Hadithi i Xhibrilit a.s. (1)

17.12.2013

Hadithi i Xhibrilit a.s. (1)


Hadithi i Xhibrilit a.s. (1)

Islami, Imani, Ihsani dhe shenjat e kiametit Tregon Omeri r.a.: “Përderisa ne, një ditë ishim ulur pranë Resulullahut s.a.v.s., u shfaq papritmas një njeri me rroba shumë të bardha, me flokë shumë të zez. Tek ai nuk shiheshin gjurmët e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njihte, përderisa ai u ul te Pejgamberi s.a.v.s., duke i mbështetur (duke i afruar) gjunjët me gjunjët e tij, dhe duke i vënë shuplakat mbi kofshët e tij, i thotë:

“O Muhamed! Më thuaj se ç’është Islami?
Resulullahu u përgjigj: Islami do të thotë që ta adhurosh Allahun dhe të mos I bësh rival Atij në adhurim dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij, të kryesh rregullisht faljen e namazit, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të vizitosh Qabenë (të kryesh haxhin), nëse ke mundësi”. 
Ai i tha: “Të vërtetën e ke thënë”. 
E ne çuditeshim me të, ai vetë pyeste dhe vetë e konfirmonte. 
Ai e pyeti: “Më thuaj se ç’është Imani (Besimi)”? 
Ai (Pejgamberi a.s.) iu përgjigj: “Të vërtetosh besimin në Allahun, në Melekët e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit (Kiametin) dhe të besosh në caktimin, në të mirën dhe të keqen e Tij (në dijeni të Tij)”. 
Ai (njeriu) i tha: “Të vërtetën e ke thënë”. 
Dhe e pyeti: “Më thuaj se ç’është Ihsani (përkushtimi më i lartë, i plotë në përsosmëri)”? 
Ai a.s. iu përgjigj: “Që ta adhurosh Allahun sikur të jesh duke e parë Atë, ngase, edhe nëse ti nuk e sheh Atë (atëherë adhuroje Atë me mendjen se, edhe pse ti nuk e sheh Atë), Ai të sheh ty”. 
Ai (njeriu) e pyeti: “Më thuaj kur do të jetë Ora (Çasti i fundit i kësaj bote)”? 
Ai a.s. iu përgjigj: “Ai që po pyetet nuk është më në dijeni se pyetësi”.
Ai (pyetësi përsëri) e pyeti: “Më thuaj cilat janë shenjat e saj”? 
Ai a.s. iu përgjigj: “Kur robëresha të lindë padronin dhe kur të shohësh këmbëzbathurit, të zhveshurit, të varfrit, barinjtë e deleve të hahen (krenohen) për ngritjen e ndërtesave të larta e të shumta. 
Pastaj u largua, e unë qëndrova një kohë të gjatë (pa e parë të Dërguarin a.s.) e pastaj më tha: “O Omer, a e di se kush ishte pyetësi”? Unë i thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri! A i a.s.. tha: “Vërtet ai ishte Xhibrili, erdhi tek ju për t’jua mësuar fenë”.(1)

Pse quhet hadithi i Xhibrilit?

