Dispozita dhe vlera e ngushëllimit në Islam

13.09.2014

Dispozita dhe vlera e ngushëllimit në Islam


Dispozita dhe vlera e ngushëllimit në Islam

Sipas sheriatit Islam organizimi për pritje të ngushëllimit nga familja që është goditur nga fatkeqësia qoftë vdekje apo diç tjetër, nuk është nga vaxhibatet(obligimet) por është Mendub (edukative). Parapëlqehet që familja e të vdekurit të ngushëllohet, duke filluar që para varrimit deri në tri ditë pas tij. Nëse ndonjë anëtar i familjes nuk ndodhet për momentin ose është larg, atëherë ngushëllimi mund të bëhet edhe më vonë, përndryshe është mekruh.

Sa i përket vlerës që ka shprehja e ngushëllimit po sjellim hadithin të cilin e ka regjistruar ibën Maxhe nga Pejgamberi a.s. se ka thënë: “Çdo besimtarë që e ngushëllon vëllain e tij në fatkeqësi, Allahu i Madhëruar ka për ta veshur ditën e gjykimit me rrobat e bujarisë”Hadithi është i mirë (Albani)

Është e preferueshme (mustehab) të ju drejtohemi familjes së të vdekurit me këto fjalë: “Duro dhe kujto se e Allahut është ajo që e ka dhënë dhe e Atij është ajo që e ka marrë, e te Ai çdo gjë është me afat të caktuar”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).

Rekomandohet pas varrimit ose edhe në ngushëllim tek familja të lutemi për të vdekurin, e lutja më përmbajtjesore është: Allahu ia pastë falë mëkatet, Allahu e mëshiroftë dhe nga banorët e xhenetit e bëftë, zaten dhe ky është procesi për të arritur tek xheneti i famshëm; falja e mëkateve, mëshira e Allahut dhe në fund shpërblimi i shumëpritur xheneti, Allahu na bëftë prej banorëve të tij. Amin.

Autor: Ibrahim Beqiri (Breziiri). /KBI-Bujanoc.com/

5433 Shikime