Çka është Rahmeti i Zotit - Tim Winter

15.01.2022

Çka është Rahmeti i Zotit - Tim Winter


 Çka është Rahmeti i Zotit - Tim Winter

Fragment

Alternimi i emrave çift në Kuran sendërton një perceptim të veprimit të Zotit, dhe, kësisoj, të botës, si një fushë dinamike ku ndërveprojnë të kundërtat.

Mëshira dhe zemërimi alternohen në Kuran si pjesë e këtij dimorfizmi hyjnor. Por sërish, pjesa më e madhe e myslimanëve kanë thënë se parimi i parë është mbizotërues. Sikurse përcjell një hadith: “Mëshira Ime ia tejkalon mërisë Time”. Zoti “udhëzon shumëkënd” dhe “ia humb rrugën shumëkujt” (K. 2:26), por agjensia dominante hyjnore kuptohej se është e dhembshur dhe provdenciale. Kjo gjë duket se aludohet nga vetë besmele-ja –

“Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit” – shprehja që çel çdo sure, përveç njërës. Zoti i Kuranit në modalitetin e Tij “personal” angazhohet me krijesat e Tij njerëzore kryesisht nëpërmjet më të shpeshtit të emrave, el-Rahman, “i Gjithëmëshirshmi”. “Thuaj: “Robtë e Mi (robtë e Zotit), shpërdorues të vetvetes! Mos i prisni shpresat nga mëshira e Zotit! Zoti i fal mëkatet, të gjitha. Ai është Falësi, Mëshirëploti.” (K. 39:53).

Dhe “Zoti nuk fal t’i bëhet shok, por fal, veç kësaj, me dashjen e Vet. Kush i bën Zotit shok, ka sajuar një mëkat të madh” (K. 4:48). Mëshira e Tij “përfshin gjithçka” (K. 7:156). Ka të ngjarë që këtu Kurani, siç ndodh shpesh, po vijon polemikën e tij restaurative, duke e kuptuar një pjesë të prirjes së tij si një orientim i rishtë i pararendësve të tij paganë, judej, dhe të krishterë drejt një pranimi të plotë të “mëshirës” (rahmetit) të Zotit. Mungesa e vënë tashmë në dukje e një doktrine të mëkatit origjinal ndoshta duhet kuptuar në këtë kontekst.

Zoti nuk ka krijuar një botë që në thelb karakterizohet nga mëkati dhe vuajtja e pandreqshme. Ndonëse koncepti i dashurisë së Zotit për besimtarët është prezent në Kuran, pasi “Ai i do ata dhe ata e duan Atë” (K. 5:54), ai besohet se është më pak domethënës dhe më pak i thellë se sa koncepti i dhembshurisë, i të cili dashuria është një modalitet kyç. Sikurse e ka përshkruar teologu Ebu Hamid el-Gazaliu (vd. 1111) këtë rahmet:

Ai është i përsosur ashtu dhe gjithëpërfshirës ... i përsosur përderisa ai dëshiron të përmbushë nevojat e atyre që janë nevojtarë dhe vërtet i përmbush ato; dhe gjithëpërfshirës përderisa ai i përfshin si ata që e meritojnë ashtu dhe ata që nuk e meritojnë... i Dhembshuri është Ai i cili i do njerëzit, fillimisht duke i krijuar ata; së dyti, duke i udhëzuar ata për në besim dhe drejt mjeteve të shpëtimit; së treti, duke i bërë ata të lumtur në botën tjetër; dhe së katërti, duke iu falur atyre mundësinë që të sodisin Fytyrën e Tij të fisme.

Madje edhe sprovat dhe ndëshkimet e Zotit, thotë në përfundim Gazaliu, janë shprehje e rahmetit. Një nënë është e mirë dhe një baba është rigoroz, por të dy shprehin mëshirë. Profecia, pavarësisht nga aspekti i saj detyrimisht rigoroz, interpretohet gjithashtu si një shprehje e rahmetit hyjnor: vetë Muhamedi është “dërguar vetëm si rahmet për botët” (K. 21:107).