Këtë hadith dijetarët islamë shpesh e kanë quajtur si hadith i Xhibrilit për shkak të paraqitjes së Xhibrilit në mënyrë objektive, në formën e një burri të panjohur. Xhibrili të gjithë ashabët – pjesëmarrësit i befasoi me paraqitjen e tij përmes modelit dhe elegancës që reflektonte nga ana objektive. Po ashtu i befasoi me pyetjet bazë që ia parashtronte Resulullahut, e që vetë pyeste dhe vetë i konfirmonte në formën e një njeriu përplot dije dhe korrektësi. Kur kishte ardhur Xhibrili, Resulullahu a.s.nuk e kishte njohur. Për këtë tregon ai: “Nuk më ka ardhur i personifikuar (Xhibrili) e Unë të mos e njoh atë, përveç kësaj here”.Atë e kishte njohur vetëm pasi ishte larguar nga kuvendi i Tij. Askujt, e as Resulullahut a.s. nuk u kishte shkuar ndërmend se ky njeri që po pyeste ishte Xhibrili a.s., i cili kishte ardhur nga qielli me këtë paraqitje dinjitoze për t’ia mësuar themelet dhe bazat e fesë Islame. Emri Xhibril është me prejardhje joarabe, nga gjuha e vjetër siriane, që d.m.th. – Abdullah (rob i Zotit). Detyra e tij ishte bartja e dërgatës nga Allahu xh.sh. tek të dërguarit e Tij. Resulullahu e kishte parë Xhibrilin në formën e tij të vërtetë dy herë. Një herë në tokë, në kodrën e Mekës El-Harra, në fillim të mërgatës pas ndërprerjes. Paraqitja e tij ishte aq madhështore, saqë kishte mbuluari tërë qiellin. Dhe herën e dytë e kishte parë në qiell, në Sidretul Munteha (në qiellin e shtatë), në Natën e Israsë dhe Miraxhit. 
Kjo paraqitje e Xhibrilit në formën e njeriut tregon se melekët kanë mundësi të personifikimit apo të personalizimit në çfarë forme të dëshirojnë. Por ato personifikohen vetëm në formë të krijesave të bukura, ndryshe nga exhinët, të cilët më së shumti personifikohen në forma të neveritshme, trishtuese dhe të këqija. Xhibrili paraqitej në formën më të bukur të mundshme. Këtë e tregon edhe ky transmetim: “Ai (Xhibrili) ishte njeriu me fytyrën më të bukur, njeriu me erën më të këndshme, sikur teshën e tij të mos e prekte ndyrësira”.(2) 
Në disa raste i ishte paraqitur Profetit a.s. në formën e ashabit Dehjetul Kelbij. E ky i fundit ishte i njohur për pamjen dhe madhështinë e bukurisë që posedonte. Me paraqitjen e Xhibrilit në këtëformë të bukur mahnitëse, Allahu xh.sh. deshi që besimtarëve t’ua mësonte disa rregulla dhe norma se si duhej të dukej kërkuesi i diturisë, nxënësi, studenti etj., për nga pastërtia e veshjes dhe e trupit; se si duhet të dukej besimtari i cili ia mësyn xhamisë, me formën e bukur, pastërtinë e rrobave, erën e këndshme. Ai na mësoi formën dhe etikën e pyetjes dhe të dialogut, metodën e dialogut që ka ndikim më të ndjeshëm në shpirtin e njeriut sesa metoda e ligjërimit. Vetë ulja e Xhibrilit në formën e namazit (teshehudit) para Profetit a.s., jep të kuptohen shumë gjëra të etikës.

