Le të jemi të kënaqur me atë që kemi!

12.01.2022

Le të jemi të kënaqur me atë që kemi!


Le të jemi të kënaqur me atë që kemi!

Përshtati: Miftar Ajdini

Një mbret e pyeti ministrin e tij: “Pse shërbëtori im është më i lumtur se unë, unë jam i pasur në pushtet, kurse ai është i varfër. Përkundër kësaj, fytyra e tij gjithmonë është e zbukuruar me buzëqeshje, kurse unë jam i brengosur?”

Ministri i tha: “Zbatojeni rregullin 99!”

Mbreti e pyeti: “Çfarë është ky rregull?”

Ministri i tha: “Dërgojeni dikë që para derës tij t’i vendosë 99 monedha ari me një mesazh se i janë dërguar 100 monedha ari dhuratë!”

Kur shërbëtori i gjeti monedhat me mesazhin, të gjithë familjarët i nxori jashtë shtëpisë dhe gjatë gjithë natës e kërkuan një monedhë e cila po mungonte. Të nesërmen në pallat erdhi i lodhur dhe i mërzitur. Në fytyrën e tij më nuk kishte buzëqeshje. E kishte një brengë shumë të madhe; si ta gjente monedhën e humbur!

Ai i harroi 99 monedhat e arit dhe krejt preokupimin e kishte si ta gjente monedhën e 100-të.

I këtillë është njeriu. Allahu i ka dhënë aq shumë begati saqë nuk mund t’i numërojë, kurse ai i shikon vetëm begatitë që nuk i ka.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm në Kuran:

“… E nëse doni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, atëherë nuk do të mund t’i numëroni. – Njeriu, me të vërtetë, është zullumqarë dhe jomirënjohës.” (Ibrahimi, 34)

Njeriu, me të vërtetë, është i padrejtë dhe mosmirënjohës.

Në të vërtetë, begatitë e Allahut me të cilat jemi të nderuar janë shumë, kurse ne për to ndonjëherë nuk jemi të vetëdijshëm, andaj dhe nuk jemi mirënjohës për to. Ne jemi mësuar t’i shfrytëzojmë dhe ne këtë e konsiderojmë normale, duke mos menduar se ato të njëjtat begati shumë individëve ose grupeve ju mungojnë. Shumë njerëz janë të pakujdesshëm dhe mosmirënjohës ndaj dhuntive të Allahut, dhe vetëm kur i godet ndonjë vështirësi apo varfëri, ata me zë të lartë nga Allahu kërkojnë ndihmë, por pas lehtësimit përsëri harrojnë.

 

Uji të cilin e pimë, ajri të cilin e thithim, veshi me të cilin dëgjojmë, syri me të cilin shohim, mendja me të cilën gjykojmë, zemra me të cilën ndiejmë, të gjitha këto janë begati të cilat na i ka dhuruar Allahu, dhe për to duhet të jemi mirënjohës.

Kur shprehim falënderim për dhuratat e pafundme të Allahut, ato rriten edhe më shumë, ndërsa kur jemi mosmirënjohës, ata na braktisin neve.

Një nga gjërat më të mira që Allahu mund të na dhurojë është kënaqësia në zemrat tona. Ne, gjithashtu, jemi jashtëzakonisht të pasur, nëse kemi jetë të qëndrueshme, harmoni në familjet tona dhe paqe në zemrat tona.

Të dashur vëllezër,

Hadithin në vijim më së miri e kuptojnë ata që nuk janë të lirë, ata që janë të sëmurë dhe ata që janë të uritur:

Transmeton Ubejdullah bin Mihsan el-Hatmi (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush nga ju gdhihet i sigurt në shtëpinë e tij, i shëndoshë dhe ka ushqim për atë ditë, sikur të jetë tërë bota e tij.”

