08.09.2023
Pasuria dhe fëmijët tuaj të mos ju largojnë nga përmendja e Allahut!

www.kbi-bujanoc.com
Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutbeja e sotme e mban titullin: “Pasuria dhe fëmijët tuaj të mos ju largojnë nga përmendja e Allahut!”
Kur Allahu e krijoi Xhenetin dhe Xhehenemin, e dërgoi në Xhenet melekun Xhibril dhe i tha: “Shko dhe shikoje Xhenetin dhe shpërblimin që kam përgatitur për banorët e Xhenetit.” Xhibrili shkoi, e shikoi Xhenetin dhe shpërblimin e përgatitur për banorët e tij, dhe kur u kthye, i tha Allahut të Madhëruar: “Pasha fuqinë Tënde, kushdo që dëgjon për të do të hyjë në Xhenet!”Allahu pastaj urdhëroi dhe Xheneti të rrethohet me pakënaqësi (sprova, vështirësi…) dhe i tha Xhibrilit: “Kthehu përsëri dhe shiko!“ Kur Xhibrili u kthye në Xhenet, e pa Xhenetin të rrethuar nga pakënaqësitë (sprovat, vështirësitë…) dhe menjëherë iu kthye Allahut: “Pasha fuqinë Tënde, kam frikë se nuk do të hyjë askush në Xhenet!” Pastaj e urdhëroi: “Tani shko dhe shikoje Xhehenemin dhe dënimin që kam përgatitur për banorët e Xhehenemit!” Xhibrili kur arriti në Xhehenem dhe e pa zjarrin e furishëm të tij, u kthye mbrapa dhe tha: “Pasha fuqinë Tënde, kushdo që dëgjon për Xhehenemin, nuk do të hyjë në të!” Allahu urdhëroi që xhehenemi të rrethohej me pasione (kënaqësi, bukuri…) dhe i tha Xhibrilit që të shikoi përsëri. Kur e pa Xhehenemin, Xhibrili tha: “Pasha fuqinë Tënde, kam frikë se nuk do të shpëtojë askush nga Xhehenemi!”
Një nga stolitë më të mëdha, por edhe sprovat e kësaj bote, janë pasuritë tona dhe fëmijët tanë. Pasuritë tona dhe fëmijët tanë mund të na çojnë në Xhenet, por edhe në Xhehenem, kjo varet nga mënyra se si i trajtojmë ata. Prandaj Allahu i Plotfuqishëm ju drejtohet besimtarëve duke u thënë:
„O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.“ (el-Munâfikûn, 9)
Të dashur vëllezër!
Nuk është e ndaluar të kesh shumë fëmijë dhe shumë pasuri, përkundrazi, është e rekomanduar dhe më e mirë; sepse Pejgamberi (savs), ka thënë se ai do të jetë krenar për numrin tonë në Ditën e Gjykimit; sepse Pejgamberi (savs), ka thënë senjë besimtar i fortë (kur themi i fortë nënkuptojmë financiarisht, fizikisht dhe intelektualisht, dhe dhe…) është më i mirë se një besimtar i dobët. Por ajo që është e ndaluar është se dashuria për fëmijët dhe pasurinë të na largojë nga përmendja e Allahut, të na largojë nga falja e namazit, nga agjërimi i muajit ramazan, dhënia e zekatit, kryerja e haxhillëkut…
Njeriu që e shpenzon pasurinë e tij për bamirësi dhe vepra të mira. Njeriu për të cilin detyrat ndaj Allahut, për të cilin namazi, është para të gjitha çështjeve të kësaj bote. Njeriu që është i bindur dhe falënderues ndaj Allahut si në varfëri ashtu edhe në pasuri. Njeriu që i jep fëmijës së tij arsimim të mirë dhe edukatë të mirë islame. Ai do të jetë njëri nga ata që do të shpëtojnë.
Ndërsa njeriu që e shpenzon pasurinë e tij në haram: në alkool, në prostitucion, në bastore, në drogë, në imoralitet… njeriu që kur i bie ndonjë telashe thotë: “O Zot, më ndihmo!” dhe fillon të falet, të agjërojë dhe të vijë në xhami, por kur është në begati i harron të gjitha këto, dhe neudhubil-lah e harron Zotin dhe as nuk i bie ndërmend. Njeriu që i lë fëmijës së tij shtëpi, makinë, para… dhe në vend të arsimimit dhe edukimit, ai do të jetë – siç thotë ajeti – nga ata që janë të humbur.
Gjiganti i Islamit imam Esh’ariu thotë: “Armiku yt nuk është ai që ti e vret në betejë apo ai të vret ty, dhe ti bjen shehid dhe hyn në Xhenet. Armiku yt i vërtetë është fëmija, i cili ka dalë nga shtylla yte kurrizore dhe ti nuk e ke edukuar në Islam!“
Ndërsa një poet islam thotë:
“Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj,
ata janë bijtë dhe bijat e mallit
dhe të jetës për hir të vetvetes.
Fëmijët vijnë përmes jush,
por jo nga ju,
edhe pse ata janë me ju,
ata nuk ju përkasin juve.
Ju mund t’a jepni atyre dashurinë tuaj,
por jo mendimet e tua,
sepse ata kanë mendimet e tyre.
Ju mund t’u jepni atyre një shtëpi për trupat,
por jo për shpirtrat,
shpirtrat e tyre janë në pushtetin e Atij që i krijoi,
kërkojini për Tij që t’i udhëzojë.”