Fjalët e panjohura në hadith

Fjala “bejnema” – përderisa, është një pjesëz e kohës rrënja e së cilës është “bejne”, që d.m.th. derisa ishim. Kësaj pjesëze i shtohet pjesëza për ta penguar veprimin e saj. Lejohet të thuhet “bej jen” – derisa, pa shkronjën – mim. Fjala “xhulusun” – shoqërim, ulur, është paskajore me kuptim “xhalisune”, e njëjësi është “xhalisun – i ulur. Fjala “inde” – tek, pranë është një parafjalë që emrin pas saj e detyron të jetë në rasën gjinore. Kjo parafjalë tregon afërsi objektive dhe shpirtërore.
Siç është edhe ajeti : “Tek ai është baza e librit”, pra posedues i diturisë së librit. Prej parafjalëve gjinore asnjë nuk mund të paraprinë në strukturën e fjalisë, përveç parafjalës “min” – prej. Në hadithin bazë kjo tregon afërsinë e ashabëve me Resulullahun a.s.. Fjala “dhate jevmin”– një ditë, shumësi i jevmun është “ejjamun”– ditët, e rrënja e saj është “ejvamun”, ku shkronja vav shkrihet në elif për shkak se është prej shkronjave të dobëta. Ndërsa, rrethanori “dhate” është e gjinisë femërore, e gjinia mashkullore është “dhu” – që ka kuptimin e pronarit “sahib”. Ajo që këtë pjesë të gjinisë femërore e ka bërë t’i bashkëngjitet
“jevmun” emrit të gjinisë mashkullore, është fjalia e cila imagjinohet: – në një orë të kohës së asaj dite. Fjala ”talea” është folje që ka kuptimin: është shfaqur, është paraqitur, ka dalë, ka aguar, ka lindur. Këtu kemi të bëjmë me aspektin metaforik, ku kemi një krahasim në mes shfaqjes së personit me shfaqjen e diellit . Ngase folja talea është shfaqur, në mënyrë dominuese në gjuhën arabe përdoret për lindjen e diellit. Kjo folje tregon për vlerën dhe madhështinë e Xhibrilit, që krahasohet me vlerën dhe rolin e Diellit për jetën njerëzore.
Fjala “rexhulun” – rexhul d.m.th. një njeri, person, burrë. Qëllimi në hadith është për Xhibrilin a.s., që është personifikuar në formë të një burri.
Shprehja – me rroba shumë të bardha apo teshat e tij shkëlqenin nga pastërtia e ngjyrës së bardhë. Kjo pamje e tij ka bërë që të mendojnë se ai ishte prej banorëve të Medinës, i cili kishte bërë një rrugë të shkurtër dhe që ishte i mbrojtur nga pluhuri dhe ndyrësitë e tjera. Kjo është metonimi, epiteti që aludon pastërtinë dhe njëherësh aludon se ai kishte ardhur nga një mjedis i afërt, e jo nga një udhëtim i largët dhe i lodhshëm. Megjithatë asnjë prej ashabëve nuk e njohën, dhe as Profeti a.s.. Sikur të kishte ardhur nga ndonjë vend i afërt (Medina), ata do ta njihnin, e sikur të kishte ardhur nga një udhëtim i largët, atëherë shenjat do të vëreheshin në trupin, flokët dhe rrobat e tij. Askujt nuk i kishte shkuar mendja se ai kishte ardhur nga pastërtia e qiellit. Shprehje “fe esnede” – i ka ngjitur, i ka mbështetur, i ka lidhur “elsaka” nga afërsia, që është afruar me gjunjët e tij. Fjala “kefejhi” ka kuptimin e shuplakës me gishtat . Është emëruar dora “keffun” – pengesë, shuplakë, për arsye se përmes saj mbrohet i tërë trupi dhe pengohen të këqijat fizike ndaj trupit. Fjala “fahidhejhi” ka kuptimin e kofshëve të Resulullahut a.s.. Vënia e të dy duarve mbi kofshët e Resulullahut kishte për qëllim që ardhja e tij të ekzagjerohej, të tërhiqte vëmendjen dhe t’ia përforconte supozimin se vërtet ishte person – bedevi, që vinte nga shkretëtira. Ashabët, duke u mbështetur në këtë paraqitje, urrenin pozicionin dhe uljen e Tij, të Xhibrilit.
Shprehja “felebithtu melijen” qëndrova një kohë të gjatë – pa e parë të Dërguarin, thuhet tri ditë.
Pra, Omeri ishte informuar vetëm pas tri ditësh se pyetësi, ai që e kishte pyetur Resulullahun a.s., kishte qenë Xhibrili. Në një transmetim tjetër autentik thuhet se, pasi u largua personi, Profeti a.s. u tha: – “ma ktheni personin tek Unë”. Ata u ngritën për ta kthyer, por nuk panë gjë. Atëherë Profeti a.s. u tha: “Ky ishte Xhibrili, erdhi për t’ua mësuar njerëzve fenë e tyre.(3)
D.m.th. Profeti a.s. i informoi ata se ai ishte Xhibrili menjëherë pasi ishte larguar nga kuvendi – mexhlisi. Këtu shtrohet pyetja nëse ka kundërshtim në pamje të parë në mes të dy versioneve. Përgjigjja është: Këtu nuk ka asgjë kontradiktore në mes dy versioneve, sepse Omeri e kishte braktisur kuvendin menjëherë pasi njeriu – pyetësi ishte larguar. Pastaj Profeti a.s. kërkoi nga ashabët që kishin ngelur aty, ta sillnin përsëri pyetësin, por nuk panë gjë, e atëherë u tregoi se ai ishte Xhibrili, pra kur Omeri nuk ishte i pranishëm. E pas tri ditësh, kur Profeti a.s. e takoi Omerin, iu drejtua vetëm atij me fjalët: “O Omer, a e di se kush ishte pyetësi? Omeri i tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij më së miri e dinë”. Profeti a.s. tha: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’jua mësojë fenë tuaj”. Pra, Profeti a.s. i informoi ata që kishin ngelur aty nga ashabët menjëherë pas ndodhisë - se ai ishte Xhibrili, kurse Omerin e informoi në ditën e tretë, sepse ai ishte larguar nga kuvendi menjëherë pasi kishte shkuar pyetësi
dhe tri ditë nuk ishte parë me Resulullahun a.s.. Fjalia “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri” tregon për një edukatë në shkallë të lartë që posedonin ashabët karshi Resulullahut. Kjo, sepse të veshurit e dijes Allahut dhe të Dërguarit a.s., është me etikë më të lartë sesa të thuhet ‘nuk e di’. Shprehja -fenë tuaj. Kjo pjesë e hadithit tregon se fjala – fe- përmbledh Islamin në tërësi, duke përfshirë besimin, veprimet e gjymtyrëve, Ihsanin, Kiametin dhe shenjat e tij.

