16.04.2014
Jeta bashkeshortore
Tarik Suvejdan
Biznesi për Hadixhen
Hadixheja, ishte një nga gratë më të pasura të Mekes. Ajo merrej me tregti, ku kapitali i saj ishte ekuivalent me atë të gjithë kurejshëve. Duke qenë se ishte grua, e kishte të pamundur të merrej vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë me tregtinë dhe karvanët tregtare. Për këtë, ajo kishte aksionet e veta pothuaj me të gjithë tregtarët e tjerë. Herë të tjera, ajo dërgonte shërbëtorët ose njerëzit e afërm të shesin dhe blejnë për llogari të saj. Duke qenë se mashtrimet dhe hilet nuk mungonin tek tregtarët, ajo gjithmonë kërkonte njerëz të besueshëm si shoqërues të tyre. Kur dëgjoi mbi Muhamedin a.s, besnikërinë e tij, sjelljet e mira dhe moralin e lartë, ajo i ofroi të shoqërojë karvanin e tregtisë për në Sham. Profeti a.s e pranoi këtë ofertë dhe u nis bashkë me Mejsere, skllavin e Hadixhes, për në Sham. Gjatë gjithë rrugës, Mejsere mrekullohet me sjelljen dhe moralen e Profetit a.s. Edhe pse Mejsere, ishte skllav dhe skllevërit zakonisht trajtoheshin keq, Muhamedi a.s e trajtonte me shumë dashamirësi dhe butësi. Veç kësaj, Mejsere dalloi diçka të çuditshme: Gjatë gjithë rrugës, ata i shoqëronte një re për t’u bërë hije. Kur mbërrijnë në manastirin e Behiras – i cili tashmë kishte vdekur – kryemurgu vuri re diçka të çuditshme tek shoqëruesit e karvanit. Sapo profeti Muhamed a.s qëndroi dhe u ul për të pushuar nën hijen e një peme, degët e saj filluan të anojnë nga ai, sikur donin ti bënin hije. I hutuar nga kjo që i shihnin sytë, ai iu afrua Mejseres dhe filloi ta pyesë mbi Profetin a.s, farefisin etj… Mejsere u çudit nga këto pyetje dhe i thotë:”Përse mi pyet këto mua?!” Murgu i përgjigjet:”A e sheh atë djalë që është ulur nën pemë?! Pasha Zotin, nën atë pemë nuk është ulur veçse një profet i Zotit.”
Me vajtjen në Sham, Profeti a.s demonstroi morale dhe vlera të rralla, që e mrekulluan Mejseren dhe njerëzit të cilëve u shiste. Ai ishte zemërgjerë, dashamirës dhe i butë në komunikimin me njerëzit. Kjo bëri që të gjithë njerëzit të drejtoheshin tek ai dhe të blinin prej tij.
Zakonisht, tregtarët e tjerë kurejshë, me të shitur mallin ktheheshin për në Mekë. Sakaq, Profeti a.s nuk u mjaftua me shitjen e mallit, por me të ardhurat, bleu mall të nevojshëm në Mekë të cilin ua shiti mekasve pasi u kthye. Kështu, ai fitoi dyfish. Askush tjetër nuk i kishte siguruar Hadixhes aq të ardhura më parë. Pasi ishte mbyllur çështja e tregtisë, Hadixheja ulet mënjanë me skllavin e saj Mejsere dhe e pyeti mbi Muhamedin a.s. Mejsere i rrëfeu të gjithë vlerat që kishte konstatuar tek Muhamedi a.s.
Martesa e Profetit a.s me Hadixhen
Asokohe, Hadixhe ishte dyzet vjeçe, kurse Profeti a.s ishte njëzet e pesë vjeç. Ajo ishte martuar dy herë më parë dhe të dy burrat i kishin vdekur. Ngaqë u mrekullua nga moralet dhe virtytet e Profetit a.s, Hadixhes i lindi mendimi të martohej me të.
