11.05.2016
Solidariteti brenda familjes në Islam
“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj dhe fise që të njiheni mes vete e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë” (Huxhurat 13)
Në ajetin 13 të sures Huxhurat Allahu i Lartmadhë ruar urdhëron e thotë: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj dhe fise që të njiheni mes vete e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”.
Nga ajeti i lartpërmendur kuptojmë se lloji i njeriut është krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe kështu me këto dy elemente së pari është formuar familja, ndërsa më pas nga familja janë krijuar edhe fise dhe popujt. Si rezultat i kësaj familja është institucioni social më i vjetër. Jeta sociale ka filluar me të dhe me të vazhdon. Gjatë historisë ky institucion është ngushtuar apo zgjeruar si pasojë e problematikave të ndryshme, por që përherë e ka ruajtur ekzistencën e tij. Familja që përbëhet nga anëtarë që janë të lidhur me njëritjetrin nga gjaku, qumështi dhe martesa, është vendi në të cilin është mundësuar për herë të parë dhe në kuptimin më të gjerë solidariteti social. Pasi solidariteti social pikësëpari mundësohet me anë të ndihmave sociale.
T’i bësh mirësi dikujt pa pritur ndonjë shpërblim, t’i buzëqeshësh me një fytyrë të ëmbël, ta pyesësh për shëndetin dhe problemet duke e bërë atë për vete, është një ndihmesë shpirtërore. Për t’i realizuar të gjitha këto nuk është kusht që dikush të jetë i pasur. Gjithashtu nuk është e nevojshme që atij që i jepet ndihmesa shpirtërore, të jetë i varfër.
Në Kur’an, në shumë ajete njerëzit ftohen në punë të hajrit dhe të dobishme, por që theksohet se kjo punë e hajrit dhe me vlerë dhe kjo mirësi së pari t’u bëhet prindërve. Kjo pasi nuk mund të presësh ndihmesë për të tjerët nga një person apo individ i cili nuk e ka përgatitur veten e tij për një solidaritet social në familje si dhe nëse këtë nuk e ka kuptuar si një parim etik të pashmangshëm dhe një lloj sjelljeje etike.
Feja Islame ashtu sikurse i ka dhënë një rëndësi të veçantë ndikimeve shpirtërore dhe ndihmesave sociale ashtu i ka dhënë rëndësi edhe sigurisë sociale.
Familja është institucioni më themelor i sigurisë sociale që i garanton njeriut shpëtimin prej rreziqeve. Sigurimi social në familje fillimisht kontrollohet me ekzistencën e respektit, dashurisë dhe dhembshurisë që duhet të ndjejnë anëtarët e një familjeje për njëri-tjetrin. Çështja më e rëndësishme që e fut në rrezik funksionin e institucionit të familjes është mosmarrja në konsideratë nga ana e brezit të ri e solidaritetit brenda familjes si dhe qëndrimi indiferent i tyre ndaj prindërve. Një gjë e tillë i lëkund themelet e familjes.
Allahu i Lartë urdhëron e thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre ose që të dy i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh” as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre por thuaju fjalë të mira. Dhe në shenjë më- shire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”(el-Isra/ 23-24)
Në ajetin e dhënë shprehet kujdesi që duhet treguar ndaj prindërve, ndaj tyre duhet folur me fjalë të mira, sepse ata mërziten e hidhërohen edhe nga një fjalë a shprehje. Kuptimi i ajetit është i gjerë aq sa mund të përfshijë në të fjalë dhe sjellje që mund t’u japë dhimbje atyre dhe që mund t’i shqetësojë. T’u thuash fjalë të këqija prindërve, të sillesh ndaj tyre në mënyrë të padëshirueshme e aq më tepër të mërzitesh nga shërbimi që u bën atyre dhe t’i dërgosh në azil dhe të tilla si këto, janë punë që Islami i ka kundërshtuar rreptësishtë. E vetmja gjë e veçantë këtu është ajo që Allahu e ka ndaluar. Këshillat dhe urdhrat e prindërve që janë të këqija dhe gjynah, janë e vetmja gjë e veçantë që Allahu i Lartë i ka ndaluar. Për këtë urdhëron e thotë: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për sjellje të mira ndaj prindërit të vet sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin (e porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu pse vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok për çka ti nuk ke asnjë fakt atëherë mos i respekto ata po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre e ti ndiqe rrugën e atij që është i kthyer tek Unë, mandej kthimi juaj është tek Unë e unë do t’ju njoftoj për atë që keni punuar”(Llukman/14,15)
Ka shumë hadithe edhe të Pejgamberit (a.s) që theksojnë rëndësinë që ka bindja ndaj prindërve. Mes këtyre shembujve sa bukur tregohet një temë e tillë në këtë bisedë që bëhet mes sahabëve: - O i dërguari i Allahut, kush është personi më i duhur mes njerëzve për t’u sjellë mirë? - Ajo është nëna. - Po më pas kush vjen? - Përsëri është nëna. - Po më pas kush vjen? - Babai. (Buhari, Edeb 2)
E pyesin të dërguarin e Allahut se cila është puna më e pranueshme nga ana e Allahut; dhe ai thotë: “Namazi i falur në kohën e vet” E pyesin se cila vjen më pas; dhe ai përgjigjet: “Mirësia që u bëhet prindërve” më pas e pyesin se cila vjen: dhe u përgjigjet: “Lufta në emër të Allahut” (Ebu Davud, Salat, 9)
Që ne të jemi të qëndrueshëm si nga ana fetare, nga ana kombëtare ashtu edhe nga ajo etike është e domosdoshme vendosja e familjes mbi baza të shëndosha. Kjo është edhe arsyeja që feja Islame i ka dhënë shumë rëndësi familjes. Feja Islame i ka shqyrtuar në detaje problemet e marrëdhënieve mes anë- tarëve të familjes dhe për këtë ka vendosur shumë parime. Që foleja familjare të jetë e qëndrueshme, është kusht që të ekzistoje respekti dhe dashuria mes partnerëve. “Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë) ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.”(Rrum/21)
“Ata janë mbulesat e juaja kurse ju jeni mbulesat e tyre”(Bakare/187)
Ky ajet i fundit shpreh faktin se çiftet e kanë plotësuar veten e tyre me lidhjen në martesë. Martesa është një domosdoshmëri e natyrës së njeriut qëllimi i së cilës është krijimi i një foleje me qetësi dhe lumturi dhe edukimi i brezave të dobishëm dhe të mirë për jetën. Në të njëjtën kohë është edhe synet i pejgamberëve.
