Xhihadi - Lufta kundër padrejtësive dhe zullumqarëve

02.06.2014

Xhihadi - Lufta kundër padrejtësive dhe zullumqarëve


Xhihadi - Lufta kundër padrejtësive dhe zullumqarëve

Xhihadi i detyruar brenda shoqërisë përfshin disa fusha: Lufta kundër padrejtësisë dhe zullumqarëve, lufta kundër imoralitetit dhe prishjes, lufta kundër risive dhe devijimeve ideologjike, si dhe lufta kundër apostazisë.

Kjo realizohet fillimisht duke mos u bërë palë me ta, duke u distancuar nga veprat e tyre, pastaj duke i udhëzuar drejt të mirës. Zoti thotë në Kuran: “Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni”. (Hud, 113)

Islami kërkon nga myslimanët, që së pari të mos bëjnë padrejtësi dhe zullume dhe së dyti të mos bëhen palë me zullumqarët, duke i ndihmuar dhe mbështetur. Si zullumqarët ashtu edhe mbështetësit e tyre do të kenë si përfundim ndëshkimin në xhehenem.

Kurani fisnik i dënon dhe kritikon ushtarët dhe mbështetësit e diktatorëve, ashtu siç dënon dhe kritikon vetë diktatorët dhe tiranët. Zoti thotë në Kuran: ”Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë”. (Kasas, 8)

Lidhur me fundin e tyre të përbashkët, Zoti thotë:”Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (Kasas, 40)

Siç duket qartë, që si vetë diktatorët ashtu dhe ushtarët, oborrtarët dhe mbështetësit e tyre konsiderohen keqbërës dhe zullumqarë. Të gjithë i përfshiu hakmarrja hyjnore dhe u ndëshkuan për veprat e tyre të liga.

E gjitha kjo ndodh, sepse diktatorët sado të fuqishëm të jenë, u nevojitet mbështetje njerëzore për të ushtruar terror, frikë dhe panik mes njerëzve. Atyre u duhen njerëz, për t`i realizuar planet e tyre djallëzore, njerëz të bindshëm verbërisht, të ngjashëm me unazën e gishtit, e cila nuk di të thotë jo.

Thuhet se imam Ahmed ibnu Hanbeli, kur torturohej me kamxhik nga xhelatët e burgut, njëri prej tyre e pyeti mbi hadithet profetike, të cilat flasin për mbështetësit e zullumqarëve dhe oborrtarët e tyre. Imam Ahmedi i tregoi, se të gjithë ishin hadithe të sakta, të transmetuara nga profetit Muhamed (a.s). Pastaj xhelati e pyeti: ”A mendon se edhe unë jam mbështetës i zullumqarëve o imam?!” Imam Ahmedi iu përgjigj: ”Jo, ti nuk je nga mbështetësit e zullumqarëve. Mbështetës të zullumqarëve janë ata, që u qepin rrobat, u përgatisin ushqimin dhe u gjenden pranë për nevojat e përditshme. Kurse ti je vetë zullumqari”.

Në një hadith, Profeti (a.s) thotë: ”Përkrahe vëllain tënd, si kur bën padrejtësi ashtu dhe kur i bëhet padrejtësi!” Të pranishmit e pyetën të çuditur:”Mirë se po e përkrahim kur i është bërë padrejtësi, po si ta përkrahim kur ai u bën padrejtësi të tjerëve?!” Profeti (a.s) u përgjigj: ”Duke e frenuar nga kjo vepër. Kështu ti i ofron ndihmën më të mirë”.

Çdo formë padrejtësie nga të pasurit ndaj të varfërve, pronarët ndaj punëmarrësve, oficerët ndaj ushtarëve, qeveritarët ndaj popullatës, burrat ndaj grave, të rriturit ndaj të vegjëlve etj... është haram dhe duhet të luftohet sipas mundësisë, me dorë, me gjuhë apo me zemër.

Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Çdo profet që ka dërguar Allahu në popujt e mëparshëm, e ka mbështetur me shokë dhe dashamirës, të cilët e kanë mbajtur gjallë traditën e tij dhe vepronin sipas porosive dhe këshillave të tij. Me kalimin e kohës, erdhën breza të cilët thoshin atë, që nuk vepronin dhe vepronin ashtu siç nuk ishin urdhëruar. Kushdo që i lufton ata me  dorën e tij është besimtar. Kushdo që i lufton me gjuhën e tij është besimtar. Kushdo që i lufton me zemrën e tij është besimtar. Pas kësaj nuk ka më besim, qoftë dhe sa një grimcë”.

Kështu shohim, që i dërguari i Zotit i ka obliguar myslimanët, që ta luftojnë të ligën, padrejtësinë dhe diktaturën herë me dorë, herë me gjuhë dhe herë me zemër, çka përfaqëson nivelin më të ulët të besimit. Në luftën me zemër kërkohet, që padrejtësia dhe zullumi të urrehet me zemër, ashtu siç duhet urryer personi, që ushtron dhunë dhe persekuton padrejtësisht të tjerët. Ndryshimi i të ligës me zemër, është diçka që askush nuk mund ta parandalojë dhe frenojë, pasi vetëm pushteti hyjnor, i cili e krijoi, mund të depërtojë në zemrën e njeriut.

Islami ka treguar interes për këtë lloj xhihadi dhe e nxit atë, saqë në disa hadithe konsiderohet si xhihadi më i lartë dhe më i dobishëm. Transmeton Tarik ibnu Shihab, Zoti qoftë i kënaqur me të, se një burrë e pyeti të dërguarin e Zotit: ”Cili është xhihadi më i dobishëm?” Profeti (a.s) u përgjigj: ”Fjala e drejtë që thuhet në praninë e një sovrani zullumqar”.

Transmeton Xhabir ibnu Abdilah, se Profeti (a.s) ka thënë: ”Zotëriu i dëshmorëve është Hamza ibnu Abdul Mutalib dhe një burrë që del para sulltanit zullumqar, e urdhëron dhe e ndalon, kurse ai (sulltani) e vret”.

Që këtu duket qartë, se profeti Muhamed (a.s) e motivon umetin e tij, që ta thonë të drejtën në prezencën e qeveritarëve zullumqarë dhe diktatorë, pa u frikësuar mbi pasojat. Nëse vriten, ata i bashkohen karvanit të martirëve, gjë e cila është dëshira dhe ëndrra më e fisme e një myslimani, aq më tepër që në një rast të tillë ai radhitet pranë zotërisë së martirëve, Hamzait, luanit të Zotit dhe të dërguarit të Tij.

Umeti mysliman do të jetë në pozita të forta, përderisa do të ekzistojnë besimtarë, që vihen në pozitat e urdhëruesit për mirë dhe ndaluesit nga e keqja, sido qofshin pasojat. Sakaq, umeti e humbet meritën për të ekzistuar, kur demoralizohet, frikësohet, mendon pasojat dhe humbasin ata burra, që thërrasin: Umeti im, umeti im, para se të thërrasin: Vetja ime, vetja ime!

Duke u nisur që këtu, i dërguari i Zotit i ka paralajmëruar myslimanët, duke thënë: ”Nëse konstatoni, se umeti im frikësohet t`i thotë zullumqarit: Ti je zullumqar! Laji duart prej tyre”.

Të lash duart prej dikujt, do të thotë që është i padobishëm dhe se ekzistenca e tij është barazuar me inekzistencën. Shkaku dhe arsyeja e ekzistencës së umetit mysliman është pikërisht deklarimi dhe publikimi i mesazhit, për të cilin është përgjegjës, të ftojë në rrugë të drejtë, të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja. Nëse umeti nuk e kryen këtë mision, atëherë barazohet ekzistenca me inekzistencën e tij./KBI-Bujanoc.com/

1015 Shikime