që atë dritë të cilën e pa h. Eminja në të hënën e rebiul-evelit, e cila i ndriçoi viset e largëta tash t’i ndriçojë zemrat njerëzore,

Me detyrë të qartë që ta largojë errësirën, që ta mposhtë xhehlin – injorancën, që njerëzve t’ua sjellë dhe tregojë, dhe duke e jetuar në jetë t’ua tregojë ‘librin dhe urtësinë.’

Ata do t’i ofrojnë atij gjithçka për të hequr dorë, gjithçka që mund të ofrohet nga kjo botë do t’ia ofrojnë atij. Por ai nuk do të heq dorë, sepse asgjë që i ofrojnë ata nuk është më e vlefshme sesa kënaqësia e Allahut të Plotfuqishëm. Asgjë që i ofrojnë ata nuk është më e vlefshme sesa qetësia e brendshme të cilën e sjell feja e gjallë. Asgjë që i ofrojnë ata nuk është më e vlefshme sesa kënaqësia e xhenetit. As dielli në dorën e djathtë as hëna në dorën e majtë nuk është më e vlefshme për të.

Vëllezër të respektuar,

Çka është kjo që Pejgamberi (a.s.) ia sjell njeriut, që ia sjell njerëzimit, aq e vlefshme që me asgjë nuk mund të krahasohet, aq e vlefshme sa që me asgjë nuk mund të blihet, aq e vlefshme sa që me asgjë të kësaj bote, e as me krejt këtë botë nuk është e barabartë? Ai e sjell qetësinë e brendshme, e cila fitohet me iman, e sjell jetesën në përputhje, në harmoni e cila arrihet me Islam.

Në këtë muaj, në mbarë vendin tonë, por edhe në mbarë botën, do të organizohen programe të panumërta të cilat do të festojnë për Pejgamberin (a.s.), do t’i theksojnë virtytet e tij, në të cilat do t’i dëgjojmë porositë e tij, do t’i tregojnë situatat e tij jetësore, por, po theksoj, po potencoj, ne nuk do të pyetemi në Ditën e Gjykimit: a e kemi shënuar ditëlindjen e Pejgamberit (a.s.)?

– Do të pyetemi, a kemi shkuar rrugës të cilës ai ka ecur, rrugës të cilën ai na e ka treguar, dhe ajo rrugë quhet Islam.

– Do të pyetemi, a i kemi ndriçuar zemrat tona me dritën e imanit, a e kemi arritur qetësinë e brendshme me dhikër, a e kemi forcuar besimit duke reflektuar për krijesat e Zotit, a jemi falur sikur që e kemi parë atë duke u falur, a i kemi marrë prej tij rregullat e fesë dhe a kemi jetuar sipas tyre?

– Do të pyetemi, a kemi mësuar-lexuar me përkushtim, punët e besuara, a i kemi kryer me përgjegjësi dhe në mënyrën më të mirë? A ia kemi kushtuar çdo gjëje pastërtinë? Për familjet tona a jemi sakrifikuar si besimtarë të vërtetë? A e kemi praktikuar martesën dhe a jemi kujdesur për të? Fëmijët, a i kemi edukuar? Marrëdhëniet me fqinjët a i kemi respektuar?

– Do të pyetemi, të mirat e kësaj bote, a i kemi fituar në mënyrë të ndershme – hallall, dhe a i kemi shpenzuar në rrugën e Allahut? A kemi qenë të sinqertë, të ndershëm dhe, a e kemi ruajtur të huajën nga e jona?!

Vëllezër të dashur,

Ajo drita, të cilën e pa Eminja në të hënën e rebiul-evelit, kur lindi Pejgamberi (a.s.), ajo nuk ishte dritë nga kandilat e minareve tona dhe e ezanëve shumë të fortë që dalin prej tyre. Ajo nuk ishte dritë nga shkronjat me ari të fjalëve të Zotit të shkruara nëpër pallatet e sundimtarëve musliman dhe e faltoreve tona.