Të gjithë fisnikët e Mekes kishin kërkuar dorën e Hadixhes për martesë, por ajo i kishte refuzuar të gjithë. Ajo i plotësonte të gjithë kriteret e një bashkëshorteje të denjë, ishte e bukur, e pasur dhe rridhte nga një familje e fisme. Ajo i kishte refuzuar të gjithë, pasi kishte vendosur të mos martohej. Por duke parë moralet e larta të Muhamedit a.s, ajo vendosi të martohej me të. Për këtë, përdori një shoqen e saj të ngushtë, Nefisen. Ajo, vajti një ditë tek Profeti a.s dhe e pyeti:”O Muhamed! Përse nuk martohesh?!” Profeti a.s i përgjigjet:”Nuk jam në gjendje të mirë ekomomike. Në të kundërt do të isha martuar.” Nefise i thotë:”A do e pranoje një grua të pasur, të bukur dhe të fisme?” Profeti a.s e pyet:”E kush qenka kjo?” Nefise i përgjigjet:”Hadixheja.” Profeti a.s e pyet:”E çfarë mund ta bëjë Hadixhen të pranojë një burrë si unë?!” Nefise i thotë:”Ma lër mua në dorë. Po ti a pranon?!” Profeti a.s i përgjigjet:”Po.” Kështu, u arrit që Profeti a.s të fejohej me Hadixhen. Ditën e fejesës, Profeti a.s shkon në shtëpinë e Hadixhes bashkë me xhaxhanën e tij Hamzain. Thuhet që me ta ishte dhe Ebu Talibi. Në disa transmetime ceket që dora e Hadixhes iu kërkua babait të saj Huvejlid, sakaq disa të tjera theksojnë se iu kërkua kushëririt të saj, Vereka ibnu Neufel. Pasi përfunduan procedurat e fejesës, u caktua dhe prika (dhurata martesore) e cila ishte njëzet deve. Pas fejese realizohet dhe martesa, martesë e cila do të vazhdojë për njëzet e pesë vite. Gjatë këtyre viteve, Profeti a.s nuk martohet me asnjë grua tjetër përveç Hadixhes. Ky fakt, është i mjaftueshëm për t’u mbyllur gojën atyre që flasin keq për martesat e shumta të Profetit a.s. Nëse ai do të ishte i dhënë pas grave, ai do të ishte martuar me shumë gra në rininë e tij, kulimin e dëshirës për aktivitet seksual. Profeti a.s është martuar me gratë e tjera, vetëm pasi i kishte kaluar të pesëdhjetat. Këto martesa janë realizuar për arsye të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me misionin e tij si profet i Zotit dhe si lidershipi numër një i myslimanëve. Martesa me Aishen, u realizua për të treguar lidhjet e tij të ngushta me mikun dhe shokun e tij të jetës Ebu Bekrin. E njëjta gjë vlen dhe për martesën me Hafsën, vajzën e Umerit. Martesa me Umu Selemen, u realizua me qëllim që ta ndihmojë dhe të ketë dikë që kujdeset për të, pasi ajo ishte e moshuar dhe pa përkrahje. Martesa me Safije bintu Hujej ibnul Ahtab u realizua me qëllim që të garantojë pabesitë që mund t’i vinin nga hebrenjtë. Të tilla ishin dhe martesat e tjera.
Fëmijët që i lindën me Hadixhen
Me Hadixhen, Profetit a.s i lindën shumë fëmijë, ku i pari ishte Kasim. Në disa transmetime, thuhet se ai vdiq në moshën dyvjeçare. Sakaq, shumë transmetime të tjera pohojnë se ai vdiq kur ishte bërë i aftë për t’u hipur kuajve. Një djalë tjetër që u lindi ishte dhe Abdullahu, të cilin herë e thirrnin me nofkën Tahir (i pastër) dhe herë të tjera Tajib (i mirë). Disa njerëz, Tahir dhe Tajib i konsiderojnë si dy djem të tjerë, por në fakt ato janë nofka të Abdullahut. Edhe Abdullahu vdiq në moshë të njomë, por pasi Muhamedit a.s i ishte shfaqur Xhibrili a.s. Djali i tretë që i lind Profetit a.s është Ibrahimi, me nënë Marien kopte na Egjipti. Ai lindi në Medine dhe vdiq foshnje pa mbushur dy vjeç. Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Ibrahimit i është caktuar një mëndeshë në xhenet.”
Lidhur me vajzat që i lindën Profetit a.s, janë: Rukaje, Zejneb, Umu Kulthum dhe Fatime, Zoti qoftë i kënaqur me të gjitha. Të gjitha vajzat përqafuan islamin dhe vdiqën si myslimane. Të gjithë fëmijët që i lindën Profetit a.s, ishin me gruan e tij të dashur Hadixhe, përveç Ibrahimit që i lindi me Marien kopte.
Pasi u martua me Hadixhen, Profeti a.s filloi të kujdesej për tregtinë, jeta si i varfër kishte marrë fund. Pasi kishte jetuar ditë të vështira në fukarallëk, tashmë Profeti a.s do të jetonte si i pasur. Ai kujdesej për tregtinë, por nuk i shoqëronte karvanët jashtë Mekes.
