Fuqia e vërtetë është fuqia e zemrës

23.02.2015

Fuqia e vërtetë është fuqia e zemrës


Fuqia e vërtetë është fuqia e zemrës

Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Allahut salallahu alejhis ue selem, ka thënë: “Allahu nuk shikon pamjet tuaja, por zemrat dhe veprat tuaja.”

I Dërguari i Allahut salallahu alejhis ue selem në hadithin e tij përkujton njeriun se të gjitha bekimet të cilat ia dhuroi Krijuesi, siç janë pamja e mirë, fuqia trupore dhe konstruksioni fizik nuk kanë kuptim dhe rëndësi pa zemër të pastër dhe fisnike. Të gjitha organet janë krijuar si mjet që njeriut t’ia lehtësojnë rrugën drejtë Allahut të Madhërishëm dhe në çastin kur zemra nuk do të jetë prijësi kryesor dhe atëherë kur arsyeja të mos jetë udhëheqësi i tyre; ata organe humbin krejtësisht rëndësinë.

Ky hadith, me koncizitetin e tij, në mënyrën më të bukur thekson domethënien e zemrës njerëzore, përkitazi gjendjes së tij shpirtërore dhe pozitës së tij kundrejt pamjes fizike. Kjo tezë është vërtetuar në shumë ajete kur’anore. Allahu i Madhërishëm thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” [El Enfal: 2]

Zemra është peshorja e imanit dhe shenjë e pranueshmërisë së veprave. Dimensionin e imanit të zemrës e vërtetojnë fjalët e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhis ue selem, i cili thekson që zemra paraqet peshoren e cilësisë njerëzore apo prishjes së tij. “Në të vërtetë në trupin e njeriut ekziston një copë mishi, e cila nëse është e shëndetshme, i tërë trupi do të jetë i shëndetshëm dhe nëse ajo është e sëmurë, i tërë trupi do të jetë i sëmurë. Në të vërtetë kjo është zemra”. [Buhariu dhe Muslimi]

Duke përshkruar gjendjen e të devotshmëve dhe robërve të përkushtuar Allahut, disa paraardhës tanë thanë: Vërtetë Allahu i madhërishëm ka robër të cilët e përkujtojnë, zemrat e të cilëve janë të përmalluar për Allahun. Ka robër të cilët kur përmendin Allahun, zemra u mbushet me frikë, madje edhe nëse zjarri i djeg nuk do ta ndjenin. Ka robër të cilët e përmendin gjatë dimrit dhe të ftohtit, ndërkaq gjaku u vlon nga frikërespekti. Disa robër kur e përmendin dhe kujtojnë Atë, ngjyra e fytyrës iu ndryshon, ndërsa të tjerëve gjumi në sy nuk u vjen.

Ky është grupi i përzgjedhur i njerëzve, për të cilët shkruajti edhe Imam Shafiu në Divanin e tij. Ky hadith inkurajon në nijjet dhe zemër të pastër, meqë ibadeti i zemrës dhe ndikimi i tij janë rregullatori kryesor i korrektësisë së veprave njerëzore, ai është burimi i ndjenjave dhe lindshmërisë që manifestohet në trupin njerëzor. Prandaj ibadeti dhe nënshtrimi i zemrës janë pikënisja e nënshtrimit të trupit. Gjithashtu, sprovat dhe fatkeqësitë me të cilat ballafaqohet zemra e njeriut janë më të rrezikshme dhe më të dëmshme për fenë dhe ardhmërinë e tij se sa sprovat trupore, meqë zemra është burimi i fesë, ndaj kur ai burim të zbehet, zbehet dhe feja e njeriut.

Nganjëherë fuqia fizike e njeriut, bukuria dhe pamja mund të jenë burim i mendjemadhësisë, krenarisë dhe mosnënshtrimit ndaj Allahut të Madhërishëm. Në njëfarë mënyre bëhen burim i keqkuptimeve dhe perceptimit të gabuar. Ky hadith thekson domethënien e brendshme, shpirtërore, fuqinë e zemrës si parametër themelor në bazë të cilës Allahu i Madhërishëm vlerëson njerëzit. Neglizhimi i pastërtisë së zemrës dhe dhënia rëndësi pamjes së jashtme, neglizhimi i esenciales paraqet shkatërrim dhe humbje, ajo është cilësi e atyre që shitën fenë për një dobi të kalueshme të kësaj bote, ndërsa Allahu i Madhërishëm thotë: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, as nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit dhe as nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.”

Fuqia e vërtetë është fuqia e zemrës dhe bukuri e vërtetë është bukuria e zemrës. Kjo është peshore në bazë të së cilës do të trajtohesh tek Krijuesi yt. Aspekti tjetër të cilin thekson ky hadith janë veprat e mira, të cilat janë të pandashme nga zemra e pastër. Për këtë shkak është me rëndësi të bashkohen të gjithë faktorët që të arrihet suksesi.

Ibën Kudame ka thënë: Vepra pa nijjet është lodhje e kotë, nijjeti pa sinqeritet është dyfytyrësi, sinqeriteti pa praktikumin e veprave është sikur pluhuri në ajër. Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.” [Furkan, 23]

Detyrë primare e çdo besimtari që dëshiron ti nënshtrohet Allahut është njohja e nijjetit të vet, dhe mandej t’i harmonizojë veprat me nijjetin me sinqeritetin më të madh, ngase kjo është rruga e vetme e shpëtimit. (Minhaxhu-l-kasidin)

Burimi: Islambosna.ba

Përshtati: Lutfi Muaremi. /KBI-Bujanoc.com/

3771 Shikime