18.08.2023
Ilaçi për stresin dhe sprovat
www.kbi-bujanoc.com
A jeni të ngarkuar, të tendosur, nën presion, apo nën stres?
A jeni të brengosur, a ju mundojnë bezdi të ndryshme dhe a jeni të shqetësuar me fatkeqësi, me probleme dhe sprova të jetës?
A e keni humbur kohëve të fundit ndonjë të afërm, ndonjë mik apo të dashur?
A mos ndoshta e keni humbur punën, apo për vite me radhë nuk po gjeni punë, ndërsa e keni mbaruar fakultetin, masterin apo doktoraturën? Është e tepërt të pyesësh, a keni probleme financiare.
A keni nevojë për ndihmë?
A ndjeni nevojë që të mbështeteni mbi shpatullat e dikujt dhe të qani?
Derisa të tjerët janë të lumtur dhe të qeshur, ju ndieni se juve nuk ju qeshet, dhe do të dëshironi ju të jeni në vendin e tyre. Derisa jeni duke kaluar përmes sprovave të ndryshme, vështirësi dhe skamje të jetës, a ndieni sikur mbi ju është përkulur një re e madhe e zezë që e errëson diellin e shpresës për çdo gjë rreth jush? Ndoshta nuk shihni rrugëdalje dhe mendoni më të keqën?!
Por, nëse është ashtu, a jeni duke menduar për dalje nga kjo situatë? Dalja dhe zgjidhja ekziston. Pas vështirësive vijnë lehtësimet. A besoni në të? Ndoshta mendoni se situata është e pashpresë dhe nuk besoni se për ju ka ilaç adekuat, por natyrisht, ka! Kjo që do të dëgjoni (lexoni) është pikërisht për ju dhe për të gjithë ata që janë nën stres dhe kërkojnë lehtësim dhe dalje nga vështirësitë. Andaj, nëse kërkoni ilaç, ja këtu e keni në dispozicion, madje falas (pa pagesë).
Këtë ilaç, këtë medikament e ka përdorur Muhamedi a.s., e përdorin të gjithë njerëzit e mirë, dhe do ta përdorin edhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e drejtë deri në Ditën e Gjykimit.
Emri i këtij ilaçi është “Tevekkul ‘ala Allah” mbështetja në Allahun. Është besimi aktiv dhe mbështetja e plotë në Allahun e Madhërishëm.
Ky është nënshtrimi i çdo gjëje ndaj Allahut të Plotfuqishëm, pasi të kemi bërë dhe ndërmarrë gjithçka që është në fuqinë tonë të kufizuar, në mënyrë që mos të jemi të ngarkuar me brengat se çfarë do të ndodhë. Sigurisht, ne nuk do të jemi indiferent ndaj ngjarjeve dhe asaj se çka mund të ndodhë, por ne nuk do të lejojmë që brengat të na preokupojnë dhe vështirësitë të na dekurajojnë. Ne nuk do të jemi nën stres, as nuk do ta molisim trupin e ta ulim shpirtin.
Ky ilaç do të na ndihmojë që të jemi të vetëkënaqur, të qetë, sepse jemi të vetëdijshëm se atë Allahu i Lartësuar na e ka caktuar për ndonjë arsye. Përveç kësaj, ne jemi të vetëdijshëm se Allahu i Madhërishëm kurrë nuk do ta harrojë dhe braktis një njeri, i cili e kujton Atë, që mbështetet në Të dhe i cili vetëm nga Ai ndihmë kërkon. Besimtarët janë të vetëdijshëm se rezultati, edhe në qoftë se zgjat, do të jetë i mirë dhe në favor të tyre, të kësaj bote dhe të ahiretit. Qysh?
E pra, nga fakti se Allahu, Krijuesi ynë, na teston dhe don të shoh se si do ta përballojmë dhe a do të jemi të durueshëm. Kurse në të mirë nuk duhet të krenohemi dhe në vështirësi nuk duhet të përulemi. Besimtari gjithmonë të gjitha i duron me dinjitet dhe asnjëherë nuk dëshpërohet dhe nuk e humb shpresën. Në të gjitha goditjet e fatit është i durueshëm.
A keni dëgjuar për Urve ibn Zubejrin? Urve ibn Zubejri ishte nipi i Ebu Bekrit (r. a.) dhe dijetar fetar, ndërsa Ebu Bekri ishte shoku më i mirë i Muhamedit (savs). Njëherë Ebu Bekri e thirri Ibn Zubejrin, kështu që ai me djalin e tij shkoi duke ecur në këmbë nga vendi i tyre deri te shtëpia e Ebu Bekrit (r. a.).
Duke ecur deri te shtëpia e Ebu Bekrit, Urve Ibn Zubejri u sëmur rëndë. Ai ndjeu dhimbje të tmerrshme në këmbë dhe i tha birit tij se ndoshta nuk do të mund ta vazhdojë udhëtimin. Por pas pushimit disa minutësh, ai e ngriti veten dhe shkoi deri te shtëpia e halifit.