Pejgamberi ynë Muhamedi (a.s) ka thënë: “Martesa është suneti im. Ai që nuk e zbaton sunetin tim nuk është nga radhët e mia. Martohuni pasi unë do të mburrem me shumicën tuaj përpara të tjerëve.”(Tirmidhi)
Në bazë të këtij suneti besimtarët që kanë mundësi do të martohen, do të edukojnë fëmijë të dobishëm në oxhakun e familjes plot qetësi dhe lumturi dhe gjithashtu do të kërkojnë edhe ndihmesën e Allahut në këtë drejtim. “Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me punën e grave tona dhe pasardhësve tanë e neve na bën shembull për të devotshmit” (Furkan/74)
Me sjelljen e një fëmije në jetë nuk mbaron puna. Ashtu sikurse i kushtojmë kujdes që ta rrisim dhe edukojmë në mënyrë të shëndetshme, ashtu do t’i kushtojmë kujdes ndoshta edhe më tepër etikës dhe edukatës së fëmijës dhe sapo fëmija të vijë në jetë do të kërkojmë edhe ndihmën e Allahut.
Shembulli më i madh dhe më konkret në fazën e rritjes dhe zhvillimit për fëmijën është prindi i tij. Prindërit që bëhen shembuj negativ për fëmijët e tyre do të kenë një përgjegjësi tepër të madhe përpara Allahut. Kjo pasi fëmijët tanë janë amanet për ne dhe vendi për t’i mbrojtur ato është oxhaku i familjes dhe jo individët. Nënat të cilat pa qenë shumë e nevojshme, i lënë këto amanete madhore që janë një përgjegjësi për ta në dorën e të tjerëve dhe vetë shkojnë ne vende të ndryshme, nesër janë kandidate për edukimin e brezave pa interes dhe mëdyshje.
Islami kërkon nga prindërit që fëmijët e tyre të rriten në atë mënyrë që të jenë të kënaqur edhe me Allahun edhe Profetin dhe për këtë arsye duhet që t’i nxisin në adhurim, në punë të mira, të jenë të mëshirës dhe të tolerancës, të tregohen zemërgjerë dhe të gatshëm ndaj ndihmesës, fesë, atdheut dhe popullit. Askush nuk duhet të dyshojë që fëmijët të cilët nuk interesohen për fenë aq sa edhe për lotot sportive, që nuk njohin miqtë e ngushtë të Allahut dhe personalitetet historike aq sa njohin artistët dhe që u kthejnë kokën vlerave hyjnore, do të jenë problem serioz si për të sotmen ashtu edhe për të nesërmet.
E gjithë vuajtja e njerëzimit të sotëm, arsyeja e fatkeqësive në të cilat ka rënë është pikërisht lëkundja e institucionit të familjes. Të presësh një jetë të lumtur dhe një përparim nga anëtarët e një familjeje ku nuk ka një disiplinë hyjnore dhe të cilët nuk njohin një përgjegjësi shpirtërore, do të ishte e njëjtë sikur të vraposh drejt imagjinatave. Një populli të cilit i është shembur rregulli dhe sistemi i familjes, nuk i ka mbetur asgjë në këmbë. Cilësitë më të larta të popujve të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të përjetshme në histori dhe që i kanë prirë botës së njerëzimit për shekuj me radhë kanë qenë pikërisht ata që kanë pasur një strukturë të shëndetshme të familjes. Përmasat e kësaj strukture Allahu i Lartë i ka përcaktuar në Kur’an kur urdhëron: “Mos u thoni prindërve as uf…”, ndërsa Pejgamberi ynë Muhamedi (a.s.) në hadithet e tij kur thotë: “Xheneti është nën këmbët e nënës” Nëse ne arrijmë të marrim pjesë nga këto këshilla sa të lumtur që do të jemi!
Mehmet Erkal Etika 12
/KBI-Bujanoc.com/
3867 Shikime