Shkolla është farzë

06.09.2015

Shkolla është farzë


Shkolla është farzë

-Hutbeja e xhumase -

Pejgamberi savs na ka paralajmëruar se kur të qëndrojmë para Zotit tonë do të pyetemi: Si e kemi kaluar rininë? Rinia, është e rëndësishme, do të thoshim periudha më të rëndësishme e jetës sonë, sepse prej pranverës, prej mbjelljeve varet vjeshta. Nëse pranvera shfrytëzohet dhe mbillet fara në tokë, mund të priten fryte në vjeshtë dhe dimri do të jetë i qetë. Nëse rinia na humbët, nëse ajo kohë na kalon në asgjë, atëherë çfarë mund të shpresojnë në jetë, dhe në çfarë ardhmërie do të shkojmë?
Jemi në fillim të vitit shkollor. Ky është një rast i jashtëzakonshëm që ta përkujtojmë këtë paralajmërim të Pejgamberit savs në lidhje me përgjegjësinë që kemi për rininë, dhe t’i përkujtojmë gjithashtu edhe udhëzimet dhe këshillat nga burimet e fesë sonë, të cilat na detyrojnë që të jemi aktiv, të mësojmë dhe të punojmë, në mënyrë që vetvetes, të tjerëve dhe mbarë shoqërisë t’i sjellim lumturi dhe progres. Allahu i Madhërishëm, me fjalët e para drejtuar Pejgamberit savs, e nëpërmjet tij edhe njerëzimit, na ka urdhëruar që të mësojmë, dhe atë në emër të Zotit i cili krijon. Ai na ka urdhëruar që të fitojmë dituri, jo vetëm për pagë më të mirë dhe jetë më të këndshme, që ndoshta do t’i kishim falë këtij arsimimi, por që të jemi besimtarë më të mirë dhe më të qëndrueshëm në rrugën e Zotit. 
Allahu i Madhërishëm këtë na e shpjegon në ajetet kur’anore si:
Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët” (Fatir, 28) 
Pastaj në pyetjen: “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Zumer, 9)
Dhe në premtimin: “Allahu, ata nga mesi i juaj, që besojnë dhe ata të cilëve u është dhënë dijenia, do t’i ngritë në shkallë të lartë.” (el-Muxhadele, 11)
Vetë Pejgamberi, me shembull dhe me fjalë, vazhdimisht i ka inkurajuar njerëzit që të përparojnë, të mësojnë, të fitojnë dituri dhe të garojnë në të mirë. Qysh në Mekë, në shtëpinë e Erkamit, nga fillimi i Shpalljes ua mësoi sahabëve fenë dhe rregullat e saj. Mësimi i fesë dhe i rregullave të saj është i rëndësishëm, shumë i rëndësishëm, sepse feja vjen për të dy botët. Me dispozita na e rregullon jetën tonë dhe na çon në shpëtim. Pejgamberi savs thotë: “Kujt Allahu ia dëshiron të mirën, ja mundëson ta kuptojë fenë." (Muttefekun alejhi)
Në Medinë, Pejgamberi savs, në divanin e xhamisë e kishte hapur një shkollë dhe aty mësonin pasuesit e tij, jo vetëm për fe, por për të gjitha shkencat. Ajo ishte një shkollë ku edhe të burgosurit e Bedrit, idhujtarët e Mekës, u bënë mësues.
“Muslimani është i obliguar, thotë Pejgamberi ynë, që të mësojë nga secili dhe kudo!”
“Urtësia- dituria është gjë e humbur e muslimanit, kudo që e gjen, e merr atë!” (Muslim)
“Këtë dituri duhet të shkohet edhe në Kinë për të kërkuar, ka thënë Pejgamberi savs dhe e ka urdhëruar çdo mashkull dhe çdo femër muslimane për të kërkuar dituri.”
Shkenca, dituria na mundëson që burimet e kësaj bote t’i shfrytëzojmë siç duhet, që të jemi të fortë dhe askujt përveç Krijuesit mos t’i robërohemi. Kaq shumë insistime për arsimim dhe kaq shumë lavdërime për diturinë, në burimet e fesë, bëhen për arsye që Umeti të jetë ai duhet të jetë, që të jetë bashkësia më e mirë e njerëzve e cila urdhëron në të mirë dhe ndalon nga e keqja.
Tani që viti i ri shkollor ka filluar, është e nevojshme që të shikojmë përreth dhe të shohim se ende të tjerët po na menaxhojnë neve dhe po disponojnë me burimet tona, dhe ne për llogari të atyre të tjerëve po e derdhim gjakun tonë.