Pse Resulullahu u thirr “O Muhamed!”?

Në këtë hadith dhe në disa versione të tjera Xhibrili e kishte thirrur Resulullahun a.s. me emër – O Muhamed! Transmeton Nesaiu se Xhibrili një herë tjetër ishte shprehur kështu:“Selam (Paqja qoftë me ju) o Muhamed!” Pejgamberi a.s. ia ktheu selamin. E Ai e pyeti: “A të afrohem, o Muhamed!” Pejgamberi a.s. i tha: “Afrohu”. Këtë e përsëriti disa herë: “A të afrohem, o Muhamed!” Përderisa vuri duart e tij mbi gjunjët e tij”. Kjo thirrje në emër “O Muhamed!” nga ana e Xhibrilit, bie në kundërshtim me ajetin e Kur’anit: “Mos e konsideroni thirrjen e të Dërguarit, sikurse thirrjen tuaj për njëri-tjetrin”. (En-Nur, 63). Atëherë, si mund të ndodhë që meleku Xhibril ta thyente një urdhër të cilin e kishte bartur vetë deri në Tokë tek Resulullahu. Për këtë kemi disa përgjigje: - Thuhet se kjo ndalesë, ta thërrasësh në emër Resulullahun, nuk i përfshin melekët. Kjo është ndalesë vetëm për njerëzit – besimtarët; - Thuhet se ndalesa ka ardhur më vonë. Deri atëherë nuk ishte e ndaluar thirrja me emër: “O Muhamed!”.(4)
- Thuhet se Xhibrili a.s. kishte ardhur si mësues dijeje, e mësuesit i lejohet që nxënësin e tij ta thërrasë në emër, me shprehjen “O Filan...!”
Ne si nxënës, studiues, pasues të tij, duhet të kemi kujdes të veçantë se si e përdorim emrin e Resulullahut. Duhet të tregohemi me një etikë dhe edukatë të lartë. Duhet të shprehim butësi, bujari, fisnikëri dhe respekt për emrin e Resulullahit a.s.. Në përdorimin e emrit të Tij është një kod i etikës dhe mirësjelljes së veçantë për Të. Në bashkëngjitje të emrit të Tij duhet të shprehen cilësitë profetike ose salavate, lutjet e paqes për të dhe për të dërguarit e tjerë. Vlen të përmendim emrat me të cilët mund të thërritet Ai: Resulullahu a.s., I Dërguari i Allahut, i Dërguari a.s., Pejgamberi a.s., Profeti a.s., Muhamedi a.s..

Shpjegimi i hadithit dhe analiza e tij

Thënia në hadith “- më trego ç’është Islami” është një pyetje që brendapërbrenda ngërthen esencën e Islamit, që nënkupton se adhurimi duhet t’i dedikohet vetëm Allahut duke mos i bërë rival Atij. Dhe predikimi që bën Muhamedi a.s., është mesazh nga Allahu i Madhërishëm.
Pra, Resulullahu a.s. Islamin e kishte komentuar si veprim të gjymtyrëve të jashtme, që manifestohet me gjuhë, fjalë dhe vepër. Pastaj tregoi se ka të bëjë me kryerjen e namazit si detyrim në kohë të caktuar me të gjitha rregullat e tij. Pastaj tregoi se dhënia e pasurisë, që është hise e të varfërve dhe nevojtarëve, është detyrim ashtu sikur janë edhe dëshmia dhe namazi.
Po ashtu tregoi se pjesë e pandashme e Islamit është agjërimi i ramazanit dhe kryerja e riteve të Haxhit brenda mundësive fizike dhe materiale.
Kështu, Islamin e kishte ndarë në veprime trupore, që janë: namazi dhe agjërimi, dhe në veprime materiale - që është dhënia e zekatit, dhe, në mes tyre, është një veprim edhe trupor edhe material, që është Haxhi. Vlen të theksohet se të gjitha detyrimet e jashtme dhe të dukshme janë nën ombrellën e quajtur Islam. Këtë e dëshmon fjala e Resulullahut a.s. “Mysliman është ai që nga gjuha dhe dora e tij, myslimanët janë të shpëtuar”.(5) Se Islami merret me çështjet e jashtme, këtë e konfirmon edhe ky hadith:
Një person e pyeti Profetin a.s..: “Ç’është më e dobishmja nga Islami”? Ai a.s. iu përgjigj: “Të shpërndash ushqim dhe përshëndetje (selam) për atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh”.(6)... (vijon)

 

4446 Shikime