Rindërtimi i Qabes
Nga mosha njëzet e pesë vjeç, moshë në të cilën Profeti a.s u martua, deri kur mbush dyzet vjeç, ndodhin disa ngjarje lokale dhe jo fort të rëndësishme për Profetin a.s. Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve, mekasit vendosin të prishin ndërtesën e Qabes dhe ta rindërtojnë atë. Kjo, për shkak të dëmtimeve të shumta. Për shkak të terrenit ku ndodhej, Qabeja ishte e ekspozuar ndaj vërshimeve dhe rrëkeve të shiut, gjë e cila e kishte dobësuar ngrehinën. Veç kësaj, një grua teksa e parfumonte me temjan, mbulesat e Qabes kishin marrë flakë, duke e përfshirë të gjithë ndërtesën më pas. Meqë dukej qartë që ishte gati në të shembur, fisnikët mekas u mblodhën dhe vendosën ta rindërtojnë.
Qabja ishte e ndërtuar me gurë, sakaq mekasit i ndërtonin shtëpitë e tyre me qerpiç, pasi nuk dinin si punohej guri. Punimi i gurit njihej si zanat në Sham, por jo në Mekë. Ndërtimi me gurë, kërkonte dhe dërrasa të gjata, të cilat nuk gjendeshin në Mekë. Teksa zhvilloheshin mbledhje e diskutime lidhur me ndërtimin e Qabes, dëgjojnë që një anije ishte mbytur pranë brigjeve të Xhiddes. Menjëherë nisen për atje, i mbledhin dërrasat e saj dhe i sjellin në Mekë, për të ndërtuar Qaben. Diçka e tillë, ua shtoi optimizmin pasi e morën si ogur dhe sihariq të mirë. Disa ditë më vonë, në Mekë shitet një skllav nga koptët e Egjiptit, i cili ishte zanatçi në punimin e gurit. Ky ishte një factor tjetër optimizmi.
Pasi u sigurua krahu i punës dhe baza materiale e domosdoshme, mekasit u mblodhën për të siguruar të hollat e nevojshme. Meqë bëhej fjalë për Qaben, shtëpinë e Zotit, ata vendosën kriter kryesor që paratë të pastra, të fituara me djersë dhe jo në rrugë haram. Para të pastra, ata kuptonin ato që nuk ishin fituar nga prostitucioni. Kjo, pasi disa mekas, i përdornin skllavet e tyre femra për prostitucion. Një kriter tjetër ishte që të refuzonin kontributin e tregtarëve që njiheshin si mashtrues dhe hileqarë. Ashtu siç nuk do të pranonin kontribute dhe donacione me burim kamate. Kjo, edhe pse mekasit e përdornin kamatën.
Pasi u sigurua gjithçka për rindërtimin e Qabes, duhej prishur fillimisht ngrehina e vjetër dhe e dëmtuar. Por asnjëri prej tyre nuk guxonte të ngjitej mbi Qabe dhe ta prishë. Ajo që i kishte ndodhur Ebrehas ishte akoma e freskët në memoriet e tyre. Ai bashkë me ushtrinë ishin shkatërruar, thjesht sepse donte ta shkatërrojë, jo më të kishte hequr ndonjë gur.
Duke parë hezitimin e të gjithëve, El-velid ibnu Mugire (babai i Halid ibnul Velid) ndërhyn dhe u thotë:”Unë do të ngjitem sipër dhe do ta shemb.” Ai mori qysqinë dhe filloi të heqë gurët nga qoshja e djathtë deri tek guri i zi. Pasi kishte kryer një sasi të konsiderueshme pune, ai u bëri thirrje të tjerëve që ta ndihmojnë. Por ata iu përgjigjën:”Jo. Do të presim deri nesër. Nëse nuk të ndodh gjë, atëherë do të ndihmojmë.”
Ditën e dytë, vjen El-velid ibnu Mugire bashkë me fëmijët, me leva dhe kazma në duar dhe filluan punën sërish për prishjen e mureve. Atëherë njerëzit u bindën se nuk do u ndodhë gjë e keqe dhe vajtën ta ndihmojnë. Gjatë punës, ata luteshin me fjalët:”O Zot! Ne nuk kemi devijuar nga feja jote. O Zot! Ne nuk po e prishim veçse për ta rindërtuar sërish.”