Një njeri i cili është i lirë dhe i sigurt në shtëpinë e tij, i cili ka shëndet të mirë dhe ka për atë ditë ushqim dhe pije nga hallall, ai është njeriu më i pasur. Sa shumë njerëz ka që janë në burg dhe jetojnë në frikë, sa ka që janë të sëmurë, ashtu që nga dhimbjet nuk mendojnë për asgjë, edhe nëse kanë ngarkesa me pasuri. Sa shumë njerëz nuk kanë me çka ta shuajnë urinë e tyre, kanë dëshirë për një kore të thatë të bukës!! Sa shumë njerëz të pasur janë të palumtur në pasurinë e tyre! Sa shumë grykës janë të palumtur në lakminë e tyre. Sa shumë njerëz, në përgjithësi, janë të palumtur !!

Një njeri i mençur, ka treguar: “Një ditë, shkova te një koleg në spital, kishte sulm në tru, dhe ishte i gozhduar për krevat. Qëndrova pranë krevatit tij spitalor, duke u përpjekur të flisja me të, dhe ashtu bëja hapa të ngadaltë herë djathtas e herë majtas. Ai më shikoi dhe në një moment më tha: “Oh, çka do të jepja sikur të mund të bëjë vetëm një hap të tillë?” Kjo fjali e tij për mua ishte një nga mësimet më të mira që kam dëgjuar.”

Një njeri shkoi te një i mençur që të ankohet për varfërinë e tij, dhe njeriu i mençur e pyeti: “A do të ma shesësh mua shikimin tënd për 100.000 monedha ari?”

Njeriu i varfër pa menduar fare u përgjigj negativisht.

Njeriu i mençur vazhdoi: “Ma shit dëgjimin tënd për 100.000 monedha ari!”

Njeriu u përgjigj me ‘jo’.

Pastaj i urti vazhdoi ta pyes për duart, për këmbët, për shëndetin mendor, dhe për të gjitha pjesët tjera të trupit. Çdo përgjigje ishte negative. Njeriu i mençur përmes kësaj i tregoi se vetëm trupi i tij vlen disa milionë monedha ari. Njeriu i mençur i tha: “Ti ke një borxh shumë të madh mbi supet tua, sepse kjo pasuri e madhe që e posedon të bën borxhli. Kur po mendon që të shprehësh falënderim? Në vend të kësaj, ti madje po ankohesh, se dëshiron edhe më shumë. Zoti yt me të vërtetë është falës dhe bujar.”

Nëse ky i varfër e ka vlerësuar trupin e tij në disa milionë monedha ari, atëherë sa vlerë ka secili prej nesh, që përveç kësaj, ka edhe fëmijë të shëndetshëm dhe të hajrit, si dhe ai që posedon edhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, e cila i shërben për jetë të lehtë?

Për çdo rast, besimtari duhet të jetë mirënjohës ndaj Allahut për begatitë me të cilat Ai e ka nderuar, dhe vetëm Ai e di se si do të sillet secili njeri në pasuri dhe në varfëri.

Një njeri e kishte pyetur Abdullah ibn Amër ibn Asin (r.a.): – A nuk jemi të varfër ne muhaxhirët? Abdullahu i thotë: – A ke grua që të qetësohesh me të? Ai tha: – Po. Ai përsëri e pyeti: -A ke shtëpi ku banon? Ai tha: – Po. Abdullahu i thotë: – Ti je i pasur! Ai shtoi: – Unë kam edhe shërbëtor! Abdullahu i tha: – Ti atëherë je sundimtar.

Transmeton Ebu Hurejre (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Shikoni në personin i cili është poshtë jush, dhe mos e shikoni atë që është më lartë se ju, që mos t’i mohoni begatitë e Allahut!”

Ai që i shikon ata që janë më të pasur se ai, tek vetja prodhon koprraci, lakmi dhe zili, dhe këto janë sëmundje të rënda të kohës sonë, të cilat në fund çojnë në faktin që njeriu pa vetëdije t’i mohojë begatitë e Allahut të Plotfuqishëm.

Prandaj, le të jemi robër mirënjohës ndaj Allahut të Plotfuqishëm, mos ta humbim shpresën në mëshirën e Tij dhe le të garojmë në mirësi!

I lutem Allahut që të jemi gjithmonë nga ata që japin, dhe kurrë nga ata të cilëve ju jepet! Amin.

764 Shikime