Do ta përfundoj këtë hutbe me dy tregime shumë të mira për ju. I pari është një mësim se si nuk duhet të sillet një besimtar, ndërsa i dyta është se si duhet të sillet.
Tregimi i parë: Njëherë, në një kohë, në një fshat jetonin tre izraelitë të bukur. Allahu i krijoi ata në formën më të bukur të mundshme. Njërit prej tyre i dha trup të bukur që rrezatonte forcë, bukuri dhe burrëri. Të dytit i dha flokë të dendura dhe të bukura që e bënin shumë të dashur dhe tërheqës për femrat. Të tretit i dha sy shumë të bukur që rrezatonin bukuri dhe joshje. Kushdo që e shikonte, do të magjepsej. Të vetëdijshëm për të gjitha këto, ata e përdorën bukurinë e tyre për arrogancë dhe imoralitet. Gjithë fshati filloi të fliste për ta dhe të prisheshin martesat. Nga një fshat i njohur për devotshmëri, ai u bë i njohur për imoralitet. Pas gjithë kësaj, Allahu i Plotfuqishëm vendosi, që përmes shembullit të atyre të treve t’u japë një mësim të gjithëve. Kështu, atij me trup të bukur i dha një sëmundje e cila ia deformoi trupin, atij me flokë të bukur, Allahu i dha një sëmundje e cila bëri që t’i bien flokët, kurse në kokë t’i shfaqeshin plagë. Atë me sy të bukur Allahu e vërboi. Kur njerëzit i panë të gjitha këto, papritmas filluan të shmangnin dhe të iknin prej tyre. Ditët kalonin, kurse ata të tre po sëmureshin dhe po braktiseshin edhe më shumë. Pastaj në një moment ata e kujtuan Allahun dhe të gjitha mëkatet që kishin bërë, kështu që u zotuan: “O Allah, nëse na shpëton nga kjo, ne do të jemi të bindur dhe besnikë ndaj Teje.” Ata qanin duke kërkuar falje dhe shpëtim nga Allahu. Dhe Allahu i mëshiroi. Ua riktheu gjendjen e mëparshme dhe përveç kësaj, u dha atyre edhe pasuri të madhe në formën e tufave të deveve, lopëve dhe deleve. Përsëri filluan të jetonin bukur. Por Allahu përsëri i vuri në provë duke u dërguar atyre një melek në formën e një njeriu të varfëri që kërkoi prej tyre vetëm diçka nga gjithë ajo pasuri e madhe, dhe atë në emër të Atij që u dha atyre bukuri dhe pasuri të tillë. Por të gjithë, përveç të verbërit, e refuzuan duke thënë se e kishin fituar vetë me duart e tyre, se Allahu nuk kishte asnjë lidhje me të! Atëherë, Allahu bëri që sëmundjet dhe varfëria e tyre të kthehen përsëri tek ata, përveç atij që ishte i verbër, i cili vazhdoi të jetonte në bukuri dhe mirëqenie.
Tregimi i dytë: Ky është një transmetim për Ejubin (a.s.). Ejubi (a.s.) ishte pejgamber jashtëzakonisht i bukur dhe i pasur. Për shkak të bukurisë dhe pasurisë së tij, të gjithë donin të ishin pranë tij dhe në shoqërinë e tij. Ai vazhdimisht e falënderonte Allahun për këtë. Shpërndante pasuri për bamirësi, i ndihmonte të varfërit, sepse e dinte se e gjitha ishin nga Allahu. Por Allahu vendosi që ta sprovonte Ejubin (a.s.). Së pari ia mori pasurinë, por Ejubi tha: “Elhamdulil-lah, Allahu ma dha, Allahu ma mori.” Pas kësaj, Allahu bëri që të gjithë fëmijët e tij të vdsnin, të cilët ishin shumë në numër, por Ejubi (a.s.) edhe më tutje ishte mirënjohës ndaj Allahut. Kurse pas kësaj, Allahu e sprovoi me një sëmundje të rëndë, sëmundje nga e cila po kalbej trupi i tij. Kur i panë të gjitha këto, të gjithë njerëzit e braktisën, përveç gruas së tij. Ajo qëndroi besnikërisht pranë tij për t’i shërbyer dhe për ta trajtuar. Por Ejubi (a.s.), pa marrë parasysh të gjitha këto, ai e kishte vetëm Allahun në mendimet, në fjalët dhe në veprat e tij. Vitet kalonin, kurse situata sa vinte e përkeqësohej. Dhe pastaj një ditë, shejtani përmes gruas së tij ia dërgoi një mesazh Ejubit (a.s.), që t’i bënte vetëm një sexhde, dhe ai do ta kthente atë në gjendjen e tij të mëparshme. Por Ejubi (a.s.) u zemërua dhe filloi ta përmendte Allahun edhe më shumë. Kur Allahu e pa këmbënguljen e Ejubit, kur pa se Allahu ishte në mendimet, fjalët dhe veprat e tij, pavarësisht se a ishte në mirëqenie apo në telashe, Allahu vendosi ta shërojë Ejubin (a.s.) dhe i dhuroi edhe më shumë pasuri dhe fëmijë.
Vëllezër të dashur! Le të bëhemi si Ejubi (a.s.) e jo si ai që mbeti pa flokë dhe ai që iu deformua trupi!
Vëllezër të dashur! Kush e kujton Allahun në mirëqenie, Allahu do ta kujtojë atë në vështirësi.
O Zot, na ruaj nga sprovat që nuk mund t’i përballojmë! Na jep të mira si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Amin!!!
Përshtati: Miftar Ajdini
57 Shikime