Asokohe, Qabeja ishte më e madhe, pasi përfshinte dhe qoshkun e Ismailit a.s, rrethi prej mermeri që duket jashtë tani. Veç kësaj, ajo kishte dy dyer, njëra për të hyrë dhe tjetra për të dalë nga ana tjetër. Të dy portat, ishin në nivel me tokën, gjë e cila ia lehtësonin hyrjen dhe daljen të gjithë njerëzve pa asnjë pengesë. Këtë fakt, e tregon vetë Profeti a.s në një hadith, pasi kishte marrë Meken. Ai i thotë gruas së tij:”O Aishe! Nëse populli yt nuk do të ishin kaq pranë idhujtarisë, do e kisha prishur Qaben dhe do e kisha rindërtuar mbi themelet e Ibrahimit, do kisha përfshirë dhe Hixhrin e Ismailit dhe do e kisha bërë me dy dyer.”
Paratë e grumbulluara nga kurejshët, nuk mjaftonin për ndërtimin e Qabes në përmasat e saj origjinale. Ata u gjendën para dy alternativave: Ose të mblidhnin donacione të tjera, të cilat mund të ishin të pista, ose ta ndërtonin më të vogël seç ishte. Ata preferuan ta ndërtojnë më të vogël, në vend që të pranojnë para të pista.
Pasi e sheshuan ndërtesën e vjetër, filluan të gërmojnë në themelet e saj derisa hasën në disa gurë themelesh me ngjyrë të gjelbër dhe me trajtë si gungat e deveve. Gurët ishin të ndërthurur me njëri-tjetrin në mënyrë perfekt. Dikush futi qysqinë mes dy gurëve,duke dashur ta shkulë atë, por një dritë e fortë që doli, gati sa nuk e verboi. Nga kjo, i shpëtoi nga duart qysqia dhe guri u rivendos në vendin e tij të parë. Të pranishmit, thanë:”Mos i lëvizni! Ndërtojini muret mbi këto themele!”
Guri i Zi
Muret e reja filluan të marrin formë, derisa muratori arriti tek guri i qoshes, vend ku duhej vënë guri i zi. Ai ishte një gur, të cilin çdo fis dëshironte të kishte nderin ta vendosë në vendin e tij. Besimi dhe bindja jonë si myslimanë, është se ai është një gur që as nuk bën as dobi dhe as dëm. Transmetohet se Kalifi Umer, kur u afrua të puthë gurin e zi, me zë të lartë që ta dëgjojnë të gjithë, tha:”Pasha Zotin, unë e di që ti je thjesht një gur, që nuk bën as dobi dhe as dëm. Po të mos e kisha para të dërguarin e Zotit të puthë, as nuk do të kisha puthur.”
Ne sot nuk e puthim gurin e zi sepse besojmë që është i shenjtë, sjell dobi ose dëm, por sepse e ka puthur vetë i dërguari i Zotit a.s. Profeti Muhamed a.s e ka puthur gurin e zi, pasi ai është nga gurët e xhenetit.
Guri i zi ka qenë pjesë e Qabes për një kohë të gjatë, derisa sekti Karamita, shtinë Hixhazin në dorë. Për shkak të devijimeve të shumta, ata ndërtojnë një Qabe tjetër të tyren në krahinën Ihsa, në Arabinë Saudite(ose në Bahrejn). Me qëllim që të tërheqin njerëzit për pelegrin në Qaben e tyre, ata e thyen gurin e zi dhe e transportuan në Qaben e tyre. Guri i zi, do të qëndrojë në Qaben e ndërtuar prej tyre për gjashtëdhjetë vite. Pasi myslimanët erdhën në fuqi sërish, e shembën qaben e tyre dhe e rikthejnë sërish Gurin e Zi në Mekë. Por vlen të përmende që Karamita e kishin thyer dhe copëtuar. Kushdo që e ka prekur gurin e zi në Qaben, ka vënë re disa guralecë të vegjël përreth tij. Janë pikërisht këto guralecë ato që kanë mbetur nga guri i zi i vërtetë. Pjesa tjetër është brumë guri, i përpunuar me qëllim që të mbajë copat e vogla të gurit të zi.
Të vendosje gurin e zi në qoshkun e tij, ishte një nder dhe privilegj goxha i madh. Për këtë, çdo fis dëshironte që ky nder tu përkasë atyre. Vendosja e gurit në qoshe ishte diçka që nuk përsëritej çdo vit, siç përsëritej të ushqyerit e haxhilerëve dhe furnizimi i tyre me ujë.
Bazuar në këtë dëshirë, ishte gati për t’u ndezur konflikti dhe lufta mes fisesh. Vetë fisi Abdu Dar, të cilët ishin përgjegjës për Qaben u betuan:”Ne jemi përgjegjës për Qaben. Për Zotin,, askush tjetër veç nesh nuk e vendos këtë gur në vendin e tij.” Mandej sollën një enë me gjak, i ngjyen duart dhe duke i ngritur lart thanë:”Për Zotin nuk e vendos kush gurin në vendin e tij, veçse pasi të ketë derdhë gjakun tonë.”