Ju, djem dhe vajza, të rinj e të reja, nuk mund të shkoni dhe ta zgjidhni krizën e refugjatëve dhe të kujdeseni për qindra e mijëra emigrantë të cilët po kërkojnë strehim duke ikur nga Siria, Iraku ... E keni borxh ndaj Allahut dhe Pejgamberit të Tij t’i kapni librat, t’i përvisheni punës dhe të bëheni të mirë në çdo gjë, nëse është e mundur, që të bëheni më të mirët.
Përveç kënaqësive të kësaj bote, në përvetësimin e diturive, ka edhe shpërblime për ahiret. Ato duhet që të na motivojnë dhe të na tërheqin përpara, të na drejtojnë kah libri dhe kah shkolla. Pejgamberi savs ka premtuar: “Kush merr rrugë për kërkim të dijes, Allahu ia lehtëson rrugën atij për në xhenet. Melekët i shtrijnë kraharorët e tyre të mëshirës, për kërkuesin e dijes, të kënaqur për atë që është duke bërë. Me të vërtetë për dijetarin kërkojnë falje edhe banorët e tokës edhe banorët e qiellit, madje edhe peshku në ujë, edhe milingona në strofkën e saj. Përparësia e dijetarit besimtar mbi të devotshmin e paditur është si përparësia ime ndaj ndonjërit prej jush. Dijetarët janë trashëgimtarë të Pejgamberëve, se me të vërtetë Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgim dinarë e as dërhemë, por dituri. Andaj kush e merr atë, e ka marrë më të mirën.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu)
Ne besojmë dhe e dimë se Pejgamberi e ka thënë të vërtetën. Ne jemi plotësisht të bindur se ne do të përgjigjemi për rininë si e kemi shpenzuar dhe si e kemi përdorur. Për besimtarin nuk ka vend për dëshpërim, për mungesë shprese as për apati. Besimtari nuk guxon të mendojë se ai është i pavlerë, se nuk mund të bëjë asgjë, dhe se është i pafuqishëm për të ndryshuar diçka. Assesi nuk duhet t’i lejojë vetvetes, që dikush tjetër të kujdeset për të dhe të presë që dikush tjetër t’i zgjidh problemet e tij. Ndërsa ka shumë të rijë, në radhët tona, që pikërisht ashtu mendojnë, dhe për dështimin e tyre i fajësojnë të tjerët. Rrugëdaljen e shohin në daljen dhe ikjen nga vendi, nga atdheu. Duhet ditur se besimtari e ka obligim të ikë nga përtacia, apatia, e ka obligim të ikë nga pritja, nga pritja e pafund e zgjidhjes dhe shpresës së vazhdueshme për kohë më të mira.
Një gjyqtar i cili gjykonte për të mitur ka shkruar: "Ne gjithmonë i dëgjojmë britmat dhe vajtimet e të rinjve të cilët pyesin: ‘Çka të bëjmë, ku të shkojmë?’ Përgjigja ime për ta është: ‘Shko në shtëpi, kosite barin e lëndinës, laj dritaret, mëso të gatuash, ndërto një traget, gjëje ndonjë punë, vizito një pacient, mësoi mësimet e shkollës, dhe kur t’i mbarosh të gjitha këto, merre lexo një libër. Qyteti ku jeton nuk të ka borxh objekte rekreative - sportive, kurse prindërit tuaj nuk janë të detyruar të ju argëtojnë. Bota nuk është e obliguar të ju mbajë, ti ke obligim ndaj botës. Me fjalë të tjera, rritu, pusho të jesh fëmijë vajtues, zgjohu nga bota jote e ëndrrave dhe imagjinatës dhe zhvilloje fuqinë e vullnetit e jo fuqinë e dëshirës. Fillo të veprosh si person përgjegjës. Ti je i rëndësishëm dhe dikush ka nevojë për ty. Është shumë vonë që vetëm të qëndrosh ulur dhe të presësh që dikush të bëjë diçka, ndonjëherë. Ajo ndonjëherë është tani, në këtë moment, kurse ai dikush je ti!”
O Allahu i Plotfuqishëm, na bën të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e çdo dite që na ke dhuruar. Na bën të jemi të vetëdijshëm se për çdo moment që kemi jetuar, dhe për të do të pyetemi se në çka e kemi shfrytëzuar! Amin!

Pershtati: Miftar Ajdini

/KBI-Bujanoc.com/

2078 Shikime