21.12.2013
Të festuarit e ditëlindjeve në Islam

Bismi’l-lahi’rr-Rrahmani’rr-Rrahim Parimisht, ditëlindjet nuk janë diçka që duhet festuar ose gëzuar për to. Kur vjen ditëlindja e dikujt, një vit nga jeta e tij/saj ka kaluar dhe nuk është shtuar. Prandaj, çfarë inteligjence mund të ketë në të festuarit dhe të gëzuarit kur ka kaluar një vit nga jeta jonë?!
Përpara se ta kuptojmë normën ligjore (hukmin) lidhur me festimin e ditëlindjes, është shumë me rendësi të përkujtojmë këtu se të imituarit e pabesimtarëve (kuffarëve) është diçka që Islami rreptësisht e kundërshton.
Në një hadith të regjistruar nga Imam Ebu Davudi (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) dhe të tjerët, Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Secili që e imiton një popull, ai është nga mesi i tyre.” (Sunen Ebi Davud)
Duhet të kihet parasysh se jo çdo gjë që jomuslimanët veshin ose bëjnë është haram (e ndaluar). Imitimi, i cili ndalohet, vjen në shprehje në njërën nga dy mënyrat e poshtëshënuara:
1. Kur dikush bën diçka më qëllim që t’i imitojë pabesimtarët, d.m.th., ai vepron kështu, ngaqë dëshiron të jetë sikurse një pabesimtar ose shumë pabesimtarë të caktuar.
2. Bën diçka që është ekskluzive dhe unike për pabesimtarët ose është pjesë e besimit të tyre. Edhe kjo konsiderohet të jetë imitim, që këtej haram (e ndaluar). (Takrir Tirmidhi nga shejh Mufti Teki Usmani)
Duke pasur parasysh të lartëpërmendurat, ekzistojnë disa situata lidhur me normën sheri’atike mbi të festuarit e ditëlindjeve:
1. Nëse ajo festohet duke i imituar pabesimtarët, në krejt apo disa zakone që janë unike me ato që pabesimtarët i kanë përvetësuar ose bëhen veprime që janë të paligjshme sipas Sheri’atit, atëherë padyshim se është e ndaluar. Ndezja e qirinjve mbi një tortë që numërojnë vitet e personit që ka ditëlindjen dhe pastaj fryrja mbi ta, bërja e muzikës, këndimi, harxhimi ekstravagant dhe i tepruar, etj., etj., janë praktika të paligjshme dhe të ndaluara. Prandaj, nëse ditëlindjet festohen duke i përvetësuar zakonet e lartëpërmendura, festimi i tyre do të jetë i ndaluar.
2. Nëse të këqijat e lartëpërmendura menjanohen, atëherë ekzistojnë dy mundësi:
a) Nëse dikush feston ditëlindjen me qëllim që t’i imitojë kuffarët, d.m.th., e bën atë, ngaqë dëshiron të jetë sikurse ata, atëherë, siç theksuam më parë, kjo do të konsiderohet imitim i pabesimtarëve, që këtej e paligjshme (e ndaluar).
b) Nëse nuk ekziston qëllimi i të imituarit të pabesimtarëve (si edhe të këqijat e lartëpërmendura menjanohen), atëherë norma e të festuarit të ditëlindjeve do të varet në atë se nëse ajo ka origjinë nga zakonet fetare të jomuslimanëve dhe se nëse është pjesë e besimit të tyre ose është ndryshe. (Ajo nuk mund të konsiderohet të jetë unike për pabesimtarët, meqë festimi i ditëlindjeve është bërë një fenomen i përhapur që realizohet në shumë pjesë të botës.) Unë personalisht nuk jam i njoftuar se nëse festimi i ditëlindjeve ka ndonjë lidhje me besimin krishter ose tjetër, prandaj nuk jam në gjendje të jap një vendim deçiziv.
Megjithatë, unë e kam përmendur kriterin mbi të cilin do të bazohet norma. Nëse origjina e festimit të ditëlindjes ka lidhje me një besim të caktuar, atëherë nuk ka dyshim se ai festim është i ndaluar. Nëse, megjithatë, nuk ka lidhje me besimin e jomuslimanëve, atëherë (e Allahu i Gjithëdijshëm e di më së miri) duket të jetë e lejuar të festohet (duke i menjanuar të këqijat e përmendura më lartë).
3. Nëse dikush e falënderon Allahun e Lartmadhërishëm dhe shfaq mirënjohje nga fakti se është bekuar edhe me një vit tjetër të jetës, kështu që shpreh gëzim dhe kënaqësi, atëherë nuk ka ndonjë të keqe këtu. (shih: Fetava El-Rahimijje, 6/320)
E Allahu i Gjithëdijshëm e di më së miri!
Autor: Mufti Muhammed ibn Adem El-Kevtheri
Përktheu: Daim Abazi /KBI-Bujanoc.com/
946 Shikime