Kur panë këtë, Benu Mahzum sollën një enë me gjak, i lyen duart dhe duke i ngritur lart thirrën:”Për Zotin nuk e vendos kush gurin në vendin e tij, veçse pasi të ketë derdhë gjakun tonë.”
Benu Adij të Umer ibnul Hattabit, edhe ata i ngjyen duart me gjak dhe u betuan se gurin nuk do e vendoste kush tjetër përveç tyre.
Ebu Umeje ibnul Mugire ishte një burrë i urtë dhe i matur, më i moshuari ndër Kurejshët. Saqë thuhet se asokohe ishte mbi njëqind e njëzet vjeç. Duke nuhatur luftën që mund të shpërthente në çdo çast, ai ndërhyn dhe u thotë:”Të shkretët ju! Nëse ju vriten, kush do e udhëheqë Mekën?! Prandaj, bini dakord që t’ia lini një burri që të gjykojë, kush e meriton këtë nder!”
Të gjithë e pranuan këtë sugjerim dhe e pyetën mbi personin që do gjykonte në këtë çështje. Ai u tha:”Ia lini në dorë personit të parë që do të hyjnë në Qabe nga dera e Benu Shejbe-s.” Ata e pranuan këtë zgjidhje dhe u ulën të presin, personin e parë që do të hynte. Në një moment, shfaqet profeti Muhamed a.s duke hyrë pikërisht nga ajo derë. Njëzëri ata thanë:”Ky është fjalë drejti dhe i besueshmi! E pranojmë gjykimin e tij.”
Ky ishte një rast i volitshëm për Profetin a.s, për të mësuar gjyqet mes njerëzve, me qëllim që t’i largojë njerëzit nga konfliktet dhe luftrat. Gabimi më i vogël mund të ndizte gjakrat mes kurejshëve. Pasi ia shpjeguan si qëndronte puna, profeti Muhamed a.s heq xhyben që kishte veshur, e shtrin përtokë dhe gurin e zi e mban me duart e tij derisa e vendos sipër xhybes. Mandej, u zgjodhi nga një përfaqësues nga çdo fis dhe u kërkoi ta mbajnë bashkërisht gurin deri tek Qabeja. Kur mbërritën tek qoshja, Profeti a.s e mori gurin dhe e vendosi në vendin e tij. Kështu, Profeti a.s arriti të shuajë një konflikt dhe sherr i cili do të kishte marrë përmasa të frikshme.
Pasioni për meditim
Pak kohë para se t’i shpallej mesazhi hyjnor, profetit Muhamed a.s filloi t’i pëlqejë meditimi dhe vetmia. Ai e kishte bërë zakon që të largohej nga zhurmat e Mekes dhe qëndronte në shpellën Hira. Ajo është një shpellë e vogël në majë të një mali të lartë në Mekë. Ai zgjidhte këtë vend të largët, pasi pëlqente vetminë dhe nuk donte njerëz të tjerë nëpër këmbë. Shpella nuk nxë më shumë se dy tre vetë. Prëveç hyrjes, ajo ka dhe një dalje nga ana e kundërt, nëpërmjet të cilës mund të dallosh Qaben. Profeti a.s, teksa qëndronte në shpellë vështronte Qabenë dhe meditonte. çdo vit, ai qëndronte disa ditë në këtë shpellë, sidomos gjatë muajit Ramazan. Një vit para se t’i shpallej mesazhi hyjnor, ai qëndroi një muaj të plotë në shpellë. Herë pas here, ai zbriste nga mali, vizitonte familjen, furnizohej me ushqime dhe kthehej sërish në shpellë. Gjatë rrugës për në shtëpi dhe kthimit, ai dëgjonte një zë që i thoshte:”Esselamu alejke ja resulullah (paqja qoftë mbi ty o i dërguar i Allahut)”. Ai kthehej nga burimi i zërit, por nuk shquante njeri. Tregon Profeti a.s, se e kishte pyetur Xhibrilin a.s mbi atë zë dhe ai i kishte thënë:”Kanë qenë gura dhe trungje që të jepnin selam.”
Profetit a.s filluan t’i ndodhin dhe disa gjëra të tjera të pazakonte. Ndër to, ishin dhe ëndrrat të cilat i shihte t’i realizoheshin të nesërmen. Transmeton Aisheja, se ndër shenjat e profecisë, janë ëndrrat që realizohen. Vetë Profeti a.s thotë:”Ëndrrat që realizohen, janë një nga tridhjetë e gjashtë pjesë të profecisë.”
/KBI-Bujanoc.com/
3620 Shikime