Ibn Zubejri e informoi halifin për dhembjen që ndjente, dhe Ebu Bekri e thirri një mjek. Pas kontrollimit, mjeku konstatoi se njërën këmbë të Ibn Zubejrit duhet prerë (amputuar), përndryshe sëmundja do të përhapet në të gjithë trupin dhe Ibn Zubejri në mënyrë të pashmangshme do të vdes.
Ibn Zubair u pajtua, duke thënë: „Në rregull, ju mund të ma pritni këmbën, por me kusht që mos të më jepni alkool. Alkool në asnjë mënyrë nuk do të pi.“
Pasiqë atëherë alkooli është përdorur si mjet anastezik, mjeku i tha: “Jo, ti patjetër duhet të pish alkool, sepse në qoftë se nuk pi, do të ndjesh dhimbje të tmerrshme dhe me siguri do të vdesësh!“
Urve Ibn Zubejri tha: “Jo, unë nuk dua të jem i pabindur ndaj Allahut të Madhërishëm, por ju mua ma pritni këmbën derisa unë jam në namaz, dhe atë të në sexhde ndaj Zotit tim. Përndryshe nuk do të ju lejoj të ma amputoni këmbën time, por veten time do ta lë ashtu derisa të vdes.“
Sigurisht, se mjeku ra dakord për këtë dhe ia preu këmbën derisa Ibn Zubejri ishte në sexhde. Për shkak të gjakut të derdhur dhe dhimbjeve të forta, Urve Ibn Zubejrit i ra të fikët. Ndërkohë, djali i tij Omeri ndodhej jashtë pranë kalit, i cili e goditi me shqelm në kokë dhe e mbyti. Subhanallah! Dy sprova të tmerrshme në të njëjtën kohë! Ibn Zubejri e humbi këmbën e tij dhe djali i tij u vra.
Kur Ibn Zubejri u vetëdijësua, iu afrua halifi Ebu Bekri dhe i tha: „Allahu të shpërbleftë me një shpërblim të madh!“ Kjo lutje i bëhej dikujt kur e humbte një të afërm ose një organ të trupit të tij. Urve Ibn Zubejri u përgjigj: “Elhamdulil-lah, Allahu më dha 4 gjymtyrë – 2 duar dhe 2 këmbë – një ma mori, por tash elhamdulil-lah i kam edhe 3 gjymtyrë!“
Pastaj halifi ia komunikoi lajmin e pakëndshëm duke i thënë: “Allahu të shpërbleftë me një shpërblim të madh! Djali yt gjithashtu vdiq!“
Ibn Zubejri pak u pikëllua, pastaj tha: “Elhamdulil-lah, Allahu më dha 4 fëmijë. Njërin ma mori, por i kam edhe tre. “Elhamdulil-lah, elhamdulil-lah!“
Mbështetetje në Allahun, do të thotë t’ia lë të gjitha Allahut, çfarëdo qoftë ajo. Më parë, duhet bërë të gjitha që të realizohet ajo çfarë është e mirë dhe e dobishme për ne, për komunitetin dhe shoqërinë. Kurse kur rasti i lëhet Allahut, atëherë nuk ka nevojë të shqetësohemi apo shumë të mendojmë. Duhet të lirohemi nga brengat, mos të bëjmë panik dhe të gjitha t’i pranojmë me qetësi. Ne jemi muslimanë dhe nuk duhet ta humbim shpresën.
Ilaçi ynë është mbështetja në Allahun e Madhërishëm, i Cili u ka premtuar sukses dhe fitore besimtarëve. “… e kush iu përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).“ (et-Talak, 2-3)
Ja pra, ky është ilaçi ynë dhe mjekësia jonë. Ne jemi të bindur se Allahu i Madhërishëm do t’i ndihmojë besimtarët të cilët angazhohen dhe mbështeten në Allahun. Ndihma e Allahut nuk do të mungojë, dhe problemet, vështirësitë dhe sprovat, me vullnetin e Zotit, do të zgjidhen. Allahu do të na çlirojë nga vështirësitë dhe do të na e lehtësojë gjendjen. Ndihma dhe fitorja e Allahut është afër nesh sa më shumë që ne jemi afër Allahut të Madhërishëm. Pra, është edhe afër nesh. Atëherë të përpiqemi! Ka llogari edhe për këtë botë, edhe për ahiret.
O Allahu i Plotfuqishëm;
Na e prano ligjëratën tonë dhe veprat tona të mira!
Na i fal mëkatet tona dhe na e përmirëso gjendjen tonë!
Na bëjë neve prej atyre që mësojnë, punojnë dhe në mënyrë aktive mbështetet në Ty.
Na vendos në xhenetin e premtuar me njerëzit e Tu të dashur dhe të zgjedhur.
Përshtati: Miftar Ajdini
313 Shikime