Ndonëse kjo mëshirë në njëfarë mënyre “përfshin gjithçka” (K. 7:156), drejtësia mbetet kontrapunkti i saj i domosdoshëm. Edhe këtu gjithashtu tensioni dinamik ndërmjet imanencës dhe transhendencës e mbush kozmosin me një dialektikë konstante (e cila madje nga disa sufinj filloi të interpretohej në terma gjinie ). Zoti si “i Urti” (el-Hakim, K. 2:32) është rigoroz por i paanshëm. Ai e drejton botën materiale, por gjithashtu i mbishkruan ligjet morale dhe bën gjykime të përpikta në fundin e historisë. Tekembramja,

Ai do të rri ulur si el-Hakem, (“Drejtësimbajtësi,” K. 6:114), dhe urtësia e Tij do të shpaloset për t’i dhënë fund pështjellimit njerëzor: “Sot Ne kemi hequr velin prej jush, kështu që shikimi juaj sot është i mprehtë” (K. 50:22). Më pas krijesat e Tij më në fund e perceptojnë plotësisht se sa me vend janë veprimet dhe ligjet e Tij. Parajsa dhe ferri do të manifestojnë në formë konkrete përsosmërinë e dijes dhe urtësisë së Tij dhe do të konfirmojnë peshën e rëndë të zgjedhjeve njerëzore. Kësodore, Ai është “Mbreti i Ditës së Gjykimit” (meliki jeum el-din, K. 1:3), kur aspektet e buta dhe të ashpra të Zotit më në fund dhe vendosmërisht kanë për t’u diferencuar.

Si për të konfirmuar që rahmeti është më i epërmi i virtyteve, është bash në këtë kontekst që Kurani jep një bazë semantike për idenë se etika njerëzore do të jetë emulacion i emrave hyjnorë. “Le të falin dhe të bëjnë durim... A nuk doni që Zoti t’ju falë? Me të vertetë, Zoti është Falës [Gafur] dhe i Mëshirshëm [Rahim]” (K. 24:22). “Shtrini mbi ata [prindërit] flatrën [mbrojtëse] të rahmetit dhe thoni: “Zoti im, tregohu i dhembshur me ata, pikërisht sikurse ata më rritën kur isha fëmijë”” (K. 17:25). Ky imitatio Dei u bë edhe më eksplicit në kanonin e haditheve: “Tregoni rahmet ndaj atyre që janë në tokë, dhe Ai i Cili është në qiell ka për të treguar rahmet ndaj jush.”

Për Kuranin dhe Hadithin, analogjia ndërmjet përsosmërisë njerëzore dhe përsosmërisë hyjnore është pa dyshim e çiltër, dhe me kohë, çiftimi eksplicit i mëshirës hyjnore dhe njerëzore u përvijua derisa ajo u bë, me njëfarë përzierje platonike, një doktrinë rrënjësore e etikës së virtytit, e ngulitur në emulacionin hyjnor.

Thelbësore për konceptin e rahmetit është magfire-ja, apo “falja”, e Zotit. Me këtë koncept lidhen etimologjikisht jo pak por tre emra Kuranorë për Zotin: el-Gafir, el-Gafur, dhe el-Gaffar, ku dy të fundit trajtohen si forma emfazë të këtij modusi të spikatur të angazhimit hyjnor me botën e njeriut. Falja është e rrënjosur në dhembshuri, por ajo që i jep hov asaj është “kthimi” i Zotit dhe zbutja e Tij karshi robëve të Tij harrestarë. Ai është el-Teuab, “Ai që kthehet shpesh”, apo “Pendesë-pranuesi” (K. 2:128, 4:64, 49:12, 110:3).

Falja vjen lehtësisht, por sidomos kur njerëzit pendohen. Një besimtar mund të përjetojë gjithashtu teube-në, e kuptuar kjo si një rikthim pendestar drejt Zotit, i cili kthehet kah pendestarit. “Zoti kthehet [në teube] karshi cilitdo që Ai dëshiron; me të vërtetë, Zoti është Falës [Gafur], i Mëshirshëm [Rahim]” (K. 9:27). Sërish, emrat tregojnë një botë hyjnore dhe njerëzore të alternimit dhe vërshimit, që i jep trajtë një teleologjie dinamike të “rikthimit” (ma’ad).

671 Shikime