Jetimi dhe palma

13.11.2014

Jetimi dhe palma


Jetimi dhe palma

Ai ishte një jetim në moshë të re. Një ditë, ai shkon tek profeti Muhamed a.s dhe i ankohet për një problem që i kishte dalë me fermën e tij të palmave.

“O i dërguar i Zotit! Unë kam një fermë palmash me të cilat siguroj jetesën. Unë doja ta thurr fermën time me një mur, por gjatë punës më doli si pengesë një nga palmat e fqinjit tim. I kërkova të ma japë palmën që të përfundoj murin, por ai refuzoi. I kërkova t’ia blej, por ai sërish refuzoi.”
Profeti a.s kërkoi që të vijë fqinji i tij dhe me tu takuar e pyeti si qëndronte puna. Fqinji pohoi gjithçka që jetimi i kishte thënë Profetit a.s. Pasi e dëgjoi, Profeti a.s i tha:”Ose shitja palmën, ose dhuroja që ta përfundojë murin!”
Por fqinji iu përgjigj:”Jo o i dërguar i Zotit! As nuk ia dhuroj dhe as nuk ia shes. Ajo është palma ime dhe bëj ç’të dua me të.”
Profeti a.s i tha:”Shitja palmën se Zoti do ta kompensojë me një palmë në xhenet, e cila është aq e madhe saqë një kalorës e përshkon për njëqind vite!”
Surpriza ishte se fqinji refuzoi sërish t’ia japë palmën duke thënë:”Jo, nuk e dua.”
Qëndrimi i Profetit a.s ishte shumë objektiv, ai as nuk e detyroi dhe as nuk e kritikoi për faktin që refuzonte t’ia japë ose t’ia shesë. Jo vetëm Profeti a.s, por askush tjetër nuk e ironizoi dhe kritikoi për këtë.
Ndërkohë që Profeti a.s qëndronte i heshtur, një nga të pranishmit, Ebu Dahdah, ndërhyn dhe i thotë:”O i dërguar i Zotit! Nëse e blej atë palmë dhe ia dhuroj djalit jetim, a shpërblehem me një palmë në parajsë, hijen e të cilës një kalorës e përshkon për njëqind vite?”
Profeti a.s u përgjigj:”Po, o Ebu Dahdah!”
Ebu Dahdah iu drejtua fqinjit të jetimit dhe i tha:”A e ke parasysh fermën time në Avali?” Ai kishte pesë ferma me palma, por ferma në Avali ishte më e mira dhe të gjithë e kishin zili për atë fermë.
Fqinji i jetimit u përgjigj:”Po, e kush se ka parasysh një fermë të tillë?! Ajo është ferma me cilësinë më të larta të hurmave.”
Ebu Dahdah i tha:”Çfarë mendon sikur të të jap fermën time dhe të më japësh këtë tënden këtu e cila vlen më pak?”
Fqinji i jetimit e pyeti:”Me të vërtetë e ke?”
Ebu Dahdah i tha:”Po, me të vërtetë e kam.”
Fqinji i tha:”Po, dakord jam.”
Pasi e mori fermën e fqinjit të jetimit, Ebu Dahdah iu drejtua jetimit dhe i tha:”Merre palmën dhe bëj ç’të duash me të!” Mandej, ai iu drejtua Profetit a.s dhe e pyeti:”Çfarë do të kem unë në xhenet o i dërguar i Zotit?”
Profeti a.s iu përgjigj:”Ti do të kesh jo vetëm një palmë në xhenet o Ebu Dahdah, por një fermë të tërë me gjashtëqind palma.”
E bukura e kësaj ngjarjeje është në faktin që Profeti a.s nuk e detyroi personin që t’ia dhurojë palmën dhe nuk e qortoi për faktin se ai refuzonte palmën në xhenet.
Diçka tjetër që meriton të ndalemi është dhe të bërit mirë për njerëzit, kontribut i cili do të shpërblehet shumëfish në xhenet.
Profeti a.s, ashtu siç i premtoi Ebu Dahdah shpërblim të shumëfishuar për të mirën që bëri, i ka premtuar çdo njeriu tjetër shpërblim të madh. Ai thotë se një vepër e mirë që i bëhet dikujt, qoftë dhe një kafshatë ushqim, do të shumëfishohet sa një mal ditën që do të dalim para Zotit.

/KBI-Bujanoc.com/

2236 Shikime