Kur këto të bëhen Islami ynë, ajo dritë fillon të fiket, kur këto të bëhen Islami ynë, kur ne fenë tonë ta shndërrojmë në formë, kur vetëm simbolet janë dëshmitar i fesë sonë, ajo dritë fillon të fiket.

Në shumë vende është zhdukur plotësisht. Nëse në aksham niseni nëpër vendin tonë të bukur do të shihni kandila nëpër minaret tona prej fundit deri në maje të minares duke shndrit, ndërsa zemrat e xhematlinjëve tanë të errësuara nga zilia, do t’i shihni dritat e kandilave, kurse marrëdhëniet fqinjësore jo të rrënuara, por të ndërprera, do t’i shihni xhamitë me të cilat mburremi me dekorimet e tyre, kurse havllitë, fshatrat, luginat dhe lumenjtë nuk frymojnë me pastërti islame. Kur kjo, kur këta kandila, këto dekorime të xhamive, shkrimet e shpalljes të shkruara me ar – të bëhen Islami ynë, drita fillon të fiket.

Vëllezër, ajo dritë të cilën e pa Eminja, ajo është drita e fesë së gjallë, e Islamit praktik, ajo është drita e Islamit me të cilën, para së gjithash, në mendje dhe në praktikë është drejtësia, liria, përgjegjësia. Me të Pejgamberi (a.s.) dhe pasuesit e tij besnikë i pushtuan zemrat e njerëzve. Me drejtësi, me liri, me përkushtim.

Kush ka mundur ta refuzoj thirrjen e njeriut, i cili për hir të drejtësisë, edhe Fatimes së tij të dashur, nëse do të kishte vjedhur, do t’ia priste dorën!    

Kush ka mundur ta refuzoj thirrjen e njeriut të tillë? Kush ka mundur ta refuzoj thirrjen e njeriut, i cili neve na mëson se Allahu i Plotfuqishëm në Tokë e duron pushtetin e jobesimtarit, por nuk e duron dhunën dhe zullumin, padrejtësinë!

Kush ka mundur ta refuzoj thirrjen e njeriut, i cili na nxit që njëri-tjetrit t’ia falim lirinë, që ta mbrojmë lirinë, që të luftojmë për të. Ai neve na mëson se lirimi i robit është vepër e mirë kulminante. Islami është liri.

Me çka ne sot krenohemi? Për cilën dritë të fesë sot të flasim? Kur nga minaret të cilat duhet të jenë simbole të fjalës së lirë ndodhin vrasje!

Jemi në muajin rebiul-evel, h. Eminja më 12- ten natë të këtij muaji, e ka parë dritën, ka ndriçuar Shami, viset e largëta, para fuqisë së kësaj drite çka u fik? Zjarri! Në Persi ka qenë zjarri 1000 vjet të cilin e kanë pasur zot. Por ai zjarr nuk i ka rezistuar dritës!

Kush ka mundur ta refuzoj thirrjen e njeriut, rruga e të cilit është devotshmëria, përkushtimi, sakrifica për të mirën e përgjithshme.

Kjo natë e 12 rebiul-evelit, mevludit, ishte e veçantë. Në të lindi njeriu i cili i ndryshoi njerëzit dhe e ndryshoi rrjedhën e historisë.

Ky muaj, është i posaçëm, ka ardhur për të na përkujtuar, përveç tjerash, fjalët e Pejgamberit (a.s.): “Të gjithë pasuesit e mi do të hyjnë në xhenet, përveç atyre që këtë e refuzojnë! Po kush e refuzon? Ata që më pasojnë do të hyjnë në xhenet, ata që nuk më pasojnë, ata refuzojnë!

Çka do të pyetemi kur të takohemi me Zotin e botëve? Do të pyetemi: Kënd e kemi pasuar?Kush ka qenë pejgamberi ynë? Për këtë arsye vjen muaji i zgjedhur i mevludit! Për të na ndryshuar!

O Allahu i Madhërishëm, na ndihmo! Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić;

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

267 Shikime